Dita Botërore e Librit: Eksplorimi i magjisë brenda faqeve

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe së Drejtës Autoriale “Votra magazine”, vjen pranë jush, të dashur dhe të nderuar lexues, me mirënjohjen dhe respektin për të gjithë ata shkrimtarë, përkthyes të librit, shtëpi botuese dhe të gjithë që kontribuojnë për librin, leximin, kulturimin….


Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë historikisht instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive dhe se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor.


Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë. I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë.


Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre…
Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit.


E natyrisht një vend të veçantë, meritojnë të gjithë shkrimtarët shqiptarë duke filluar me ata më të vjetrit, kolosët e letërsisë shqipe, ndër të cilët mund të përmendim: Sami Frashërin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Naim Frashërin, Lasgush Poradecin, Migjenin, Nonda Bulkën, Kolë Jakovën, Ismail Kadarenë, Dritero Agollin….dhe shumë shkrimtarë të ditëve të sotme….


Suksesi i librit dhe i të drejtës autoriale varet kryesisht në mbështetjen që duhet marrë nga të gjitha palët e interesuara ku hyjnë autorët e librit, botuesit, mësuesit, bibliotekarët, institucionet publike dhe private, OJQ-të dhe mediat, të cilat mobilizohen në çdo vend. Duke qenë një nga mjetet më të vjetra të komunikimit dhe shpërndarjes, jo vetëm libri që ka ndikim shpirtëror, arsimor dhe kulturor, por ai përfshin edhe aspektet ligjore ekonomike të tregtisë botuese.


Kjo ditë është një mundësi për të nisur një fushatë të gjerë dhe të qëndrueshme për ngritjen e vetëdijes, duke synuar të mbështesë veprimin e aktorëve lokalë dhe institucioneve në favor të librit dhe të leximit. Ajo bazohet në një qasje pjesëmarrëse dhe në partneritet me profesionistë, aktorët politikë dhe përfituesit që nënkuptohet në nivel kombëtar dhe rajonal.

Back to top button
Verified by MonsterInsights