Sport

Eusebio Haliti – Rekodmeni shqiptar i atletikës italiane

Më 13 janar 2008, ka ndodhur një ngjarje sportive që edhe për historinë e sportit shqiptar është sensacionale. Një djalosh, atëherë vetëm 17 vjeç, ka thyer rekordin kombëtar të Italisë në vrapimin e 400 metrave me dyer të mbyllura me kohën e bujshme 48.86 sekonda, rekod ky që kishte mbetur i pathyer prej 25 vjetësh, çka ka sjellë një kënaqësi të veçantë në mjedisin atletik italian.

Ja çfarë shkruante shtypi italian një ditë pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm të djaloshit nga Shkodra. 

“Atleti i shoqërisë “Rocco Scotellaro Matera” i ka habitur të gjithë duke dominuar garën e 400 metrave në salla të mbyllura (indoor) me një rezultat record, 48”86. Ky është rekord i ri italian në kategorinë e të rinjve (nën 17 vjeç).
Ky rezultat teknik i jashtëzakonshëm dhe historik është arritur prej atletit Haliti Eusebio përfaqësues i “Pol. Rocco Scotellaro Matera”.
Në të vërtetë, në mbasdreken e djeshme, gjatë “Meeting Nazionale Indoor” zhvilluar në Ancona, atleti i ka çuditur të gjithë, duke dominuar garën e 400 metrave, por mbi të gjitha ai ka vendosur me kohën 48”86 rekordin e ri italian për të rinjtë nën 17 vjeç, duke e ulur atë plot 26 të qindtat nga 49”12 që ishte rekordi i mëparshëm, i vendosur në Genova nga Danilo Bertaggia i mbetur në fuqi qysh nga viti 1983.
FIDAL (Federata Italiane e Atletikës së Lehtë) ende nuk e ka regjistruar zyrtarisht si rekord italian sepse i riu i datlindjes 1991, me origjinë shqiptare, ende nuk ka marrë shtetësinë italiane, ndonëse atleti prej shumë vitesh jeton, studjon dhe stërvitet në Itali, pikërisht në Bisceglie.

E rëndësishme është që nis me një shpërthim stina e këtij margaritari të klubit materan, teksa kujtojmë ndërkaq, se tetorin e shkuar, ai fitoi në Cesenatico titullin e Kampionit të Italisë në këte moshë në 400 metra me pengesa. Në fund të garës, Eusebio me vetsigurinë e tij të njohur, deklaroi:

“Ky është vetëm fillimi. Këte vit mendoj të përjetoj shumë kënaqësi, duke filluar me që me fitimin e dy titujve italianë në 400 metra dhe në atë me pengesa jashtë në pistë të hapur në Rieti. Falenderoj së tepërmi trajnerin tim Antonio Ferro, i cili me shumë profesionalizëm më ndjek përditë në stërvitje, në fushë dhe në garë. Nëse nuk do të marr sa më parë që të jetë e mundur shtetësinë italiane, atëherë është krejt e natyrshme pjesëmarrja ime në Olimpiadën e Pekinit në gusht nën fanelën e Kombëtares Shqiptare. Por ëndërra ime është që të vesh fanelën “azzurra” sepse ndjehem italian 100 %”.

Talentin e tij të lindur Antonio Ferro nuk e gjen thjesht në natyrshmërinë e vrapimit të tij, kur thotë: “Eusebio më ka çuditur edhe mua, sepse natyrisht që nuk e prisja një përmbysje të tillë të kronometrit qysh në garën e parë në salla të mbyllura për vitin 2008, por prej këtij të talenti të jashtëzakonshëm sportiv, gjithçka mund të pritet. Ai niset gjithmonë për të fituar çdo garë dhe për të tejkaluar caqet e tij”.

Presidenti Vizziello, shumë i emocionuar dhe shumë i kënaqur, deklaroi: “Eusebio është atleti më i plotë që kam njohur deri më sot. Ai kalon me lehtësi nga 400 metrat pa pengesa tek ato me pengesa. Jam me të vërtetë i kënaqur për praninë e tij në klubin tonë i cili këte vit feston 45-vjetorin e themelimit”.

©️ VOTRA Magazine / Maj 2021 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button