Elida Loci, studentja që punon shumë për endërrat e saj

Në “Albanian Fashion Week” tek modelet e vogla shqiptare, që shkelën për herë të parë pasarelën e New York-ut në botën e modës shqiptare, pashë zanat e malit, sirenat e detit, të bukurën e liqenit, shqiponjën e lirë e krenare.

  • Të kemi parë nëpër pasarela, në skenë duke kënduar përkrah babait tënd, duke promovuar faljen dhe paqen.  Na tregon më shumë për veten?

Më quajnë Elida Loci dhe jam studente në universitet e njëkohësisht punoj si asistente në një zyrë avokatie. Gjithashtu ushtroj edhe modelimin, sepse moda është pasioni im që e ushtroj më shumë deshirë dhe i kushtoj një pjesë të kohës së lirë. Prioriteti im më i madh është të mësoj. Më pëlqen të marrë dije në fusha të ndryshme. Studioj për Ekonomi, por pas universitetit dua të shkoj në shkollë për avokate. Babai im me ka futur në gjak përkushtimin për të ndihmuar dhe për t’iu gjendur pranë kujtdo që ka nevojë për mua. Aktivitetin tonë e filluam te “Shtëpia e paqes”.

  • Cfarë përfaqësonte pjesëmarrja jote në pasarelat e New York-ut?

Pjesëmarrja në pasarelat e “Fashion week” në New York, për mua në fillim ishte një hobi. Më pëlqente të shkoja në shfaqje, po shumë shpejt angazhimi im u kthye në një punë që po e bëj me pasion të madh.

  • Na e tregon idhullin tënd dhe përse e ke zgjedhur?

Idhulli im është Miranda Kerr, sepse ajo përveçse ishte një prej modeleve më të bukura dhe të sukseshme të Victoria Secret, arriti që të formonte kompaninë e saj të përkujdesjes ndaj lëkurës dhe publikoi një libër gjithashtu. Ajo është mjaft puntore dhe e zgjuar, sa ka krijuar perandorinë e saj në biznes.

  • Cila është ëndrra jote e fshehur në sirtar?

Ëndrra ime kur kam qenë e vogël ka qenë të bëhesha shkrimtare, sepse kur shkruaj futem në botën time të ëndrrave dhe me atë të shkrimeve mund të shpreh ndjenjat e mia lirshëm. Nganjëherë e shikoj modën si të tillë, pasi nëpër shfaqje na bie të mbajmë veshje të ndryshme, nga shtete të ndryshme, veshje tradicionale ose jo. Po çdo veshje shpreh veçantinë e saj.

  •  Si ka ndryshuar Elida Loci në New York?

Qëkur kam ardhur në New York, unë kam ndryshuar shumë.
Kur erdha, në fillim isha e re dhe çdo gjë me dukej e pamundur, por kurrë nuk u dorëzova për ëndrrat e mia. Arrita të fitoj universitetin e më pas ia kushtova një pjesë të kohës sime modës. Dhe pse e dija se do ishte e vështirë, vendosa të futem në botën e bukur të artit. Jam shumë e lumtur që e bëra këtë zgjidhje.

  • Cfarë kuptimi ka jeta studentore për ty?

Jeta studentore për mua është tepër e rëndësishme. Shkolla është gjëja kryesore në jetën time, diçka që ia sugjeroj çdo njeriu që njoh.

  • Të kemi parë në “Albanian fashion Week” me disa vajza të vogla.  Lexuesit duan të dijnë se cili ishte roli yt aty?

 Jam gëzuar tej mase që m’u dha rasti të punoj me vajzat e vogla shqiptare, sepse kur isha e vogël dhe unë isha si ato. Shikoja vajzat e rritura nëpër pasarela dhe ëndërroja të bëhesha si ato një ditë. Sot, unë jam ajo vajza e rritur dhe dua t’i mësoj vogëlushet e vogla të përgatiten për sfilata. Prandaj dhe të jam mirënjohëse që më ftove të mësoj modelet e linjes “Vit’Aime”, si ato të ecin në sfilatë. Ka qenë një përvojë që nuk do ta harroj kurrë, sepse në sfilatë pashë sirenat e vogla, zanat shqiptare, të bukurat e liqenit, fluturat e përrallave. Por pashë edhe shqiponjën duke fluturuar e lirë dhe krenare. Për herë të parë në historinë e modes shqiptare, vogëlushet e vogla shqiptare paraqiten një koleksion rrobash nga një dizajner shqiptar, dhe aq më tepër mu në zemrën e botës, në New York. Faleminderit që më bëre pjesë te historisë!

  • Sa vjeçe ke qenë kur ke ecur në një pasarelë për herë të parë? Si je ndier?

Për herë të parë kam ecur në një pasarelë, kur kam qenë 19 vjeçe. Në atë shoë jam paraqitur edhe me një kërcim tradicional shqiptar me koreografi timen. Ka qenë një ditë shumë e veçantë për mua.

  • Të ka takuar të veshësh fustane nga më të ndryshmit. Cili ka qenë fustani yt i preferuar?

Kjo është pyetja më e vështirë, dhe s’kam një përgjigje, pasi për mua secili prej tyre ka veçantinë e tij. Kam qenë me fat dhe gjithmonë kam pasur fustane të bukura. Do të veçoja kompaninë “Red Velvet”. Kjo kompani ka dizajne shumë të vecanta dhe e zhvillon veprimtarinë e saj kryesisht në Nepal. Kam pasur fatin të modeloj në sfilata të mëdha dhe të bëj sete fotografike për ta, në një revistë. Gjithashtu, po punojmë me projekte të reja. Një prej fustaneve që kam veshur, ka qenë një fustan i bardhë, i cili është mjaft i veçantë.

  •  Cfarë të pëlqen të bësh gjate kohës së lirë?

Kur kam kohë të lirë më pëlqen të krijoj. Merrem edhe me muzikë që është një tjetër pasion i imi. Kohën e lirë e kaloj nëpër fashion shows, duke modeluar ose në sesione fotografike, por tani më është shtuar edhe dëshira që të punoj me vajzat e vogla e të krijoj mundësi për to që të marrin pjesë nëpër shows e pasarela te tjera. Është bukur të mund të japësh diçka nga vetja dhe të ndihmosh vajzat e vogla shqiptare që ëndërrojnë  të bëhen modele një ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights