Amet Gjanaj: Me një rezultat të tillë, ne kemi arritur kështu konsolidimin e pozicionit të shqiptarëve në rajonin e Brukselit.
“Këtë vendim e mora duke parë se çfarë ndodhte me komunitetet e tjera të huaja në Bruksel, që janë më të mëdha dhe më të avancuara, që të gjitha avantazhet i kanë marrë falë peshës së tyre politike.”
Shoqëria jonë “Vatra”, e cila ka në përbërjen e strukturës së saj edhe shkollën shqipe, ka pasur historikun e vet. Një shkollë shqipe që ekzistonte kur isha fëmijë, u pat mbyllur pas disa vite funksionimi, akoma pa mbaruar ciklin e plotë, dhe që atëherë u rrita me njëfarë pengu që shkollat shqipe duhet të jenë të qëndrueshme.
Pas shumë kohësh, vendosa që së bashku me profesorin Ibrahim Dizdari ta hapnim një shkollë shqipe nga e para. Konkretisht, në vitin 2005 ne hapëm një program mësimor plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në një komunë të Brukselit.
Duke u gjendur më afër sfidave që i paraqiteshin komunitetit shqiptar gjatë këtij procesi, në mënyrë që të sigurohej vazhdimësia e këtij programi dhe të siguroheshin kushtet e nevojshme për mësimin e shqipes, gjykova që ishte e nevojshme nga ana ime angazhimi në politikë.
Këtë vendim e mora duke parë se çfarë ndodhte me komunitetet e tjera të huaja në Bruksel, që janë më të mëdha dhe më të avancuara, që të gjitha avantazhet i kanë marrë falë peshës së tyre politike.
Kështu, vendosa të prezantohesha në zgjedhjet lokale të komunës dhe fitova mandatin e parë si këshilltar komunal me një rezultat që befasoi partinë politike lokale në të cilën garova, sepse ishte hera e parë që një kandidat me origjinë shqiptare prezantohej dhe fitonte një mandat politik. Nuk u vu re deri atëherë se ekzistonte një komunitet shqiptar kaq i madh sa të siguronte mandate politike.
Shkolla shqipe e krijuar në vitin 2005 do të bëhej shkak për të hapur një shoqatë kulturore nën udhëheqjen time dhe gradualisht aktivitetet kulturore do të zhvilloheshin më tej duke mundësuar lançimin e një grupi valltarësh popullorë. Kjo do të rriste aq shumë reputacionin e shkollës dhe të shoqatës, sa që shumë shpejt u ndje nevoja për të hapur një qendër kulturore.
Faza e parë e kësaj qendre do të bëhej realitet në nëntor të vitit 2013. Sukseset e shoqatës së udhëhequr nga unë, do të përktheheshin në suksese të komunitetit shqiptar, komunitet i cili rriti mbështetjen për mua si individ në zgjedhjet e ndryshme derisa në vitin 2019 do të zgjidhesha deputet i Rajonit të Brukselit. Kjo fitore shënoi një risi për komunitetin shqiptar pasi ishte hera e parë që një person me origjinë shqiptare arrinte këtë nivel përfaqësimi politik në Belgjikë.
Ndërkohë, aktivitetet kulturore kanë bërë punën e vet për të përmirësuar imazhin e padrejtë që pësojnë shqiptarët nëpër mediat belge: simboli i Brukselit “Manneken Pis”, statuja më e vizituar nga turistët, është veshur me një nga kostumet kombëtare shqiptare ndërsa simboli i Belgjikës “Atomiumi” ka mbajtur në majën e tij, për dy vite radhazi, flamurin shqiptar për festën e 28 Nëntorit.
Në funksion të përmirësimit të imazhit të shqiptarëve janë bërë edhe aktivitete të tjera si: në tregun e fundvitit në Bruksel, falë një bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës, u ngrit një fashat shqiptar, me shtëpiza që prezantonin produktet karakteristike shqiptare dhe kjo nismë u shoqërua edhe me një program të pasur artistik; gjithashtu, pavarësia e Kosovës është festuar në qendër të Brukselit tek Bursi i Belgjikës; janë mbajtur protesta të ndryshme për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, etj.
Në zgjedhjet e fundit komunale, arritëm të formonim një ekip me 11 kandidatë të tjerë me origjinë shqiptare për të garuar në shumicën e komunave të Brukselit. Qëllimi jonë ishte që të kishim sa më shumë përfaqësues dhe që puna jonë në drejtim të promovimit të gjuhës e kulturës shqiptare të vazhdojë me sa më pak pengesa dhe me sa më shumë rezultate në të gjitha komunat e Brukselit. Jemi mjaft të kënaqur me çfarë është arritur sepse kështu u katërfishua numri i këshilltarëve komunalë me origjinë shqiptare. Me një rezultat të tillë, ne kemi arritur kështu konsolidimin e pozicionit të shqiptarëve në rajonin e Brukselit.