Besimi i Gabuar 

Kur tradhtia fshihet pas maskës së mirësisë – Një mësim për ata që besojnë verbërisht

Një ditë, një maçok shpalli se do të nisej për t’u bërë haxhi. Për të festuar këtë vendim të madh, ai vendosi të organizojë një gosti dhe ftoi të gjithë minjtë në shtëpinë e tij.

Minjtë, të gëzuar kur dëgjuan lajmin, menduan se tani do të jetonin të qetë, pa frikën e maçokut. Ata filluan të përgatiteshin për festën, por një mi plak e çalaman i paralajmëroi:

– Mos shkoni! Maçoku nuk ka ndryshuar dhe do t’ju tradhtojë!

Minjtë e tjerë qeshën dhe iu përgjigjën me përbuzje:

– Ç’thua more?! Maçoku ka bërë be që të mos na ngacmojë më.

Miu plak i vështroi me keqardhje dhe u tha:

– Mirë, nëse doni, shkoni! Por unë për vete nuk do të vij.

Minjtë, të veshur bukur e të pispillosur, shkuan në gostinë e maçokut. Ky i priti me nderime të mëdha, duke u treguar i sjellshëm dhe i përzemërt. Nga jashtë, miu çalaman qëndronte i fshehur në një rreze dhe dëgjonte çdo fjalë.

Pasi përfundoi gostia, maçokut iu errën sytë dhe iu drejtua njërit prej minjve:

– Më duket se ti ma ke ngrënë djalin!

Miu i shkretë u tremb aq shumë sa nuk nxori zë, ndërsa të tjerët filluan ta lutnin maçokun që ta falte shokun e tyre, duke i kujtuar se ai po nisej për haxhi dhe duhej të falte mëkatet.

Por maçokut nuk i kishte dalë zakoni:

– Ju që po e mbroni shokun tuaj qenkeni të gjithë fajtorë! – ulëriti ai dhe në një çast, u sul mbi minjtë dhe i mbërtheu të gjithë, pa i lënë asnjë të shpëtonte.

Nga jashtë, miu çalaman dëgjoi gjithçka dhe mërmëriti:

– Ju e kërkuat këtë fatkeqësi! Nuk dëgjuat fjalën time! Maçoku kurrë nuk është bërë dhe nuk mund të bëhet haxhi!

Mësimi i fabulës

Mos u gënje nga fjalët e bukura dhe premtimet boshe. Ata që kanë zakon të tradhtojnë, nuk ndryshojnë kurrë, pavarësisht se çfarë thonë.

Back to top button