Vera Laçi: Dashuri pa kufi për Dean
Thuhet qe birësimi i një fëmije nuk e ndryshon dot botën, por bota e fëmijës së birësuar dhe e prindit do të ndryshojë përjetë dhe këtë na e vërtetoi më së miri këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore, kryesisht asaj dibrane, Vera Laçi, një zonjë fisnike me trup të vogël, por me zemër të madhe në një intervistë për revistën “Votra”, ku ajo rrëfen historinë e trishtë të jetës së saj, momentet e para të humbjes së djalit, si e gjeti forcën për të vazhduar dhe mesazhin që ajo përcjell për të gjitha familjet që duan të birësojnë një fëmijë.. Teksa ulesh dhe bisedon me të, në sytë e saj lexohet njëherësh dhimbja e madhe që ka përjetuar, mirësia dhe dashuria e madhe që ajo di të falë si nje nene e re e ka bere te vetin nje femije te Zotit. Vera Laçi sapo ka nxjerrë këngën e saj “Fatit mos iu anko”, të cilën e dëgjojmë të këndohet bukur nga vajza e saj e birësuar tashmë trevjeçare, Dea. Si një grua te cilen jeta e ka sprovuar me dallgët e saj te papritura duke i marre nënën në moshën trevjeçare e di më mirë se kushdo tjetër cfare do të thotë mungesa e dashurisë së nënës, dashuri që ajo ia fal sot në çdo sekondë të jetës së saj, vajzës së birësuar, Deas.
Mund të na e tregoni historinë tuaj?
Humbja e djalit tim të vetëm në një aksident do të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e jetës sime. Dhimbja ishte shumë e madhe për familjen tonë. Momentet e para ishin tejet të vështira, pasi duhet t’i bëja nderimet djalit tim, Denit i cili ka qene bujar dhe i dashur kështu qe unë doja të respektoja çdo njeri që vinte për ngushëllim. Derisa bëra 40 ditët e djalit isha plotësisht e humbur dhe nuk arrija të mendoja asgjë. Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike në të cilën ndodhesha bëra një vizitë me një psikolog psikiatër dhe ai më tha:”Do t’ia dalësh, do ta përballosh dhimbjen dhe do luftosh për të jetuar.” Më tha gjithashtu:” Adoleshencën e ke kaluar ne heshtje me veten tënde dhe kjo gjë është një ogur i mirë që ti do t’ia dalësh.” Te fjalët e tij në fakt gjeta vetveten dhe ato më dhanë kurajë për të vazhduar përpara. Ditët kalonin, as me tim shoq pothuajse nuk takohesha fare, pasi ai rrinte te burrat dhe unë sipër te gratë. Pastaj filloi rrallimi i njerëzve dhe filluam të ngeleshim ne të dy, heshtja dhe dhimbja.
Si e morët vendimin për të birësuar një fëmijë?
Nuk ishte vetem dhimbja qe me kishte pushtuar por edhe keqardhja për bashkëshortin, sepse unë ndihesha sikur nxora dy vetë nga shtëpia, pasi me ne jetonte dhe e fejuara e djalit. Fillova të pyesja bashkëshortin si te vazhdonim te jetonim? Kishim kaluar një fatkeqësi shumë të madhe bashkë dhe ndiheshim të rrenuar plotësisht. Doja të gjeja patjetër një mënyrë që t’i jepja kurajë bashkëshortit tim për të vazhduar përpara. Atëherë unë vendosa që për ta mbajtur gjallë martesën dhe për të pasur një motiv të fortë për të vazhduar para ishte të merrnim një fëmijë të braktisur. Këmbëngula fort për ta bindur bashkëshortin që të birësonim një vajzë.
Pse vendosët të birësonit një vajzë?
Vendosa të birësoj një vajzë, pasi unë djalin e pata dhe do ta kem përjetë, ndërsa vajzë nuk kisha dhe dëshira e Denit ka qenë gjithmonë që të kishte një motër dhe ne ia plotësuam dëshirën që Deni të ketë një motër të vogël dhe të bukur si Dea.
Si e pritën të afërmit tuaj idenë e birësimit dhe kush ishte mbështetja kryesore për këtë vendim?
Këtë vendim ia thashë motrës sime, e cila më mbështeti plotësisht në vendimin tim dhe më premtoi se do më ndihmonte në këtë rrugë që kisha nisur me të gjitha mundësitë e saj. Gjithashtu, pata mbështetjen e vëllait tim. Ua thashë dhe miqve të mi të afërmve, sigurisht kishte dhe nga ata që fillimisht ishin pak skeptikë për shkak të mentalitetit.
Si ishin ditët e para e të ndjerit nënë e një vajze të vogël?
Pasi u mor vendimi që unë do ta merrja vajzën në datën 23 korrik që përkonte me ditëlindjen e Denit qëlloi që ishte periudhë pushimesh dhe duhej të prisja shtatorin për ta marrë në shtëpi. Përgjatë këtyre tre muajve derisa unë e mora në shtëpi kam ndenjur çdo sekondë me Dean. Ditën që e solla në shtëpi ishte një gëzim shumë i madh. Shtëpia ishte e mbushur plot me të afërm dhe miq. Gratë ishin të veshura me të zeza dhe ndërmjet gjithë atyre grave me të zeza, sytë e Deas u ndeshën me sytë e mi. Ajo drejtoi gishtin gjithë gëzim dhe hare drejt meje dhe ai moment lumturie ishte i papërshkrueshëm me fjalë. Papritmas ne zemren time u rrit vajza ime dhe ate moment kuptova qe nuk e kisha shpetuar une Dean nga jetimorja, por ajo mua. E kisha veshur bukur dhe ajo fluturonte në shtëpi nga gëzimi dhe lumturia. Pastaj, sigurisht të jesh nënë e një foshnje të vogël vetëm 8 muajsh duhet përkushtim dhe përkujdes shumë i madh, më pas filluan shqetësimet e saj si gripi dhe virozat dhe unë e kaloja ditë-natë duke u përkujdesur për Dean.
Çfarë vështirësish keni hasur gjatë procesit të birësimit?
Me thënë të drejtën kërkohej një mal me letra. Filluam t’i mblidhnim letrat një nga një. U kërkova punonjësve të më ndihmonin që të birësoja një fëmijë. Pritëm rreth një muaj që të merrnim një përgjigje, por asgjë. Shkoj atje për të marrë një shpjegim dhe u kërkoj sërish që ata të më ndihmonin, pasi unë isha e vendosur në këtë vendim që kisha marrë dhe nuk do të tërhiqesha derisa ta arrija birësimin e vajzës. Dea është birësuar në ditëlindjen e djalit tim dhe atë ditë unë kam marrë Dean. Për mua dhe bashkëshortin ishte si një dhuratë në ditëlindjen e djalit tonë.
Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë për mirë në procesin e birësimit?
Aty kërkohen dosje që për mendimin tim nuk duhet të ketë aq rreptësi. Garancia financiare duhet të jetë tepër e lartë aty diku te 15-18 mijë euro që për mua është e gabuar. Jo për mua sepse ne kemi vite të tëra që punojmë dhe kishim diçka mënjanë. Kjo garanci e lartë financiare i pengon të rinjtë për të birësuar, sepse nëse ata punojnë arrijnë t’ia plotësojnë nevojat dhe dëshirat fëmijës nuk e shoh te nevojshme ate garanci te larte. Sa më shumë lehtësi gjatë procesit aq më shumë fëmijë të birësuar do të ketë.
Na tregoni momente të bukura me Dean?
Me Dean ka pafund momente të bukura, përndryshe nuk do të isha sërish këtu. Dea na fal dashuri, mirësi, jete. Na kap të dyve për dore na i bashkon duart dhe na mëson që të ecim së bashku të tre. Nuk mund ta imagjinoj se si do të ishte jeta jonë pa Dean. Dita jonë nis me zgjimin plot dashuri dhe përqafime pa fund dhe unë e ndiej që brenda vetes time kam shumë dashuri për të dhënë dhe këtë dashuri te pakufishme dhe të papërshkrueshme me fjalë unë ia fal çdo moment Deas.
A i këndoni ninulla Deas?
I këndoja kur ishte e vogël, por tani është Dea që këndon, këndon këngët e mamit. Dea këndon këngën më të re që sapo ka dalë të mamit Fatit mos iu anko. Ia mora dhimbjen zemrës/ i vura melodi. Ia besova shpirtin këngës/se ajo hallin ma di.
Shembulli juaj është frymëzues për jetën, ç’ mund të na thoni për këtë?
Unë sinqerisht jam shumë e dërrmuar nga humbja e tim biri dhe dilema ime më e madhe ka qenë: Të jetoj apo të vdes? Të vdesësh ishte më e lehta, por të jetoje ishte vështirë, por që të jetoja duhet të ndërmerrja hapat e tjerë. Birësimi i Deas ishte motivi më i madh për të jetuar jo vetem për mua, por edhe për bashkëshortin tim, Bilbilin, Dea është frymëzimi ynë, forca për të hedhur hapa para.
Mesazhi që ju keni për familjet që duan të birësojnë një fëmijë?
Sidomos familjet që kanë mundësi financiare le t’u falin dashuri fëmijëve të braktisur, qofshin brenda Shqipërisë apo jashtë saj. Ata kanë nevojë për shumë dashuri dhe të falësh dashuri kushton shumë pak. Le t’u dhurojne këtyre fëmijëve ngrohtësinë familjare që u mungon. Të birësosh një fëmijë është gjëja më e bukur që mund të bëjë dikush. Nuk ka gjë më të mirë dhe zemërgjerësi më të madhe sesa të birësosh një fëmijë të braktisur. Prandaj kush e ka ne mendje dhe ne zemer qe te biresoje, mos ta lejojne friken ose paragjykimin e te tjereve ti ndaloje! Nuk ka rendesi si beheni prinder, mjafton te beheni heronj ne jeten e ketyre femijeve sepse cdo femije e meriton te kete nje shtepi dhe dike qe ta doje! Unë u bëj thirrje të gjitha çifteve të shkojnë vetëm për një ditë në shtëpinë e fëmijës dhe të shikojnë se si ata femije mezi presin që të dalin nga aty dhe gjëja e vetme që ata kanë nevojë është dashuria. Ata fëmijë kanë nevojë për shumë dashuri!
Intervistoi: Luljeta Lamce