Fazat e ndryshme të rritjes te fëmijët deri në 5 vjeç

Si mjeke dhe si një nënë e re e gjeta këtë temë interesante dhe me shumë dëshirë vendosa ta ndaj me prindërit e tjerë.

Çdo fëmijë kalon nëpër faza të ndryshme rritjeje dhe në këtë artikull do të sjellim disa të veçanta nga muaji i parë i lindjes deri në 5 vjeç. Deri në moshën 3-muajshe, jeta e bebes është e përqendruar tek ushqyerja, gjumi dhe të ndoturit e pelenave. Por mes muajve tre dhe gjashtë, foshnjat fillojnë të qeshin duke iu përgjigjur të qeshurave të të rriturve ose kur diçka u tërheq vëmendjen papritur. Truri i të miturve fillon të përpunojë informacione më shpejt gjatë kësaj faze edhe pse kërkohet stimulim nga prindërit apo të afërm të tjerë. P.sh kur nëna duke luajtur e gudulis në bark dhe i thotë: ”Do të të ha!” dhe me kalimin e kohës e qeshura bëhet edhe më e madhe dhe foshnjat fillojnë të imitojnë tingujt e kafshëve të ndryshme. Prandaj, gjatë kësaj moshe është e domosdoshme që të luhet me beben, sepse në këtë mënyrë ata ndërtojnë aftësinë e të shoqëruarit me të tjerët. Gjatë pesëmujorit të parë, bebet i përgjigjen edhe më mirë zërit të nënës edhe pse ata e kanë njohur zërin e saj që në uterus. Por megjithatë, vetëm rreth muajit të katërt do të fillojnë të kthejnë kokën nga zëri i nënës ose i babait dhe të përgjigjen me lëvizje të trupit kur i dëgjojnë të flasin a të qeshin. Imitimi i vërtetë ku fëmijët përsërisin çdo lojë të prindërve, sidomos ato të lëvizjes së muskujve të fytyrës mund të arrihet vetëm gjatë moshës tetëmuajshe. Gjatë kësaj kohe, fëmijët fillojnë të imitojnë shenjat e frikës, surprizës ose dhe të mërzisë së prindërve. Prandaj nëse doni bebe të lumtura, luani dhe qeshni me to, tregoni durim! Studimet e shumta tregojnë që bebet me prindër të stresuar nuk bashkëveprojnë shumë me të tjerët.Për sa i përket të folurit, tingujt janë blloqet ndërtuese të gjuhës. Kjo tregon që bebja po krijon më shumë kontroll mbi krijimin e zërave dhe të komunikimit. Ndërsa muajt kalojnë, tingujt bëhen më të fortë dhe kalojnë nga rrokje të veçanta në ndërtimin e fjalëve që duken si reale në ndalesa të shkurtra dhe mendim. Gjatë kësaj kohe, prindi mund të flasë me beben edhe pse nuk merren dot vesh me njëri- tjetrin. Kur fëmijët fillojnë të flasin, zakonisht rreth ditëlindjes së parë, ata mund të përdorin një fjalë të vetme. p.sh: mami, babi, nëna etj., dhe duke u rritur ata zgjerojnë edhe mendimet dhe i përshkruajnë më qartë. Si p.sh. traktori i kuq, macja e vogël me vija. Gjatë kësaj periudhe ata fillojnë të dallojnë një objekt nga një tjetër duke nxjerrë në pah të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre. Një tjetër e veçantë mes moshës 18-24 muajshe është që gjatë kësaj periudhe fëmijët fillojnë të heqin pelenat dhe vrapojnë “të lirë’ nëpër shtëpi. Kjo është periudha e duhur për të bërë trajnimin e fëmijëve që të heqin pelenat. Gjatë moshës 2 deri në 3 vjeç është imazhi më i bukur i fëmijërisë. Kjo sepse gjatë kësaj kohe fëmijët fillojnë të kenë ndjenja karshi të tjerëve prandaj prindërit duhet të respektojnë emocionet e fëmijëve të kësaj periudhe. P.sh. po të shohin një fëmijë duke qarë, ata mund të thonë:” Ai djali është i mërzitur. A të shkojmë e ta bëjmë të lumtur përsëri?”

Gjatë kësaj moshe fëmijët lëvizin shumë shpejt, madje duke ua kaluar edhe prindërve të tyre. Kjo sepse balanca është përmirësuar në mënyrë të dukshme dhe koordinimi i pjesës së sipërme dhe pjesës së poshtme të trupit është bërë më efikase. Prindërit mund të ndihmojnë duke kërcyer në një këmbë ose duke ecur në një vijë të drejtë në park. Kur fëmijët bëhen tre-katër vjeç ata kanë dëshirë të tregojnë ngjarje të kaluara që kanë lënë mbresa tek ata, qofshin ato të mira ose jo. Por në këtë moshë fillojnë edhe gënjeshtrat e bardha, të cilat lënë një shije jo të mirë te prindërit, por në fakt tregojnë që fëmija ka arritur një fazë të re arsyetimi dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, edhe pse prindërit dhe edukatorët duhet t’u shpjegojnë fëmijëve që gënjeshtrat janë të papranueshme dhe nëse përsëriten do të çojnë në marrjen e lojës së tyre të preferuar. Një vend të veçantë në fëmijët e vegjël zë edhe kënga. Fëmijët do të fillojnë të duartrokasin këngën e tyre të preferuar dhe në përgjithësi e ndjekin mirë ritmin. Kjo tregon që fëmija mund të përqendrohet, të qëndrojë në një veprim dhe të mësojë një model të ri. Prindërit duhet t’i ofrojnë fëmijës të gjitha llojet e muzikës, sepse në të ardhmen do ta ndihmojë në matematikë dhe në të folur. Mund t’u jepen edhe instrumente të ndryshme për t’u rënë, si daulle, “maracas” etj. Por më e bukura e moshës tre deri ne pesë vjeç është pavarësia që kërkojnë të fitojnë duke i zgjedhur vetë rrobat, të cilat mund të mos shkojnë fare me njëra-tjetrën, por prindërit duhet t’i lënë fëmijët të eksperimentojnë e të tregohen të durueshëm kur ata thonë: ”E bëj vetë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights