Muzeu Historik Kombëtar!

Në një intervistë për revistën “Votra”, drejtori i këtij institucioni të veçantë për nga rëndësia historike, z.Melsi Labi, zbulon pak nga unikaliteti i disa prej 5000 objekteve që prezantohen në muze për vizitorët vendas dhe turistët e huaj

Muzeu Historik Kombëtar, institucion i një rëndësie të veçantë, që mbart dhe përcjell përmes objekteve unike pjesë nga historia e Shqipërisë kohë pas kohe mbetet vend me vlera kombëtare të mëdha, por edhe destinacion kyç turistik për vizitorët vendas dhe turistët e huaj. Në një intervistë ekskluzive për revistën “Votra”, drejtori i Muzeut Kombëtar, Melsi Labi, flet për rëndësinë e këtij institucioni kulturor, për veçantitë e rreth 5000 objekteve që pozicionohen në pavijone të ndara, që mbartin histori të periudhave të ndryshme nëpër të cilat ka jetuar Shqipëria dhe shqiptarët në vite; për problematikat që kanë mbërthyer muzeun sot; por edhe për shtetasit që interesohen më shumë për të njohur historinë e Shqipërisë, një vend i largët për ta. Mes të tjerash, drejtori i Muzeut Kombëtar na njeh edhe me detaje nga koleksionet e familjeve të mëdha historike në vendin tonë. “Kemi koleksion të adjutantit të Princ Vidit, të Mbretit Zog. Kemi marrë së fundmi koleksionet e familjes së ministrit tonë të Jashtëm në periudhën e pushtimit fashist, konkretisht, Rauf Ficos ose të periudhës pas kalimit të Luftës së Dytë Botërore në atë të Mbretit Zog deri në vitet ’45. Do të marrim edhe disa objekte personale të Enver Hoxhës, të cilat janë në fonde dhe nuk janë shfaqur për publikun”, shprehet për revistën “Votra”, zoti Labi.

-Çfarë ofron Muzeu Kombëtar si vlerë kombëtare, por edhe si vend turi stik për vizitorët shqiptarë dhe turistët e huaj?
Muzeu Historik Kombëtar i përmbledh në njëfarë mënyre të gjitha llojet e tipologjive. Në të gjen objekte unikale, të jashtëzakonshme. Për këtë arsye këmbëngulim që të jetë qendra e muzeologjisë shqiptare. Për turistët, por edhe për vizitorët vendas ofrojmë aktivitete nga më të ndryshmet dhe një pjesë e mirë e tyre janë edukative. Janë vërtetë për t’u vlerësuar dhe për t’u mbajtur mend. Ato që janë si vlerë kombëtare janë aktivitete që ne zhvillojmë me rastin e kremtimit të shumë datave të caktuara, personazheve ose pikave kryesore në historinë e popullit tonë, duke nxjerrë gjithmonë në pah vlerat që kanë sjellë këta personazhe, shembullin e mirë. Pra, vlerën që kanë përcjellë këto pika kyçe në historinë e kombit tonë dhe ne të tilla kemi shumë, sepse fatmirësisht ne nuk vuajmë as për heronj dhe as për pika të kujtesës në kuadër të rritjes së identitetit kombëtar, por edhe të vetidentifikimit si shtet europian. Në total muzeu numëron 360-380 aktivitete në vit. Interesi për të vizituar këtë institucion kulturor si vend turistik është i lartë, prandaj edhe aktivitetet në një pjesë të madhe të rasteve janë informuese mbi historinë, por edhe se çfarë është Shqipëria sot. Përfshirë këtu të gjitha bukuritë natyrore, të trashëgimisë kulturore, me muzetë, kalatë, vendet arkeologjike. Pra, turistët qofshin këta vendas, emigrantë shqiptarë ose të huaj mësojnë në muze për të gjithë historikun e objekteve që ndodhen në ambientet e tij, por edhe për të tjera që jo domosdoshmërisht gjenden në këtë institucion. Interes i lartë vërehet edhe te shtetasit e huaj, sepse Shqipëria ka një histori që pak e njohin, për këtë arsye vizita në Muzeun Historik Kombëtar u shërben atyre për të mësuar mbi historinë ose informacionet e nevojshme, që gjenden po ashtu edhe në sajtet e këtij institucioni. Në to gjenden edhe informacione për të gjitha marrëdhëniet e ndërlikuara në historinë tonë deri më sot. Nisur nga kjo them me bindje se po, ka interes për të njohur Shqipërinë.Shumica e turistëve e sidomos të mbërritur nga jashtë shtangen, emocionohen, mësojnë gjëra të reja, por kërkojnë shërbime të reja teknologjike, që ne fatkeqësisht jo vetëm që nuk i kemi në muze, por edhe si shoqëri shqiptare jemi pak të ngadaltë në këtë drejtim. Kulturën e shërbimeve ne e shohim ende si të njerkës. Vetëm së fundmi është futur si logjikë, por prapë jo kudo, gjë që duhet të ishte e para.

-Nëse me gjuhën tuaj do të bënit një përmbledhje të rreth 5000 objekteve që mbart ky muze, si do t’i vlerësonit?

Një pjesë e tyre janë unikale, super fantastike, me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk ruhen në mënyrë të përshtatshme, por janë perla të historisë së Shqipërisë, por edhe të Ballkanit. E kam fjalën këtu për objektet arkeologjike, ato të Mesjetës, ku çdo pavijon ka veçantinë e tij deri te pavijoni i terrorit komunist, që për mua është përkufizim i gabuar, por ka qenë një institucion dhe disa organizma të tjera që e kanë marrë këtë vendim ligjor në kohë, pavarësisht se unë mendoj që ka disa gabime në këtë drejtim. Edhe në këtë pavijon ndodhen objekte unikale që janë të papërsëritshme.
-Sa është numri i vizitorëve në një ditë në Muzeun Kombëtar dhe në cilat periudha interesi është më i lartë?

Këto janë alternativa që varen, sepse lidhen me shumë faktorë, që nga koha deri te fluksi i turistëve nga agjencitë turistike, me të cilat ne kemi një marrëdhënie të ngushtë për të marrë një informacion, por periudha kur vizitohet më shumë është gjatë muajve shtator-nëntor dhe mars-qershor. Nuk duhet të përjashtojmë ditët e festave ose të evenimenteve të veçanta, që sigurisht afrojnë edhe më shumë njerëz në muze.
-Nëse flasim për turistët e huaj, cilat nacionalitete janë më të interesuara për të njohur vlerat historike të Shqipërisë përmes objekteve?

Europa Veriore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se përse janë këto më të interesuara do të më duhet ta studioj akoma për të dalë në një përfundim të caktuar, por mendimi im është që kanë qenë shumë larg historisë së Shqipërisë për këto 45 ose 50 vite të shkuara dhe kanë ditur pak. Ndërsa sot ne jemi një vend që aspirojmë të futemi në Bashkimin Europian dhe ata aspirojnë të na pranojnë siç jemi edhe anëtarë të NATO-s, kështu që kurioziteti për të mësuar për Shqipërinë është edhe më i madh.


-Sa ciceronë punojnë në muze? Cili është më i vjetri?

Aktualisht, në muze punojnë 8 ciceronë dhe po trajnohen 8 të tjerë. Ne kemi një kornizë guide, ku pjesa më e përmbledhur nuk mundet dot të lëvizë. Pra, ato aksioma historike që janë të sakta nuk mundet dot t’i ndryshojmë. Por, e veçanta qëndron te pjesa narrative ose pjesa e të folurit dhe komunikimit të guidës, duke ua treguar njerëzve këtë pjesë historie në formë shkencore, historike ose edhe më thjesht, me një gjuhë që shuan kuriozitetin. Këto sjellje ose këto lloj mënyrash të të servirurit varen gjithmonë nga publiku që të dëgjon. Përdoret tjetër gjuhë kur publiku që të dëgjon përbëhet nga profesorë ose specialistë të fushës dhe ndryshe kur vijnë veteranë, fëmijë të shkollave ose turistë të huaj. Ciceronët flasin shqip, anglisht, italisht, frëngjisht, kinezçe, greqisht. Po përpiqemi të fusim edhe gjuhë të tjera. Kemi 3 vjet që kërkojmë që të aplikohet audio guida, por akoma s’po ndodh. Etleva Demollari dhe Tatjana Alimema janë ciceronet më të vjetra, që vijnë nga dy logjika të ndryshme, ajo e vjetër e të servirurit të historisë dhe ajo e re, por të dyja janë specialiste të gjuhës franceze, përveçse janë cicerone.
-Cilat janë koleksionet nga familjet e mëdha historike në këtë muze?
“Kemi koleksion të adjutantit të Princ Vidit, të Mbretit Zog. Kemi marrë së fundmi koleksionet e familjes së ministrit tonë të Jashtëm në periudhën e pushtimit fashist, konkretisht, Rauf Ficos ose të periudhës pas kalimit të Luftës së Dytë Botërore në atë të Mbretit Zog deri në vitet ’45. Po përpiqemi dhe bashkë me Akademinë e Shkencave dhe trashëgimtarët e Tefta Tashko Koços të marrim disa materiale personale të saj, siç kemi marrë pianon e saj. Do të marrim disa objekte personale të Enver Hoxhës, të cilat janë në fonde dhe nuk janë shfaqur për publikun. Janë shumë. Janë ora, pistoleta, disa sende që i janë dhuruar nga autoritetet e huaja në atë kohë, bllok shënimesh, stilolapsi, skrivania.


-Bëhet fjalë për ditarin personal të tij?
Jo, sepse nuk është një bllok shënimesh i rregullt. Nuk është ky ditari personal i Enver hoxhës, e kam kërkuar, por nuk e di se ku është. Do t’u bëj edhe një kërkesë të gjitha institucioneve që t’i dorëzojnë materialet muzeore që mund të kenë prej tij. E di, është me shumë interes ditari personal i Enver Hoxhës, që është hequr nga e shoqja në momentet e fundit të shtetit të realizmit socialist, por edhe shumë të tjera.
-Dy nga pavijonet interesante edhe për historinë tonë janë ato të lashtësisë dhe Mesjetës. A janë pasuruar këto pavijone, në sajë të gërmimeve të reja arkeologjike në dy vitet e fundit?
Fatmirësisht po! Për fat kemi diçka pozitive për të folur në këtë drejtim, pasi jo vetëm janë pasuruar, por pavijonit të lashtësisë jemi munduar t’i bëjmë një ndryshim konceptual duke u treguar të guximshëm, por gjithmonë në përputhje me të gjitha kornizat ligjore dhe shkencore. E them vërtet me krenari që dy vitet e fundit, pas një lufte, pavijoni i lashtësisë është pasuruar me disa materiale arkeologjike, po ashtu edhe pavijoni i Mesjetës me lipsanet, fustanet, kutitë e argjendta të Shën Gjon Vladimirit ose me ikonat. Pavijoni është shtuar me 36 objekte arkeologjike që për herë të parë u prezantuan në ekspozitën e 100-vjetorit të bashkëpunimit italo-shqiptar për gërmimet arkeologjike në Republikën e Shqipërisë, kryesisht në Durrës, Sarandë, Finiq dhe Antigone në Gjirokastër. Ndërkohë, presim edhe disa objekte të tjera nga Antigoneja dhe Gjirokastra, ku kemi nënshkruar marrëveshje me DRKK-në, Ministrinë e Kulturës, këshillin e fshtatit dhe kishën në një fshat të Gjirokastrës në Zagori për marrjen e një objekti arkeologjik që është pronë e kishës dhe e fshatit, jo e shtetit shqiptar.Po ashtu, siç e thashë, pasurohet më tepër pavijoni i ikonografisë dhe i Mesjetës me rreth 100 objekte ikonografike, që u legalizuan si të shtetit nga pasuria e Gjergji Thimios. Tashmë ne i kemi të pastruara në muze, një pjesë të tyre do e mbajmë, ndërsa rreth 62 prej tyre ndodhen në një ekspozitë të përkohshme për t’u njohur nga publiku më pas do të futen në fonde dhe do të përfshihen në sallat e Muzeut Kombëtar. Madje, sipas një politike të ministrisë, një pjesë e tyre do të shpërndahet edhe në muzetë e tjera të vendit, kryesisht në atë të Beartit dhe të Korçës.
-Shumë personazhe të historisë sonë përfaqësohen përmes objektesh në këtë muze. Ju si studiues i historisë dhe drejtues i këtij institucioni, kë do të veçonit?
Ka shumë, sepse po flasim për një muze me një hapësirë shumë të gjerë kohore, bëhet fjalë për një periudhë nga para lindjes së Krishtit deri në ditët e sotme. Janë shumë, po sigurisht është Teuta, Apolloni, koka e Deas, që janë personazhe nga periudha arkaike e historisë për të vazhduar me ato të ditëve të sotme. Një tjetër objekt i veçantë është edhe koka e Asklepit apo materiale të tjera të shumë gjykatësve, konsujve ose pro konsujve në Perandorinë Romake që kanë qenë me origjinë ilire ose kanë qenë me detyrë në territoret shqiptare. Ka një pjesë të mirë të perandorëve të Perandorisë Ilire, që janë me origjinë ilire, ka Papë që pas lejimit të Krishterimit në vitet ’80 që nga Kostandini i madh që janë me origjinë ilire, deri te Papa Albani, Rubino apo Klementi gjithashtu. Pra, për të veçuar është e vështirë, sepse janë shumë, për të mbërritur deri në periudhën e Mesjetës, Rilindjes me rilindësit e mëdhenj, ose në periudhën e vetëshpalljes ose vetëformimit të shtetit në vitin 1912 nga Ismail Qemali dhe shumë e shumë figura të tjera, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, pjesë e historisë së vonë, pa dashur të aneksojmë edhe figurën e Skënderbeut dhe deri te Lufta Nacionalçlirimtare dhe personazheve të veçanta që kanë jashtë mase materiale të rëndësishme që janë të pranishme në sallat e muzeut. Nuk mund të them që ka një personazh, pra nuk i ndaj dot.Por, ajo që mua më pëlqen më tepër është një mozaik, një shtatore dhe epitafi i Gllavenicës, i cili ruan vlera si të përfaqësimit, por edhe të vlerës monetare. Mbetet një nga objektet më të veçanta të muzeut dhe jo vetëm për Muzeun Kombëtar, por edhe për arenën botërore.


-Shqipëria është një ndër vendet që ka kaluar një nga periudhat më të gjata të totalitarizmit në Ballkan e megjithatë, pavijoni i komunizmit në Muzeun Historik Kombëtar nuk e përfaqëson këtë periudhë. Si e shpjegoni këtë mungesë?
Në fakt, janë disa faktorë proceduralë dhe shkencorë. Së pari, të prodhosh një pavijon në një muze, aq më tepër në një muze kombëtar do të thotë të mbledhësh një këshill specialistësh të shumë fushave. Së dyti, si pjesë e procedurave, duhet të ngresh në këmbë dhe t’i vësh në punë të gjithë anëtarët e këshillit shkencor që ka Muzeu Kombëtar. E drejtë, që në një mënyrë të paimagjinueshme, Ministria e Financave ia ka hequr Muzeut Kombëtar, megjithëse i takon me ligj ose me VKM. Ndërsa nga ana konceptuale apo psikologjike pavijoni që ju e quani i komunizmit, për mendimin tim, duhet cilësuar si pavijoni i periudhës së realizimit socialist, sepse nëse do t’i vëmë definicionin komunist sistemit, atëherë do të kërkojmë të gjitha pikat që e bëjnë dogmën komuniste pjesë të qëndrueshme, fakt që në kohën e Enverit ose në periudhën e realizimit socialist nuk ka qenë e pranishme. Komunizmi në vetvete thotë: “Puno sa të kesh mundësi dhe merr aq sa ke nevojë”. Ky është stadi më i lartë i ndërgjegjës njerëzore që do shumë kohë të arrihet, megjithatë kjo periudhë e historisë tonë mungon për arsyet që ju përmenda më lart, por edhe sepse do një studim që të zbardhë historinë që ne kemi kaluar dhe nuk do partizanllëqe ose përkrahje të kota të figurave ose të proceseve historike të disa momenteve kryesore në historinë e Enver Hoxhës,gjë që e bëjnë rëndom shumë gazetarë ose edhe ata që e quajnë veten historianë ose mjeshtër të çfarëdolloj fushe.
Duhet një studim jashtë mase serioz dhe rigoroz, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për periudhën e realizmit socialist apo të totalitarizmit në Shqipëri, por edhe për marrëdhëniet që ne si shtet kemi pasur me shtetet aleate në atë kohë.

-Pse nuk është realizuar një studim i tillë?
Si studim nuk është bërë. Si miniprojekt e ka Muzeu Historik Kombëtar pothuajse gati, por ka nevojë për financim dhe mbështetje ligjore që të arrihet. Sepse edhe nëse do të kemi mundësi të prodhojmë diçka nuk mund ta prodhojmë në mënyrë të paligjshme që nesër të kontestohet nga të gjithë.
-Kur thoni që objektet nuk ruhen në mënyrë të përshtatshme, për çfarë e keni fjalën konkretisht?
Po flas për të gjitha kushtet që i duhen një muzeu me standarde ndërkombëtare. Ne po përpiqemi që të rregullojmë disa nga këto, por nuk arrihet vetëm dhe sigurisht që nuk arrihet me pengesa ligjore artifica dhe amendime të nxjerra nga të gjitha ministritë, si nga ajo e Financave dhe e Kulturës ose institucione të tjera dhe të mos i jepet e drejta Muzeut Kombëtar për të përfituar një të drejtë që i takon. Për ta bërë më të thjeshtë për lexuesin, i referohem këtu kompetencës për të vendosur për mirëmbajtjen e brendshme, hapësirave ligjore për të mbajtur një përqindje të të ardhurave deri në masën 90%, propozim i imi ky që sigurisht mbështetet edhe në një projekt, por mund të jetë edhe ndonjë përqindje tjetër që është e kënaqshme që mund t’i mbetet realisht muzeut. Nëse kjo do të ndodhë asnjë drejtori ose institucion tjetër nuk do të ketë të drejtë të ndërhyjë për të ndërprerë fondet me kompetencat që i jep ligji për menaxhimin e buxhetit, sepse kemi një ndërthurje të ligjeve mbi ligje. Sepse për fat të keq kemi ligje mbi ligje, ligje me 2/3 që komandojnë ligje me shumicë të thjeshtë dhe këtu janë disa ligje me 2/3 që e paralizojnëmuzeun sado që ka vendime të Këshillit të Ministrave ose një bllok të ligjeve që e mbështesin janë disa ligje më të forta ose herë pas here udhëzime që e paralizojnë.

