Intervistë Ekskluzive me Luan Ramën: Kryqëzimi i jetës, letërsisë dhe artit

Një zhytje e thellë në procesin krijues, pasionet dhe perspektivat unike të shkrimtarit dhe diplomatit të njohur, Luan Rama

Luan Rama është një emër që rezonon në botën e letërsisë dhe diplomacisë shqiptare. Me një karrierë të gjatë dhe të pasur, Rama është bërë i njohur jo vetëm për veprat e tij letrare, por edhe për kontributet e tij të rëndësishme në kulturën dhe historinë shqiptare. Në këtë intervistë ekskluzive për “Votra Magazine”, Luan Rama ndan me “Votra Magazine”, procesin e tij krijues, përvojat e tij si shkrimtar, dhe pasionet që ushqejnë punën e tij. Nga koha e tij si kineast, deri tek udhëtimet e tij të shumta, udhëtimi i Ramës ofron një këndvështrim të veçantë për botën—një vend ku letërsia, historia dhe arti ndërthuren.

Përmes reflektimeve të sinqerta mbi rutinën e tij të përditshme, lidhjen e tij me botën përreth dhe thellësinë emocionale që e shtyn të shkruajë, kjo intervistë ofron një pamje të rrallë në mendjen e një njeriu që i ka kushtuar jetën tregimit të historive. Qoftë duke shkruar poezi, duke krijuar romane, apo duke kryer kërkime historike, vepra e Luan Ramës vazhdon të frymëzojë dhe magjepsë lexuesit në të gjithë botën.

Bashkohuni me ne ndërsa eksplorojmë historitë pas historive, në këtë bisedë të thellë me një nga figurat më të shquara kulturore të Shqipërisë.

Intervista

Zoti Rama, si është një ditë tipike për ju, si shkrimtar?

Luan Rama: Hera – herës ditët janë të ngjashme, por shpesh ndodh që ritmi të ndryshojë, por asnjëherë nuk ndalem. Ka shkrimtarë që ndalojnë të shkruajnë me muaj apo me vite dhe pastaj, papritur të rifillojnë dhe ata janë shkrimtarë të mëdhenj. I tillë ishte dhe Heminguej. Por unë shkruaj vazhdimisht, prandaj dhe numri i madh i librave të mia, pa gjykuar cilësinë e tyre artistike. Në fund të fundit letërsia është një pasion dhe fjala shkrimtar është e madhe për ta thënë atë. Pra, unë jam modest në shkrimet e mia. Shumë vite më parë unë shkruaja natën, në dritën e abazhurit, madje dhe në shtrat gjer në orën dy të natës. Tani nuk shkruaj më natën. Dhe nuk di pse. Mbrëmjeve deri vonë shoh filma dhe filmat më ngacmojnë. Atëherë rrëmbej një copë letër dhe shkruaj diçka. Këto dy vite zbres në një kafene poshtë shtëpisë dhe shkruaj gjatë një apo dy orëve. Pastaj, pasdreke ulem në tavolinën e shtëpisë dhe shkruaj në kompjuter. Dhe ky ritëm nuk ndryshon, veç kur udhëtoj. Madje shkrimet në kompjuter alternohen pasi paralelisht punoj për dy- tre libra dhe asnjëherë nuk ngulem vetëm tek njëri prej tyre gjersa ta përfundoj. Mund të jetë një roman, një libër poetik, një libër histori dhe shkrime të ndryshme gjatë ditës të cilat i paraqes në faqen time në facebook. Nuk e lë kohën të rrjedhë kot. Kur nuk kam frymëzim poetik apo romanesk atëherë i drejtohem librit historik. Ja pse kam shkruar e botuar dhjetra libra shumë prej të cilëve janë përkthyer dhe botuar dhe në gjuhë të tjera si në frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht, maqedonisht apo së fundi rumanisht. Vetëm libri “Epistolari i Zaratës” është përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht. Këto ditë më dërguan dhe kopertinën e romanit “Dalja” në rumanisht kësaj rradhe me titullin “E dashur e maleve” që më parë ishte botuar në frëngjisht nën titullin “Konkubina e maleve”. Por janë dhe librat antologjikë me poezi apo tregime, festivalet poetike në vende të ndryshme, simpoziume dhe konferenca që të marrin kohë, pasi duhet të përgatitesh për to. Takimet me kolegë të huaj letrarë janë shumë interesante. Në 6 gusht doli dhe një antologji poetike botuar në Itali, ku jam pjesë e këtij vëllimi poetik.

Si e përdorni kohën e lirë për të pasur një ndikim pozitiv në shkrimin tuaj?

Lauan Rama: Meqë gjatë 14 vjetëve kam qenë kineast si skenarist filmash mes të cilëve dhe “Vajzat me kordele të kuqe”, si kohë e lirë janë takimet me miq francezë e shqiptarë, piktorë, letrarë, kineastë apo historianë arti etj. Disa orë i kaloj dhe me fëmijët e dy vajzave të mia të cilët me mbushin me botën dhe pasionet e tyre fëminore. Dhe fëmijët të mësojnë shumë. “Princi i vogël” i Ekzyperisë ishte njëkohësisht një libër dhe për të rritur. Dhe ai e kishte përjetuar këtë histori kur ra me avionin e tij në shkretëtirat e Afrikës. Bota e fëmijëve më ka shtyrë fillimisht të shkruaja dikur skenarë filmash vizatimorë dhe këto tri vite të shkuaj edhe libra për fëmijë ku veç këtyre janë dhe dhjetë libra të kolanës “Më quajnë” botuar nga ALBAS, si mbi Onufrin, mbretëreshë Teuta, Skënderbeun, Ismail Qemalin, Dora d’Istrian, Aleksandër Moisiun etj. Kur jam me fëmijët kam dëshirë ti fotografoj. Më pëlqen ti shoh në kompozime origjinale, apo fotografoj dhe imazhe të jetës urbane.

A ka ndonjë aktivitet ose ritual që e përdorni për të stimuluar krijimtarinë tuaj para se të filloni të shkruani?

Luan Rama: Ritualet ndryshojnë nga një shkrimtar te tjetri. Në Paris, Kadareja shkruante vetëm paradite, një apo dy orë në kafenenë pranë shtëpisë që quhej « Rostand ». Kishte karrigen e tij në cep të kafenesë nga ku hidhte dhe vështrimin në turmën njerëzore që kalonte. Pasdite ishin shëtitjet në « Kopshtet e Luksemburgut ». Ky ishte rituali i shrimtarit. Unë vetë nuk kam një ritual të catuar. Madje shpesh më pëlqen të shkruaj gjatë udhëtimeve, në tren, metro apo në avione. Qenia në lëvizje apo në qiell është për mua një stimul i veçantë, një lloj ngazëllimi. Prandaj gjithmonë mbaj një fletore me vete. Por e rëndësishme për një letrar është gjendja emocionale. Duhet një prekje e fortë dhe e brendëshme. Kështu më ndodh përgjithësisht. P.sh. një ditë po udhëtoja në metro dhe dikush nga Tirana më njoftoi për vdekjen e një miku tim poet. Menjëherë nxorra letrën dhe shkrova një poezi për të të gjatë udhëtimit: “Poetet vdesin si zogjtë”. Po kështu, tek udhëtoja me tren për në Honfleur të Normandisë një ditë u ndodha vetëm në një vagon ku në anën tjetër të ndenjseve ishte një vajzë e bukur që dremiste. E shikova gjatë dhe menjëherë shkrova poezinë “Shëëët… ajo po fle”.

Si i mbani veten të organizuar për të plotësuar detyrat e shkrimtarit me detyrat e tjera në jetën tuaj?

Luan Rama: Pas detyrës time si diplomat, gjatë dhjetë vjetëve unë jepja leksione në institutin e njohur dhe nga më të vjetrit në Paris, “Instituti i Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientalee”. Aty dhe dola në pension. Edhe pse i ngarkuar me leksionet e gjeopolitikës, historisë së Shqipërisë dhe një lënde sociologjike e lidhur me antropologjinë për master, unë arrija të shkruaja dhe të botoja, përgjithësisht libra historikë si “Konsullatat franceze gjatë shekujve XVII-XIX në Shqipëri”, “Shqipëria e Auguste Dozon”, “Shqipëria gjatë luftrave normando-bizantine” e disa të tjerë si dhe libra të karajterit biografik (“Gjenerali De Gol- një legjendë e gjallë, “Miterani” (dy figura të para në lidhje me Shqipërinë, etj) apo monografi për piktorë apo poetë si “Udhëtimi i mbramë i Artur Rimbaud”, “Pikëtakim me Jean Cocteau”, “Dino dhe Porta Sublime”, për Omer Kaleshi, Valdet Hamidin etj. Me daljen në pension isha i lirë plotësisht që ti përkushtohesha letërsisë dhe shkrimi i romaneve u bë mjaft pasionant.

Çfarë ndjenjash apo përvojash të përditshme përfshini në shkrimin tuaj?

Luan Rama:  Në shkrimet dhe tregimet e një shkrimtari gjen gjithnjë momente që kanë lidhje me përvojën jetësore të tij. Heminguej dhe Remarku në romanet e tyre të mrekullueshme treguan për atë ç’kishin përjetuar gjatë Luftës së Parë apo Luftës së Dytë Botërore. Nga udhëtimet e mia në veriun shqiptar kam përfituar të njoh jo vetëm histori dhe imazhe të mrekullueshme por dhe personazhe. Romani « Mëkati i Justinës » botuar nga « Onufri » është pikërisht një histori e cekur vetëm në një rresht nga konsulli francez në Shkodër dhe autori i librit « Kujtime nga Shqipëria e Epërme » Aleksandër Degrand. Kjo histori kërkonte pastaj imagjinatë për ta mishëruar, pasi ishte një paralele e « Shtigave të Salemit” në veriun shqiptar në fundin e shekullit XIX.  Duhej mbushur me lëndë jetësore, se si jetonin shqiptaret e fundit të atij shekulli, në çfarë bote mitologjike, cilat ishin ritualet e kohës, ç’ishte dashuria dhe sensualiteti. Po kështu dhe me romanin « Dalja » e cila është historia apo jeta e gjyshes time të cilën e përshkova në roman. Jeta e një konkubine, që pas vrasjes nga rrufeja e burrit të saj, që të mos braktiste djalin e saj 6 vjeçar dhe të kthehej në shtëpinë e familjes nga vinte për të filluar një jetë të re, ajo zgjodhi të qëndronte dhe të martohej me vëllain e burrit, i cili ndërkohë ishte i martuar. Situata dramatike dhe zbulimi i një humanizmi të madh e krejt të veçantë.

Si ndikon ambienti që ju rrethon në procesin e shkrimit?

Luan Rama : Nuk di pse ambieti ku shkruaj më është indiferent dhe nuk ndikon në shkrimet e mia. Shkruaj shpesh në ambiente me zhurmë, ku ka shumë njerëz që lëvizin, diskutojnë apo dhe vetë jam në lëvizje. Si duket, momenti kur vendos stilografin të shkruaj e fshin ekzistencën e ambientit. Psikika ime shkëputet në mënyrë të çuditshme, çka nuk është e re për mua, pasi kur isha student, ndoshta ngaqë ishim ngushtë, unë studioja për provimet mes njerëzve që hynin e dilnin në dhomë, ku tregohej gjithçka, qeshej apo thirrej. Fizikisht isha aty por mendërisht isha gjetkë, në botën time të librit. Shumë shkrimtarë e kanë të domosdoshme të jenë në ambiente pa zhurmë, ku dëshirojnë të jenë në vetmi të plotë.

 A keni ndonjë ritual të veçantë për të filluar ose për të përfunduar një projekt shkrimi?

Luan Rama : Kur ulem për të shkruar nuk kam asnjë rregull. Unë nuk jam si ata shkrimtarë që ulen për të shkruar pa e ditur që më parë itinerarin e dramës së tyre. Ata janë siç thoshte Picasso kur pikturonte : « Unë kërkoj dhe gjej ». Pra dhe ata kështu operojnë. Duke qenë se kam qenë dhe jam ende kineast (meqë ende shkruaj skenarë – që fëmijë jam rritur pranë një kinemaje në Tiranë çka më kujton filmin « Cinema paradiso ») unë e kam të qartë pak a shumë sesi do të përvijojë ngjarja, veprimi dramatik, si dhe kur do ndërhyjnë personazhet dhe si do të jetë fundi. Kjo është ajo që në kinematografi e quajnë « scaletta ». Në fakt, kur shkruaj, episodet i imagjinoj që më pare, si të thuash përshkruaj atë ç’kam parë apo imagjinuar. Por ndryshoj, gjithashtu, nga të tjerë pasi mund ta filloj shkrimin e romanit nga mbyllja e librit, që mund të duket absurde, por pikërisht ajo më shërben si shtysë që ta tregoj historinë e romanit.

Si e menaxhoni kohën për të shkruar në mes të detyrave të përditshme dhe angazhimeve?

Luan Rama : Parisi është një kryeqytet me shumë ngjarje artistike, me shumë ekspozita pikture, skulpture, fotografike, shfaqje kinematografike e spektakle apo koncerte muzikore e opera. Jo më kot në fillimet e shekullit XX kemi atë që u quajt « Ecole de Paris » meqë shumë piktorë erdhën nga e gjithë bota dhe krijuan vepra të jashtëzakonshme në gjirin e këtij metropoli të historisë dhe kulturës. Gjatë shumë viteve, duke patur dhe një tip kureshtari, shija ime është përpunuar dhe kam mësuar shumë, por mbetet ende për të mësuar. Por për këtë duhet të përkushtosh kohë dhe dashuri. Prej tri dekadash kam qenë një nga themeluesit e shoqatës ALBANIA dhe më pas të qendrës kulturore « La Maison de l’Albanie » në Paris që gjatë dhjetë vjetëve ka organizuar mbi 200 veprimtari kulturore dhe shkencore, me personalitete shqiptare dhe franceze, me shkrimtarë, historianë, piktorë, fotografë, arkeologë dhe studjues francezë të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, etj. Po kështu më duhet të gjej kohë për kërkimet e mia arkivale nëpër arkivat e Francës, veçanërisht të ministrisë së Jashtme. Të shkruash një libër për stratiotë shqiptarë nën flamujt e mbretërve franceze (1500-1600) duhet të kërkosh në arkiva dhe libra të vjetër. Po kështu ndodhi dhe me librin « Tek Frankët » që botova për historinë e diasporës shqiptare në Francë. Pra, krahas pasioneve të shkrimit dhe angazhime qytetare.

Si ndikon stili i jetesës tuaj në krijimtarinë tuaj?

Luan Rama : Kjo është një pyetje interesante dhe menjëherë mendova për Heminguein apo shkrimtarin tjetër amerikan Jim Morison. Ky i fundit ishte një njeri tepër i thjesht që e kishte qef pijen dhe vjazat por që asnjëherë nuk mori pozën e një intelektuali. Jetonte thjeshtë dhe mes njerëzve popullorë që në jetën e tyre kishin përjetuar ngjarje dramatike e tragjike. Letërsia ishte aty në takimet me ta, udhëtimet. Bukovski gjithashtu ishte një njeri që poetizoi jetën dhe dashuritë e tij, Marguerite Duras gjithashtu. Mbaj mend që kur erdha në Francë pas rënies së statujës së Hoxhës në sheshin e Tiranës, kërkova të gjeja Sadik Premten. Isha informuar që banonte në Paris pasi takova disa emigrantë të vjetër. Por dy muaj më pas, kur gjeta se ku banonte, ai sapo kishte vdekur dhe vëllai i tij ishte kthyer në Shqipëri. Premtja ishte një personazh historik dhe një person që jetonte thjesht por mjaft i lidhur me lëvizjen trockiste në Francë. Një personazh romani por që s’mund ta shkruaja pa e njohur. Nga mesi i viteve 1990 kam njohur mes të tjerëve dhe një emigrant shqiptar nga Përmeti, që kishte ardhur në Francë në vitet ’30. Jeta e tij ishte një histori mjaft interesante të cilën e botova në romanin “L’Albanais – Shqiptari” që u botua vitin e kaluar. Është gjithnjë njohja direkte e vendeve apo personazheve që të çojnë drejt shkrimit. Kur isha kineast, bashkë me regjisorin Muharrem Fejzo dhe shkrimtarin e shquar Sterjo Spase, shkuam në Prespë. Ishte idea për të realizuar një film të bazuar në një nga romanet më të mirë të Spases. Pikërisht atje zbulova ishullin e Maligradit dhe historinë e një eremiti që jetonte në guvat shkëmbore të liqenit. Ato pamje më ishin ngulitur në kujtesë dhe vetëm para tri vitesh u ula dhe shkrova romanin “Kthimi i flamandëve” me ngjarje nga Lufta e Parë botërore në frontin shqiptaro-maqedonas, Maligradin dhe historinë e eremitit.

Dhe së fundmi, cilat janë pasionet e tjera, hobet tuaja?

Luan Rama: Pasionet e mia janë të shumta por më kryesore janë tri: udhëtimet, muzika dhe pullat. Që kur kam qenë kineast në Shqipëri udhëtoja shumë. Më pëlqente veriu shqiptar dhe malet e jugut. Të udhëtosh në këmbë nga Thethi drejt Qafës së Pejës, të udhëtosh në këmbë nga Bajram Curri dhe të zbresësh në atë gropë gjigande ku dy mijë metra poshtë zbret në Curraj të Epërm, këto krijojnë emocionet të forta dhe të pashklyeshme. Por udhëtimet të japin mundësi të njohësh njerëz të thjeshtë, madje të varfër, që ndajnë me ty veç bukë e djathë dhe në shkëlqimin e syve të tyre ka diçka madhështore, një dashuri ngazëlluese që vështirë ta përshkruash me fjalë. Aty gjen përvojat jetësore, dramat dhe tragjeditë njerëzore, lirikat e mrekullueshme të dashurisë, atë gurrë të pashtershme për letërsinë dhe artin. Eshtë përvoja e jetës. Nga qyteti, nga kafeneja, nuk mund të pasqyrohen realitete të tilla. Pikërisht ishin udhëtimet që më çuan në Greqi duke shëtitur në fshatrat arvanitase nga rrethinat e Athinës në Peloponez, Korinth, Megare e pastaj drejt Tebës dhe fshatit malor Arvanitsa ku Delfi nuk është larg. Kështu munda të shkruaj dhe botoj në shqip e pastaj në frëngjisht librin “Në Greqi me arvanitët”. Pas dy ditësh do të nisem drejt alpeve franceze, në Morzinë, në kufi me Zvicrën. Para pesë vjetësh kisha parë atje shtëpinë ku ishte fshehur nobelisti i madh Albert Cohen, hebre, që t’i shpëtonte përndjekjeve. Tashmë që do shkoj e di që do të shkruaj diçka për të… Pasioni i dytë është muzika. Më pëlqejnë shumë klasikët duke filluar me Moxart e pastaj me Bah, Brahms, Hendel apo Albioni, etj. Jo rrallë e vë në sfond dhe shkruaj. Pasioni i tretë janë pullat postare. Që adoleshent isha shumë i dhënë pas pullave, madje nga mosha 13-14 vjeçare isha në rrethin e disa klubeve filatelike botërore.  Cdo javë kur vinte postjeri plak dhe sillte letër ai i thoshte gjyshes time : “Një letër për Zotin Rama”… Një ditë kur isha në oborr dhe luaja zbathur me top, ai po vinte dhe gjyshja ishte në oborrin e pallatit. Dhe postjeri duke i zgjatur letrën i tha: “Një letër për zotin Rama” (Ai nuk thoshte asnjeherë fjalën shoku). Dhe gjyshi buzagaz i tregoi se cili isha nga ata fëmijë. Postjeri plak qeshi me pamjen time fëminore dhe gjithë pluhur. Edhe sot blej pulla, veçanërisht mbi artistët dhe artet, mbi kishat, manastiret, trashëgiminë kulturore etj. Pullat janë një udhëtim imagjinar mbi botën dhe historinë…

Faleminderit, zoti Rama! Pas këtij udhëtimi të mrekullueshëm në botën tuaj të krijimit, ju urojmë shëndet dhe krijimtari të mbarë!

 Luan Rama: Faleminderit! “ Votra” më bëri të ndjehem si pranë votrës. Edhe unë ju uroj suksese!

Back to top button
Verified by MonsterInsights