
Dr.Dardan Bekteshi DDS

Implantet dentare janë zbulimi më i rëndësishëm në stomatologjinë moderne. Pas përpjekjeve shumëvjeçare për të gjetur zëvendësimin e duhur për dhëmbin e humbur. Ka qenë viti 1957 kur ortopedi i njohur, suedez ai dr.Branemarki, cili njihet si babai i implantologjisë moderne,i pari që zbuloi se materialiet e përbëra nga titanium janë biokompatibile me organizmin që do të thotë se nuk refuzohen nga organizmi. Deri në atë kohë besohej se organizmi i njeriut nuk pranon asnjë trup të huaj . Sot implantet dentare përdoren për të zëvendësuar një ose më shumë dhëmbë që mungojnë. Ato kanë formën e vidës dhe janë të projektuara për vendosje intrakockore në nofulla. Janë me gjatësi dhe diametër të ndryshëm në vartësi prej kushteve anatomike ku vendosen. Normalisht duhet 3-6 muaj që një implant të lidhet fort mjaftueshëm për kockë para se të lidhet dhëmbi artificial.
Për sa i përket llojit të implanteve që përdoren sot ato ndahen në dy grupe :
- Endosteale ( në brendësi të kockës) që është forma më e përdorur e implanteve. Këtu përfshihen implantet në formë të vidave, cilindrat ose tehet që vendosen në nofulla në mënyrë kirurgjikale.
- Subperiosteale (në pjesën e jashtme të kockës) këto lloje implantesh vendosen në majën e nofullës së bashku me kornizën metalike, e cila shërben për mbajtjen e protezës.
Vendosja e një implanti zgjat rreth 30 minuta, si ndërhyrje është më e thjeshtë sesa heqja me operacion e një dhëmballe pjekurie. Gjatë vendosjes së implantit nuk ka dhimbje, por dhe pas operacionit ka shumë pak bezdi dy ditët e para. Në disa raste mund të ketë në fytyrë në zonën ku është punuar një ënjte e lehtë që zgjat 2-3 ditë.
Jetëgjatësia e një implanti varet nga shumë faktorë, si: gjendja e përgjithshme shëndetësore, pastrimi i rregullt i dhëmbëve, gojës, implantit, si dhe sëmundjet e mishërave të dhëmbëve. Duhani, alkooli, higjiena jo e mirë e gojës , diabeti janë faktorë që ndikojnë më tepër në suksesin dhe jetëgjatësinë e implantit. Pas vendosjes së implantit duhet një periudhë pritjeje prej 6 muajsh për nofullën e sipërme, kurse 3 muaj për nofullën e poshtme, kohë kjo e nevojshme për tub ere osseifikimi apo ngjitja e implantit për kockë. Në fundin e kësaj periudhe shihet suksesi apo dështimi I implantit të vendosur. Suksesi i implantit variron nga 90 -100 % . Por si në çdo fushë të mjekësisë asnjeherë nuk mund të themi 100 % me garanci.Implanti mund të vendoset te të gjitha moshat, përveç te personat me moshë të re, te të cilët nuk ka përfunduar zhvillimi i kockës, që te vajzat mbaron deri në moshën 16 deri 17 vjeç kurse te djemtë në moshën 18-vjeçare. Për të rriturit nuk ka limit moshe, përderisa gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Implantet dentare paraqesin një sërë avantazhesh krahasuar me metodat e tjera për të zëvendësuar dhëmbët. Ndër këto avantazhe janë parandalimi i humbjes së kockës së nofullës, fenomen ky që ndodh rëndom me rastin e humbjes së dhëmbit. Përmes implantit mund të zëvendësohen një e më shumë dhëmbë pa i prekur dhëmbët fqinje. Implantet dentare eliminojnë dhimbjen dhe parehatinë te proteza e plotë ose e pjesshme. Ato ofrojnë qëndrueshmëri më të madhe, gjithashtu përmirësojnë të folurit me një ton të qetë dhe natyral.