KOZETA ZYLO

Keze Kozeta Zylo është poete e njohur. Zonja Keze Kozeta Zylo ka lindur në Tepelenë, nga prindërit Brahim dhe Liri Gjoni në një familje të shquar patriotike mezhgoranase. Ka mbaruar Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, më 1978 për degën Gjuhë-Letërsi.
Zonja Keze Kozeta Zylo ka punuar si një mësuese e letërsisë në disa gjimnaze të Tiranës, bashkëpunoi me gazetën “E Ardhmja” të gjimnazit “Çajupi” dhe u përfshi energjikisht në proceset demokratike. Ajo mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë ku u zgjodh sekretare e saj dhe drejtonte gazetën “Ora e Shqipërisë”.
Në shkurt në vitin e mbrapshtë të 97-ës ajo u largua me familjen e saj ku u integrua me dinjitet në botën amerikane.Vazhdoi kualifikimet në kolegj dhe emërohet Këshilltare e studentëve në BramsonORT College (2000-2004).
Punoi si pedagoge disa vite në “Globe Institute of Technology” në Manhattan, dhe tani është e punësuar në fushën e edukimit në Shkollën e mesme Susan E.Wagner në Staten Island. Shquhet ndër veprimtaret më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Është zgjedhur sekretare për shtypin dhe informacionin në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në USA. 2007-2010. Rreth poezive të saj u zhvillua një orë mësimi e rregullt në shkollën e mesme Susan E. Wagner në Staten Island, New York, udhëhequr nga Prof.Helen Decker.
Gjithashtu poezitë e saj u përzgjodhën dhe u interpretuan në një mjedis amerikan, gjatë një aktiviteti letraro-artistik, në një nga qendrat e mëdha kulturore “Staten Island Greenbelt center, udhëhequr nga znj.Sheree Sobel, shkrimtare dhe psikologe.
Janë botuar poezi në Amerikë, Maqedoni dhe Rumani. Në Ditët e Naimit në Maqedoni poezitë e shkrimtares Zylo janë botuar në antologjinë “Rizgjimi i Lutjes”, përgatitur nga Këshilli botues për Festivalin Ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit” në Tetovë, edicioni XV. Publikon vazhdimisht në gazetën “Illyria” dhe “Dielli” në USA.
Libri “Diaspora si krah shqiponje” u pranua në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Washington DC.
Narratore në TV Alba Life në Staten Island, New York, ku së bashku me bashkëshortin e saj z.Qemal Zylo Ph.D kandidat dhe familjen, janë themelues të TV Alba Life New York dhe të shkollës shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në disa lagje të Nju Jorkut.

Poezi nga Kozeta Zylo

SHPIRTI YT!

Shpirti yt… Ah, shpirti yt,

Deti i thellë pa mbarim,

Fal e fal, githë s’ka pare,

Neper dallgë e nëpër zgjim!

Shpirti yt! …Ah, shpirti yt,

YlI i zjarrtë nëpër vite,

Marramëndthi i kujtoj,

Si ciklone nëpër shtigje!

Nëma zjarrin, Promete,

Mos më mbaj pengun tënd,

Ndriço shpirtrat në skëterrë,

Syrgjynosur në çdo vend!

REBELJA

A ju kujtohet kur më thërrisnit rebele,

Qysh herët në fëmijëri?

Më thyenit shpresat pa kuptuar,

Dicka të huaj fusnit në gji.

Thahej syri nga shterrimi i lotit,

E shponte bebëzen si me gilpërë,

Në heshtje thoshnit rebelja e kohës,

I prisnit fjalët si me gërshërë.

Shpirti udhëtont si pelegrin,

Në monopate e shtigje të pashkelura,

Fantazonte në vals me yllësinë,

Rebelja e kohës nga këto gjepura.

SHKUMËZON VARGU

Shkumëzon vargu si valë e egër,

Nga hija e dyshimit, derdhur mbi letër,

Tërbohet e s’pyet nga pabesite e kohës,

Që më tresin ngadale mbi nje varkë te vjeter.

Mashtrimet dredhëse, si krimba me gërryejnë vargun

Dhe si kërpulla të zeza, në formë pikepyetje vendosen

Ne fund të vargut çmendur nga mbjellja,

Farë e së keqes, ne palcë murrosen.

FALI ZOT, SE S’DINÈ C’KA BAJNË!

Me putra djallëzore dhunoni butësinë,

Si mjegull lëvizni në hapësira dhimbjesh,

Një tabllo të kalbur kudo krijoni,

Shi plagësh derdhni me pellgje shpifjesh.

E piva dhe një kupë trishtimi sonte,

Nga shqyerja e gojëve që vetëm shajnë,

Nëpër rrembat e shpirtit vazhdoj lutjen,

Fali Zot, se s’dinë ç’ka bajnë!

TUNGJATJETA KOSOVE!

Tungjatjeta Kosove!
Tungjatjeta Princesha ime,
Sot po udhëtoj kudo,
Me medalionin e Lirisë në gjoks,
Medalion që s’do ndryshket kurrë!
Në kujtesën e dhimbjes shkulmëzon shpirti,
Për rrëmbimin e të artit medalion,
Nga zotat e heshtun të Olimpit…!
Lamtumirë ju Zota të heshtun, lamtumirë!
Lamtumirë ju që ma gërryet kockën,
Me molën e hipokrizisë!
Princesha ime Kosovë,
Më lejo të vë buzët, në bisqet e Lirisë,
E me ju të bashkohem ne simfoninë e këngëve,
Të miliona shqiptarëve, që këndojnë shqip,
Aty, në tokën e lirë!
Sythet e Lirisë kanë buisur,
Janë harbuar sot, në degët e Shkurtit,
Shkurt dimri, kthyer në stinë pranvere!
Mëngjesin e burgosur zgjoi,
Duke hapur kufirin e shpirtit,
Me vezullim rrezesh nga bjeshkë Kosove!
Më fal Kosovë që s’të vij dot atje, më fal,
Por, edhe pse larg teje sot,
Unë po e shijoj këtu lotin e gezimit,
Te ngrirë kallkan, acareve,
Tashme të shkrirë nga Ju, por edhe nga kjo tokë,
Ku u vesit gonxhja e Lirise, dikur si manushaqe kokëulur!
Nuk do dëgjoj më krokatje korbash,
Ato kanë kohë që u shkrumbuan në harkun vetëtimë të Lirisë!
Në trungun e tokës tënde, dhimbjet lëshonin rrënjë,
Sot ato u groposën në dheun e Prizrenit, Prishtinës…
E në gjithë tokën e Dardanisë!
Unë kam kohë që jam larg teje, kam kohë…
Por dhe pse larg, vetëm tek ty përkundem me ninulla,
Në të vetmin djep me shqiponjë gdhendur,
Me emrin Kosovë, me emrin Shqipëri!
Eja, Liri Kosove, eja dhe tek unë,
Më kap prej dore, se sonte dua të hedh vallen e Rugovës,
Me xhamadanë sokolash e me plisin e bardhë në kokë,
Të trand botën e cmendur, që shekuj me radhë,
Ta përtypën Lirinë!

New York, 17 Shkurt, 2008

Çmimet për KOZETA ZYLO

1. Ambasador i Kombit Shkolla Shqipe “Alba Life”, New York nga Shteti Shqiptar 2019

2. Mirënjohje për “Alba Life” nga Konsullata e Përgjithshme e Republikes së Kosovës në Nju Jork për kontributin e dhënë në organizimin e përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Kosovës. 2018

3. Senatori veteran Martin Golden nderoi me proklamatë nderi “Alba Life”, në emër të Senatit të shtetit të Nju Jorkut, 2018

4. Proklamatë nga z.Mark Gjonaj Këshilltar i Bashkisë së Nju Jorkut me këtë motivacion: Nderoj TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” për një punë të jashtëzakonshme në shërbim të komunitetit shqiptaro amerikan. TV dhe Shkolla Shqipe “Alba Lfie” ka qenë një shembull i shkëlqyer i suksesit dhe integrimit në Amerikë. 2018

5. Mirënjohje nga organizata “Motrat Qiriazi” në 25 Vjetorin e themelimit të tyre me motivacionin për mësimin e Gjuhës Shqipe fëmijëve të Diasporës 2018

6. Mësuese e vitit nga shoqata “Ana e Malit”, New York, Mars 2018

7. Anëtare Nderi e Albanian Excellence, 2015

8. Nga Albanian Excellence e përzgjedhur në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

9. Anëtare Nderi e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” NY, 2019

10. Libri “Mjellmat po të vijnë” u shpall libri më i mirë i vitit, në Panairin e librit me shkrimtarët e Diasporës në New York, 2009, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

11. Çmim mirënjohjeje nga shoqata “Rrënjët Shqiptare” USA me motivacionin për një punë të jashtëzakonshme gazetares Zylo, në ndihmë të Paradës internacionale, ku morën pjesë gjallërisht dhe shqiptarët e Diasporës. Qershor, 2012

12. Çertifikatë mirënjohjeje nga Bashkimi i Intelektualëve në Zvicër me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në Mërgatë në fushën e kulturës dhe Arsimit Kombëtar. Korrik, 2011

13. Çertifikatë mirënjohjeje për bamirësi dhe punën udhëzuese tek studentët e saj në mjedieset e një Qendre Shëndetësore, të cilët për shumë kohë punuan vullnetarisht për të ndihmuar njerëz të moshës së vjetër dhe me probleme shëndetësore. Kjo çertifikatë u dha nga Shkolla e Mesme “Wagner” dhe Qendra e Rehabilitimit “Eger”, ne SI, New York, në ceremoninë e gradimit të nxënësve, të cilët u pajisën me diplomat e shkollës së mesme. Maj, 2010

14. Mirënjohje nga Shoqata “Ana e Malit”, New York, 28 Nëntor, 2010

15. I jepet titulli: “Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtare”
a. nga Shoqata Mbarëkombëtare Ismail Qemali, Vlorë, 28.11.2009

16. U shpall gruaja e vitit 2008, në New York nga organizata e gruas “Zëri ynë”, NY

17. Çmim nga revista “Fotjon Art”, 2007–2008

18. Çertifkatë mirënjohjeje nga TV “Albanian Culture” në New York, për një bashkëpunim të ngushtë me TV dhe mirënjohje për Komunitetin, 2007

19. Çertifikatë nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë për një kontribut të shquar në Letërsi, 2007

20. Çertifkatë “Mirënjohjeje” nga Shoqata “Dibra” në Amerikë për ditën e Mësuesit, 2006

21. Çertifikatë nga Akademia e Shkencave në NY, për një punë të palodhur në Media, 2006

22. Titulli i lartë “Krijuese e shquar” nga Akademia alternative pegasiane, Tiranë 2015

Libra të botuar nga KOZETA ZYLO

1. Monumenti i Lotit (me poezi) (2005)
2. Pranverë pa Mimoza (me poezi) (2006)
3. Mjellmat po të vijne (me poezi) (2008)
4. Nje fjongo dielli nga New Yorku ( me poezi) (2010)
5. Refleksione shpirtërore (kritikë, esse, reportazhe) (2010)
6. Kujtimet si fletëz libri, (me poezi) 2015
7. Diaspora si krah shqiponje (reportazhe, esse, kritikë letrare) 2015
8. Bashkautore në Antologjinë “Perëndim i malluar”
7. Bashkautore në librin: “Kur e lë zogu folenë”
8. Bashkautore në librin: “Itaka e fjalës”
9. Redaktore në antologjinë “Zemra Prindërore”
10. Bashkautore në librin: “Antologie de poezie”
11. Bashkautore në librin “Zonjat Shqiptare në New York” 2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights