
Këshilli i Europës është organizatë ndërkombëtare e shteteve evropiane e themeluar më 5 maj 1949 dhe njihet si organizata më e vjetër politike evropiane.
Fillimisht ishin 10 shtete që nënshkruan për themelimin e tij, si: Belgjika, Danimarka, Franca, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.Aktualisht janë 47 shtete anëtare të saj, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.
KE u themelua duke pasur për qëllim arritjen e bashkëpunimit më të madh të shteteve evropiane dhe ngritjen e besimit midis shteteve e popujve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, promovimin e demokracisë parlamentare dhe shtetit ligjor, promovimin e standardeve të larta për politikat sociale dhe ligjore, si dhe nxitjen e ndërgjegjësimit për një identitet të përbashkët evropian.
Këto qëllime arrihen përmes debateve në institucionet e KE-së, përmes aderimit të sa më shumë shteteve evropiane në KE dhe përkushtimit të shteteve anëtare për përparim dhe zhvillim të të drejtave politike, sociale dhe ligjore.
Këshilli i Evropës nuk ka ndonjë lidhje institucionale apo ligjore me Bashkimin Evropian, mirëpo çdo shtet anëtar i BE-së para se të anëtarësohej në BE ishte anëtar i KE-së.
Selia e institucioneve të KE-së ndodhet në Strasburg të Francës. KE vepron përmes institucioneve të saj, të cilat janë: Asambleja Parlamentare e KE-së, Këshilli i Ministrave, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Sekretari i Përgjithshëm dhe Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
Në vitin 1964, Komiteti i Ministrave vendosi që 5 maji, përvjetori i themelimit të Këshillit të Evropës, të festohej si Dita e Evropës.
Ndërkohë, Bashkimi Europian e feston Ditën e Europës në 9 maj. Data shënon përvjetorin e Deklaratës Schuman të vitit 1950, e konsideruar si hapi i parë zyrtar në krijimin e asaj që tani është Bashkimi Europian