Irina Gjergji (Dema), stilistja shqiptare që befason firmat prestigjioze të modës së lartë në Itali

Për ne ishte një befasim njohja nga afër me një shkodrane, të cilën emigracioni nuk kishte mundur kurrë t’ia rrëmbente Shkodrës. E nuk ka se si një pasardhëse e denjë e familjes së nderuar Demaj, t’i kthente shpinën vendlindjes së saj, pavarësisht suksesit që ka arritur në fushën e modës ne Itali.

Fama nuk e ka verbuar. Quhet Irina Gjergji (Dema), dhe derisa u largua nga Shqipëria pas viteve 90-të, të gjithë këtu e njihnin si një grua duarartë që i përkiste një familje e cila ka nxjerrë rrobaqepëse të nderuara si nënën e saj Kristina Dema, specialiste në atelienë “Moda” apo dhe hallën e saj në Tiranë Roza Dema, modeliste dhe stiliste njëherësh.

Dhe ja tani pas afro 30 viteve, kemi një takim me Irinën, tek i cili nuk dimë se ku të përqëndrohemi më parë: tek koleksioni i saj i sapo përfunduar, apo tek arritjet në vendin e huaj, Itali. Në shtëpinë e saj në Shkodër, gjatë pushimeve dimërore 2018, sapo ka qepur rreth 50 fustane, xhaketa dhe pallto, një porosi kjo e një francezi. Ngriti një skuadër të vogël me rrobaqepëse shkodrane dhe eksperimentoi për herë të parë të krijonte pikërisht në vendlindjen e saj një koleksion të modës së lartë.

  Këtu kemi të bëjmë vetëm me kampionët, nëse do t’i quanim kështu, të cilat më pas do hyjnë në prodhim. Porositësi i tyre është një francez dhe ndryshe nga punimet e tjera, të cilat Irina ose Ina sic e thërrasin të gjithë, i ka realizuar në Itali, kësaj radhe zgjodhi që me një grup punonjësesh tepër të afta ta realizojë në Shqipëri këtë koleksion, përgjatë pushimeve dimërore që kaloi këtu.

   Edhe pse ajo ndjek gjithë procesin e qepjes, më së miri mund të quhet një stiliste e mirëfilltë, pasi një foto që vjen nga pala porositëse duhet zbërthyer dhe bërë llogaritjet para prerjes. Ata që janë specialistë të fushës, këtu do shohin një mrekulli, duke filluar që tek prerja e deri tek qepja perfekte në cdo detaj.

   Ngjyra dhe prerje të modës, në realizime që të bëjnë të humbasësh pas tyre. Veshje të punuara me kaq kujdes, sa bukurinë e skatësinë e qepjes nuk e kanë vetëm nga jashtë por edhe nga brenda. Bile disa veshje mund të vishen nga të dyja krahët.

  Për fat të keq në Shkodër, klientët vishen nga ajo që ofrojnë dyqanet. Përpjekja për tu dhënë hov stilistëve dhe sfilatave këtu mungon. Një realitet krejt tjetër ekziston në kryeqytet Tiranën, në një kohë që dhe Shkodra i ka kushtet për dicka të tillë,-shprehet Ina.

   Me sa duket, kjo ardhje e Inës do të pasohet nga plane më të mëdha në verë. Ajo po projekton që shtëpinë  e saj në Shkodër ta kthejë në një Shtëpi Mode, e para për nga lloji në qytetin verior dhe gradualisht edhe në ngritjen e kurseve për vajzat dhe gratë, duke u dhënë mësime mbi artin e bukur të stilimit. E për këtë e ndihmojnë jo vetëm eksperienca ndër vite, por dhe studimet që ka kryer në Itali në fushën e modes.

Por le të mësojmë më shumë rreth jetës se Inës, duke ndjekur trajtën e një biografie të shkurtër.

