Dashuria për flamurin kuqezi dhe fëmijët tanë

O nënë e babë…” – Fan Noli


Këtë 28 Nëntor festohet 104-vjetori i Festës së Flamurit; I flamurit tonë të ngjyrosur me gjakun e të rënëve për lirinë dhe kufijtë e tokës shqiptare, me shqiponjën dykrenore në qendër, që mbron e paepur shpirtin shqiptar e që të ketë gjithmonë Shqipëri e shqiptarë, sado të jemi të shpërndarë nëpër botë.

Është ky flamur që u ngrit i lirë në qiell me krenari nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u qëndis nga duart e arta të Marigosë që të valëvitet në duart e Ismail Qemalit në nëntorin e 1912s në Vlorën heroike; flamur që udhëhoqi luftëtarët nëpër beteja duke u bërë edhe më i kuq nga gjaku i trimave të UÇK-së të rënë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Ky flamur ka qënë mbuloja mbi djepin e djemve që rriteshin sikur lisat kur nënat u këndonin ninullat, por ka qënë dhe është edhe prijatar që shoqëron dasmorët me tupan e klarinetë dhe me këngët e dashurisë, kur vashat shqiptare, sikur zana, veshin vellon e nusërisë.

Gjunjëzohemi para tij sikur bacë Isa Boletini, e puthim me gjithë dashurinë e zemrës deri në asht, e ngremë lart me krenarinë e shqiptarit dhe i këndojmë me vargjet e rilindasve.

“Betimi mbi flamur” – E titullon Asdreni hymnin në vitin 1908.  

Rreth flamurit të përbashkuar   Me një dëshir` e një qëllim, Të gjith` atij duk` ju betuar Të lidhim besën për shpëtim. Prej lufte veç ay largohet Që është lindur tradhëtor, Kush është burrë nuk frikohet, Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë   Të mprojmë atdhenë më çdo kënt, Të drejtat tona ne s`i ndajmë; Këtu armiqtë s`kanë vënt. Se Zoti vetë e tha me gojë Që kombe shuhen përmi dhe, Po Shqipëria do të rrojë; Për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,   Te ty betohemi këtu, Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë, Për nder` edhe lavdimn` e tu. Trim, burrë quhet dhe nderohet Atdheut kush iu bë theror; Për jet` ay do të kujtohet Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!

“Nën hijen e tij qofshim dhe në dorën tonë valoftë!” – uron populli

“U bë Shqipëria! Po u bë duke vuajtur me buzëqeshje, duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes nër dhëmbë: me Himnin e saj Kombëtar shqiptar!” – shkruan me penë e me zemër Lasgush Poradeci.

“Këngë a vaj? Çë je? Thuejma zemër kombi!” – i këndon me shpirt e me shkronja Migjeni.

“Mbi njat flamur Perëndia

me dorë t’vet ai ka shkrue:

Për shqiptarët do të jetë Shqupnia…” – At Gjergj Fishta

“O flamur, yll i lirisë,

valëvit me plot shkëlqim;

E prej qiellit t’Shqipërisë

Të dëgjohet në amëshim”- Beqir Çelaj

“O Flamur gjak, o Flamur shkabë,

O vënd e vatër, o nënë e babë,

Lagur me lot’, djegur me flagë,

Flamur i kuq, Flamur i zi.”- Fan Noli

Flamuri ynë kuqezi tani më tepër se kurrë ka nevojë për dashuri nga të gjithë ne, që të përshëndesë qiellin çdo mëngjes dhe jo vetëm në sipërfaqe me rroba e me emblema, por me dashuri të thellë që të jetë e sinqertë e të zërë vend. Këtë dashuri  askush nuk e dhuron më bukur se fëmijët, sepse ata e dinë se çfarë i lumturon dhe çfarë i mërzit prindërit e tyre. Ata i kuptojnë prindërit e tyre kur flasin me dashuri për mëmëdheun apo edhe kur ngrysen në fytyrë nga vuajtjet në atë tokë që i rriti e që mban eshtrat e të parëve të tyre. Pikërisht këtë mbase kishte parasysh edhe mbesa ime, Leila, e cila, kur pa flamurin shqiptar të valëvitej plot krenari në Nju-Jork, tha: “Kjo është shqiponja që do babi im. Ai e do shumë atë shqiponjë”. Ashtu si Leilën, dua të shikoj çdo fëmijë shqiptar anekënd botës: të marrë shembull nga prindërit e tij për dashurinë ndaj flamurit kuqezi.

Fëmijët duan t’i dinë e t’i këndojnë këngët që këndohen në parada, në dasma, në koncerte apo për festat e Nëntorit. Por nëpër shkolla, aty ku duhet të jetë baza e çdo edukimi, këto këngë këndohen vetëm në raste festash. Ndërkaq, fëmijët shqiptarë të lindur në ShBA, ngrihen çdo mëngjes më këmbë, para se të fillojnë mësimin, e me dorë në zemër këndojnë:

“Oh say, can you see

by the dawn’ early light

what so proudly we hailed

at the twilight last gleaming…”

Ose në Kanada:

“O Canada,

our home and native land

true patriot love in all thy sons command

with glowing hearts we see the rise

the true North strong and free…”

Dhe këto nuk janë të vetmet shtete ku këndohen këngë patriotike nëpër shkolla, qoftë çdo mëngjes, një herë në javë apo nëpër tubime, kur bëhen bashkë prindër e fëmijë.

Sipas studiuesve, këngët patriotike kanë një fuqi aq të madhe bashkimi, saqë kur njerëzit i dëgjojnë dhe i këndojnë, vetvetiu krijojnë të njëjtat imazhe dhe ndjenja, çka ndikon në shoqërimin kombëtar(Jahoda 1963, Rekha and Taj 1995, Rippon 2005).

Muzika njihet si një akt bashkimi në kontekste sociale (Folkstead 2002) dhe këngët patriotike duket se janë një demonstrim i fuqishëm i këtij funksioni.

Studimet e fundit gjithashtu tregojnë se përdorimi i muzikës patriotike në shkolla shërben për të rrënjosur kuptimin e krenarisë kombëtare, atdhedashurisë, unitetit dhe ndershmërisë morale tek të rinjtë (Brand 2003, Herbert 2010, Ozgul 2009, Veblen and Beynon 2003).

Por jo vetëm kaq. Të kënduarit rregullisht i këngëve patriotike jo vetëm që krijon një rutinë, për të cilën fëmijët kanë shumë nevojë, por edhe u jep zë atyre fëmijëve që nuk do të guxonin ta ngrinin zërin ndryshe e të bashkoheshin me të tjerët për t’u ndjerë të barabartë me ta.

Prandaj, ndërsa në Kosovë flamuri blu po e zëvendëson të kuqin e kur në Shqipëri të gjithë duan të ikin, këndimi hymnit tonë kombëtar dhe i këngëve patriotike nëpër shkolla do të jetësojë atë dashuri për të cilën flamuri i të parëve tanë ka shumë nevoje:

Prandaj, le të këndojmë me gjithë dashurinë tonë:

Ty flamur të duam shumë

ti për ne je nënë e babë,

për ty gjakun derdhim lumë

o flamur i kuq me shkabë.

Kënga e re jehon mbi det

mbi qytete, fushë e mal,

për flamurin e vërtetë

për të shtrenjtin ideal.

Ylli i ri na prin o shokë

do të bëhet qielli mirë

pa sëpata përmbi kokë

fluturon shqiponjë e lirë.

Ti qëndron shqiponjë e lirë

përmbi shkëmbin arbëror

këput pranga dhe zinxhirë

frymëzim na sjell në tokë.

Kënga e re jehon mbi det

mbi qytete, fushë e mal,

për flamurin e vërtetë

për të shtrenjtin ideal.

Ylli i ri na prin o shokë

do të bëhet qielli mirë

pa sëpata përmbi kokë

fluturon shqiponjë e lirë. – Nga filmi “tingujt e luftës”

Kështu, fëmijët tanë jo vetëm të këndojnë, por edhe do ta duan tokën e të parëve dhe do të vazhdojnë ta valëvisin me krenari, me dashuri dhe me ndjenjën e detyrës flamurin e tyre të larë me gjakun e të parëve dhe me shkabën dykrenore në mes.

Aferdita Delaj

Back to top button
Verified by MonsterInsights