Historia e Qemal Voglit – kampionit të futbollit që komunizmi e bëri të harrohej

Në vitet ’50-’60 portieri Lev Yashin (Jashin) ishte krenaria e futbollit sovjetik. “Heroi i klasës punëtore” i priste goditjet a thua se kishte tetë duar dhe për faktin se vishej përherë me të zeza njihej si “Merimanga e zezë”. Për 20 vite me rradhë ai mbrojti portën e Dinamos së Moskës. Në karrierë fitoi shumë trofe, mes të cilëve medalje olimpike dhe Kupë Europe me përfaqësuesen sovjetike. Në historinë botërore të futbollit, Lev Jashin, i shpallur portieri më i mirë i shekullit XX mbetet ende i pathyer në llojin e tij, për faktin se është i vetmi portier që është vlerësuar me Topin e Artë.
Megjithatë, në ato vite, në Shqipëri, ai kishte një moshatar, i cili potencialisht i kishte mundësitë për ta konkurruar, por që fati i keq nuk i rezervoi dot të njëjtin sukses. Emri i tij ishte Qemal Vogli. Edhe ai vinte “nga klasa punëtore”. Edhe ai mbrojti portën e Dinamos, por të asaj të Tiranës. Spikati me veshje të zezë në portë dhe për shkak të hedhjeve që bënte mori nofkën “Macja e zezë”.
Me Jashinin u takua në vitin 1954 në Moskë pas një ndeshjeje miqësore mes dy Dinamove. Sovjetikët kishin dëgjuar për Voglin qysh prej miqësores së vitit 1951 në Tiranë (Shqipëri – Spartak i Moskës 1-1), ku Vogli ishte dalluar për daljet dhe hedhjet e përkryera në portë. Jashin dhe Vogli – asokohe të dy 25-vjeçarë – e vlerësuan me konsiderata njëri-tjetrin.
Në 6 vite me Dinamon, Vogli do të ishte protagonist në fitoren e 5 kupave dhe 5 kampionateve. Ende të pathyera për futbollin shqiptar janë rekordet e këtij ekipi si: 25 fitore radhazi (sezoni 1951-52) dhe vetëm 5 gola të pësuar gjatë një kampionati.
Por, megjithëse tifozë të shumtë ishin krenarë për arritjet e tij sportive, Vogli nuk u bë dot kurrë hero i futbollit komunist shqiptar, përkundrazi. E gjithë lavdia e Voglit u mbyt në harresë kur më 3 shtator 1956 ai u arratis drejt perëndimit. Ishte vetëm 27 vjeç dhe kishte vetëm 10 vite si futbollist profesionist.
Rrethanat bënë, që pas një miqësoreje tjetër, pikërisht me Dinamon e Berlinit, ai të arratisej në Berlinin Perëndimor. Ishte koha kur ende nuk ishte ndërtuar muri. Ishte koha kur arratisjet regjimi diktatorial i Hoxhës i dënonte rëndë.
Prej vitit 1956 e deri më sot historia e Qemal Voglit është treguar më së shumti përmes rrëfimeve dhe më pak përmes dokumentave. Për Voglin, Sigurimi kishte grumbulluar informacione që kur ai kishte qenë adoleshent. Pranë tij, Sigurimi kishte mjaft bashkëpunëtorë disa prej të cilëve mbanin nofkat: “Çapkëni”, “Goma”, “Jehona”, “Bjeshkore”, “Biblioteka e Pogradecit”, “Topi”, “Stina e Shiut”, “Besuesi” dhe “Lumi”.
Biografia e Voglit ishte “e njollosur” nga një familjar i angazhuar me Ballin Kombëtar, por megjithatë ai privilegjohej prej dhuntive sportive dhe nuk penalizohej, madje as për kontrabandën që bënte njësoj si disa sportistë të tjerë, të cilët kur dilnin jashtë shtetit, në kthim, edhe pse nuk lejohej, merrnin sende të ndryshme me vete.
Sidoqoftë, Sigurimi e vëzhgonte vazhdimisht Voglin përmes sinjalizimeve të bashkëpunëtorëve në lidhje me tendencat për arratisje që ai shfaqte ndonjëherë. Arratisje, të cilën do ta konkretizonte në vitin 1956, por që nuk zgjati shumë. Ai u kthye në Shqipëri në mënyrë enigmatike. Versioni që regjimi propagandoi ishte se ai gjoja ai u kap falë agjenturës së Sigurimit dhe bashkëpunimit me agjenturat simotra të vendeve të tjera komuniste. Në dosjen e tij janë fshirë të gjitha gjurmët në lidhje me këtë ngjarje, por në arkiva ekziston një korrespondencë e mbajtur me STASI-n, homologen e Sigurimit të Shtetit në Gjermaninë Lindore.
Për shkak të popullaritetit që kishte mes njerëzve, portieri i Dinamos u dënua me vetëm 15 vite burg; më vonë ai u amnistua dhe pas 5 vitesh u lirua. Mirëpo për të nuk do të ishte më e njëjta jetë si më parë. Voglit iu ndalua të luante futboll ndërsa dokumentat tregojnë se ai u mbajt nën vëzhgim të vazhdueshëm nga Sigurimi i Shtetit deri në vitin 1991, shpeshherë duke u cilësuar si agjent i fshehtë.
Dënimi më i rëndë që mori, me gjasa, ishte ndarja me të bijën kur ajo ishte ende e vogël dhe ndalimi i të luajturit futboll gjatë gjithë jetës. Qemal Vogli me shumë mundësi mund të mos fitonte dot medalje olimpike, kupë Europe, apo Top të Artë, por është e sigurt se po të vazhdonte të luante futboll, ai do të shkruante një faqe shumë herë më të lavdishme të futbollit shqiptar; do të ishte një histori suksesi e cila nuk do të harrohej kurrë.

Ky shkrim u përgatit nga Erblin Vukaj për Institutin për Demokraci Media dhe Kulturë.

©️ VOTRA Magazine / Korrik 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights