“Ismail Qemali” bashkoi shqiptarët në Staten Island në New York

Shqiptarët u bënë bashkë të shtunën e 3 qershorit, në ceremoninë zyrtare për përurimin e rrugës që mban emrin e një prej figurave më të shquara të historisë sonë, atë të “Ismail Qemalit”.

Inaugurimi i “Rrugës Ismail Qemali” në Staten Island, do ngelet pjesë e historikut të komunitetit shqiptar në Nju Jork. Në këtë aktvtet morën pjesë: kongresistja Nicole Malliotakis, kryetari i bashkisë së Staten Island Vito Fossella, anëtarë të Këshillit Bashkiak New York dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë të Shtetit të Nju Jorkut. Gjithashtu, të shumtë ishin edhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në New Yprk, të cilët u bënë pjesë e ceremonisë.

Ambasadorja Floreta Faber, në fjalën e saj të hapjes, falenderoi anëtarët e Këshillit të New York-ut për miratimin e këtij vendimi, si dhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan për punën e tyre të palodhur në realizimin e këtij propozimi.

Ambasadorja u shpreh e kënaqur që tashmë një rrugë tjetër në New York, pas atyre të Gjergj Kastriotit dhe Fan Nolit, mban emrin e arkitektit të pavarësisë së vendit tonë dhe babait të Kombit Ismail Qemali. “Ky është një nder i veçantë dhe një dëshmi e rëndësishme e kontributit të komunitetit shqiptaro-amerikan në shoqërinë amerikane”, u shpreh ndër të tjera ambasadorja shqiptare.

Aktiviteti u shoqërua për disa orë me një program të pasur artistik, përfshirë edhe grupet e shkollave shqipe të Nju Jorkut. Emërtimi i rrugës “Ismail Qemali” shënoi një aktivitet patriotik historik të mërgatës shqiptare në SHBA në nderim të atit themeltar të Pavarësisë së Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë jehonë dhe kanë vlerësuar përherë heronjtë e kombit e personalitetet e shquara kombëtare shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights