KANCERI I GJIRIT DHE MASAT PËR LUFTIMIN E TIJ

Në mbarë botën, kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë, i diagnostikuar tek femrat. Në vendet më pak të zhvilluara, ai përbën shkakun kryesor të vdekjeve nga kanceri, ndërsa në vendet e zhvilluara, zë vendin e dytë, pas kancerit të mushkërive. Në Shtetet e Bashkuara, kanceri i gjirit përbën 29% të të gjitha kancereve te femrat. Rastet me kancerin e gjirit shtohen me rritjen e moshës, ndërsa mosha mesatare e shfaqjes së kancerit të gjirit është 60 vjeç.

 Figura 1. Anatomia e gjirit

Rritja e vetëdijësimit publik dhe mirëfunksionimi i programeve nacionale depistuese për kanceritn e gjirit, kanë çuar në diagnostikimin e mëhershëm dhe trajtimin në fazat e përshtatshme, për të përfunduar me largimin kirurgjik të gjirit dhe terapitë e nevojëshme kuruese. Përmirësimet në terapi dhe depistim kanë çuar në përmirësimin e niveleve të mbijetesës për gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit. Po ashtu, gjatë tri dekadave të fundit, hulumtime të shumta kanë nxjerrë të dhëna për një përhapje të jashtëzakonshme të sëmundjes, prandaj po zhvillohen trajtime më të fokusuara dhe më pak toksike.

Shkaku

Nuk njihet shkaku kryesor i kancerit të gjirit, por ekzisojnë disa faktorë që e rrisin rrezikun për shfaqjen e tij, e këto janë: Predispozita gjenetike (që ka të bëjë me mutacionin e gjeneve BRCA1, BRCA2 dhe TP53), familjarët me kancer të gjirit (si nëna, motra), mosha mbi 35 vjeç, menarka e hershme, menopauza e vonshme, gratë që nuk kanë lindur asnjëherë, mosha mbi 30 vjeç e shtatzanisë së parë, etj.

Anatomia patologjike

Në përgjithësi, kanceri i gjirit ka prejardhje nga epiteli i duktuseve (kanaleve të qumështit) si atyre të mëdhenj, të ndërmjetëm, apo duktuseve terminale. Kemi disa tipe histologjike të kancerit të gjirit si: Invaziv duktal, invaziv lobular, joinvaziv, intraduktal etj.

Klinika

Ankesa e zakonëshme në rreth 70 përqind të pacienteve me kancer të gjirit është prania e një mase të fortë dhe të çrregulltë në gji, pastaj lëkura e shëndritshme dhe e deformuar (si lëvorja e portokallit), si dhe retraksioni i thimthit të gjirit. Simptomat më pak të zakonshme janë: Dhimbje e gjirit, rrjedhje sekrecionesh nga gjiri, zmadhimi dhe krurja e gjirit, skuqje , ulçerim i lëkurës dhe forcimi i përgjithshëm i gjirit. Ndonjëherë mund të preket në një masë edhe nënsqetulla, mund të ketë ejtje të krahut dhe dhimbje të eshtrave.

Diagnoza

Programet e ekzaminimit për kancerin e gjirit përbëhen nga;

  • Ekzaminimi klinik periodik i gjirit nga mjeku
  • Vetëekzaminimi mujor i gjirit nga pacientja
  • Mamografia depistuese

Ndërsa diagnoza vendoset me anë të ekzaminimit klinik, mamografisë, ekzaminimit ekografik dhe biopsisë me ekzaminim histologjik.

Për monitorimin e pacienteve me kancer të gjirit mund të shërbejnë markuesit biokimikë si; CEA (antigjeni karcinoembrionik) dhe Ca-15.3.

Figura 2. Vetëekaminimi i gjirit

Trajtimi

Trajtimi i kancerit të gjirit mund te jetë: kurativ dhe paliativ. Trajtimi kurativ bëhet kur kanceri i gjirit është në stadin e hershëm dhe me përhapje lokale, ndërsa trajtimi paliativ bëhet te pacientet me stadin e avancuar të sëmundjes (stadi IV).

Format e trajtimit të kancerit të gjirit mund të jenë: Trajtimi kirurgjikal, radioterapia, kimioterapia dhe terapia hormonale.

Udhëzimet e Shoqatës Amerikane të Kancerit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

  • Vetëekzaminimi i gjirit të bëhet një herë në muaj për gratë mbi moshën 20 vjeç.
  • Ekzaminimi klinik periodik i gjirit nga mjeku; vizita për gjirin të bëhet cdo 3 vjet për gratë e moshës 20-40 vjeç dhe çdo vit për gratë e moshës mbi 40 vjecare.
  • Mamografia depistuese: Të bëhet 1 në mes të moshës 35- 40 vjeç. Çdo 1-2 vjet për gratë e moshës 40 – 49 vjeç dhe çdo vit për gratë e moshës mbi 50 vjeç.

Dr. Astrit Gashi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights