Ratifikimi i marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore ndërmjet republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë

Që prej Tetorit të 2019 Shqiptarët që ndodhen në Kanada, por edhe Kanadezët që vijnë për të punuar në Shqipëri do të përfitojnë pensione. 

Në bazë të marrëveshjes, asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontributive pavarësisht se ku ka punuar pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Në pjesën e parë të marrëveshjes, dispozitat e përgjithshme, përcaktohen përkufizimet për legjislacionin, autoritetet dhe institucionet kompetente të të dyja vendeve, parimi i trajtimit të barabartë si dhe ai i transferimit të përfitimeve. 

Në pjesën e dytë përcaktohen dispozita në lidhje me legjislacionin e zbatueshëm të të dyja vendeve dhe dispozita të veçanta për trajtimin e personave të punësuar dhe të vetëpunësuar, nëpunësit e shërbimit civil, ekuipazheve të anijeve dhe avionëve dhe punëtorëve të dërguar nga punëdhënësi për të punuar për llogari të tij në vendin tjetër.

Pjesa e tretë ka të bëjë me dispozitat në lidhje me përfitimet, për bashkimin e periudhave të sigurimit, për përfitimin e pensionit të pleqërisë, pensionit familjar dhe atij të invaliditetit si dhe llogaritjet e pensioneve, sipas legjislacionit kanadez dhe atij shqiptar.

Në pjesën e katërt përfshihen dispozita të ndryshme administrative, lidhur me përgjegjësitë e autoriteteve kompetente, shkëmbimet e informacionit, ankimet, mënyrën e pagesës së përfitimeve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve etj.

Për vetë veçoritë e administrimit territorial dhe juridik të Kanadasë, në nenin 25 të projektmarrëveshjes përcaktohet se Shqipëria mund të realizojë marrëveshje me çdo provincë në Kanada, për çështje të mbrojtjes shoqërore, me kusht që ajo të mos jetë e papajtueshme me këtë marrëveshje.

Pjesa e pestë dhe e fundit ka të bëjë me dispozitat kalimtare dhe përfundimtare për kohëzgjatjen, ndërprerjen dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Në dispozitat e kësaj marrëveshjeje dypalëshë reflektohen të gjitha rregullat për koordinimin e skemave të mbrojtjes shoqërore, për personat e punësuar, personat e vetëpunësuar dhe për anëtarët e familjeve të tyre, të cilët lëvizin brenda komunitetit, të cilat janë përcaktuar në rregulloren e Këshillit nr.1408/71 dhe rregulloren nr.883/2004, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian.

Në nenin 12 të marrëveshjes përcaktohet e drejta për:

– një përfitim sipas aktit të sigurimeve për të moshuar, ku Kanadaja do të konsiderojë një periudhë të vlefshme sipas legjislacionit shqiptar për periudhën e banimit në Kanada;

– një përfitim bazuar në planin kanadez të pensioneve, Kanadaja do të njohë një vit kalendarik që përfshin të paktën 90 ditë e që janë periudha të vlefshme sipas legjislacionit shqiptar si një vit kalendarik, i cili është i vlefshëm sipas planit kanadez të pensioneve. 

Për të përcaktuar të drejtën për një përfitim për pleqëri, invaliditet apo familjar bazuar në legjislacionin shqiptar:

– Shqipëria do të njohë një vit kalendarik, që është periudhë e vlefshme sipas planit kanadez të pensioneve si 12 muaj që janë të vlefshëm sipas legjislacionit shqiptar;

– Shqipëria do të njohë një periudhë përgjatë së cilës është paguar një përfitim invaliditeti bazuar në planin kanadez të pensioneve, si periudhë të vlefshme sipas legjislacionit shqiptar, nëse ajo periudhë e pagesës së përfitimit të invaliditetit nuk mbivendoset me një periudhë të vlefshme bazuar në planin kanadez të pensioneve.

– Shqipëria do të njohë një periudhë, që është periudhë e vlefshme bazuar në aktin e sigurimeve për të moshuar të Kanadasë, si periudhë e vlefshme sipas legjislacionit shqiptar, nëse ajo periudhë e vlefshme sipas aktit të sigurimeve për të moshuar nuk mbivendoset me një periudhë të vlefshme sipas planit kanadez të pensioneve ose si një periudhë gjatë së cilës është paguar një përfitim invaliditeti sipas planit kanadez të pensioneve. Periudhat e sigurimit, të plotësuara sipas dispozitave ligjore të të dyja palëve kontraktuese, kur kjo nevojitet, bashkohen për realizimin e  së drejtës së përfitimit dhe përcaktimin e kohëzgjatjes së këtij përfitimi, me kusht që ato të mos mbivendosen. Periudhat e sigurimit bashkohen në rastet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, të invaliditetit dhe atij familjar, të sëmundjeve e të barrëlindjes.

Ratifikimi kësaj marrëveshje krijon mundësinë e përfitimit të pensioneve për rreth 70 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada si dhe shtetasve kanadezë që vijnë për të punuar në Shqipëri si të punësuar në kompani industri nxjerrëse, minerale, energjitikë apo të vetëpunësuar.

©️ VOTRA Magazine / Prill 2021 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights