Është Shën Valentin dhe kjo festë na kujton sa të rëndësishëm janë për ne ata që duam dhe fëmijët po ashtu. Po si e shprehin dashurinë prindërit?
Si i tregojmë fëmijës që ti, dëshirat, dhe vullneti yt kanë rëndësi për mua, pa e kufizuar të shprehurit e dashurisë në një fjalë, përqafim a një puthje, sepse efektet e klimës së shprehjes së dashurisë së pjesëtarëve të familjes ngelen gjithmonë tek fëmijët, sidomos ajo e prindërve.
Prandaj unë po përshkruaj disa mënyra për t’u treguar fëmijëve ‘Të dua!’ dhe ‘Ti je i rëndësishëm për mua’ jo vetëm për Shën Valentin por çdo ditë të fëmijërisë së tyre:
- Tregojuni fëmijëve historinë se si kanë lindur! Tregojuni fotografi si janë dukur kur kanë qënë të vegjël dhe rrefeni kush ka ardhur ti takoje dhe cfarë kanë thënë për të, por mbi të gjitha tregojuni sa të lumtur keni qënë ju si prindër, kur ata kanë ardhur në jetën tuaj!
- Duajini me të gjithë të metat e tyre! Tregojuni mirësi, shpesh dhe lirshëm.
- Luani së bashku! Bëjuni surprizë ndonjë lojë të re kur nuk e presin! Piqni/blini një ëmbëlsirë dhe hajeni së bashku me nga një tas çokollatë të ngrohtë! Mund të përfshini të gjithë familjen!
- Gjejeni një cilësi të veçantë të fëmijës dhe përgëzojeni për këtë! Qoftë kjo cilësi një shpirt i ndjeshëm, që fal shpejt shokët, etj. Tregojini që kjo e bën special!
- Kaloni kohë me të vetëm për vetëm, qoftë kjo në pastiçerinë tuaj të preferuar, ose duke i përgatitur ushqimin e tij të preferuar. Gjatë kësaj kohe diskutoni si e ka kaluar ditën dhe çfarë planesh ka për ditët në vazhdim. Planifikojeni këtë ditë më parë që fëmija ta dijë që është rast special.
- Lavdërojeni fëmijën në sytë e të rriturve! Vëreni në dukje rastin konkret që ju bën ta vlerësoni!
- Vlerësojini edhe përpjekjet dhe jo vetëm rezultatet! Mos prisni perfeksion në gjithcka që bëjnë ose vetëm nota të shkëlqyera në çdo dëftesë. Tregojini fëmijës kur e di që ata kanë dhënë maksimumin!
- Lexoni së bashku! Lëreni fëmijën të zgjedhë librin e tij të preferuar dhe lexoni me të, edhe nëse ju nuk doni sepse jeni të lodhur! Mund të lexoni edhe secili prej jush veçmas në librin e tij!
- Luani përjashta me të edhe pse është ftohtë dhe nuk ka asnjë fëmijë në rrugë a në park! Gjuani topa dëbore. Ndërtoni një plak prej dëbore! Bëni ëngjëj në dëborë! Vizatoni zemra e simbole të tjera muzikore!
- Lejojini të bëjnë rrëmujë! Lë të pikturojnë me gishta a të luajnë me plastelinë! Le të hapin lego nëpër dysheme a shinat e trenit! Le të ndërtojnë kështjella, rrugë e ura! Një fëmijë i lumtur është më i rëndësishëm se një dhomë e muze.
- Vendoseni artin e tyre nëpër korniza, dritare, dyer a frigorifer! Tregojini atyre sa bukur i kanë pikturuar dhe sa shumë ju pëlqen t’i shikoni nëpër shtëpi!
- Ndërtoni një orkestër në dhomë me të gjitha veglat muzikore që keni në shtëpi dhe lëreni fëmijën të tregoje superioritet karshi jush me talentin dhe njohuritë e tij!
- Ndërtoni një skenë dhe lëreni fëmijën të këndojë me ju, të kercejë apo t’ju mësojë juve! Ngrihuni dhe kërceni nëpër dhomë!
- Shprehni mirësi dhe urime gjatë gjithë kohës sidomos kur ikni për në punë a kur i lini fëmijët në shkollë! ‘Ia kalofsh bukur!’, ‘Shihemi mbasdite!’, ‘Të dua!’ etc. Mos harroni të thoni të lutem dhe faleminderit!
- Bëjani surprizë një vizatim më zemra dhe me shprehje të ndryshme dashurie në një picetë dhe vendosjani në çantën e tij ku ka drekën!
- Jetoni në moment! Nëse fëmija ju flet dhe ju jeni duke lexuar në media sociale, dilni nga ajo dhe dëgjojeni fëmijën me vëmendje!
- Ndihmojeni me detyrat e shtëpisë! Nëse ju duhet t’ia shpjegoni më shumë se njëherë mos u nevrikosni! Nëse keni punë në kuzhinë, merreni fëmijën në kuzhinë, uleni në tavolinën e ngrënjes e punoni së bashku!
- Vlerësojini idetë e fëmijës kur planifikoni pushimet e gjata ose fundjavat! Diskutoni dhe vendosni së bashku!
- Lëreni fytyrën serioze në punë dhe qeshni në shtëpi! Shikoni një film së bashku! Tregoni shaka dhe guduliseni!
- Nganjëherë lëreni fëmijën të kalojë një ditë si të duan ata! Le të rrinë në pizhama, le të hanë cokollata etc. Kështu do të jenë vetë në kontroll të ditës së tyre.
- Ndihmojini fëmijët të krijojnë dhe të forcojnë miqësitë! Ftoja shokët në shtëpi dhe bëju pizza, ëmbëlsirë, lëri të luajnë e të bëjnë zhurmë! Coji në park për nje lojë basketballi, një shëtitje në park!
- Filloni një traditë! Vizitoni Një vend të ri cdo vit! Festoni një festë me të njëjtat ushqime! Gjeni një aktivitet dhe përsëriteni!
- Lejojini fëmijët të jenë të ndryshëm nga ju! Vlerësojini për atë që janë! Në këtë rast po përdor poezinë e Khalil Gibran:”Për fëmijët”
Fëmijët e tu,nuk janë të tutë.
Janë fëmijët e vetë jetës.
Ti i sjell në botë, por nuk i krijon.
Janë afër teje, por nuk janë prona jote.
Mund t’u japësh atyre gjithë dashurinë tënde,
por jo idetë e tua,
Sepse ata kanë idetë e tyre.
Ti mund ti japësh strehë trupit të tyre,
por jo shpirtit.
Sepse shpirti i tyre banon në shtëpinë e së ardhmes,
ku ty nuk të lejohet të hysh, as në ëndrra.
Mund të përpiqesh t’u ngjash atyre,
po mos kërko që ata të të ngjajnë ty!
Sepse jeta nuk kthehet mbrapsht,
nuk ndalet tek e djeshmja.
Ti je harku që i hedh ata drejt së nesërmes.
- Trajtojini me respekt! Mos i ndërprisni kur janë duke folur! Dëgjojini me vëmendje deri në fund! Merrni opinionin e tyre sa më shpesh që të jetë e mundur dhe përfshijini në planet e familjes!
- Dhe mos harroni të tregoni dashuri fizike! Hapini krahët dhe thirrini të vinë e t’ju përqafojnë! Përqafojini sa herë kerkojnë një përqafim nga ju! Puthini dhe dhe tregojuni të paktën njëherë në ditë:Të dua!
Gëzuar Shën Valentinin!
Aferdita Delaj