- Cilën ëndërr keni parë të realizuar?
Kjo është nje pyetje interesante e shumëdimensionale për mua si emigrante ose australiane e re, siç më quajnë këtu paçka se kam jetuar në Melbourne prej 23 vjetësh. Nuk është vetëm një ëndërr ajo që më është realizuar, por disa. Do të veçoja ardhjen në jetë të birit tim të vetëm dhe suksesin profesional.
Rregulli numër një për të arritur çdo sukses është ta fillosh e ta mbarosh një projekt, të mos tërhiqesh. Motoja ime është: asnjëherë mos u tërhiq! Nëse dua të arrij më tepër se aq, kjo është diçka tjetër, sepse në përgjithësi, sa mund të arrijmë varet jo vetëm nga dëshira e mundësia jonë, por nga pozicioni, rrethanat e shpesh nga pengesat e veçanta lidhur me nje projekt të caktuar, mundësitë financiare e të tjera. Pra kyçi qëndron në të kuptuarit e limiteve të tua. Nuk jam e përkryer, në fakt qëndroj larg nga kjo e fundit, por atë që vendos të bëj e planifikoj me shumë kujdes dhe e çoj deri në fund. Por në profesionin tim, asnjë arritje nuk përfundon aty ku mbaron projekti. Suksesi i vërtetë është në atë çfarë ndodh, pasi ka mbaruar ky projekt. Çfarë do të thotë kjo? Në punën time si mjeke e kërkuese shkencore, rezultatet maten me ndikimin e tyre në shëndetin e njerëzve. Çfarë bëra unë sot për ta? Kjo është pyetja që i bëj vetes përpara se të fle….e shpesh, përgjigjja e kësaj pyetjeje është: nesër duhet të bësh më shumë. Të arrish më tepër për mua do të thotë që nesër të bëj më shumë se ç’kam bërë sot.
- Bota ka më shumë nevojë për…?
Dashuri e mirëkuptim të marra bashkë, këto dy cilësi, do ta bënin botën ku jetojmë me të mirë dhe një vend më të përshtatshëm për të rritur fëmijët tanë.
Miranda Xhilaga