Ky numër i rradhës së revistës “Votra” vjen në një periudhë kur diaspora mbush plazhet dhe bjeshkët shqiptare me praninë e saj të hareshme. Këto muaj zëri i diasporës duhet të dëgjohet edhe më shumë, sepse mërgimtarët bëhen me shumicë pjesë e atdheut, por edhe për faktin se në shtetet amë u bënë zgjedhjet dhe mënyra si u pasqyruan ato në media, krijoi një ndjenjë sikur në vendin tone ”mungon frymëzimi dhe shpresa për të ardhmen”, prandaj e ndjej të nevojshme shprehjen e mendimit pozitiv të diasporës për një ndryshim rrënjësor në mentalitetin shqiptar.
Dhe për këte ftoj secilin prej jush qe të luajë rolin e tij, duke u bërë pjesë e debatit të gjërë publik, sepse ashtu si këshillon Bob Proctor: “Ne, jo vetëm që i mësojmë të tjerët si të mendojnë mbi rezultatet që duan të arrijnë në jetën e tyre, por edhe i përjetojmë ato në jetën tonë!”
Duhet të mendojmë dhe të ëndërrojmë për ide të mëdha, duke e shtrirë veten tonë përtej kufijve të ideve dhe mundësive tona. Kjo bëhet duke jetuar me qëllim, pasion, mirësi dhe dashamirësi të thellë që e kalojnë kufirin e familjes sonë, me një dëshirë të pastër për ta bërë jetën e të tjerëve më të mirë.
Sado e hirtë të duket e ardhmja, sado e vështirë të duket jeta, prapë ditët tona kanë bekime, nëse duam t’i shohim ato dhe ta mos humbasim mundësinë për ta shijuar të bukurën, për te jetuar me bekimet që Zoti dhe ne vetë i kemi krijuar mbi tokë. Kjo ndodh sepse ne kemi marr bekimin më të madh, që asnjë faktor politik apo shoqëror nuk ka të drejtë ta inkriminojë apo t’ia ndryshojë rrjedhë, dhe kjo është jeta.
Thelbi është familja, aty ku buzëqeshja duhet të lindë sapo të shohë një fytyrë të dashur e të qeshur. Aty ku duhet të hapen krahët me dashuri e pranim, që ajo energji e krijuar të merret me vete në botën përjashta, në rrugë, kafene, shkollë apo punë, duke rrëzëllyer dritë dhe duke e pasqyruar atë te çdo fytyrë që do ta pranojë.
Secili prind e ka përparësi që të rrisë fëmijë të shëndetshëm dhe të lumtur duke mos lënë pas dore marrëdhënjet me ta, me partnerët familjarët dhe shoqërinë, por duke u kujdesur edhe për veten sepse vetëm duke qenë vetë mirë, mund të kontribuojmë ndaj familjes, shtëpisë dhe shoqërisë.
Kjo mund të arrihet, sepse brezi ynë është i rrethuar nga paraardhës të mençur, të dashur, të durueshëm dhe punëtorë, të cilët kanë përjetuar dhe realizuar ndryshime të thella shoqërore, shpesh të shoqëruara me vuajtje të papërshkrueshme në jetën e tyre, në mënyrë që rrugëtimi ynë të jetë më i lehtë e si rrjedhojë ne të jemi ura në mes sakrificave të të parëve tanë dhe sukseseve të atyre që na trashëgojnë. Prandaj ne duhet të kemi mendime plot shpresë dhe të jemi të përqëndruar tek idetë positive dhe dashuria. Të besojmë te dashuria e diasporës dhe të krijojmë miqësi në mes të femijëve, duke mos u trembur dhe duke mos ndërhyrë në botën e tyre.
Këto ide dhe projekte do t’i gjeni në këtë numër të revistës “Votra”, e cila shpresoj që do të bëhet pjesë e ditëve tuaja në atdhe, që të mund ta merrni me vete kur të shpërndaheni përsëri si zogjtë e shqiponjës dhe të jepni kontributin tuaj nëpër botë, që jeta juaj, e familjes suaj, e Shqipërisë dhe e vendeve ku jetoni, të bëhet më e mirë dhe më optimiste.
Falënderime pafund shqiptarëve në Shqipërinë Etnike që i krijojnë mundësi diasporës të kontribuojë me dashuri në atdhe, jo vetëm financiarisht, por edhe intelektualisht e shpirtërisht.
Diaspora punon për atdheun.
Me dashuri
Afërdita Delaj
Editor in Chief