Nuk rri dot pa ju treguar të vërtetën se si ndihem rreth këtij numri të tretë të revistës “VOTRA”, sepse ndjenja e e dashurisë, respektit, krenarisë, por edhe e keqardhjes që jo çdo artikull i dërguar në redaksinë tonë zuri vend në të, është e papërshkrueshme. Do të doja t’ju tregoja që një artikull ia vlen të lexohet mbi një tjetër, por nuk e bëj dot, sepse të gjithë artikujt e këtij numri janë të rëndësishëm, duke filluar me fëmijët e diasporës, të cilët u intervistuan një nga një dhe po ashtu një nga një u përgjigjën njësoj ”E dua Shqipërinë, sepse jam shqiptar. E dua, sepse kam kushërinjtë e mi atje. E dua, sepse ka fli, byrek dhe ushqime të shijshme”.
E pra nga përgjigjet e fëmijëve, nuk mësova sinqeritetin dhe dashurinë që prisja, por mësova se prindërit duhet t’i dërgojnë fëmijët të vizitojnë vendet historike, muzetë etj., në mënyrë që t’u hapet horizonti dhe ta shohin Shqipërinë nga themelet e saja, sepse duhet pasur parasysh se ushqimi, flamujt, simbolet, festivalet, muzika, vallet, kostumet, lojërat janë vetëm sipërfaqësorja e një kulture. Që ajo të mbijetojë duhet shkuar më thellë, te mënyrat dhe rregullat e komunikimit, te shprehjet e fytyrës, kontakti, intonacioni i zërit, format e bisedave, respektimi i tjetrit, shprehja ose përmbajtja e emocioneve. Të diskutohet me ta e thella, me nocionet e mirësjelljes, miqësisë, thjeshtësisë, drejtimit, por edhe pastërtisë. Të njihen me konceptet e drejtësisë, roleve të lidhura me moshën, seksin, klasën shoqërore, familjen etj.
Por mbi të gjitha të flitet për qëndrimin e pleqve, adoleshentëve, pritshmërinë, punën. Si bashkëpunojnë shqiptarët, si konkurrojnë mes njëri-tjetrit? Cilat janë pikëpamjet e tyre mbi moshën, mëkatin, vdekjen? Çfarë qasjeje kanë pasur dhe kanë ndaj fesë, njohjes, martesës, familjes, rritjes së fëmijëve, marrjes së vendimeve, zgjidhjes së problemeve.
Dhe kjo duhet të shihet me përparësi jo vetëm nga prindërit, por edhe nga gjyshërit, të cilët nuk duhet të ndihen të kërcënuar nga kultura e re që nipërit dhe mbesat e tyre kanë përqafuar, por ta pranojnë atë dhe t’u forcojnë të bukurën nga kultura shqiptare, sepse fëmijët marrin dhe duan çfarë t’u tregojmë dhe çfarë t’u japim, qoftë ai byrek, fli ose një përrallë me zakonet e të parëve.
Dhe kur flas për zakonet e të parëve, e kam fjalën për të parët tanë që e dinin çfarë ishte ndërgjegjja dhe respekti që mësojmë tani nga bota e qytetëruar. Që e dinin çfarë është besa që na e tregojnë fëmijët e rritur nëpër botë, të cilët i mësojnë nëpër shkolla dhe institucione të tjera shtetërore, shoqërore ose fetare në vendet ku jetojnë. Janë këto tipare të reja që zënë vend në jetën e fëmijëve tanë, dhe ne i pranojmë në heshtje, sepse e dimë se dikur, diku në një vend kreshnikësh i kanë pasur këto veti, prandaj ne duhet të flasim më shumë për to!
- Së bashku do të mësojmë mbi planet, pritshmëritë, arritjet dhe sugjerimet mbi samitin e parë shqiptar të realizuar në Tiranë, ku figura të njohura dhe të respektuara shqiptare nëpër botë i përcjellin ato përmes faqeve të revistës sonë.
Është i ftuar në “Votër”, ministri i Diasporës së Kosovës, i cili do të na tregojë mbi rolin e saj, arritjet dhe planet për të ardhmen, si dhe nga intervista me zëdhënësin e Policisë së Kosovës do të mësoni shumë.
Mjekët do t’ju këshillojnë mbi rëndësinë e gjumit te fëmijët dhe mbi ndikimin e kopshtarisë te të rriturit, sepse me stinën e pranverës vjen edhe periudha e mbjelljeve.
Nga Maqedonia do të keni një artikull të bukur mbi të ardhmen e Maqedonisë të pasqyruar me foto nga historia e saj dhe OJQ “Labeatët” nga Mali i Zi, vjen me një artikull mbi 4-vjetorin e themelimit të saj, të ilustruar me foto të bukura nga puna e tyre.
Turizmi këtë numër është i veçantë, në formë rrëfimi ku Razma në Malësinë e Madhe vjen e mahnitshme, e dashur dhe bujare. Fotot që e shoqërojnë artikullin janë një mrekulli më vete!
