Gjumi përkufizohet si një gjendje me vetëdije të ndryshuar ose të pjesshme nga e cila njeriu mund të zgjohet, nëse stimulohet.
Në ditët e sotme kur ditët tona mbushen me aktivitete nga më të ndryshmet, me zhurmë nga rrugët plot makina, kërkesat e shumta akademike bëhet edhe më e vështirë që të krijojmë një zakon gjumi për vete dhe për fëmijët tanë.
Akoma ka shumë debate se sa orë gjumë duhen për një fëmijë, por të gjithë janë të një mendjeje që fëmijët kanë nevojë për gjumë cilësor, kjo sepse pasojat e një gjumi të varfër e të paplotë, ndikojnë në pjesë të ndryshme të trupit, dhe mund edhe të përfshijë ndalim zemre, probleme zhvillimi dhe sjelljeje, rezultate të ulëta në shkollë, obezitet, reflux dhe komplikacione nëse duhet ndërmarrë një operim.
Pa përjashtuar faktorët që çojnë në një gjumë jo të plotë si lindjet e parakohshme, obeziteti, sinoziti, adenoids dhe frymëmarrje të vështirësuar, gërhitja dhe apnea.
Është normale që një fëmijë të ketë vështirësi frymëmarrjeje nëse është i sëmurë, por nëse një fëmijë ka probleme frymëmarrjeje kur nuk është i sëmurë, duhet konsultuar mjeku.
Simptoma të tjera që ndikojnë në një gjumë jo të plotë janë: terroret e natës, ecja në gjumë, shqetësime në gjumë, ose të urinuarit në krevat.
Një gjumë i varfër natën, ka ndikim të drejtpërdrejtë në përqendrimin gjatë ditës. Fëmijët kanë vështirësi të zgjohen në mëngjes ose do të zgjohen me dhimbje koke.
Fëmijët mund të ndihen përgjumshëm gjatë ditës ose mund edhe të bien në gjumë gjatë ditës, por edhe mund të tregohen shumë aktivë.
Prandaj është e rëndësishme që të diskutohet me mësuesen mbi përqendrimin e fëmijës në klasë, të kushtuarit vëmendje në mësim, ndryshime në paraqitje etj.
Edhe pse të rriturit shtojnë peshë gjatë periudhave kur nuk kanë një gjumë të rregullt, fëmijët dobësohen, ose mund të kenë vështirësi të arrijnë peshën normale.
Fëmijët e kanë të domosdoshme krijimin e një zakoni para se të flenë gjumë:
Një shembull ditor:
- Jepini diçka të lehtë për të ngrënë.
- Bëjini një banjë.
- Vishini pizhamet.
- Lajini dhëmbët.
- Lexoni një libër.
- Sigurohuni që dhoma është e qetë dhe me një temperaturë të përshtatshme.
- Vëreni fëmijën në shtrat.
- I thoni gjumë të ëmbël dhe largohuni.
Shënime ndihmëse:
- Orari i gjumit të jetë çdo natë në të njëjtën kohë.
- Të mos shihet TV ose video të tjera para gjumit
- Të mbahet temperatura e njëjtë gjatë gjithë natës.
Sa orë gjumë duhet të bëjnë fëmijët?
Secili fëmijë është i ndryshëm, po ashtu dhe orët e gjumit ndryshojnë nga një fëmijë në një tjetër. Bebet e posalindura, por edhe fëmijët më të rritur kanë nevoja të ndryshme për gjumë.
Më poshtë ndodhet një tabelë me orët e nevojshme sipas moshës
Bebet
I porsalinduri: rreth 17 orë në 24 orë. Gjumi i tij sillet nga disa minuta deri në orë të tëra, zgjimet e tij gjithmonë lidhen me nevojën për të pirë
1 muaj: rreth 17 orë. Në këtë kohë, bebja juaj fillon të dallojë ditën nga nata, mirëpo prapë vazhdon të flejë gjatë ditës.
2 muaj: 16 orë. Në këtë periudhë bebja vazhdon prapë të flejë 3-4 herë brenda ditës, mirëpo i shkurton zgjimet gjatë natës
3 muaj: rreth 16 orë. Disa nga bebet mund të flenë rreth 6-7 orë gjatë nates pa zgjime në mes.
6 muaj. 15 orë. Mund të flenë rreth 10 orë gjatë natës pa zgjim në mes ndërsa gjumin e ditës mund vetëm dy herë ( një paradite e një pasdite)
9 muaj. 14-15 orë. Shumica e bebeve arrijnë të flenë gjatë tërë natës pa zgjim në mes.
12 muaj. 14 orë. Gjatë natës flenë rreth 11 orë dhe dy dremitje gjatë ditës
1 – 3 vjeç ___________ 12 – 14 orë
3 – 5 vjeç ____________11 – 13 orë
5 – 12 vjeç ___________10 – 11 orë
Gjatë vitit të parë kujdesi i nënës duhet të jetë më i shtuar derisa fëmija të krijojë shprehitë e gjumit. Duhet kushtuar kujdes së pari temperaturës së dhomës, ajrosjes. Të sigurohet që t’i krijojë bebes një mjedis të qetë e të ngrohtë, në mënyrë që ta bëjë gjumin e mirë. Një gjumë i çrregullt patjetër që ndikon negativisht në aktivitetin e fëmijës gjatë ditës (qoftë bebe apo fëmijë pak më i rritur). Gjatë vitit të parë te bebet është shumë i shprehur si Sindromi i Vdekjes së Papritur SIDS. Kjo vdekje shkaktohet nga faktorë të ndryshëm prandaj është shumë e rëndësishme t’i kushtohet rëndësi pozitës së bebes gjatë gjumit, zakonisht preferohet që bebet të flenë të kthyera anash, sepse ka më pak rrezik nga mbytja gjatë një refluksi ku dihet që në këtë kohë reflukset janë të shpeshta. Gjithashtu, duhet shmangur lënia e gjërave shtesë në krevatin e bebes ( qofshin lodra, batanije etj) sepse të gjitha mund të paraqesin një rrezik për SIDS.
Gjumi i bebes nuk është gjithmonë aq i këndshëm sa e njohim ne. Sidomos gjatë 6-mujorit të parë bebet mund të paraqesin pauza në mes të frymëmarrjeve gjatë gjumit nga 5 deri në 10 sekonda dhe kjo njihet si frymëmarrje periodike dhe nuk është shqetësuese nëse nuk kalon 10 sekonda, mirëpo në qoftë se kalon 20 sekonda atëherë kalon në apne dhe paraqet rrezik për beben tuaj.
Krijimi i një shprehie të gjumit është shumë e rëndësishme, mirëpo kjo duhet të fillojë diku nga muaji i 4-t. Disa e fitojnë këtë shprehi shpejt, por disa e kanë më të vështirë, ju thjesht duhet të jeni prindër me fat. Nga muaji i 4 deri 6, fëmijët e kanë të zhvilluar mirë ciklin gjumë-zgjim, i kanë të reduktuara zgjimet për të pirë dhe është më e lehtë të fillohet trajnimi.
Për të filluar krijimin e shprehisë së gjumit këshillohet:
- krijimi i një zakoni para gjumit: një banjë e ngrohtë, leximi i një libri ose këndimi i një ninulle para gjumit.
- zgjedh një orar të njëjtë, p.sh. këshillohet ora 7 ose 8 e darkës, orar kur fëmija juaj nuk është tepër i lodhur dhe ta refuzojë gjumin.
- zgjedh një orar të njëjtë dhe gjatë ditës për dremitjet pra të bëhen çdo ditë në kohë të njëjtë
- sigurohu që bebja nuk ka ndonjë ankesë mjekësore që të ndikojë gjumin e tij
- këshilla e fundit dhe më e vështira për prindërit është kur ata duhet të lënë beben duke qarë para se ta zërë gjumi.
Dr.Drenusha Hasani