Këshilla për fillimin e vitit të ri shkollor për prindërit që po divorcohen

Me afrimin e ditës së parë të shkollës, është koha për të filluar planifikimet për vitin e ri shkollor, veçanërisht kur prindërit sapo janë ndarë. Ja disa gjëra për t’u marrë në konsideratë:

Dita e parë e shkollës vë në harmoni të gjithë vitin shkollor. Zgjidhni se cili prind do të ketë kujdestarinë e fëmijëve atë ditë. Atëherë vendosni, nëse do të jeni aq të njerëzishëm dhe të qetë, sa të jeni të dy aty kur fëmijët të hyjnë në autobus. Është fantastike nëse prindërit mund t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe ta bëjnë këtë mëngjes të veçantë për fëmijët. Nëse njëri nga ju ose të dy, nuk mund t’i lini mënjanë mosmarrëveshjet plotësisht, ndoshta është më mirë që të mos jeni të dy të pranishëm. Nëse nuk mund ta bëni këtë eksperiencë 100 përqind pozitive për fëmijët, atëherë do të kthehet në një eksperiencë totalisht negative për ta. Gjëja e fundit që u duhet fëmijëve është tensioni kur ata janë tashmë në stres për ditën e parë të shkollës. Kjo ditë është e fëmijës, jo e prindit.

Në qoftë se ju mendoni se ideja e pranisë së dy prindërve nuk është e mirë, fotografoni fëmijët në veshjen e ditës së parë të shkollës dhe çojani prindit tjetër. Është një gjest i këndshëm që bën punë për ndërtimin e një marrëdhënie pozitive bashkëprindërimi. Bëjeni këtë gjest edhe nëse prindi tjetër nuk e bën për ju.

Një tjetër gjë për t’u bërë para fillimit të shkollës është të kontaktoni me departamentin e transportit në rajonin tuaj për t’u siguruar që janë në dijeni të ndonjë ndryshimi në transport për sa i përket vendit ku banon fëmija juaj. Sapo ta keni vënë këtë për fije, sigurohuni që mësuesja e re e fëmijëve të jetë në dijeni të orareve dhe të marrëveshjeve. Gjithashtu duhet të siguroheni që mësuesja i ka të dy prindërit në listën e email-eve me qëllim që asnjëri prind të mos shërbejë si korrier për tjetrin.

Në qoftë se jeni të shqetësuar për sa i përket përshtatjes së fëmijës tuaj me ndarjen, kontakti juaj i rradhës duhet të jetë me konsultorin e fëmijës. Çdo ditë e më shumë rajone shkollore po formojnë grupe dreke ose lloje të tjera grupesh përkrahje për fëmijët e prindërve të ndarë ose të divorcuar. Për shembull, rajoni i North Allegheny ka grupin “FISH” për Familjet në Shtëpi të Ndara. Nëse shkolla e fëmijës tuaj nuk e ka një, mund të sugjeroni që shkolla ta formojë një të tillë.

Kur keni dyshime për një vendim bashkëprindërimi, lejoni që interesi më i mirë i fëmijës të jetë parimi juaj udhëheqës. Nganjëherë kjo do të thotë që të mos i merrni në konsideratë nevojat tuaja dhe të lini pas krahëve krenarinë. Prindërimi edhe në familje të bashkuara mund të jetë i vështirë. Të bësh gjënë e duhur nuk është gjithmonë e thjeshtë, por ka shumë përfitime kur vjen puna te mbrojtja e fëmijëve.  

Carla Donnolley

    Përktheu nga origjinali: Griselda Marku

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*