      Irina Gjergji ështe nje vajze shkodrane. Me nje nënë mjeshtre kuptohet që rritet një vajzë e frymëzuar për t’i hyrë dhe ajo rrugës së rrobaqepësisë. 5 vjece preu rrobdishamin e Kristinës, të së ëmës, dhe sajoi dicka për vete. Me tej nuk u ndal në fantazinë dhe kurajon e saj.

Në monizëm pati mungesa të shmta në gjetjen  e dickaje të bukur për tu veshur. E nisi duke qepur rroba për veten dhe me pas rrethi i klientëve u zgjerua.    

    Mes viteve 1986-1987 punoi filimisht në qëndistari dhe më pas në Riparim-Shërbime. Asnjëherë nuk e ka ditur se cfarë do të bëhej me jetën e saj në të ardhmen. Me ndërrimin e sistemeve dhe mundësitë sfilitëse që dhanë eksodet e mëdha pas viteve 90, u hap një dritë jeshile edhe për Inën. Emigracioni do të niste fillimisht në Gjermani.

Qëndrimi atje zgjati vetëm 2 vjet. Ëndrra e saj për tu bërë stiliste nuk gjeti hapësira në vendin e përmendur më shumë për zhvillimin e industrisë sesa të modës.

   Në Itali gjeti vetveten edhe pse hyri në prodhim, në ndërmarrjet e mëdha të rrobaqepësisë

    Pas shpatullave të kësaj gruaje pasionante dhe të aftë qëndron një burrë i devotshëm për ta mbështetur atë në cdo hap të jetës, Marjo Gjergji. Ka qenë pikërisht ai që e nxiti t’i futej studimeve për tu pregatitur si stiliste profesioniste. Ne 2003 merr diplomen ë Insitutit Callegari për modeliste, për zhvillimin e modeleve (svilupatrice) dhe organizimin e fazave të punës në prodhim. Duke e përforcuar këtë edhe me kryerjen e një kursi specializimi, me rezultate të shkëlqyera. Ishte koha kur ajo punonte dhe studionte njëherësh.

“Castellani”,  “Bartolini”    në   Perugia (1997-2001)  ishin 2 fabrikat tek të cilat Ina ka punuar në prodhim të rrobave të firmave Prada, Dolce & Gabbana, Versace, Donna karan, Max Mara, Jil sander, Agnona, Gunex e Gucci.

    U shkëput nga realiteti i një ndërmarrjeje, që nuk krijonte hapësira të mëdha për të hyrë në artin e stilimit. Parësore ishte prodhimi dhe jo krijimi.  Studioja e pare tek e cila ajo gjeti një vend pune ishte Brunello CUCINElli (Perugia 2001-2003).

    Ndoshta hapi i parë serioz në karrierën e saj u shënua kur u bë pjesë e Studio Roscini  mes viteve 2003-2011.

Gjithë eksperienca e Irina Gjergjit si rrobaqepëse e modeliste në industrinë e modës përfshihet në 30 vite pune të palodhur, ku oraret mbeten thjesht shifra të përshkuar nga akrepat e orës. Një pasion që të rrëmben, nuk i ndahesh dot, aktivizon gjithë qënien tënde, fantazinë dhe prodhon krijime të vecanta, të pëlqyeshme dhe konkuruese në tregun e  modes,- kështu do ta vlerësonte veprimtarinë e saj Ina.

   Nëse fillimet e para ishin stilime dhe qepje të thjeshta, vitet e eksperiencës e praktikuan në modele të veçanta (të modës së lartë) për gra , burra e fëmijë. Aftësitë e saj të treguara bindshëm para eprorëve e kanë vendosur shpesh në rolin e përgjegjëses për projektimin e realizimin e fustaneve të provave, kampioneve të prodhimit. E këtë autoritet asaj ia dhanë stafet drejtuese të firmave të tilla si: ROBERTO CAVALLI, SCERVINO, RIBEIRO, PUCCI e STERNE INTERNATIONAL e DOLCE & GABBANA.

    Por momenti më i rëndësishëm në gjithë karirerën e saj është bashkëpunimi në linjën e modës së lartë  të një ndër firmave më prestigjioze në botë Roberto Cavalli. Nuk mjafton vetëm dija e fituar. Njerëz të tillë lindin me ndjesi të larta në këtë fushë duke nisur që në thellësi të qepjes, në zgjedhjen e ngjyrave, të copave dhe aksesorëve. Vendoste shpirtin në cdo punë që bënte

     Në natyrën e Inës evidentohen menjëherë tiparet e një njeriu bashkëpunues. Nuk është aspak imponuese, dallohet menjëherë natyra e saj si sygjeruese e një ideje të re në arritjen e një rezultati të kënaqshëm. Punë dhe studim njëhërësh, kjo është motoja e saj.

   Fustanet  mbjanë gjithë sharmin femëror duke e bërë  të shkëlqejë cdo femër që ka patur fatin t’i veshë .

“ Ina fashion” është studioja e saj në Itali, e ndërtuar mes viteve 2011-2018 në Perugia, vendi ku jeton sëbashku me familjen. Kjo i ka dhënë asaj pavarësi dhe autoritet në fushën e modës në Itali

Për stilisten Irina Gjergji, interpretimi i veshjes në një foto përmes patronëve të krijuar nga dora e saj, tashmë duket si dicka e thjeshtë. Duke njohur rregullat e qepjes dhe anatominë trupore, arrin të realizojë kampione me përllogaritje matematikore, aq sa modelja që mban veshur punimin e saj ndihet sikur ka lindur me të.

    Të gjitha koleksionet e  krijuara, që e kanë zanafillën që në projektimin e prerjes e deri tek hekurosja, kalojnë në procese të gjata, ne duart e disa punëtoreve të specializuara të nje studioje, mbikqyerja e të cilave kërkon një eksperte mbi kokë. Dhe e tillë është Irina Gjergji.

Një jetë e ndarë mes studiove dhe pasarelave të modës, krijon Eksperienca komunikimi dhe ndarje përvojash me modelet, stilistët, drejtorët e prodhimit e me modelistet e tjera. “Ne jemi të padukshëm,-shprehet ajo. Merita zakonisht korret nga drejtuesit e firmave, për të cilat punojmë”

   Në krijimet e saj vihet re loja perfekte me copat e holla, tepër të vështira për tu punuar dhe krijuar veshje të derdhura, që shtrihen këndshëm në format femërore. Mjeshtëria e saj është akoma më e dukshme në krijimin e xhaketave, palltove, etj.

    Profesionistët e vërtetë kanë dalluar saktësinë në prerjet dhe qepjet që realizon duke i ofruar që të punojë për  Markat  e rëndësishme; Fendi, Missoni,Trusardi,Bottega Veneta, Roberto Cavalli, Tom Ford,Tommy Hilfiger, Albino, Nina Ricci, Donna Karan, holston, Comei & co e Stella McCartney. 

      Gjithë ëndrra e Inës është të krijojë një linjë të vetën me emrin e saj. Nga ana profesionale ajo tashmë i ka te gjitha aftësitë

Në hapsirat mes sfiladave, ajo gjen kohë gjate pushimeve 1 apo 2 mujore që të merret dhe me pikturën. Në shtëpinë e Inës gjen disa piktura mjaft interesante dhe bashkëkohore.

    Tashmë ajo ndihet një grua e realizuar në jetë, që gjithmonë ka një plan i cili e pret. Rrjetet sociale janë një kontakt më vete mbi risitë dhe burim frymëzmi. Qëndron në kontakt me bashkëkohoren dhe tendencat e modës. Ndërkohe jeta reale e pasarelave dhe e studiove i ka krijuar mudësinë e konkretizimit të atyre ëndrrave, që për shumicën do kishin mbetur thjesht të tilla. Por Ina është  karakterizuar nga vullneti dhe këmbëngulja për t’i realizuar duke patur tashmë, një punë të mrekullueshme me të cilën krenohet.

Përgatiti

Kozeta Bruci                                        Shkodër, më 9.01.19

Back to top button
Verified by MonsterInsights