-Çfarë përpjekjesh keni bërë ju që kjo të ndryshojë?
Kemi 3 vjet që kërkojmë që kjo gjë të ndryshojë, me propozime, me projekte konkrete që parashikojnë restaurime të brendshme dhe të jashtme të muzeut, por për fat të keq, pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme muzeu është mbështetur vetëm për blerjen e një gjeneratori. Dhe kjo sepse i ikën dritat Kryeministrit ditën që organizohej aktiviteti për komisariatin dixhital. Edhe këtu kemi të bëjmë me shkelje ligjore, sepse duke qenë se kemi të bëjmë me një institucion të rëndësisë së veçantë ligji parashikon që muzeu duhet të jetë i furnizuar me energji elektrike nga shteti shqiptar me dy linja furnizimi. Por, sesi do ta rregullojë këtë qeveria është punë e tyre, nuk është kompetencë e jona. Ne dimë që muzeut i duhet, i takon me ligj, ligji duhet respektuar. Ky është konceptimi im.
-A është i censuruar pavijoni i Luftës Nacionalçlirimtare?
Kur bëmë rifreskimin e pavijonit të arkeologjisë menduam që te pjesa tjetër që ishte më e degraduar dhe që kërkonte ndërhyrje për t’u rregulluar, duheshin ndërruar diçiturat, kishte gabime pa fund. I përkisnin akoma logjikës së vjetër: Enveri si themelues i Partisë Komuniste, gënjeshtra historike që neve na erdhi turp që ndodheshin aty. Nuk kishte më kuptim që në 2016-n t’u themi njerëzve që ai ishte themelues i Partisë Komuniste, gënjeshtra politike, dogmatike që neve si studiues të kësaj fushe na vjen turp t’i shesim për të tillë. Janë bërë për kohën, për periudhën e realizimit socialist, sepse ashtu i shërbente, por nuk janë të vërteta. Janë bërë shumë rregullime të tilla, po. Nuk besoj që bëhet fjalë për censurë, por për moslejim për shkak të kushteve.
-Duke u ndalur te censurimi, sa janë rikuperuar këto vite linjat muzeore të trashëguara nga sistemi i kaluar?
Në mënyrë minimale, sigurisht që ka ndryshime në mënyrën sesi janë konceptuar pavijonet. Por, jo të gjitha janë rregulluar. Për shembull në rastin e vendosjes, jo në mënyrë të përshtatshme të këndit të Nënë Terezës dhe atij të terrorit komunist u japim njerëzve një përshtypje të gabuar që realizmi socialist ka pasur prerje, vrasje etj., ndërkohë që nuk ka pasur vetëm këto, ka pasur edhe arritje në shumë drejtime të tjera, si në arsim, shëndetësi, edukim.

-Cila është pasuria më e madhe e Muzeut Kombëtar?
Si pasuri përfaqësuese është historia e ndërlikuar që paraqet vetë muzeu në të gjitha sallat e saj. Si pasuri monetare ritheksoj është epitafi i Gllavenicës që një ekspeditë franceze muzeore në vitet ‘87 e ka vlerësuar me vlerën 2.4 milionë dollarë. Pra, ne kemi vepra të tilla në këtë lloj muzeu, por që i mbajmë në kushte të tilla. Ndërkohë që mjafton të shesim një vepër të vetme për të prodhuar një shumë të caktuar parash për të siguruar kushte të përshtatshme për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe prezantimin e tyre. Ky është një nga ato argumentet se përse duhet rregulluar pjesa ligjore e marrëdhënies së muzeut me të gjitha institucionet e tjera. Pra, mund të themi se kemi më shumë se 20 milionë euro mall dhe nuk kemi 500 mijë euro që të përmirësojmë kushtet ose të mirëmbajmë objektet. Kjo është diçka e pakuptimtë!
-Një pyetje më shumë personale sesa profesionale. Cili është këndi më i dashur për ju?
Këndi im i dashur, ku unë shkoj me qejf dhe dua që t’i jap dhe një zhvillim më të madh është këndi i Nënë Terezës, e kësaj heroine që pak objekte origjinale kemi prej saj, por që përfaqëson shumë. Çdo ditë, kur unë gjendem te ky kënd të them të drejtën më fal shumë emocione, më bën shumë të mendohem dhe po,më jep jashtë mase forcë për të vazhduar dhe për të përballuar të gjitha vështirësitë që dalin përpara.

Intervistoi: Shpresa MEZINI

Back to top button
Verified by MonsterInsights