Ke vendosur të bashkëngjitësh në agjendën e larmishme gjeografike të pushimeve edhe një tjetër vendmbërritje. Në këtë bollëk mundësish që të ofron e sotmja, e dyndur te turizmi, si mundësi dhe mundësi e frytshme biznesi, Razma mbetet një goditje në shenjë. Kjo piketë e re në hartën e mbizotërimeve të ndërkallura nga dëshira për të provuar, Razma është padyshim një nga mrekullitë shqiptare të natyrës, guri shndritës në gjerdanin e turizmit malor. Një bukuri e virgjër të ndjek nga pas sapo ngjitesh në gjarpërimin për në pikën turistike. Një frymëmarrje e gjallë, e thellë, laroshe dhe e gjelbër, e mbush përplot me ambrozinë e jetës, plazmojnë tablonë e këtij udhëtimi, kësaj ngarendjeje për t’i shpëtuar vapës përvëluese që jep shpirt përgjatë kacavjerrjes në muret e dendura të gjelbërimit, e taftit të freskët që rigon nga qielli blu, e gufon nga humusi i jetës që gjallon këndej.
Megjithëse është ndër piketat e kahershme të turizmit malor, Razma mbetet ende një mundësi pak e shfrytëzuar, një magjepsje e natyrës, pak e kundruar, një bashkëjetesë mes njerëzve me zemër të bardhë, e tubuar më shumë nga yshtje shëndetësore, sesa nga një tërbim i thellë për t’u hedhur në krahët e një aventure ngasëse. Razma është një ndër pikat turistike malore më të afërta me qytetin e Shkodrës, por jo kaq e artikuluar sa Thethi, që vazhdon të mbetet një dashuri e të huajve.
Razma ndodhet e vendosur nën përkatësinë administrative të Komunës së Shkrelit. Është në një distancë jo më shumë se 138 km larg nga Tirana, ose 40 km nga Shkodra. Zona e Razmës është e vendosur në lartësinë rreth 900 metra mbi nivelin e detit. Pas një rruge që gjarpëron ngjeshur në disa kthesa të dyfishta dhe me këndshikim fare të vogël, gjë që e bën të domosdoshme manovrimin me kujdes me makinë, në këtë rrugë. Është detyrues animi i pjesshëm jashtë asfaltit i automjetit ndërsa kërkon të këmbehesh, por lëvizjet jo të dendura nuk bëjnë që ky detaj ta lëndojë udhëtimin.
Mbrëmja binte shpejt në Razëm. Si çdo prarim, zbriste si një pëlhurë delikate, e mbulonte me tisin e hollë shtatin e përpushur prej pasioneve të limfës. Përreth një ngrysje e thukët e mbulonte gjithë panoramën që të rrokte shikimi.
Lëvizjet sa vinin dhe zhdukeshin thellë në zgafellen e mbrëmjes që lëshohej si një terr i mraztë. Dritat dhe zërat llamburitnin mes pishave shtatmesme dhe plot hijeshi. Siluetat e mbrëmjes ravijëzonin format e çrregullta të gjeografisë së lëvizjes, në sheshin përreth fushës që shtrihej si një sofër në qendër të Razmës. Në shtëpitë e kthyera në shërbimtore për pushuesit pipëtinin biseda të ndrojtura, që tafti i freskët i mbrëmjes i përziente me një fllad që puhizte përmes halave të pishave. Nga njëri te tjetri, të gjithë vendet bujtëse të pushuesve shihje pak njerëz. Të vonuarit, darkonin dhe kundronin yjet që stërpiknin me drita shndritëse syprinën e bruztë të mbrëmjes. Hapa dhe biseda vazhdonin të përçapeshin në këto orë prarimi të ditës. Shitoret modeste që shihnin nga shëtitorja gumëzhinin nga bisedat dhe përçapjet e mbylljes së ditës. Në dhomat e bujtësve dritat njëra pas tjetrës llamburitnin, duke bërë të mundur kështu të çmbusheshin rrugët dhe të niste jeta e kllapitjes. Një ditë tjetër ndiqte me ngulmin e një shtegtari. Nata që sapo kishte kapluar çdo majë e çdo shesh.
Nëse të ka zënë meraku të dish se cili është specialiteti i zonës, dhe nëse këtë do ta mësosh para se të pyesësh ata që do ta ofrojnë një gjë të tillë, nuk do ta kesh fare të vështirë.
Mjafton të shkosh në Razëm dhe menjëherë do të të mundësohet zbërthimi i kësaj enigme. Kudo në tabelat shpjeguese është e cituar “mish fërliku”. Dhe vetëm kaq?! Ndryshe nga të gjitha zonat e tjera malore, me përparësi blegtorinë dhe që ofrojnë si servirje të para dhe kryesore mishin e pjekur, në Razëm ka edhe të tjera servirje. Patatet janë gjithashtu nga më të preferuarat dhe të kudogjendura. Turshitë, po ashtu përbënin menynë e preferuar të pushuesve dhe bujtësve. Djathërat, ku nga më të preferuarit është ai i dhisë. Rakia e dëllinjës, të ofrohet për mik. Jo më pak e konsumuar është edhe vera. Për të qenë të sinqertë, gatesat nuk shoqërohen me shumë ceremoni dhe përgatitja e tyre nuk ka shumë ojna dhe kjo e bën edhe të veçantë drekimin këtu. Një veçori që e tipizon Razmën është edhe kthimi i saj një epiqendër e kalimit të një fundjave pranë qengjit që piqet në hell, e nën shoqërinë e pijes dhe shakave, lojërave dhe hokave. Nga Tirana, Shkodra, Laçi, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, bujnë në Razëm për fundjavë. Zakonisht ata porosisin menynë që mbetet mishi i pjekur dhe për të tjerat nuk kanë asnjë vramendje.
Vijnë afër mesditës dhe ikin kur dielli ka rënë pas supeve të maleve me pisha dhe ahe. Shumë prej bujtësve të fundjavave vijnë dhe për gjueti, natyrisht kur është sezoni i hapur. Gjithsesi, ata vijnë për të marrë diçka nga kjo mrekulli e natyrës, e cila për fatin e mirë është ende e virgjër, e shëndetshme e mbresëlënëse. Ato jo vetëm marrin nga Razma, por edhe lënë përshtypjet e mira ndaj njerëzve bujarë dhe të papërtuar, të thjeshtë dhe zemërbardhë. Ata vijnë, ikin dhe përsëri vijnë, siç ndodh aty ku ke pse shkon dhe ka kush të pret.
Shen Prenja, është një festë tradicionale e zonës, e cila daton më 26 korrik. Ajo që e bën shumë të veçantë dhe mjaft interesante këtë festë është kur bijat vijnë dhe mbushin ujë në puset e Razmës. Ata janë plot 8 copë dhe konsiderohen si burime të rëndësishme të ujit të pijshëm, i cili mbetet një problem serioz. “Kjo festë është shumë e vjetër dhe nga me të rëndësishmet”, shpjegon Frani, një i moshuar, i cili kishte ardhur nga Vrrithi për t’iu bashkangjitur këtij ceremonaili mitik, ku nuse të reja dhe bija, me enë të drunjta uji dhe vlagë shkojnë trumba-trumba te puset dhe mbushin ujë. Tipari i kësaj feste mbart në vetvete një tregues shumë domethënës, atë të shkuarjes së bijave te prindërit me ujë. Kjo tregon se zona ujin nuk e ka të bollshëm, përkundrazi e ka të pakët dhe të vyer, aq sa të mbart mbi vete elementin kryesor të festës.
Razma përfshihet në Komunën e Shkrelit, Malësia e Madhe. Është 40 km larg nga qyteti i Shkodrës. Zona e Razmës gjendet në lartësinë rreth 900 metra mbi nivelin e detit. Historikisht kjo zonë ka qenë bjeshka për verrin e zonës përreth fshatit Vrith dhe është shfrytëzuar edhe nga shumë tregtarë nga qyteti i Shkodrës. Një nga vendet e bukura malore të Shqipërisë, e cila është zbuluar që në shek. XIX nga të huajt. Të parët që e kanë vlerësuar bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian, Antonio Baldoci, austriaku Dofler dhe gjeologu Boran Nopce. Atypari nga viteve 1920 datojnë fillesat kur do të shfrytëzohet nga barinjtë për stane verore dhe me rritjen e standardeve të jetesës. Tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre verore. Në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve, i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Sipërfaqja totale është 3680 hektarë. Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, mes majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat alpine. Relieve të alltysta, thadruar në thellësi nga era, uji e akulli, të cilat ju ndjellin me ngadalë në vorbullën e kohës, në përjetësinë e përpiktë të një gatese të natyrës. Kjo pikturë që zgjaton në gjithë tablonë e shikimit është përplot ngjyra dhe nerv, emocion dhe tendosje, pasion dhe klas.
Është një kryevepër, nga ato që natyra nuk na i ka kursyer.
Relievi i Razmës ndërtohet tërësisht prej shkëmbinjve karbonatikë të mesozoit me një strukturë bllokore tipike të ngritur mbi 1500 m lartësi, shkalla e lartë e tretshmërisë së këtyre shkëmbinjve ka bërë që në relievin alpin të Razmës, vendin kryesor ta zërë morfologjia karstike.
Ky reliev përfaqësohet nga fushat (e Razmës, Troshanit, Fusha e Zezë) në trajtën e gropave, hinkave dhe shpellave karstike ku këto të fundit përbëjnë një objekt turistik me vlerë për eksplorimin e tyre. Gjurmët e veprimtarisë së akujve të kuatërnarit i gjejmë në Fushën e Zezë, atë të Razmës, dhe depozitive midis Razmës e Vrithit. Format më të mprehta të relievit me vlera turistike (alpinizëm, piknike etj) në këtë zonë i përkasin kurrizit malor Veleçik (1724 m) – Kunorë (1713 m) në veri të Razmës dhe Kunorës së Zagorës (1862 m) në lindje të saj. Relievi malor i Razmës me pyjet magjepsëse të ahut e pishës, ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës e dimrit, përmban në vetvete vlera turistike të veçanta. Larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër në këtë zonë, përbën një mundësi të mirë për zhvillimin e gjuetisë.
Razma, si shumë vendmbërritje të tjera të gjerdanit të turizmit malor të Veriut të Shqipërisë, kanë specifikimin e tyre, që përbën dhe veçantinë që i karakterizon ato. Llojshmëria e objektit të kësaj vendmbërritjeje janë;
- Turizëm shkencor (gjeografik, turistik, historik, etnografik, biologjik, zoologjik, spelologjik).
- Turizmi gjeografik me larminë e objekteve gjeografike në majat e ndryshme të kësaj zone si maja e Veleçikut, maja e Kunorës etj.
- Turizmi gjeologjik me karakteristikat gjeologjike të kësaj zone, mund të themi se depozitimet e ndryshme të mesozoit, të kenozoit dhe në pjesën më të madhe të kuaternarit, si dhe thyerjet tektonike tërthore e afrogjatësore të kësaj zone kanë një interes studimor për studiuesit e kësaj fushe.
- Turizmi historik: Popullsia e kësaj zone ka zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër pushtuesve të ndryshëm, (turqit, serbët, malazezët) prandaj studimi i historisë së kësaj treve dhe nxjerrja në pah e saj kanë një interes historik.
- Turizmi etnografik: Zona e Razmës ofron vlera të papërsëritshme studimore për etnografët. Vetë veshja karakteristike e kësaj zone, për burrat këmisha e gjatë me Dallomë (xhamadan prej shajaku) dhe për gratë e vajzat xhubleta 3000-vjeçare, vetë karakteristikat e banesave, ku ato shquhen për një zgjidhje të thjeshtë dhe drejtim arkitekturor dhe dekorativ të varfër. Ceremoniali i dasmës ku ishte zakon që dhëndëri ditën e dasmës të vishej me rrobat më të vjetra e të shkonte me bagëti ose të fshihej në shtëpinë e ndonjë shoku. Me zbritjen e nuses nga kali i vihej në prehër një djalë i vogël, (që nusja të lindte sa më shumë djem) por edhe për ceremonitë e tjera të jetës së përditshme mendojmë se interesi studimor është mjaft i madh, ka traditë këngën me lahutë, atë majë krahu (me jehona), ninullat, fyellin.
- Turizmi spelologjik: Shpella e Majës së Veleçikut, është e madhe, 28 m e thellë vertikalisht, Shpella e Lugjeve në V-L të fshatit të Razmës, e cila ka një zhvillim gjatësor me ngritje 10° me gjatës 79 m në fund degëzohet në dy drejtime të ngushta. Ujërat që rrjedhin këtu janë ujëra të pastra, të pijshëm, që formojnë burimet e grykës së Lugjeve mund të vizitohet edhe nga amatorë e vizitorë të thjeshtë.
- Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për turistët, sepse larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egjër është e llojllojshme, e gjuetia në këto zona është shumë e përshtatshme.
Të bie në sy një veçori në ndërtimet që datojnë që në vitet 1930, madje edhe më herët. Arkitektura e përdorur dhe tërësia e komfortit të banesës, vilës nëse mund ta quajmë kështu, është një përzierje stilesh. Të gjitha ishin me ballkon dhe me pak këmbë shkallë që përqarkoheshin nga parmakë të dizajnuar.
Hauri për bagëtinë dhe për bazën ushqimore, oborri që i vinte qark shtëpisë, vendosja në pika mbizotëruese të terrenit, muret dhe mbuloja, dekoracionet e përdorura, të gjitha këto vërtetojnë se këto banesa ishin, siç citohet edhe në Wikipedia, të tregtarëve të Shkodrës, të cilët me sa duket i kishin ata si shtëpi pushimi verore dhe dimërore. Klima e shëndetshme dhe distanca jo shumë e largët nga Shkodra, i bënin ato një vend pushimi të preferuar.
Asnjë mëdyshje nuk ka se ndërtimi i atyre banesave ishte fillimi i historisë së Razmës turistike. Falë atyre burrave, jo vetëm me para, por edhe me shije dhe pasion, kemi sot një vendmbërritje, sepse Razma është vendi ideal për të rigjetur vetveten, larg nga zhurmat dhe nga stresi i qytetit, në qetësinë e mrekullueshme të maleve, e thyer vetëm nga kënga e zogjve dhe nga era që fëshfërin mes gjetheve të pemëve. Në ditët e sotme, në Razmë janë rritur mundësitë e qëndrimit si nëpër hotele ashtu edhe nëpër bujtina e shtëpi pushimi familjare, siç janë “Razma Resort”, “Kulla e Artë”, “Vila Pepaj” të cilat funksionojnë gjatë gjithë vitit, “Antika Vecaj” , “Tigri” e bujtinat “Sofra Malësore” gjatë sezonit të verës, si dhe shtëpitë e tjera të familjarëve duke e kthyer atë në një miniqytezë te vogël turistike, si për turistët ditorë dhe për pushuesit. Të kthesh kurrizin është gjithnjë e vështirë, nuk është thjeshtë një zhvendosje, për tjetërkund, turrengut për në krahët e një tjetër dashurie. Është tjetër çka, të ikësh prej nga do ta kesh të vështirë, është natyra, janë njerëzit, paqja dhe gjithçka tjetër që e ke dëshiruar dhe të është dhënë, e ke marrë dhe e ke bërë krejt tënden, ato që ta bëjnë të vështirë këtë ndarje. Megjithatë, ti duhet të formulosh një mirupafshim, ashtu plot drojë si ndarja e dy të dashuruarve, pas takimit të tyre të parë. Ndahesh përzemërsisht me ata që të pritën të shtruan e të shërbyen.Ndahesh duke mos qenë të mjaftueshme vetëm një dorështrëngim ose këmbim i një buzëqeshjeje. Ata janë të ngrohtë dhe të dashur, nuk janë tregtarë që të të trajtojnë si një objekt, megjithëse koha dhe nevoja për t’u përfshirë në atë që quhet turizmi malor, i ka yshtur edhe ata të jenë dhëmb në këtë ingranazh shumë të rëndësishëm të ekonomisë. Në këto ndarje nuk mungojnë lotët. Mbrëmjeve “pronarët” darkonin me bujtësit, këmbejnë kontaktet telefonike dhe elektronike, njohjet, miqtë e të tjerë. Për aq ditë ata tashmë i kanë marrë dhe i kanë dhënë njëri-tjetrit edhe gjëra familjare që i kanë të shtrenjta. Kjo e bën këtë zonë, këto pushime jo vetëm të shëndetshme, argëtuese, por dhe të shtrenjtë.
Albert Vataj