Harresa te fëmijët dhe roli i prindërve

Një fëmijë që shpesh harron, ka gjithnjë prindin që e kujton!

Fëmijët, zakonisht harrojnë detyrat e shtëpisë, të kthejnë në kohë librin në bibliotekë, si dhe të nxjerrin nga çanta e sportit çorapet ose bluzën e lagur etj.
Këto episode nuk janë harresa rastësore… çdokush harron rastësisht. Ne po trajtojmë çështjen kur harresa i kthehet në ves fëmijës.
Kujtesa e fëmijës bëhet jovepruese , pra dembele, sepse kryesisht pas këtyre fëmijëve ndodhet një prind “shpëtimtar” që i nxjerr nga balta.
Ky fëmijë zakonisht nuk pendohet asnjëherë për harresat, sepse nuk do të marrë përgjegjësi mbi vete. Duke vepruar në këtë mënyrë pak nga pak ai fillon dhe humbet besimin te vetja e tij.
Për këta fëmijë gjithmonë e ka fajin dikush tjetër.

1-    Mami nuk m’i vuri detyrat në çantë.
2-    I thashë mamit të më kujtonte, por ajo harroi.
3-    Nuk e kisha mamin në shtëpi, ajo ishte në punë.
4-    Në mendje e kisha, por harrova. (futet ankthi)
5-    Marr mamin në telefon dhe ajo vjen dhe ma sjell shpejt.. Nuk përton mami im.

Harresa e motivuar lidhet me ankthin që një veprim krijon te fëmija.
P.sh. Takimi me dentistin ose kur detyrat e shtëpisë janë të paqarta. Dhe në këto raste fëmija merret me gjëra dytësore duke shmangur detyrën kryesore.
E kundërta e harresës është sigurisht kujtesa, pra përqendrimi për marrjen e informacionit dhe çdo prind duhet ta ndihmojë fëmijën që ai të kujtojë.

Si arrihet kjo?

1-    Prindi duhet të bisedojë ngrohtësisht dhe qetësisht me fëmijën, duke i treguar që disa gjëra janë përgjegjësi e tij dhe jo e nënës dhe se ajo nuk do t’ia sjellë në shkollë detyrat e harruara, sepse çdo veprim ka pasojën e vet dhe ai duhet të marrë përgjegjësi për të tijat.
2-    Ta ndihmojë fëmijën duke shkruar listën e gjërave për çdo ditë( më kryesoret në fillim dhe të theksuara me të kuqe).
3-    Prindi duhet të jetë vetë model për fëmijën dhe kjo arrihet kur fëmija e shikon atë të përgatisë çantën që në darkë, duke bërë planin ditor, si dhe duke marrë përgjegjësi për veprimet e ndërmarra etj.
4-    Duke krijuar një ambient të qetë studimi ku mundësisht fëmija të bëjë mësimet çdo ditë në të njëjtën orë, në mënyrë që të kthehet në rutinë dhe ai të marrë seriozisht edhe detyrën më të thjeshtë. Prindi duhet të shmangë plotësisht të kujtuarit e detyrave, projekteve etj., çdo pesë ose dhjetë minuta.
5-    Fëmijët të kenë rafte personale (mundësisht të hapura dhe të dukshme)
6-    Çanta e shkollës të vihet në një vend të caktuar.
7-    Çdo veprim të bëhet me qetësi dhe me qartësi.

Këto janë disa veprime që ndikojnë drejtpërdrejt te fëmija që ai të marrë përgjegjësi për veten dhe gjërat e tij dhe të krijojë besim e të këmbëngulë në zgjidhjen e problemeve.

Pra prindër, mos vraponi të “shpëtoni” fëmijën tuaj duke bërë gjithçka për të ose duke ia dërguar në shkollë detyrat e harruara.

Raimonda Hysolli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights