Misioni
Të gjurmosh një arsenal të pasur vlerash, normash e traditash që zënë fill në gjirin identitar të mbarë kombit tonë, do të thotë t’ju japësh zë, ti promovosh e t’i lartësosh këto vlera në çdo skaj të globit, ku lindin, rriten dhe formësohen breza e gjenerata të reja shqiptarësh. Një mision të tillë ndërmerr mbi supe “Revista Votra”, e cila ka si synim kryesor familjen shqiptare në disapore bërthamën e shoqërisë.
Në këtë kontekst “Revista Votra” ka për qëllim të kalojë në kohë dhe në hapësirë, duke i dhënë një dinamikë të veçantë historikut të vlerave tona kombëtare me qendër familjen shqiptare të mbledhur së bashku, ku çdo pjesëtar i saj vlerësohet dhe çdo gjeneratë respektohet për vlerat që mbart.
Kjo revistë vjen si një udhërrëfyes që përcjell tek lexuesit njohuri shkencore dhe shoqërore mbi zhvillimin e shëndetshem të shoqërisë tonë.
E ajo çka ja shton interaktivitetin dhe që e bën këtë revistë unike në radhët e simotrave të saj, është fakti se në të do të shfletoni ndjesi, sfida dhe eksperienca të shqiptarëve të diasporës, përvoja të fituara nga emigrimi duke diskutuar vështirësitë që dalin në lidhje me shëndetin, sjelljen, disiplinën, shkëmbimin e përvojave jetësore dhe mënyrat e kapërcimit të tyre! Ndërkohë që tek familjet e reja sjell zakonet dhe traditat e çmuara të trashëguara ndër shekuj brez pas brezi.
Gjithashtu kjo revistë vë në dispiziocion artikuj mbi shëndetin mendor, fizik e shpirtëror të familjes. Një hapsirë të veçantë në faqet e saj i jepet rëndësisë së të ushqyerit të shëndetshëm të bazuar në recetat e vjetra e të provuara nga koha si dhe të kombinuara me të renë e kuzhinës moderne.
Gjithashtu, rëndësia e përpjekjeve, aspiratave edukative dhe respektimit të të drejtave në shoqëri është një tjetër komponent i rëndësishëm i kësaj reviste, e cila ndër synimet e saj ka nxjerrjen në pah jo vetëm të punës së shkollave shqipe dhe shoqatave shqiptare nëpër botë, por edhe përpjekjet e atyre në Shqipëri në lidhje me të drejtat e fëmijëve, grave etj.
“Revista Votra” sjell për lexuesit në çdo skaj të globit vendet turistike shqiptare që mahnisin me bukuritë e tyre, ku familjet jo vetëm mund të kalojnë pushime të gëzuara, por edhe të mësojnë më shumë mbi historinë dhe gjeografinë e Shqipërise Etnike.
Ja pra çdo të thotë të rivitalizosh gjurmët e forta identitare të vendit tënd, t’i duash dhe t’i lartësosh ato në çdo dimension, ky është misioni ynë!