Ishte mëngjes herët kur shqiptarët e parë filluan të ecin grupe – grupe përgjatë 6 ave në Manhattan, të kapur dorë për dore me fëmijët apo duke folur me zë të lartë me njëri – tjetrin “shqiptarshe’. Makinat ishin rreshtuar edhe më herët dhe nëpër floats po bëheshin përgatitjet e fundit. Marko dhe Nick lëviznin sa ne njërën anë në tjetrën duke përshëndetur te ardhurit apo duke u kujdesur për detajet e fundit të paradës. Dhe ishin po ata që na vunë re mua dhe tim bir kur u afruam.
“Trikot e vajzave janë gati. I ke marrë akoma?” Kjo ishte përshëndetja e marinsit Marko Kepi pasi më përqafoi. E si mund të ishte ndryshe kur ai po përjetonte paraden, kur ne venat e tij rridhte kënga shqip kënduar masivisht nga pjesëmarrësit?!
Pak nga pak, rruga mori ngjyrë kuq e zi cep më cep dhe muzika shqiptare ushtoi nëpër autopolantë.
Vajzat e Albanian Roots u tërhoqën ne një anë dhe filluan të përsërisnin koreografinë. Djemtë u mblodhën grup dhe me lejen e shoqatës “Dibra” fluturuan sikur shqipet në fole mbi motorrat e rreshtuar varg përgjatë rrugës, disa duke pozuar për prindërit e tyre, të cilët shkrepnin foto dhe disa të mrekulluar nga zhurma qe mund të krijonin me levizjen e një çelsi.
Sado qe thuhet që djemtë duhen lënë të jenë djem, përsëri duke parë djemtë tanë mbi motorra kupton që djemtë shqiptarë nuk të lejojnë të mos i lësh të jenë djem; atyre u vlon gjak shqiptari ndër vena.
Nuk vonoi shumë që njëri nga djemtë të vraponte tek unë duke me tërhequr nga bluza sepse një prej tyre e kishte rrëzuar motorrin, dhe une vrapova me të shpejtë, por buzeqeshjet e grupit Dibran, më qetësuan zemren e frikësuar.
Floats u mbushën me radhë një nga një plot me fëmije dhe të rritur ndjekur nga lenset fotografëve dhe gazetarëve te cilët shëtisnin sa në një vend në tjetrin.
Kudo kishte këngë, valle, kostume shumëngjyrëshe, triko me shqiponjën e stamposur në gjoks qe dukej sikur u thoshte emigrantëve të shkëputur nga toka mëmë: “Kudo të shkoni, unë këtu do të rri! Unë gjithmonë ju
dua sepse në gjokset tuaja kam ndërtuar folenë time, prandaj ecni krenarë, këndoni plot dashuri dhe kërceni me zemrën plot.”
Shqiptarët vërshuan kuq e zi rrugëve të Manhattan sikur vërshojnë Drini, Cemi, Valbona për t’u bashkuar në Bunën me degët e saj të Shqipërisë Etnike.
Është kjo një paradë që e mori emrin “Parada shqiptare” për shqiptarët, edhe pse në të vërtetë është Parada Ndërkombëtare e Emigrantëve, por nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur çdo vit shqiptarët mbushnin përherë e më shumë rrugët e Manhattan me ngjyrat kuq e zi.
Ajo sivjet, nën drejtimin e “Albanian Roots” me Marko Kepin Nick Beqin dhe Enkolana Çekaj Mundija, iu kushtua Kosovës me rastin e 10 Vjetorit të Pavarësisë së saj, dhe kryesisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj dhe batalioni “Atlantiku” ishte mu në qendër të paradës duke u nderuar nga mijëra shqiptarë në zemër të botës.
Vjen kjo në një kohë polemikash dhe historish lufte që të bëjnë të ulësh kokën para atyre që luftuan me mish e me shpirt për lirinë e asaj toke të larë me gjak.
Apo siç u shpreh Presidenti i Albanian Roots, zoti Marko Kepi: ”Këta luftëtarë mund të kishin jetuar jetën pa probleme në Amerikë, por ata iu përgjigjen thirrjes së atdheut të tyre Kosovës, dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës dhe për një Shqipëri të Bashkuar.”
Prandaj dhe titulli “Grand Marshall” e kësaj parade iu dha prindërve të tre vëllezërve dëshmorë të familjes Bytyqi, Mehmet, Agron dhe Ylli Bytyqi.
Sikur në çdo event të rëndësishëm ku flitet shqip, as dje nuk mungoi anëtari i Këshillit të Bashkisë, Z.Mark Gjonaj i cili përshendeti të pranishmit së bashku me senatorin Marty Golden, ish kongresmeni Joe DioGuardi, ish kongresmeni Micheal Grimm, ambasadorja e Kosovës në USA, znj. Vlora Citaku, etj.
Entuziazmi ngjitës i gazetares së talentuar Kozeta Turishta i shtoi ngjyre jetë paradës, kurse kënga e Gëzim Nikës, Valbona Peraj, Arbërie Hadërgjonaj, Hajro Cekës, Ledi Vokshit dhe Besim Muriqit nën shoqërimin e DJ Edi e mbushi sheshin me djem sokolë e vajza sikur zana duke kërcyer valle shqiptare.
Vajzat e grupeve “Rozafati”, “Ana e Malit” etj. bënë edhe muret të kërcejnë bashke me to mbushur me ngjyra te folklorit, kurse Albanian Roots Cheerleaders shpalosën krenarinë e të qënit bijë shqiptare e lindur në Amerikë, nën tingujt e “Pushkë e çifteli” të Leonora Jakupit.
Asnjëherë nuk kam parë më shumë djem dhe vajza të bukura duke festuar në harmoni së bashku sikur të kishin një jetë që njiheshin, kjo sepse dashuria e tyre për kulturën, gjuhën dhe traditën shqiptare është e pastër sikur loti dhe u buron e kristaltë nga zemra.
Flotat plot me shqiptare që përfaqësonin shoqatat e ndryshme si Federata PanShqiptare “Vatra”, Shoqata “Ana e Malit”, Fondacioni “Plave e Guci”, Shoqata Atdhetare “Dibra”, “Shqipëria e Bashkuar”, Shoqata “Kraja”, Shoqata “Malësia”, “Këshilli Shqiptaro-Amerikan”, Shoqata e Policve Shqiptare në NYPD, Shoqata “Geg & Tosk”, i Motoçiklistëve të shoqatës “Dibra”, i motoçiklistve “Son of Illyria”, Qendra “Nënë Tereza” e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, Grupi “Rozafati”, Qendra Kulturore
Shqiptaro Amerikane në Riverdale Neë Jersey, Revista “Votra”, shkolla shqipe “Alba Life”, “Ansambli Shqiptar”, “Hora e Arbëreshëvet”, SËJ – B 32 etj. mbushën 6 Ave me flamuj, me gumëzhima dhe zërat entuziastë të fëmijëve, prindërve dhe me këngë e me valle shqiptare.
Por është prania e gazetarëve dhe fotografëve tanë të talentuar në New York, të cilët punojnë më orë të tëra plot pasion, të cilët bëjnë shqiptarët anembanë botës, pjesëmarrës të eventeve duke i ndjekur nga shtëpitë e tyre, si Olsi Pëllumbi, Beqir Sina, Halil Mula, Alex Selimaj, Kozeta Zylo, Dritan Haxhia, Dalip Ndreca e të tjerë kudo nëpër paradë duke kapur caste, momente speciale, buzëqeshje fisnike në fytyrat krenare shqiptare.
Aferdita Delaj
Fotografitë: Olsi Pellumbi