Fjalë poetike për zhgënjimin

Mendime rreth vëllimit poetik “Lojë shahu në shekullin XXI” i autorit Petraq Risto

Prof. ALFRED UÇI

Kam në dorë përmbledhjen poetike të autorit Petraq Risto me titull “Lojë shahu në shekullin XXI”. « Shahu është shpikur në shkretëtirë e dashur/jo për luftë, për dashuri./Çdo mëngjes marr një gur shahu në xhep (të bardhin)/dhe ti dashuria ime çdo mëngjes/ një gur shahu merr me vete (të ziun)/dhe zbresim në Tiranën tonë me kuadrate:/skakierë gjigante ngjyrë miu ». Nuk dua të hyj në analizë të çdo poezie, e cila më ka dhënë  një kënaqësi të veçantë estetike. Përshtypja ime kryesore nga ky libër ka të bëjë me kryetemën, sa aktuale, aq dhe të vështirë – vendin e njeriut tonë në botën e globalizuar.

Poezia bashkëkohore shqiptare ndodhet përballë dy opinioneve kryesore të kritikës: nga njëra anë është i përhapur opinioni se ajo gjallon në udhë të mbarë, se e ka gjetur mirë vetveten, me një fjalë, është në lulëzim; ky opinion, veç të tjerave niset edhe nga numri i madh i botimeve poetike dhe i kultivuesve të kësaj gjinie letrare. S’ka dyshim se ky opinion sjell optimizëm, vetkënaqësi dhe shpresa për një hop të mëtejshëm të saj. Nga ana tjetër, ekziston dhe një opinion i kundërt, që pohon se poezia nuk e ka gjetur veten siç duhet, është e çoroditur. Dhe si argument në favor të këtij opinioni, përmendet mungesa e majave të konsoliduara e të gjithëpranueshme.

Nuk dua t’i kundërshtoj këto dy opinione, as t’i quaj vlerësime të gabuara, ose të njënashme, përkundrazi, i çmoj si përpjekje për të kuptuar gjendjen dhe prirjet e zhvillimit të kësaj gjinie, e cila e ka gjetur veten më të lirë e më të hapur nëkëta dy dhjetëvjeçarët e fundit, duke tërhequr në burimet e saj edhe ithtarë të mëparshëm, edhe të rinj e të reja të shumtë, që qysh në hapat e parë talentin e pasionin e vet letrar ia përkushtojnë pikërisht poezisë.Këtë dukuri e quaj të natyrshme, madje pozitive në kushtet e kthesës së fortë që ndodhi në të gjitha sferat e jetës së shoqërisë sonë, është një prirje objektive në zhvillimin e letërsisë, të ndërvarur, në fund të fundit, nga vetë jeta e shoqërisë; nuk mund të pritej të ndodhte ndryshe, që refleksin e parë të këtij ndryshimi të mos e shprehte më shpejt e më drejtpërdrejt poezia.

Tani, mendoj, jemi në një fazë kur mund të bëhet një bilanc i përafërt për lëvizjen e poezisë. Unë jam optimist për gjendjen e sotme të saj; më pëlqen sidomos aktivizimi i shumë talenteve të rinj, por shikoj, gjithashtu, se disa emra poetësh e poeteshash të brezit të ri, të cilët hedhin hapin e parë, të shumtën edhe një të dytë, në shumicën e tyre humbasin, aq sa nuk dihet se ç’ka ndodhur me ta: kanë shterur, apo janë në heshtje akumulimi. Ky nuk është konstatim për gjithë ata që çapiten për herë të parë në rudinat e gjelbërtha të poezisë: midis tyre ka edhe asish që, këmbëngultazi, i përforcojnë  pozitat e tyre poetike, duke u përgatitur për të kaluar në gjini të tjera, sidomos në prozë, ose duke e shtruar rrugën e tyre e duke hapur shtigje drejt majash. Për të mos bërë lista, mund të përmendja disa emra: Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Arian Leka,Mimoza Ahmeti…

Por s’mund të flasësh për poezinë bashkëkohore dhe të kalosh pa e vënë re se çfarë ndodh me poetët që e kanë nisur prej kohësh rrugën e tyre. Në këto dekadat e fundit s’ka si të mos jenë të qetë përfaqësues të këtij brezi që kanë ecur e pozicionohen në  vijën e parë të llogoreve të poezisë si Xhevahir Spahiu, Faslli Haliti, Anton Papleka, Frederik Reshpja etj. Veç, edhe për këtë brez, kritika shpesh hesht dhe nuk i ndjek lëvizjet e pjekurisë së tyre. Prandaj dhe dua të ndalem posaçërisht në krijimtarinë letrare të Petraq Ristos.

Ka poetë të talentuar zhurmues për çdo fjalë të vërtetë e poetike që ligjërojnë, por ka edhe poetë të vërtetë që krijojnë pa hedhur tollumbace e fishekzjarre, që ligjërojnë me filozofinë e thjeshtë të kallirit plot. PetraqRisto i ka kushtuar një jetë të tërë letërsisë, në prozë e në poezi, gjithnjë në kërkim. Dhe tani me “Lojë shahu në shekullin XXI” dëshmon se krijimtaria e tij, sidoemos poetike, veçohet si një arritje me peshë, gjurmëlënëse, e përfshirë në atë rrugë, në të cilën nuk mbeten shumë emra që u afrohen majave.

Me ç’vlera vjen e ngarkuar poezia e Petraq Ristos? Me individualitet, sinqeritet, spontaneitet e mençuri të spikatur. Si gjithnjë Risto ka “vuajtur” nga që organikisht  nuk mund të ndahej e t’u kthente kurrizin rrymave të jetës së vendit. Poezia e tij i ka përcjellë me shpresa e me dhimbje gjithë peripecitë, zikzaket, vrullet dhe rrëzimet, të përpjetat e të tatëpjetat e realitetit e të historisë sonë. Ky ka qenë e vazhdon të jetë burimi i të gjithë shqetësimeve të poezisë së tij. Dhe, siç thotë poeti për brezin e humbur, shumë prej tyre të zhgënjyer: « qajnë si udhëtari i lodhur/ në një udhëkryq/ ku veç kryqit/ s’ka mbetur asnjë udhë ».

Përmbledhja poetike “Lojë shahu në shekullin XXI” i merr frymëzimet në trojet e hallemadhes Shqipëri, por ato e kanë tërhequr dhe në një parabolë me shtrirje paralelesh dhe meridianesh, që ia përplas frymëzimet në vatrën e një qytetërimi të ëndërruar, nga burojnë shtysat kryesore të botës së sotme globale. Ndërmarrje e vështirë, e rëndë për muzën poetike t’i radhitë në këtë kohë njërën pas tjetrës Atdheun, Amerikën e Shteteve të Bashkuara, Evropën e Bashkuar dhe Globalizmin, këtë Perëndi të re të plotfuqishme, që ka zënë të administrojë botën dhe s’ngopet vetëm me kaq… Si e ndjen poeti veten në një qark të tillë kozmik? I kënaqur apo i pakënaqur, është tjetër gjë, veç kjo është tema që e ka pushtuar poezinë e librit “Lojë shahu…” dhe ku gjen veten brenda saj. Dhe këtu ai e gjen veten mirë, se këtu kthehet drejt së vërtetës së jetës dhe feks poetikisht si variant i një Enciklopedie Zhgënjimi, kolanëvetiake kjo, që siç duket do të pasohet me libra të tjerë në poezi e prozë. Zhgënjimi poetik është njohje e atij mekanizmi të përditshëm, lojën e shahut që e bënë të rrezikshme, iracionale, të pasigurtë të tashmen e të ardhmen e botës së sotme për gjithë njerëzimin…Është zhgënjimi i njeriut tonë, emigrantit që kapërcen kufijtë tanë e merr rrugët për t’u lumturuar në hapësirat e botës globale, por edhe halli i shumë bashkëkombasve emigrantë brenda vendit ku kanë rrënjët e tyre të pashkulura.

Poezia e PetraqRistos do të kishte dashur ndoshta të kishte qenë një këngë-himn, por përzihet me motivet elegjiake dhe sjell një mesazh të vjetër të nxënësit të Migjenit në Pukë:… jemi të vegjël…e vocërr…mezi shifet”.

Por me dashuri të madhe për këtë vend të vogël, plot halle, largohet PetraqRisto për në  Botën e Madhe dhe kthehet përsëri me mall të madh, sepse veç zhgënjimeve të veta, poezia sjell edhe mallin e atyre që dallgët e jetës i degdisën larg Atdheut; të emigrantëve, që ua gërryen jetën jo aq puna e rëndë, por, sidomos, malli për vendin e vocërr, por të tyrin, që kërkon e bën të afrohet e të përbashkohet me Botën e Madhe dhe nuk po arrin dot…Tema poetikisht e vështirë e jetës sonë në rrjedhat e globalizmit të sotëm, gjen edhe shprehje adekuate formale veprën e P.Ristos. Duke lexuar poezitë e vëllimit të fundit, vëren se ai nuk është i njëtrajtshëm, përkundrazi, duket qartë se poeti zotëron mjeshtërinë dhe teknikën e begatë të prozodisë klasike e moderne, duket që në rrugën e tij të gjatë krijuese i ka provuar me sukses mjaft nga modelet e saj të suksesshme.

Në përmbledhjen “Lojë shahu në shekullin XXI” P.Risto nuk është rob i asnjërit prej këtyre modeleve; mesa duket ai i është dorëzuar fuqisë së ideve poetike, që format, mjetet e shprehjes artistike të lindin spontanisht nga lënda poetike, nga tema e konceptuar estetikisht, që shquhet për vrojtime të mprehta të aspekteve të ndryshme të jetës. Ai ndjen një liri prej mjeshtri në përdorimin e mjeteve shprehëse, larg çdo rregullsie shkollareske, gjë që të kujton UolltUitmanin.

Kryetema që do të anonte natyrshëm nga interpretimi filozofik i saj, i imponohet autorit t’i përmbahet frymës epike, rrëfimtare, prandaj në disa poezi, aspak përdhunshëm, bashkon fuqinë e poezisë me prozën poetike e rrëshqet pa pengesa në një poezi me frymëmarrje të gjerë rrëfimtare, që hyn thellë në episode të njëpasnjëshëm të botës globale si te “Evropa – oratorio në tre kohë”, apo te “Kutia e zezë e Tokës”:..

Por rrëfimet poetike që pasurojnë palitrën e tij krijuese, nuk shkëputen nga tensioni i përjetimit emocional e ekspresiv dhe përcillen me ngarkesa poetike lirike, herë me ndjesi intime, subjektive, personale e herë të tjera me frymë elegjiake, eskatologjike.

Fryma kritike është angazhimi më i rëndësishëm social i përmbledhjes së fundit poetike të PetraqRistos, që shprehet qysh në super-figurën, bash-figurën-titull të saj: “Lojë shahu në shekullin XXI”.

Back to top button
Verified by MonsterInsights