Çfarë mund të bëni në Tiranë gjatë muajit qershor

Vera është këtu! Sheshet dhe parqet kryesore të Tiranës janë plot me vizitorë vendas dhe të huaj që shëtisin dhe shijojnë stilin e jetës së kryeqytetit shqiptar. Evente të ndryshme, ture në këmbë, aktivitete, çdo ditë është plot me zhvillime artistike dhe jo vetëm në Tiranë.

Jeta e natës gjithashtu është plot gjallëri në kryeqytet, rrugët janë plot dhe baret me muzikë. Gjithçka që ju nevojitet është të krijoni një axhendë për t’i ndjekur këto ose thjesht të dilni dhe t’i lejoni vetes të shijoni stilin e jetës në Tiranë gjatë muajit qershor.

Dita e fëmijëve

1 Qershori është dita e fëmijëve në Shqipëri. Në këtë ditë janë planifikuar shumë aktivitete në zona të ndryshme të qytetit, si: Grand Park, Sheshi Skënderbej, Parku Rinia, Kalaja e Tiranës etj. Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve është kthyer në një ditë jo vetëm festive, por edhe një ditë për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.

Pasdite sheshi Nënë Tereza, Sheshi Skënderbej, amfiteatri dhe rrugicat e Bllokut do të kenë organizime të ndryshme, nga teatri i kukullave, muzikë dhe lojërat.

Javët e kulturës

Qershori po ashtu është muaji kremtimi i shumë ngjarjeve kulturore të quajtura javët kulturore ndërkombëtare.

Vende të ndryshme do të sjellin në Shqipëri aktivitete për të gjithë, ku do të përjetoni në ditë dhe vende të ndryshme në Tiranë kuzhinën e tyre, muzikën, traditat, filmat, koncertet etj. Gjatë këtij muaji do të keni mundësi të shihni javën Italiane nga data 1-10 qershor. Javën holandeze në datat 14-18 qershor, javën franceze nga 19-28 qershor.

Festa e mbylljes së ekspozitës “Fashion Panorama”

Në përfundim të ekspozitës “Fashion Panorama” – Vala e Re Italiane, e inauguruar më 8 maj pranë COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ju fton në festën e mbylljes së “Fashion Panorama”. Ekspozita do të prezantohet në një mënyrë të re, përmes projeksionit të fotove dhe videove në kolonadën madhështore të Sheshi Italia. Ekspozita, e cila sapo ka nisur rrugëtimin e saj, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 qershor, në mjediset e COD.

Ekspozita: E ardhmja është e tashme

A do të vijë e ardhmja me hapa të qëndrueshëm apo të çrregullt? Si do të pasohen zhvillimet e ardhshme në botën tonë aktuale? Si po ndryshon natyra dhe perceptimi ynë për të? Të gjitha përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të gjeni në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur në Qendrën Kulturore Tulla nga data 1 qershor deri më 22 qershor.

Ekspozita: Jerusalemi nuk është thjesht një qytet

Ekspozita “Jerusalemi nuk është vetëm një qytet” përmbledh 120 fotografi që tregojnë spektrin e gjerë të trashëgimive fetare dhe kulturore të përfaqësuara në qytetin e Jerusalemit me veprën e Dmitry Brickman.

TRIATLONI i Tiranës

Rikthehet më 11 qershor, në Farkë. Triathlon është një sport që kombinon tre disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm dhe vrap.

Qershori është muaji i përsosur për të marrë pak diell në parqet e Tiranës, për të organizuar një piknik apo për të shijuar kinematë në ambiente të hapura. Çiklizmi rreth liqenit, apo ecja janë disa nga aktivitetet e tjera që mund t’i shijoni kryesisht pasditeve.

Gjatë fundjavave mund të eksploroni fshatrat e Tiranës, ose të kaloni një ditë në Parkun e Aventurave në Dajt, vend fantastik për fëmijë dhe të rritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights