Gjërat më të bukura në botë mund të ndjehen

  1. Interviste eksluzive Dr. Ruki Kondaj, Presidente Nderi dhe Kryetare e Grupit të Trashëgimisë
    pranë Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze dhe Zv/Presidente e Këshillit të Europës Qendrore e Lindore në Kanada.

Përtej gruas që jemi mësuar të shohim, asaj aktives, simbol i bashkësisë shqiptaro-kanadeze ekziston ajo tjetra që jo pak e njohin, por për të cilën ju pak flisni.

  • Çfarë do të na thoni për veten Dr. Ruki Kondaj?

Së pari ju falenderoj për këmbënguljen tuaj për të me intervistuar në një revistë me emër siç është revista “Votra” e cila shkon kudo ku ka shqiptarë. Për të qenë një profesioniste e mire atë që kam dashur të bëj në jetë dhe mendoj se e kam realizuar, më është dashur të studjoj e të punoj shumë dhe në mënyrë sistematike. Këtë e vërteton në mënyrë kronologjike CV ime si më poshtë: Kam kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Mjekësisë, dega Farmaci në vitin 1981 dhe për një kohë të gjatë kam punuar në fushën e industrisë farmaceutike, si dhe në Institutin e Sigurimeve Shëndetësore.Më pas si koordinatore për shëndetësinë dhe mjedisin në Këshillin e Ministrave,  kohë që përkon me krizën kosovare të vitit 1999, ku kam qenë një nga drejtueset kryesore të shëndetësisë bashkë me përfaqësuesit e OBSH-së.Në vitin 2000 kreva studimet Master për Politika, Menaxhim dhe Ekonomi shëndetësore në Universitetin Bocconi, në Milano, Itali. Pas diplomimit mora detyrën e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë. Në vitin 2001 kam përfaqësuar Shqipërinë në marrëveshjen e parë rajonale për shëndetësinë në kuadër të Paktit të Stabilitetit në Dubrovnik, Kroaci, ku jam dhe firmëtarja e parё e kёsaj marrёveshje. Në vitet 2001-2007, kam dhënë mësim si pedagoge e jashtme në Departamentin e Farmacisë dhe Shëndetit Publik të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Tetovës në lëndën “Menaxhimi shëndetësor”. Me ftesë të Universitetit të Torontos, organizova dhe bashkërendova një rrjet ballkanik për shëndetësinë, të inaguruar në Turqi (maj 2006). Po në këtë vit, krijova në Tiranë qendrën studimore “Qendra për barazi në kujdesin shëndetësor”. Në prill të vitit 2008 mora gradën shkencore “Doktoreshë e Shkencave Farmaceutike” nga Departamenti i Farmacisë së Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Nё 2008, pranohem midis 50 anëtarëve të Komitetit Ndërkombëtar të “Qendrës Botërore të Shëndetit” me qendër në Bruksel, iniciativë e Parlamentit Europian në Ditën Botërore të Shëndetësisë. Nё vitin 2009, mora diplomën pasuniversitare “Distinction” për “Çështjet Rregullatore të Farmaceutikës”,nga Instituti i Teknologjisë Farmaceutike në Toronto.Siç e shikoni, kur erdha në Kanada m’u desh të shkollohem prap, sepse vetëm me shkollim në vendin që jeton mund të integrohesh ashtu siç duhet në profesion. Aktualisht jam anëtare e Bordit të Ministrisë së Shëndetësisë për një nga kolegjet më në zë në Ontario, si rregullatore e profesioneve me mandate 3 deri në 10 vjet,, detyrë që e bëj me shumë dëshirë dhe pasion, sepse është brenda eksperiencës sime disavjeçare në sistemin shëndetësor dhe mësimdhënje.

  • Një intelektuale në Perëndimin e zhvilluar dhe të emancipuar, çfarë mundet të japë e të marrë që aty?

Në fakt, në një vend të zhvilluar siç është Kanadaja, gjithnjë ka hapësirë për marrjen e përvojave të reja, por edhe për aplikimin e eksperiencës së grumbulluar ndër vite. Në Kanada ka shumë intelektualë dhe kjo dihet, falë aplikimit në bazë të profesionit, prandaj thuhet që ajka intelektuale është këtu në Kanada. Shikoj diçka shumë pozitive tek të gjithë shqiptarët këtu e sidomos gratë, të cilat përpiqen të ecin edhe më shpejt se hapi i kohës drejt integrimit në shoqërine kanadeze.Njerëz të sukseshëm ka plot dhe çdo ditë e me tepër identifikohen ndërmjet TV- Pasqyra shqiptare, i vetmi kanal televiziv shqip që është dhe burimi kryesor i informacionit, si dhe vlerësimit nga organizata të ndryshme siç është dhe organizata ku unë bëj pjesë prej rreth 10 vjetësh, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, e drejtuar nga kolegu im Ramazan Këllezi, identifikon potencialet njerëzore dhe i vlerëson si antarë nderi për kontriburin e tyre të çmuar në ngritjen e emrit të shqiptarit në Kanada e kudo në botë ku jetojnë shqiptarët. Kjo është një mënyrë shumë e mirë, se duke promovuar vlerat tona kombëtare ngrihet lart emri shqiptar, si një vlerë e shtuar në dobi të kombit, por pasuron në vlera edhe multikulturarizmin kanadez, pra çfarë mund t’i japim vendit tonë dhe Kandasë.

  • Dr. Kondaj, ju e vizitoni shpesh Tiranën, me cfarë syri e shikoni veten atje, a mendoni se ai vend ka vërtet nevojë për modele rigoroze të punës, drejtimit, menaxhimit të burimeve njerëzore?

Të them të drejtën, vitet e fundit, nga 2014 e këtej e kam vizituar me shpesh Tiranën, por ti shikosh gjërat nga jashtë është më ndryshe se të jetosh atje përdite. Gjithnjë shikoj ndryshime të dukshme, sidomos në Tiranë. Përsa u përket modeleve rigoroze të punës, drejtimit dhe menxhimit në vend, gjithnjë ka nevojë për modele të tilla dhe jo vetem atje, por edhe këtu ku jemi ne, sepse bota është në zhvillim dhe duhet ndjekur ritmi i zhvillimit.

  • Besi dhe Gazi janë dy djemtë tuaj të formuar në Kanadanë e largët, çfarë kanë trashëguar nga ty dhe bashkëshorti juaj?

Marjana, faleminderit që më ke ngacmuar në pikën time më të dobët që janë dy djemtë e mi, të cilët i dua shumë jo vetëm se janë bijtë e mi, por se janë për t’u dashur. Ne vazhdojmë akoma të jetojmë me djemtë në familjen tonë tradicionale, të katër dhe së shpejti secili do të ketë jetën e vet, sepse njëri është i fejuar dhe tjetri në atë rrugë është. Jo vetëm të rinjtë, por edhe ne e ndajmë  mendimin se kur krijon familje secili duhet të bëjë jetën e vet. Ju jemi mirënjohës se fëmijët tanë kanë dashuri për vendin që e vizitojnë shpesh, për fisin e njerëz të afërm, sepse ata janë rritur me këtë dashuri dhe e kanë të trashëguar nga familjet tona dhe në veçanti nga babai im, që ishte si koka e mbajtjes së familjes dhe gjithë fisit. Kudo ku shkonte ai, i bënte njerëzit bashkë. Tjetër gjë të mirë që ne ju vlerësojmë, ata kanë përfshirjen në komunitet. I madhi, Gazi ka qënë me muae me bashkëshortin tim gjithë kohës në komunitet, ku dhe aktualisht bën fotografin kryesor të shoqatës tonë, ndërsa i vogli, Besi duke qene se në detyrë punonte të shtunave e të dielave, ka qënë më pak i pranishëm në aktivitete, por ka kontribuar me materiale dhe ndihma financiare. Është optimist me detyrën që ka dhe ai mund të ndihmojë në komunitet edhe me pjesëmarrje në aktivitete. Pra, nga ne kanë trashëguar të jenë njerëz të edukuar me dashurinë për familjen dhe fisin, me atdhetashurinë, respektin për ne, për njëri – tjetrin, për shoqërinë dhe ambjentin ku punojnë, si dhe plot cilësi të tjera, për të cilat na bëjnë shumë krenarë.

  • Cfarë ju bën të ndjeheni mirë në ditë të zakonshme, po në ngjarje të mëdha të cilat në komunitetin tuaj shqiptaro kanadez nuk janë të pakta?

Të them të drejtën, janë aq të shumta ngjarjet këtu tek ne, sa asnjëherë nuk ndjehemi bosh dhe angazhimet e mia janë njësoj si në punë dhe në komunitet dhe bëhen më intensive kur angazhohemi në ngjarje të mëdha, siç i qujamë ne festat tona kombëtare, muaji i trashëgimisë shqiptare, pikniku i verës etj. Një ngjarje e re që sapo ka filluar është ndërtimi i një qendre për shqiptarët, e cila ka qenë ëndërr për më shumë se nje shekull, prej 110 vjetësh. Ky është hapi i parë që po hidhet dhe ndjehemi entuziastë si grup ku dhe unë bëj pjesë.Kur flasim për Dr. Ruki Kondaj është e pamundur të mos përmendim Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

  • Ju lutem, a mund të na thoni si do të jetë ky nëntor aty?

Për fat të mire, ti e dashur Marjana na ke ndjekur në vazhdimësi, jo vetëm nga larg, por edhe në vend. Festimin e ligjit të trashëgimisë, ku nëntori u shpall muaji i trashëgimisë shqiptare në Ontario, ka nisur si proces në nëntor të vitit 2014 dhe u finalizua me aprovim me 5 dhjetor të vitit 2016 dhe me 8 dhjetor po të vitit 2016 mori dhe miratimin përfundimtar të përfaqësueses së mbretëreshës për Ontarion. Këtë vit që i bie njëvjetori i festimit të ligjit, ne kemi ftuar një artiste të madhe me fame botërore siç është Inva Mula, për të shpalosur vlerat shqiptare ndërkombëtare e jo vetëm, sepse çdo vit kemi pasqyruar gjëra të ndryshme të kulturës e trashëgimisë sonë. Një vit më parë ne shpalosëm kulturën arbëreshe me një grup të ftuarish nga Kalabria, ndërsa këtë nëntor do të tregojmë nivelin tonë shqiptar ndërkombëtar. Po përpiqemi dhe kemi bërë aplikimin që ligji për trashëgiminë të njihet edhe në rang vendi, pra në të gjithë Kanadanë. Dhe qellimi i ligjit është që të transmetohet në breza gjuha, kultura e tradita shqiptare, si vlerat më të mira kombëtare, por edhe të pasurojmë mozaikun e bukur multikuturor kanadez, sepse duke promovuar identitetin tonë ndjehemi më të plotësuar dhe të integruar në vendin ku kemi zgjedhur të jetojmë pjesën tjetër të jetës sonë.

  • Ju kemi parë të promovoni pafund të tjerët e ndërkohë nuk kemi folur kurrë për punimet dhe publikimet tuaja të shkuara dhe të ardhshme?             

Dëshira ime është të promovoj të tjerët dhe ndjehem mirë për vlerat dhe potencialet njerëzore që i kemi të shumta këtu në Kanada, por jo vetëm. Përsa i përket botimeve dhe publikimeve të mia, janë përcaktuar në mënyrë kronologjike tek ana ime profesionale si autore e një numri të konsiderueshëm publikimesh shkëncore e shoqërore, brenda e jashtë vendit. Njëkohësisht jam antare e disa shoqatave ndërkombëtare për Shëndetësinë dhe Farmaceutikën, duke kontribuar në konferenca kombëtare e ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë në përgjithësi dhe sektorin farmaceutik në veçanti, Nё vitin 2010 botova librin “Sfidat e farmaceutikës”, të cilin ua kamdhuruar, ashtu siç e kam dedikuar, profesionistëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës, Vlorës, Tetovës e Prishtinës, të cilët organizuan promovimet, ndërsa promovimin e parë e kam realizuar në Kanada më 6 qershor 2010, së bashku me bashkëatdhetarë, ku pata nderin të kishte profesionsitë nga Shqipëria, kolegë që kanë punuar me mua dhe më njohin ndërmjet punës,etj. Edhe në Kanada pas 9 vitesh që nuk janë shumë, jam pjesë e studimeve dhe e publikimeve në një studim për moshat e treta në qendrën më të madhe kërkimore shkencore të spitalit Baycrest në Toronto, ku studimi ka të bëjë me gjendjen dementia dhe mobilitetin te moshat mbi 65 vjeç në kohën e qëndrimit spitalor dhe 4 muaj pas daljes nga spitali. Ka qenë një punë e bukur dhe e vështirë, por më e rëndësishmja ishte njohja e metodave të reja dhe mjeteve të kërkimit në pacientet me dementia. Së fundmi, jam bërë pjesë e një raporti që u botua rishtas nga Qendra e Shërbimit Familjar në rajonin Peel për studimin e dhunës në familje dhe rolin e Shëndetit Publik, ku unë kam dhënë kontributin tim modest në bazë të përvojave të mia të mëparshme. Aktualisht ndjehem mirë që jam pjesë e sistemit shëndetësor, ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime.  Me shumë punë e përpjekje njeriu merr atë që meriton, prandaj asnjëherë nuk duhet të ndalesh!

Të falënderoj edhe një herë që më bëtë pjesë të Votrës suaj, kështu dua ta mbyll me një nga thënjet e mençura të Shenjtores Nënë Tereza:” Gjërat më të bukura në botë nuk mund të dëgjohen, nuk mund të shihen as të preken, por mund të ndjehen.

Le të kemi sa më shumë të tilla!

Dr. Ruki Kondaj
Presidente Nderi
Kryetare e Grupit të Trashëgimisë pranë Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze(SHBSHK)
Zv/Presidente e Këshillit të Europës Qendrore e Lindore në Kanada (CEEC)
Direct: 416 876-7665, Email: r.kondaj@albcan.ca, rukikondaj@yahoo.com, Ëebsite: ëëë.albcan.ca

 Intervistoi: Marjana Bulku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights