“Animals Need Me” po transformon mirëqenien e kafshëve në Shqipëri. Intervistë ekskluzive me themeluesen Oli Pero për “Votra Magazine”

Zbuloni si udhëheqja me pasjon e Oli Pero dhe programet inovative po ndryshojnë jetët e kafshëve endacake në Shkodër dhe përtej

Në këtë intervistë frymëzuese për “Votra Magazine”, patëm privilegjin të bisedonim me Oli Pero, themeluesen e organizatës jo-fitimprurëse “Animals Need Me”, e cila është e përkushtuar për shpëtimin dhe rehabilitimin e kafshëve endacake në Shkodër, Shqipëri. Oli ndau udhëtimin e saj, sfidat që ka hasur dhe ndikimin që organizata e saj vazhdon të ketë në komunitet. Me një vizion të qartë dhe një pasion të palëkundur për mirëqenien e kafshëve, udhëheqja e Olit ka vendosur një shembull jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Përmes pyetjeve të menduara dhe thelbësore, “Votra Magazine” eksploron misionin, sukseset dhe synimet e ardhshme të “Animals Need Me”, duke marrë, gjithashtu, njohuri mbi motivimet personale që qëndrojnë pas kësaj kauze fisnike.

Votra Magazine”: Cili është misioni kryesor i organizatës suaj?

Oli Pero: “Animals Need Me” shpëton, rehabiliton dhe gjen familje adoptuese për kafshët e pastreha në qytetin e Shkodrës me ndihmën e stafit, vullnetarëve dhe partneritetit me organizatat simotra.

“Votra Magazine”: Si lindi ideja për të krijuar një organizatë jo-fitimprurëse për qentë në Shqipëri?

Oli Pero: Në fakt, gjithmonë i kam dashur kafshët dhe jam munduar t’i ndihmoj me sa kam pasur njohuri e fuqi. Që e vogël ëndërroja të kisha mundësi t’i strehoja që të mos silleshin rrugëve të pashpresë. Kjo ëndërr, u kristalizua me ndërgjegjësimin dhe nevojën e madhe që kishin kafshët e qytetit të Shkodrës për ndihmë.

Votra Magazine”: Çfarë ndikimi afatgjatë synoni të arrini në fushën e mirëqenies së kafshëve në Shqipëri?

Oli Pero: “Animals Need Me” synon të krijojë një shoqëri ku asnjë kafshë nuk braktiset, lihet pas dore apo abuzohet. Problemi i kafshëve endacake nuk është vetëm i joni apo i kafshëdashësve, por është një problem shoqëror që vjen prej njerëzve. Si i tillë, kërkon bashkëveprim institucional, ndërgjegjësim të publikut mbi pronësinë e përgjegjshme dhe zbatim të ligjit.

Sigurisht kjo do kërkojë dekada punë e përpjekje, por në 12 vite aktivizëm, shohim ndryshime pozitive.

“Votra Magazine”: Si e përkufizoni suksesin në përmbushjen e misionit tuaj?

Oli Pero: Ka disa mënyra për ta matur atë. Unë do përmendja rritjen e numrit të kafshëve të adoptuara, sterilizuara dhe regjistruara, zvogëlimin e braktisjeve, rritjen e organizatave që i mbrojnë, nxitjen e institucioneve që bëjnë detyrën e tyre.

“Votra Magazine”: Çfarë ju frymëzoi për të zgjedhur emrin e organizatës suaj?

Oli Pero:  Në fakt nuk e kam zgjedhur unë emrin, por një vajzë që ishte asokohe pjesë e grupit. Ideja ishte që të shprehnim lidhjen njerëzore me kafshët. Qentë dhe macet nuk mund të jetojnë larg njeriut. Ne i zbutëm ata mijëra vjet më parë dhe i bëmë miqtë më të mirë. Nuk mund t’i braktisim e t’i lëmë në baltë.

“Votra Magazine”:   Cilat janë programet ose shërbimet kryesore që ofron organizata juaj për të ndihmuar qentë e pastrehë ose të abuzuar?

Oli Pero:  Mund të them me krenari që organizata jonë është e vetmja në Shqipëri që kryen një cikël të plotë shërbimi për të avancuar kauzën e mbrojtjes së kafshëve të shoqërimit duke përfshirë shpëtimin, strehimin, sterilizimin, ndihmën mjekësore, adoptimin, edukimin qytetar, mbrojtjen ligjore për rastet e abuzuara si dhe lobimin ndër institucione.

“Votra Magazine”: A keni iniciativa të veçanta për sterilizim/kastrim dhe si e siguroni efektivitetin e tyre?

