“Votra Magazine” në evidentim të vlerave të veçanta të medias së shkruar

Media e shkruar, dhe kontributi i saj për ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, të traditave, kulturës dhe artit shqiptar

Rrugëtimi i “Revista Letrare”, Kryeredaktori: “Cilësia e tekstit letrar dhe pastërtia e gjuhës shqipe qëndrojnë në krye të kritereve”

Gjithnjë në mbrojtje dhe në shërbim të kulturës artit, dhe kryesisht të gjuhës amtare, gjuhës shqipe, “Votra Magazine” bën një punë të mirë në promovimin e krijimtarisë letrare, artistike, dhe ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe. E në kuadër të kësaj pune hulumtuese dhe patriotike është dhe shkrimi për Revista Letrare”.

“Revista Letrare” është botimi periodik më i vjetër letrar në gjuhën shqipe, me një histori që daton që nga viti 1943, botuar fillimisht në Tiranë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Numri i parë i Revistës letrare doli në Tiranë më 15 shkurt 1944, dhe u botua nën kujdesin e një grupi intelektualësh shqiptarë, shkrimtarë të viteve 1930, si: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu, etj. Aktualisht “Revista letrare” botohet nga Klubi Qytetar Shqiptar

“Revista Letrare” sot është një botim si një platformë që ruan dhe promovon traditën letrare shqiptare, ajo është një hapësirë e rëndësishme për shkrimtarët, poetët dhe kritikët letrarë për të ndarë zërat dhe idetë e tyre. Në të njëjtën kohë, revista shquhet për një angazhim të thellë ndaj inovacionit, duke nxitur ndërthurjen e traditës me qasje bashkëkohore. E përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes dhe cilësisë letrare, Revista Letrare bashkon talentet më të mira nga brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, duke u shndërruar në një urë lidhëse mes kulturave dhe brezave. Përmes numrave të saj të rregullt dhe projekteve speciale, ajo vazhdon të mbetet një shtyllë e rëndësishme e letërsisë shqipe dhe një zë i fuqishëm në fushën kulturore.

Zoti Arbër Ahmetaj, në një bashkëbisedim ekskluziv me “Votra Magazine”, si kryeredaktor i “Revistës Letrare” pyetjes sonë:

Ju jeni kryeredaktor i “Revistës Letrare”, një prej revistave më të mira në gjuhën shqipe, a mund të na flisni pak revistën dhe përvojën tuaj?

Iu përgjigj: “Revista Letrare” është botimi periodik më i vjetër letrar në gjuhën shqipe, me një histori që daton që nga viti 1943 e që sot ruan dhe promovon traditën letrare shqiptare me të njëjtin seriozitet, përkushtim dhe dashuri. Bashkëpunimi im me të nisi si autor fillimisht e më pas, duke parë se sa e çmoja punën e madhe që bëhej në këtë revistë e dëshirën për të ftuar edhe miqtë e mi shkrimtarë që të bëheshin zëra të fuqishëm të këtij organi, botuesja Ornela Musabelliu më ftoi dhe më ngarkoi me përgjegjësinë e madhe të kryeredaktorit, gjë që e pranova me shumë entuziazëm, dëshirë, por edhe një lloj frike në përmbushje të asaj që më kërkohej.

Revista shtypet në print katër herë në vit, por edhe forma e saj online (www.revistaletrare.com) është po aq e suksesshme dhe e ndjekur nga lexuesit tanë. Kemi botuar qindra autorë, krijime ekskluzive të papublikuara më parë, përkthime e intervista, dosier për autorë të shquar, kemi nxitur e zbuluar talente, kujtuar e nxjerrë nga harresa autorë etj. Mundohemi të mos shkelim mbi kriteret e vendosura për botimin e shkrimeve në faqet e revistës sonë; cilësia e tekstit letrar dhe pastërtia e gjuhës shqipe qëndrojnë në krye të kritereve. Shpesh fabula e gjetje të bukura letrare nuk arrijnë të kalojnë miratimin e redaksisë për botim se janë të shkruara keq për shkak të mosnjohjes sa duhet të gjuhës ose, edhe më keq, për neglizhim të saj. Por, kur ndeshim në autorë që përpiqen me seriozitet për të dorëzuar një tekst që vlen, shpesh u ofrojmë ndihmën tonë në redaktim dhe korrektim profesional. Rruga që kemi bërë deri tani ka dëshmuar se ia kemi arritur ta vendosim revistën atje ku synonim, pra te më të mirat në gjuhën shqipe, siç theksuat ju në pyetjen tuaj. Prej kohësh, Revista Letrare është një hapësirë e rëndësishme për shkrimtarët, poetët, përkthyesit dhe kritikët letrarë për të ndarë zërat dhe idetë e tyre. Gjithashtu shquhet për një angazhim të thellë ndaj inovacionit, duke nxitur ndërthurjen e traditës me qasje bashkëkohore. E përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes dhe, po e theksoj, cilësisë letrare, revista jonë bashkon talentet më të mira brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, duke u shndërruar në një urë lidhëse mes kulturave dhe brezave.

Back to top button
Verified by MonsterInsights