Si t’i bëni fëmijët të lexojnë më shumë

Margaret Fuller ka thënë: “Një fëmijë që lexon sot është lideri i së nesërmes!” Prandaj prindërit duhet të përdorin çdo mënyrë që t’i mësojnë fëmijët të lexojnë që të vegjël. Aftësia e të lexuarit të një fëmije është një faktor i rëndësishëm për suksesin e tyre në shkollë dhe në punë, sepse jo vetëm u hap një botë të tërë imagjinative, por edhe ndikon direkt në formimin mendimeve të tyre dhe të të shprehurit.  Statistikat tregojnë që rreth 40% e fëmijëve të vegjël kanë vështirësi për të lexuar, prandaj sa më herët t’i ndihmojnë prindërit aq më mirë është!

E në qoftë se përsëri hasin vështirësi, atëherë fëmijët duhet të dërgohen te specialistët për vlerësim, por jo pa u përpjekur vetë njëherë.  

Fëmijët mësojnë të lexojnë duke luajtur, duke folur, duke kënduar, prandaj do të përshkruaj disa mënyra si ta ndihmoni fëmijën tuaj të lexojë:

1- Lexoni libra nga më të ndryshmit! Mos u përqendroni vetëm në një lloj apo temë! Leximi i librave të ndryshëm stimulon imagjinatën e tyre dhe i ndihmon në gjetjen e llojit të librave që ju pëlqen.

2- Gjeni një vend të veçantë për të lexuar, qoftë të ulur në një karrige kolovajzë, një kolltuk, një divan ose edhe në krevat të mbështetur mbi jastëkë. Në këtë mënyrë jo vetëm që fëmijët do të lexojnë, por edhe do të afrohen edhe më shumë me juve!

3- Caktoni një kohë të caktuar për të lexuar së bashku! Por kur fëmijët të mësojnë të lexojnë vetë, secili nga ju mund të lexojë më vete! Fëmijët mësojnë duke parë!

4- Shkoni së bashku në librari të lexoni dhe blini ose porositini librat së bashku!

Mund edhe të dhuroni libra për ditëlindje, festa etj. Sidomos për nipat dhe mbesat është dhurata më e bukur! Gjithashtu, mund të jepni një kartë të mbushur me para si dhuratë për ta harxhuar vetëm te dyqani i librave. Por mund dhe të blini libra për fëmijë edhe për gjyshet dhe gjyshërit që të kenë libra për të lexuar me nipat dhe mbesat e tyre kur shkojnë për vizitë tek ta!

5- Diskutoni mbi librat që keni lexuar!  Përsërisni ngjarjet, mësimet që keni nxjerrë, shkaqet dhe pasojat, por edhe fjalë të veçanta që janë përdorur në libër! Kjo ndikon direkt në zhvillimin e të menduarit kritik të fëmijës.

6- Mundohuni të krijoni një bibliotekë të veçantë për fëmijën! Qoftë një sirtar i veçantë në bibliotekën tuaj, ose një raft më vete vetëm për të!

7- Kur t’ju duhet të largoni fëmijët nga lojërat elektronike në mënyrë që të lexoni ndonjë libër së bashku, mos përdorni forcën, por bindjen dhe lojën.

Kjo do të krijojë një botë me vete për ta dhe është vërtetuar që fëmijët që lexojnë që të vegjël janë më pak të prirur të luajnë lojëra në kompjuter.

Lexim të këndshëm!

Xhemalije Kajushi

(mësuese, NY)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights