Të shtunen pasdite dola në rrugën “Bay Parkway” sepse më duhej të kryeja një porosi. Errësira sapo kishte filluar të shtronte pëlhurën e saj dhe dritat e neonta ishin ndezur të gjitha.
Kur u ndala në kryqëzim, nuk pashë ngjyrën e semaforit, por ngjyrat Kuq e Zi të flamurit tim i cili valëvitej në një shtizë të vendosur në shtyllën e tij.
Ne shqiptarët e New Yorkut, e kemi falenderuar me një rrahje zemre asambleistin shqiptaro-amerikan Z.Mark Gjonaj sa herë që i kemi parë flamujt në Bronx.
Jemi ndjerë krenarë sa herë që familja dibrane Rusi e ka ngritur flamurin në ndërtesën e tyre në mes të BQE, si dhe jemi ndjerë kontribues si anëtarë të këtyre shoqatave sa herë që Dibra, Ana e Malit, Kraja, Plava & Gucia, kanë shpalosur flamurin Kuq e Zi me shqiponjën dykrenore në mes të Staten Island.
Megjithatë nuk ka asgjë më befasuese dhe më të bukur sesa të dalësh në rrugë dhe të harrosh se përse ke dalë kur gjindesh papritur përballë një pamjeje hyjnore të shoqëruar me tingujt e valëvitjes së flamurit.Janë tinguj këta që i perngjajnë përplasjes së krahëve të shqiponjes së lirë, ardhur në token e bekuar për të na përshendetur e për të na e rritur flaken e atdhedashurisë ndërsa u rrëfen fëmijeve tanë me këto fjalë: “Mund të ndihesh krenar që je shqiptar në Amerikë, sepse ne e duam këtë vend sikur Shqipërinë e të parëve tanë!”
Mësova se flamurvënësit misterioze të së premtes ishin dy komshinj të mitë me të njëjtin emër, sikur dy krahët e shqiponjës.
Ata ishin Z.Shkumbin Hasangjekaj dhe Z.Shkumbin Balidemaj, dhe që të dy i përkisnin Fondacionit të Plavës dhe Gucisë.
Kështu që unë kontaktova Presidentin e Fondacionit, Z.Metë Bruçaj, dhe ai më tregoi se Z. Hasangjekaj ishtë edhe arkatari i Fondacionit, kështu që mund të flisja me të për çdo gjë.
Të dy Shkumbinët ishin malësore karakteristikë në sjellje dhe në të folur, por megjithatë Z.Hasangjekaj më bëri të vë buzën në gaz kur e mblodhi flamurin e mëndafshtë në pëllëmbët e tij të bashkuara dhe e puthi.
E ngriti kokën dhe më tha:” Meqë është viti i parë që kemi arritur ta shpalosim flamurin tonë, jam munduar të jem i kujdesshem dhe ta vendosim nëpër vende ku e di se nuk do të fyejë askënd, si dhe aty ku të mos ma ulin flamurin nga shtiza sepse do të më dhimbte shpirti po të ndodhte!”
Bay Parkway është zgjedhur si një segment i rëndësishëm rrugor në Bensonhurst, një lagje plot me shqiptarë ku para disa javësh u organizua dhe Festivali i parë shqiptar, Kulturor dhe Sportiv nga “Albanian Roots” dhe “Votra Magazine”. Gjithashtu në këtë rrugë ndodhet edhe statuja e bijës sonë, krenarisë shqiptare dhe ikona e dashurisë botērore, Nënë Tereza.
Ajo statujë u bë e mundur nga ndërhyrja e Senator Z.Marty Golden, organizimi i Albanian Roots me President Z.Marko Kepi dhe sponsorat e mirënjohur shqiptarë.
Z. Hasangjekaj tregoi se iniciativa për të vendosur flamujt edhe në Brooklyn, sikur në Bronx dhe Staten Island, është ndërmarrë dhe financuar nga bordi drejtues i fondacionit Plavë dhe Guci, por është Asambleisti shqiptaro- amerikan Z.Mark Gjonaj i cili bën të mundur që flamuri shqiptar të valëvitet me krenari nga erërat e Atlantikut përballë flamurit solemn, flamurit amerikan.
Aferdita Delaj
Votra Magazine Publisher