Oli Pero: Po, sterilizimi është një nga shtyllat e veprimtarisë tonë. Që prej vitit 2012 kemi realizuar 35 fushata që kanë rezultuar në sterilizimin e rreth 4400 qenve dhe maceve.

Që një projekt sterilizimi të ketë efektivitet të lartë, duhet që të sterilizohen së paku 70% e qenve femra në një zonë të caktuar.

Shpesh suksesi sabotohet nga braktisjet e larta dhe nga sjellja e qenve nga qytetet e tjera.

“Votra Magazine”: Si identifikoni dhe shpëtoni qentë që kanë nevojë për ndihmë urgjente?

Oli Pero: Krahas rasteve në nevojë që i shohim vetë, organizata jonë merr çdo ditë rreth 35 mesazhe apo emaile me kërkesa për ndihmë për raste në nevojë. Duke qenë se burimet tona janë tejet të kufizuara, u japim prioritet atyre që nuk mbijetojnë dot në rrugë, si për shembull rastet e a aksidentuara, helmuara, sëmura rëndë, ose këlyshë apo kotele tejet të vegjël të shkëputur nga nëna.

“Votra Magazine”: A mund të përshkruani procesin e adoptimit që ndjek organizata juaj?

Oli Pero: “Animals Need Me” ka një procedure specifike për adoptimin e qenve dhe maceve tona që përfshin 3 pjesë: plotësimin e pyetësorit tonë, vizitën në strehë për të takuar kafshën e dëshiruar dhe firmosjen e një marrëveshjeje për adoptimin. Ne mbesim gjithmonë në dispozicion nëse kanë pyetje dhe të gatshëm për ta marrë kafshën mbrapsht në rast se adoptimi nuk funksionon.

“Votra Magazine”: Çfarë kujdesi rehabilitues dhe mjekësor ofroni për qentë e shpëtuar?

Oli Pero: Pothuajse të gjitha (mjekime të ndryshme për probleme parazitare të lëkurës dhe gjakut, hospitalizim, operacione për heqje tumoresh, kemioterapi, sterilizim, amputim gjymtyrësh, riparime nofulle, etj. Ndërsa zhvillojmë më pak operacione të komplikuara në kocka, të cilat nuk kanë rezultuar shumë efektive për përmirësimin e cilësisë së jetës së qenve, pavarësisht kostos tepër të lartë që kanë.

“Votra Magazine”: Si e rrit ndërgjegjësimin organizata juaj për mirëqenien e kafshëve brenda komunitetit?

Oli Pero: Që nga dita e parë e krijimit si grup vullnetar, “Animals Need Me” ka mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me komunitetin duke qenë të bindur se të vetëm nuk ia dalim. I përgjigjemi çdo mesazhi të qytetarëve, dhe kur nuk jemi në gjendje të ofrojmë ndihmë konkrete, i këshillojmë ose japim referenca në vazhdim. Fatmirësisht në Shkodër ka shumë kafshëdashës që kujdesen dhe japin shembull pozitiv në lagjet e tyre. Ne përpiqemi t’u ofrojmë ndihmë me sterilizim, ushqim dhe adoptim për kafshët për të cilat ata kujdesen.

“Votra Magazine”: A keni iniciativa edukative që synojnë shkollat ose grupet e të rinjve?

Oli Pero: Prej fillimeve tona e kemi theksuar rëndësinë e edukimit duke folur shpesh në media, me grupet e interesuara por edhe në shkolla. Prej 2023 kemi një projekt të mirëfilltë edukimi me të cilin zhvilluar 48 takime me 800 nxënës të përfshirë duke filluar nga kopshtet e deri në Universitet.

Dy janë shtyllat kryesore të tij: Pronësia e përgjegjshme dhe ndërveprimi i sigurt me qen.
Jemi shumë të kënaqur me pjesëmarrjen dhe mikpritjen që na kanë rezervuar.

“Votra Magazine”: Çfarë roli luan komuniteti në mbështetjen e misionit tuaj?

Oli Pero: Një rol kyç. Komuniteti ka fuqinë të shpëtojë, transportojë, strehojë, adoptojë apo dhurojë për kafshë në nevojë. Ai ka në dorë të mbështesë apo të injorojë një nismë, të përqafojë apo të evitojë një ligj. Komuniteti ka fuqi të ngrejë zërin për një problem, të votojë e të lobojë. Asnjë iniciativë nuk mund të marrë hov pa mbështetjen apo përfshirjen e komunitetit.

“Votra Magazine”: Si inkurajoni përgjegjësinë ndaj kafshëve dhe adoptimin e tyre?

Oli Pero: Ne bëjmë shumë kujdes me mesazhet që transmetojmë në rrjetet tona sociale. Dy prej nesh janë trajnuar në akademi në Londër dhe kanë marrë pjesë në shumë konferenca anë e kënd globit për të mësuar mbi mirëqenien e kafshëve dhe politikat etike. Do e filloja me të qenit vetë të përgjegjshëm si individë dhe si organizatë, për të dhënë shembullin e mirë.

Jemi shumë transparentë në lidhje me shërbimet që i janë bërë kafshës para adoptimit dhe qëndrojmë në dispozicion për këshillim ndaj adoptuesve. Kemi zhvilluar gjithashtu një doracak me këshilla në gjuhë joakademike për pronarët e rinj të kafshëve si dhe aplikacionin e “Animals Need Me” me të cilin mund të regjistrojnë kafshët shtëpiake dhe të lexojnë këshillat.

“Votra Magazine”: Në çfarë mënyrash kontribuojnë vullnetarët në përpjekjet e organizatës suaj?

Oli Pero: Vullnetarët janë zemra e “Animals Need Me”. Pa ta asgjë nuk është e mundur. Organizata jonë është me shumë fat që mbështetet ndër njerëz kafshëdashës me zemër të madhe dhe me ekspertiza nga më të ndryshmet. Ata a pasurojnë “Animals Need Me” dhe janë kontributorë në rritjen tonë.

Vullnetarët shpëtojnë, strehojnë, mjekojnë, transportojnë, ndihmojnë në adoptimin, dhurojnë, edukojnë, lobojnë, sakrifikojnë nga koha e tyre e çmuar për ta çuar përpara këtë kauzë.

“Votra Magazine”: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen qentë në Shqipëri sot?

Oli Pero: Qentë vuajnë nga pronësia e papërgjegjshme me pronarë që i keqmbajnë, nuk kujdesen për nevojat e tyre dhe i braktisin në rrugë në problemin më të parë. Në rrugë vuajnë urinë, nëpërkëmbjen, keqtrajtimin, sëmundjet dhe vdekjen. Ata që janë me fat, shpëtohen dhe adoptohen në familje të përgjegjshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë të tjerë jetojnë një jetë jo të mirë në familje e në rrugë.

“Votra Magazine”: Si e adreson organizata juaj rastet e abuzimit të rëndë ose neglizhencës?

Oli Pero: Në disa forma: Nëpërmjet këshillimit ose ndërmjetësimit direkt me pronarin, nëpërmjet denoncimit në polici, prokurori ose institucionin përgjegjës, ose nëpërmjet ekspozimit mediatik dhe në rrjete sociale.

“Votra Magazine”: Cilat janë pengesat kryesore për përmirësimin e mirëqenies së kafshëve në Shqipëri dhe si i kapërceni ato?

Oli Pero: Mungesa e pronësisë të përgjegjshme, mungesa e përforcimit të ligjit, prapambetja kulturore, ekonomike e sociale dhe mungesa e edukimit. Nuk mund të kapërcehen plotësish nëse nuk kemi avancime të koordinuara dhe të njëtrajtshme në të gjitha instancat shoqërore, institucionale e politike.

“Votra Magazine”: Si e përballoni mungesën e financave dhe të burimeve?

Oli Pero: Një pjesë jo e vogël e aktivitetit të “Animals Need Me” financohet nga vetë anëtarët e saj kur burimet financiare të dhuruara mungojnë. Jemi shumë të investuar për ta çuar përpara këtë nismë.

“Votra Magazine”: Çfarë masash merrni për të siguruar sigurinë dhe mirëqenien e ekipit tuaj kur përballeni me qen agresivë ose të lënduar?

Oli Pero: Keni prekur një çështje mjaft të rëndësishme pasi siguria e ekipit nuk mund të anashkalohet dhe shpesh merret si e mirëqenë. Mirëpo e vërteta është që ne përballemi çdo ditë me raste nga më sfidueset. Vitet e eksperiencës dhe trajnimet na kanë mësuar se si t’i shmangim incidentet. Kemi gjithashtu mjete si doreza anti rabies dhe kafshim, makinë, pushkë anestetike, lak etj për rastet që menaxhohen me vështirësi.

“Votra Magazine”: Kush janë partnerët tuaj kryesorë dhe si ndihmojnë këto bashkëpunime në arritjen e objektivave tuaja?

Oli Pero: Partnerët tanë kryesorë janë Pro Qen Albania që na kanë ndihmuar që në vitet e para për infrastrukturën, ushqimin, mjekimin, sterilizimet dhe adoptimet; Albtiefbau që ka ndërtuar strehën tonë ku ndodhen 70 qen; Klinika Veterinare Putrat dhe Pet Point për ushqimet dhe mjekimet me zbritje; Dog Coaching Center për këshillat e çmuara dhe trajnimet e stafit ose qenve tanë; Stumme Bruder dhe Studio Ligjore Pecaj për avancimin ligjor të nismës, Honey’s Pack of Hope dhe Dogs Trust Bosnia për projektin e edukimit në shkolla dhe komunitet.

“Votra Magazine”: Si bashkëpunoni me autoritetet lokale dhe organizatat ndërkombëtare për mirëqenien e kafshëve?

Oli Pero: Autoritetet lokale janë të detyruara me ligj që të marrin masa për strehimin, sterilizimin dhe regjistrimin e kafshëve të rrugës. Ne kemi treguar një elasticitet të madh dhe kemi investuar burime të rëndësishme në mbështetje hartimit të politikave humane në Bashkinë e Shkodrës.
Autoritetet lokale kanë nevojë të maturohen në këtë drejtim.

Organizatat ndërkombëtare ndihmojnë së tepërmi por unë i qëndroj stoike mendimit që nuk duhet të presim nga të huajt që të zgjidhim gjithmonë problemet në Shqipëri. Ka ardhur koha të rritemi dhe të japim kontribut përmbajtësor me njerëzit dhe burimet që kemi.

“Votra Magazine”: Cilat janë burimet kryesore të financimit tuaj?

Oli Pero: Dhurimet nga individët, grantet e vogla nga organizatat partnere dhe financimi nga anëtarët e vet.

“Votra Magazine”: Çfarë lloj donacionesh (monetare, ushqim, medikamente, etj.) janë më të dobishme për organizatën tuaj?

Të gjitha janë të dobishme dhe ne i mirëpresim pasi kemi shumë nevojë. Aktualisht po kujdesemi për 260 kafshë në strehim dhe dhurimet nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjitha nevojat e tyre.

“Votra Magazine”: Si e angazhoni publikun për të mbështetur punën tuaj?

Oli Pero: Publikojmë në rrjetet tona sociale dhe ndodh që qytetarët apo diaspora të dhurojë diçka për një rast që kanë për zemër. Qytetarët munden gjithashtu të blejnë ushqime dhe artikuj të vlefshëm për ne nëpërmjet aplikacionit tonë.

“Votra Magazine”: Si mund të vendosë dikush një donacion mujor ose të adoptojë në distancë një qen?

Oli Pero: Ne mirëpresim çdo dhurim, por sidomos ata të përmuajshmit pasi na ndihmojnë të planifikojmë më mirë punën dhe shërbimin. Adoptimi në distancë na lejon të sigurojmë ushqimin e përmuajshëm për një qen që mbajmë prej vitesh në strehim. Dashamirësit mund të dhurojnë nëpërmjet paypalit, bankës, Money Gramm ose kutive të dhurimit në Shkodër.

“Votra Magazine”: Sa qen kanë gjetur familje të përhershme përmes shërbimeve të adoptimit të organizatës suaj?

Oli Pero: Jemi shumë krenarë që nëpërmjet punës tonë, partnerëve tanë dhe familjeve, kemi arritur të adoptojmë 1500 qen dhe mace në 12 vite, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Votra Magazine”: Çfarë ndryshimesh pozitive keni vërejtur në qëndrimet e komunitetit që kur keni filluar punën tuaj?

Oli Pero: Para 12 viteve, kur media publikonte një lajm me në fokus problemin e qenve endacakë, 95% e komentuesve, kërkonin që qentë të zhdukeshin nga rruga, mundësisht të vriteshin. Sot kjo gjë është tepër e rrallë, dhe shumica kërkon trajtim human të tyrin. Ka shumë njerëz të interesuar për sterilizimin e kafshëve të veta ose të komunitetit, ka rritje të numrit të klinikave veterinare, dyqaneve që shesin produkte për kafshë, shërbime hotelerie dhe trajnimi për ta. Ka më shumë ndërgjegjësim mediatik. Pra ka progres, edhe pse i ngadaltë.

“Votra Magazine”: Si e përballoni sfidat emocionale të drejtimit të një organizate për shpëtimin e kafshëve?

Oli Pero: Duke iu shmangur sa më shumë sindromit të ”heroit” pasi asnjeri prej nesh nuk është i plotfuqishëm. Nëse nuk jemi të ndërgjegjshëm për kufizimet apo mangësitë tona, rrezikojmë të dëmtojmë veten, vullnetarët, organizatën dhe kafshët. Di të them që kjo punë është tejet sfiduese në plan emocional, moral, fizik e financiar. Përveç përgjegjësisë individuale duhet të mësojmë të mbështetemi edhe tek të tjerët, dhe të përpiqemi të

“Votra Magazine”: Cili është mësimi më i madh që keni marrë nga puna me kafshët në situata të vështira?

Oli Pero: Se dashuria për kafshët nuk mjafton. Duhet të përpiqemi të mësojmë dhe aftësohemi profesionalisht në këtë punë. Gabimet mund të jenë fatale për kafshët, të rënda për komunitetin, organizatën apo institucionet. Çështja e kafshëve endacake është një problem që prek çdo qytetar dhe meriton të trajtohet me dinjitet dhe seriozitet si çdo çështje tjetër.

“Votra Magazine”: Si do ta përshkruanit veten me tre fjalë?

Oli Pero: Si një njeri që përpiqet të jetë e drejtë, mëson shpejt dhe ka guxim të punojë për ëndrrat e saj.

Ishin më shumë se tre fjalë. ( qesh)

“Votra Magazine”: Cilat janë disa vlera kryesore që udhëheqin jetën dhe punën tuaj?

Oli Pero: Humanizmi, drejtësia, e vërteta (cilado qoftë ajo), kurajoja, dashuria për jetën, familjen dhe miqtë.

“Votra Magazine”: Kush ka qenë ndikimi më i madh në jetën tuaj dhe pse?

Oli Pero: Kanë qenë babai im për butësinë dhe dashurinë me të cilën më ka rritur, im shoq për respektin dhe mbështetjen e pakufishme, dhe im bir, për motivimin që më jep për të qenë një nënë dhe njeri ma i mirë.

“Votra Magazine”: Cili është një pasion ose hobi jashtë mirëqenies së kafshëve që ju sjell kënaqësi?

Oli Pero: Unë jam një njeri që i kam marrë më të mirën jetës. U rrita me dashuri për letërsinë, filmin, muzikën, sportin, udhëtimet, kërcimin, gatimin dhe njoh vlerën e miqësisë.

“Votra Magazine”: Kush ka qenë sistemi juaj më i madh i mbështetjes gjatë këtij rrugëtimi?

Oli Pero: Nuk mund të jetë vetëm një, por do e filloja me Gentin, bashkëshortin i cili s’më ka lënë në baltë kurrë, me vullnetarët e “Animals Need Me” që pa ta s’do ishte e mundur e gjitha kjo, për ta mbyllur me miqtë e mi që secili në mundësitë e veta më ka mbështetur e orientuar. I falënderoj me zemër.

“Votra Magazine”: Çfarë këshille do t’i jepnit dikujt që mendon të fillojë një organizatë për mirëqenien e kafshëve në një mjedis të vështirë?

Oli Pero: Bëjeni me sinqeritet, pasion, përulësi dhe mend.

“Votra Magazine”:. Çfarë shpresoni të arrini në 10 vitet e ardhshme, personalisht dhe professionalisht? 

Oli Pero: T’ju them të drejtën, mendoj se kam marrë shumë në të gjitha anët, pothuajse aq sa kam dhënë. Jam e ndërgjegjshme për të gjithë potencialin individual e organizativ dhe do të bëj më të mirën që të rritemi në mënyrë integrale e me hapa të sigurt.

Në botën time të vogël, do doja shumë të kisha mundësi të pushoja e të shijoja kohë me familjen dhe miqtë se koha e rezervuar në këtë botë mund të jetë shkurtër.

Kjo intervistë për “Votra Magazine” jo vetëm që nxjerr në pah punën jetike që po bën “Animals Need Me”, por, gjithashtu, zbulon pasionin dhe qëndrueshmërinë që Oli Pero sjell në kauzën e mirëqenies së kafshëve në Shqipëri. Përmes reflektimeve të saj të menduara dhe udhëheqjes strategjike, ajo ka hedhur themelet për progresin e ardhshëm, duke treguar se si përfshirja e komunitetit dhe përkushtimi mund të sjellin ndryshime reale. Është e qartë se “Animals Need Me” po lë një ndikim të qëndrueshëm, dhe ne jemi mirënjohës që patëm mundësinë të paraqesim udhëtimin frymëzues dhe përkushtimin e Olit në këtë botim të “Votra Magazine”.

Back to top button
Verified by MonsterInsights