Si të hapësh një biznes në Shqipëri

Jeni të interesuar për të hapur biznesin tuaj? Në vijim ju paraqesim të gjithë procedurën e nevojshme për aplikim dhe regjistrim që bazohet në ligjit Nr. 9723, datë: 03.05.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, Subjektet që detyrohen të regjistrohen në regjistrin tregtar janë:
a) personat fizikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike tregtare;
b) shoqëritë e thjeshta sipas dispozitave të Kodit Civil;
c) shoqëritë tregtare;
ç) degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja;
d) shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit;
dh) shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë;
e) çdo subjekt tjetër, për të cilin parashikohet detyrimi për regjistrim, në bazë të legjislacionit shqiptar. Sipas nenit 26 aplikimi për regjistrim fillestar dhe regjistrimet e tjera të personave fizikë bëhet nga vetë personi që regjistrohet apo nga çdo person i autorizuar prej tij. Për subjektet e tjera, që regjistrohen në regjistrin tregtar, sipas ligjeve të veçanta, aplikimi bëhet nga përfaqësuesit ligjorë, sipas përcaktimit të ligjeve përkatëse ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. Janë të autorizuar të aplikojnë për regjistrim personat e tjerë, që u njihet kjo e drejtë me ligj të veçantë. Janë pjesë e këtyre procedurave edhe shoqëritë e paraqitura më lart në mënyrën e vet.Personat fizikë regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, si dhe një kopje të dokumentit të identifikimit.Bazuar në nenin 30 të ligjit Nr. 9723, datë: 03.05.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, për regjistrimin fillestar të personave fizikë janë të detyrueshme këto të dhëna: a) të dhënat e identifikimit;
b) vendi i ushtrimit të veprimtarisë ekonomike tregtare;
c) fusha e veprimtarisë, në qoftë se është e përcaktuar;
ç) specimeni i nënshkrimit (firmës) të personit fizik
Neni 27 paraqet aplikimin dhe formën e dokumenteve shoqëruese ku përcakton se:
Regjistrimi kryhet me dorëzimin e aplikimit përkatës, të cilit i bashkëngjiten dokumentet shoqëruese, që provojnë të dhënat që regjistrohen. Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar në formën e përcaktuar nga legjislacioni përkatës apo nga dispozitat e këtij ligji. Dokumentet shoqëruese nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse ligjore dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit. Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe. Së bashku me dokumentin shoqërues në shqip, aplikanti mund të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
Në rast mospërputhjeje të dokumentit shoqërues në gjuhën shqipe me atë në gjuhë të huaj, ky i fundit nuk mund t’u kundrejtohet palëve të treta. Gjithsesi, palët e treta mund t’i kundrejtojnë subjektit të dhënat e përmbajtura në dokumentin në gjuhë të huaj, përveç rastit kur subjekti provon se i treti kishte dijeni për përmbajtjen e dokumentit në gjuhën shqipe.Neni 42 përcakton se regjistrimi fillestar ka dhe pasojat e veta pasi subjektet, që regjistrohen si persona juridikë, e fitojnë personalitetin juridik me regjistrimin në regjistrin tregtar, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligje të posaçme. ndërsa regjistrimi në regjistrin tregtar për personat fizikë, degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, shoqëritë e thjeshta, sipas Kodit Civil dhe subjektet e tjera që, sipas legjislacionit në fuqi, nuk fitojnë personalitet juridik nëpërmjet këtij regjistrimi, ka vetëm efekt deklarativ.Shqyrtimi i aplikimit është parashikuar shprehimisht në nenin 54. QKR-ja asiston aplikantin në plotësimin e aplikimit dhe verifikon: a) identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është person i autorizuar për të bërë regjistrimin;
b) plotësimin e të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara, si dhe dokumentet shoqëruese;
c) paraqitjen, në formën e kërkuar, të dokumentacionit shoqërues, që vërteton të dhënat që regjistrohen;
ç) faktin nëse të dhënat e shprehura në formularin e regjistrimit nuk kundërshtojnë, në mënyrë të dukshme, të dhënat që përmbajnë dokumentet, që shoqërojnë formularin;
d) faktin nëse dokumentacioni i paraqitur nuk përmban korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tij nuk duket qartë, është e palexueshme apo pengon marrjen e imazhit elektronik;
dh) nëse emri i zgjedhur mund të regjistrohet;
e) pagesën e tarifës përkatëse për regjistrim;
ë) faktin nëse aplikanti ka shlyer sanksionet administrative të dhëna, sipas nenit 74 të këtij ligji. Qendra Kombëtare e Regjistrimit është e detyruar të marrë në dorëzim çdo aplikim, të paraqitur sipas këtij ligji dhe dokumentet që i bashkëlidhen, edhe nëse aplikimi është i paplotë, apo dokumentet shoqëruese të pasakta. Në çdo rast QKR-ja përgjigjet me shkrim. Sipas nenit 55 QKR-ja, pasi kryen verifikimet përkatëse, bazuar në nenin 54 të këtij ligji dhe vëren përmbushjen e kushteve për regjistrim, kryen regjistrimin në regjistër dhe lëshon certifikatën e regjistrimit brenda një afati prej një dite nga data e paraqitjes së aplikimit. QKR-ja nuk mund të refuzojë regjistrimin, nëse aplikimi është dorëzuar sipas parashikimeve të këtij ligji. Po në rast të pezullimit të regjistrimin çfarë ndodh? Në rastet kur pas verifikimeve të parashikuara në nenin 54 të këtij ligji rezulton se nuk janë përmbushur kushtet për regjistrim, nuk janë paguar tarifat përkatëse të regjistrimit apo ka sanksione administrative të papaguara,
QKR-ja pezullon aplikimin dhe e njofton aplikantin me shkrim për shkakun e saktë të pezullimit, duke i dhënë një afat 15-ditor për plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin. Njoftimi i shkakut të pezullimit bëhet nëpërmjet një formulari standard të QKR-së. Nëse aplikanti plotëson ose ndreq elementet që pengojnë regjistrimin, brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, QKR-ja është e detyruar të kryejë regjistrimin brenda një afati 1-ditor nga data e plotësimit ose ndreqjes së dokumentacionit. Në këtë rast, regjistrimi mban datën e paraqitjes së aplikimit të parë. Bazuar në nenin 57 regjistrimi refuzohet vetëm në rastet kur:
a) aplikimi nuk është në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe aplikanti nuk plotëson ose ndreq elementet, që pengojnë regjistrimin brenda afatit;
b) të dhënat, që kërkohen të regjistrohen, janë të ndryshme nga të dhënat e regjistrueshme, sipas dispozitave të këtij ligji.  Refuzimi i njoftohet aplikantit me shkrim, sipas formularit standard, në të cilin jepet edhe shkaku i këtij refuzimi. Riparaqitja e aplikimit pas refuzimit trajtohet si aplikim i ri.
Neni 60 përcakton shprehimisht se me regjistrimin në regjistër, subjekteve u jepet numri i identifikimit, i cili gjenerohet në mënyrë elektronike nga QKR-ja dhe është unik për çdo subjekt të regjistruar.Numri unik i identifikimit të subjektit është i vlefshëm për identifikimin e subjekteve, për qëllimet e regjistrimit në regjistër, për qëllimet e regjistrimit si person i tatueshëm pranë autoriteteve fiskale, qendrore dhe vendore, për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për autoritetet e inspektimit të marrëdhënieve të punës, si dhe për çdo qëllim tjetër statistikor ose identifikues. Numri unik i identifikimit të subjektit jepet vetëm një herë, në çastin e regjistrimit fillestar dhe është i pandryshueshëm, si dhe nuk u jepet subjekteve të tjera edhe pas çregjistrimit. Subjektet e regjistruara janë të detyruara të shënojnë numrin unik të identifikimit të subjektit në çdo korrespondencë të tyre. Neni 61 lidhet me publikimin elektronik. Çdo e dhënë e regjistruar në regjistër nga QKR-ja publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit, që mbahet nga QKR-ja në format elektronik dhe botohet në faqen e saj zyrtare të internetit. 2. QKR-ja kryen publikimin në buletin brenda një dite nga data e kryerjes së regjistrimit. Për çdo publikim përcaktohet qartë data, në të cilën është regjistruar e dhëna e publikuar. Publikimi në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit përbën publikim zyrtar të regjistrimeve, të kryera në kuptim të nenit 21 të këtij ligji.
Neni 62 në lidhje me certifikatat e regjistrimit fillestar përcakton se QKR-ja, brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj për regjistrimin fillestar, i lëshon subjektit të regjistruar certifikatën e regjistrimit, e cila përmban emrin, formën, numrin unik të identifikimit, datën e regjistrimit fillestar dhe selinë ose adresën e vendit kryesor të ushtrimit të veprimtarisë. Në rast se subjekti i regjistruar ushtron veprimtarinë në më shumë se një vend, QKR-ja lëshon nga një certifikatë regjistrimi për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Këto certifikata, përveç adresës përkatëse, përmbajnë, gjithashtu, emrin, formën, datën e regjistrimit fillestar dhe numrin unik të identifikimit të subjektit. Në rastet kur subjekti ndryshon emrin, formën, selinë apo vendet e ushtrimit të veprimtarisë, QKR-ja zëvendëson certifikatat e lëshuara më parë me një certifikatë të re për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Këto certifikata, përveç adresës përkatëse, përmbajnë, gjithashtu, emrin, formën, datën e regjistrimit fillestar dhe numrin unik të identifikimit të subjektit. Certifikata e regjistrimit lëshohet në një kopje origjinale për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Në rast humbjeje apo dëmtimi të certifikatës së regjistrimit, ajo zëvendësohet me një dublikatë të lëshuar nga QKR-ja. Subjekti detyrohet të afishojë certifikatën përkatëse në çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë.  Neni 63 parashikon vërtetimet për regjistrimet. Pas regjistrimit, sipas dispozitave të këtij ligji, QKR-ja i lëshon subjektit një vërtetim regjistrimi, ku përcaktohen qartë veprimi i kryer dhe data e këtij regjistrimi. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights