Në profecinë poetike të Petraq Ristos

Nga MIHAL GJERGJI

A e meritojnë poetët titullin e lartë të profetëve? Doemos që janë të tillë, paçka se këtë të drejtë ende s’ua ka njohur Zoti. Në se të dy predikojnë, poeti dhe Zoti, ajo për të cilën vuajnë, është bota ideale. Ata e projektojnë, e krijojnë me stërmundim, fjalë pas fjale dhe hap pas hapi. Poetët i mbijetojnë kohës, për shkak të prurjeve të tyre, profecisë së krijimit, mrekullisë së fjalës. Pse të mos themi që poetët janë ndihmësit e parë të krijuesit fuqiplotë, për ta shoqëruar atë në përsosjen e njeriut, mandej edhe të botës, por të dënuar për të vuajtur “në planetin e dhimbjes“. Poetët mbeten përherë njerëzit me lot në sy, sepse ata e ndjejnë të parët të vërtetën e hidhur: “…Shesim jetën dhe blejmë vdekjen çdo ditë“. E gjersa besojmë te Zoti, që as e shikojmë dhe as e ndjejmë praninë e tij, pse të mos besojmë te shenjtëria e poetëve, te fjala e tyre plotë shpresë e ngjyra ylberi?! Kështu ndodh me krijuesit: “njerëzit e çuditshëm me emrin Poetë/ vërtiten të lodhur udhëve të botës/ dhe vetvriten te fjalët të qetë”.

S’më ka befasuar aspak poezia e Petraq Ristos, jo se s’është befasuese, porse e kam parandjerë qysh herët lartësinë ku do ngjitej poeti. Vargu i guximshëm dhe impresionues i tij, e zhvesh botën nga zhelet me të cilat është mbuluar, ndërsa plagët që kullojnë gjak, e nga të cilat skuqet planeti, janë burimet ku mund të ngjyej penën çdo krijues

Edhe vetë poeti është gati i tejdukshëm, pa maskën që fatkeqësisht është bërë si të thuash mbulesa e dytë gjenetike e njeriut. Petraqi luan me fjalën, por qëndron larg formalizmit, sepse thotë shumë dhe me forcë, me një mënyrë të veçantë, me një talent që të ushqen mendimin dhe të ndez shpirtin me ligjëratat prej magjistari. Është një krijimtari e bollshme e poetit, në prozë dhe në poezi. Këto të fundit janë publikuar në disa vëllime. Si bleta te lulet, unë u ndala te disa prej tyre, duke filluar me librin “Lojë shahu në shekullin XXI“ (2004) e duke përfunduar te libri “Miq të dyshimit“, (2010) pra, do ju afroj vetëm disa shënime kritike.

Petraq Risto është poet i plotë dhe ndryshon dukshëm nga ata që “me shkëndijat e të tjerëve/ ndezin eshkën e tharë të shpirtit të vet“. Këtë e përcakton saktësisht talenti i tij. Poezia liriko-meditative, jo rrallë fshikulluese e këtij autori, është e pangjashme me krijimtarinë e poetëve tanë të mirënjohur, është krejt ndryshe.

Kush është në të vërtetë Petraq Risto. Krijimtaria e tij ka disa faqe të ngjashme me fletët e pasaportës, por thonë më shumë se ato. Ja njëra prej tyre: “Rastësisht stërgjyshi im quhej Pal/ i burgosur në shtëpinë e vet, mbret i moralit/…im gjysh quhej Kron/ me Kronosin mitologjik ngjante si ora me orën/…im atë rastësisht quhej Thanas/ dashuronte jetën si perëndi e vdekjes“, ndërsa për vete shprehet: “Emrin prej guri/ mbiemrin prej Krishti/ pikë pikë pikoi gjaku/ zbuti gurin, krijoi mishin“.

Fantazia e poetit ecën larg, shumë larg, ka jo vetëm hap shekspirian, por edhe forcë të tillë. “Përdorja një fushë gruri për shami/ pështyja gjak lulëkuqesh në shami…“. Edhe poeti ynë e njeh mirë helmin dashuror të jetës, atë që jo rrallë bëhet burimi i dramave, shumica e të cilave mbeten të pathëna. Ja një tabllo interesante, si ato, në të cilat tragjediani anglez vendos personazhet e tij, ndërkohë që lozin mes jetës dhe vdekjes së pashmangshme, fundit që ai u ka paracaktuar: “Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha/ të blerta si dollarët, si floriri të verdha“, për të blerë “një mëz prej reje, me yzengji rrufeje“, apo për të blerë “një bilbil me grykën të ndezur prej këngëve“. Edhe vetë poeti e ndien që ka brënda vetes diçka shekspiriane, ndaj reagon si të fliste me vete: “Nga Durrësi-Ai/ nga Durrësi dhe unë/ o Zot/ mos jemi mbarsur nga një Perëndi me emrin Furtunë?!“.

E nesërmja e planetit është po aq shqetësuese sa e sotmja, madje poeti e mendon këtë të ardhme, këtë fund tragjik të qenieve që hanë njëra-tjetrën, të mbyllur në arkë-mortet e ndërtuar me mbetjet e kalit të drunjtë të Trojës, pra, kjo do jetë lënda e parë për arkivolet. Vetëm imagjinata e poetit mund të krijojë imazhe të tilla tronditëse që të lëvizin para syve dhe të zgjojnë nga letargjia e heshtjes. Po përse të ndodhë kjo? Le të vijojmë shpjegimet duke ju referuar krijimeve të poetit. Poeti ynë, e merr të burgosurin vrasës, “Kainin“ dhe e fut të rreshtat e poezisë së tij, ashtu siç bën me prostitutën (të cilës i sugjeron këngën në këmbim të profesionit më të vjetër në botë) apo shitësin e farave, u jep kështu statusin e qytetarëve, pastaj fillon t’i analizojë e të zbulojë pak e nga pak botën e tyre, pse jo, edhe të luftojë për ti përsosur si qënie njerëzore. Poeti është i zhgënjyer me fatet e njerëzve, me jetën që e përqas me detin plot dallgë, ndërsa veten e tij si “një varkë e lodhur/ në kryqin e direkut mbaj gozhduar muzgun“.

Lëvizjet e shumta të poetit, (Tirana e tërheq sërish drejt vetes, me magnetin e fuqishëm të mallit), i kanë krijuar ndjesinë e të qenit në një botë të vogël, duke e parë si të thuash nga lart, i kanë rritur përmasat e imagjinatës dhe aftësinë perceptuese, i kanë mësuar përvoja të shumta, e kanë njohur me zhvillimet e reja të shekullit, të cilat janë marramendëse, megjithatë, krijuesi i joshur prej tyre, s’e ndërron busullën e tij – njeriun. Ai është zoti i globit, ndoshta, përkohësisht. Njeriu i frymëzimit hyjnor, duke fluturuar mbi ujërat e ftohta të Atlantikut, poshtë krahëve të “Malevit“, përfytyron gëzimin e ditës, atë që ngroh jetën në tokë, fejesën e vajzës së tij, Sidorelës, e si një dhuratë të çmuar i kushton një poezi plotë dritë e stërkala valësh: “Një fustan i kaltër nusërie mes fustaneve të qiellit dhe detit/…shkon e shtuna nuse tek e diela“. Pastaj rikthehet përsëri dhe luan me planetët, si të jetë atje apo t’i ketë lodra në duar: ’’Një qepallë reje/ mbron syrin e Hënës/ nga një dritë rrufeje“. Më tej i kthehet diellit gjithë ankesë, sepse ndriçon, por nuk ngroh ( ndoshta jo njëlloj për të tërë!) dhe s’arrin të depërtojë brenda skutave të errëta ku bën vend e keqja: “Dielli më sheh e nuk flet/ Ç’prokuror prej dylli!“.

Mendimet e mia, pavarësisht nëse kanë arritur të lexojnë thellësisht zemrën e poetit (atë e gjykon lexuesi i nderuar) do t’ua shtoja kolegëve të tjerë të artit, të cilët kanë bërë objekt të analizave të tyre krijimtarinë poetike të Petraq Ristos. Për krijimtarinë e Ristos kanë shkruar shumë autorë, disa prej të cilëve emra të njohur, mirëpo ç’farë kam konstatuar. Kam lexuar shumë ese, komente apo shënime kritike, për krijues të ndryshëm dhe nga autorë të ndryshëm. Jo pak prej tyre na sjellin pjesë nga leksionet e teorisë së kritikës (imazhi, perceptimi, shpejtësia e mendimit, metaforat, etj), ndërkohë që lexuesit e zakonshëm apo të specializuar presin të flitet për autorin të cilit i referohen. Edhe po s’kanë hapur librat e tyre të shkollimit apo autorë që merren me kritikën letrare, ç’vlerë do kishin ato, përballë risive që sjell poeti dhe realitetit që e ka frymëzuar atë. (Realiteti ynë është nga më interesantët, është vendi i çudirave, ku mund të blesh dhe shesësh çdo gjë. Këtë na e thotë në mënyrë profetike Risto: “shiten nëna, nëna të bukura/ me gjendrrat e lotëve të thara/ dhjetë gishtrinjtë lënë magjen/ si dhjetë kufoma të vrara“. Këtë linjë mendimi e vijon edhe në librin “Miq të dyshimit“, ku shprehet me dhimbje “…kam dalë në treg/ hijen time të shesë“). Autorët në fjalë, ndoshta duan të prezantojnë kështu ’bumin’ e tyre kulturor apo profesional, të kuptojmë, pra, që paskan lexuar edhe autorë të huaj, dhe janë pikërisht ata, të cilët e vënë pikën mbi ’i’. Të tjerë ’analistë’ që fatkeqësisht s’janë poetë dhe s’e njohin artin e vështirë të poezisë, e cila është shumë sqimatare dhe po të tillë e kërkon edhe lexuesin, na sjellin emra poetësh nga vende të largëta (sigurisht që ata kanë vlerat e tyre) dhe harrojnë që djepi i poezisë është Ballkani, sikundër shprehej La Martini. Doja të theksoja, gjithashtu, se, askush nga ’kompetentët’ s’ia përcakton me gjykimin e tij vendin apo hierarkinë poetit për të cilin po flasim. Kjo ndodh edhe në shkrime për krijues të tjerë, madje shkojnë edhe më larg, pyesin se përse s’shkruhet për filan autor, etj., etj. Nuk e di se kujt ia drejtojnë këto pyetje dhe nëse dikush duhet të përgjigjet, cilët janë ata? A thua se vetë janë tepër të zënë me punë më të rëndësishme se ato të artit dhe s’duan të humbasin kohë?!. Le të vazhdojmë me emrat që zgjodha për referencë.

Shkrimtari dhe poeti Agim Shehu, gjykon: “Te vepra e Petraq Ristos dëgjojmë zërin e qytetarit ngritur në lartësinë e hijshme të poetit, sa shqiptar dhe universal. Një zë ku lexohen thellësi me dritë, po aq dhe lartësi me humnera pranë, të vendit të tij“. Bukur, shumë bukur! Agim Shehu është vetë një poet i shquar, mjeshtër i fjalës poetike. Anton Papleka e vlerëson poezinë e Petraq Ristos si mjaft të realizuar, moderne dhe të denjë për t’u krahasuar me atë të krijuar nga emra të njohur të poezisë evropiane apo më gjerë. Alfred Uçi shprehet se: “Krijimtaria e Petraq Ristos, sidomos poetike, veçohet si një arritje me peshë, gjurmëlënëse, e përfshirë në atë rrugë, në të cilën nuk mbeten shumë emra që u afrohen majave“. Nuk e di nëse do ja njohin dashamirësisht kolegët lartësinë e majëmalit që ka ’blerë’ poeti Risto?. Besoj se mendimi i tyre do ti shtohet gjykimit të asaj që është më e pagabueshmja, kohës. Për shëmbull, Koçi Petriti disa herë më është shprehur se vepra poetike e Petraq Ristos meriton një vlerësim dhe analizë të detajuar kritike. Unë shpresoj shumë, që një poet i fuqishëm si Koçi ta kalojë shumë shpejt pragun e projekteve dhe të na afrojë studimin e ideuar nga vetë ai. Po pushtetarët e ’kulturës’ do e lejojnë Riston ta ’hipotekojë’ atë majëmali?. Punë e madhe, ata vdesin më shpejt se të tjerët, porsa lënë kolltukët, madje, harrohen menjëherë, sikur të mos kenë ekzistuar, ndërsa krijuesit janë njerëzit më jetëgjatë. Sokrat Paskali, duke iu referuar “Enciklopedisë së zhgënjimit“ kësaj kolane te gjerë të Ristos, bën një konstatim real dhe domethënës: “…Zhgënjimi i Petraqit vjen edhe si pasojë e zgjerimit të përmasave të tij. Zhgënjim për të tejkaluar tabutë, zhgënjim nga ideologjitë, zhgënjim nga pikat e vështrimit, zhgënjim për të tejkaluar pikat e referimit,…me gjeopolitikat, nga shfaqjet e arrogancës, nga skrupujt e njeriut të vogël,…zhgënjim me zhgënjimin“.

Jo më kot Risto shkruan: “Dola jashtë vetes kur nisa të njoh më mirë të tjerët“. Pra, Petraqi është një autor që pretendon shumë, kërkon shumë nga vetja dhe të tjerët, gjithashtu, realizon shumë. Është një poet që vazhdon të lartësohet. I këtij mendimi është edhe Moikom Zeqo: “…Petraq Risto guxon dhe shpërthen, ravizon me lëvizjet kozmike, me tema të ekzistencialialitetit tronditës dhe të dyzuar të epokës globale“. Autori i mirënjohur i kritikës, Fatmir Terziu, në mënyrë të detajuar dhe varg pas vargu, bën analiza interesante, ndërsa shprehet: “…Petraq Risto shfaqet kalorës virtuoz që di të zotërojë “harbimin“ e kalit të bukur siç është metafora në poezi. Kjo është e domosdoshme veçanërisht për një krijues i cili jeton me ngjarjet e trazuara, i vëzhgon si qytetar, i gjykon si filozof dhe i shpreh si poet“. Në këto pak rreshta, ai i thotë të tëra. Petraq Risto është një krijues virtuoz.

Kritiku tjetër i afirmuar prej më se gjysmë shekulli në këtë fushë (të cilit duhet t’i referohesha të parit, mirëpo në mënyrë të natyrshme, gjërat me peshë qëndrojnë në thellësi), Razi Brahimi i drejtohet poetit: “…Ç’ndjeva duke të lexuar? Të them të drejtën, para së gjithash, befasi. Pastaj – mahnitje… Poezinë e të gjitha ngjyrimeve e përmban jeta, por vepra poetike, universet poetike, janë krijime të poetëve…( të cilët, dinë-M.Gj) “të vënë në lëvizje turbinate të prodhojnë dritë “. Kritiku Brahimi, pa mëdyshje, ja cakton vëndin poetit, duke përdorur një shprehje të piktorit Delakrua, i cili në kohën e vet, konstatonte se çdo 25 vjet në art ndodhin ndryshime të mëdha dhe lindin talente të veçantë, pra për R. Brahimin edhe Risto është prurja e pritur nga këto ndryshime, është poet novator. Duke përfunduar analizën e tij të gjatë, Brahimi konkludon: “Për mua poeti Petraq Risto, që të shprehem në vetën e tretë, është mbi të gjitha, një ndër reflektuesit më të sinqertë e më të gjaktë të tragjizmit të epokës sonë hemafroide, e cila, e dehur në delire euforie, bën sikur harron nga vjen e kush është, pa ditur ku shkon dhe pa e vrarë mendjen që, duke u droguar po shkruan, po vë në skenë dhe po interpreton tragjedinë më të kobshme“.

Para disa kohësh lexova një shkrim të Nuri Plakut për romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut“ po të Petraq Ristos. Kisha lexuar edhe një analizë të detajuar të këtij autori për poetikën e M. Zeqos, sikundër edhe një shkrim tjetër për një vepër të Kadaresë, për romanin “Darka e gabuar“. Më ka pëlqyer veçanërisht N.Plaku për gjykimet e pavarura, për profesionalizmin dhe kulturën që rrezaton në mjeshtërinë e të shkruarit. Në gjykimin e tij poeti dhe prozatori Risto qëndrojnë të shkrirë brenda njëri-tjetrit, me të njëjtin mendim të lartësuar, modernë në të dyja variantet…

Mendoj se pas Kadaresë, Petraq Risto renditet ndër poetët që krijimeve të veta u ka ndërtuar „strehën“ përtej territoreve të ngushta të vendlindjes, përtej kufijve të atdheut, më larg akoma, brenda dhe përtej kontinentit. Pra, universi merr frymë te fjala e tij.

Back to top button