Te rubrika, “Një tjetër perlë shqiptare” kemi sjellë Rugovën, të ashpër e të butë, të shndritshme e të begatë, të shëndetshme e relaksuese dhe nëpërmjet fotove do të shëtisni nëpër atë tokë të rrallë, të pafalshme, të dëlirë, të ashpër, magjepsëse, të dashur dhe të egër, duke u ndier si në asnjë tokë tjetër në botë.
Figura e familjes moderne të ditëve të sotme vjen me të mrekullueshmin çiftin Tufa, të cilët siç u shpreh gazetarja, ‘do t’ju bëjnë të dashuroheni me ta pasi t’i lexoni!’
Me buzëqeshje në sy e në buzë i shkruaj fjalët për humoristin e njohur shkodran, Zef Deda, i cili mes humorit do të përcjellë atë që është më e shtrenjtë për të. Shpresoj të argëtoheni duke e lexuar, sepse unë jam kënaqur shumë!
Nëna, kjo figurë e shenjtë që mban gjithë dashurinë dhe dritën e botës në shpirt, përcillet nga konsullja në NY, një grua në shërbim të komunitetit shqiptar, e cila rrit e vetme djalin e saj të vogël dhe kujdeset për babanë e saj të moshuar.
Pena e mësuesit këtë herë vjen me shkrimin mbi rëndësinë e të lexuarit te fëmijët dhe shpresoj që sa më shumë prindër ta lexojnë atë.
Jetimët shprehen me rrëmbim ndjenjash dashurie, mungese, paqeje dhe bote fëmijësh nga e mrekullueshmja, fotografja Rozafa Shpuza.
Muzika dhe vallja e polifonisë do ta shoqërojnë revistën tonë nëpërmjet buqetës së zërave dhe hapave të grupit polifonik në Sarandë “Zëri i bilbilit”.
Si gjithmonë sporti është përparësi në revistë, dhe pasi ta lexoni artikullin mbi vrapimin, mos u çudisni nëse vendosni të vishni atletet dhe të dilni për një vrap në natyrë.
Faqet e stilistes këtë numër janë mbushur me foto të fëmijëve të bukur të linjës “Vit’Aime”, linjë e cila debuton nën sponsorizimin e revistës “Votra” në ‘Albanian Fashion Week’ në New York.
Më tutje do të mësoni mbi gjyshen e kërrusur nga Tirana, e cila e mban në shpinë çdo mëngjes nipin e saj të vogël. E kërkova praninë e kësaj gjysheje në revistë, kur mësova sesi e mbartte nipin çdo ditë në shkollë, sepse ajo në sytë e mi mori menjëherë rolin e gruas së vjetër e të mençur, asaj gruaje që di vetëm të dhurojë dashuri dhe mendimet e saja më të thella, sepse tashmë ajo ka lënë pas një jetë të tërë vajze dhe nëne dhe para i është hapur një botë që asnjë nga ne nuk e imagjinon dot. Ajo ka mbijetuar mes dashurisë dhe dhimbjes, shpresës dhe frikës ku përmes këtyre ka lindur një shpirt plot besim që ka mësuar jo vetëm sekretet e jetës dhe të vdekjes, por edhe misterin e pasbotës. Kjo sepse ajo e ka “shijuar” vdekjen, ka parë të shtrenjtët e saj të vdesin me radhë dhe duke qëndruar mes jetës dhe vdekjes ajo kthehet në portën e dy botëve: të asaj ku ka fëmijët, nipërit e mbesat dhe të asaj ku e di se do të shkojë së shpejti që të shpëtojë nga vuajtjet. Prandaj ajo flet e qetë dhe e durueshme dhe na tregon shumë më tepër se i kërkohet.
Në këtë numër do të takoni shumë gra, sepse është 8 Marsi, festa ndërkombëtare e grave do njihni Bardhën e dashur e të mirë nga New York-u, e cila mban në trupin e saj të imtë e të brishtë një madhështi dashurie dhe bukurie prej artisteje. Do ta lexoni atë dhe nëpër rreshta do ta shikoni këtë grua në tufën shumëngjyrëshe të grave, të veshur me shije duke kërcyer si një vajzë e përjetshme, por megjithatë di të jetë e fortë dhe shembull për të gjitha ne që e njohim, e tani përmes revistës “Votra” edhe e ju të tjerëve!
Kur kontaktova gratë drejtuese të shoqatës së grave në New York, “Motrat Qiriazi” unë jo vetëm që u befasova nga veprimi i tyre kur më këshilluan emra që nuk i prisja, por dhe m’u kujtua shprehja: “Gratë e zonja nuk drejtojnë, ato krijojnë gra të tjera të zonja!” Jo më kot, gratë e forta nuk krijohen papritmas, ato ushqehen me dashuri, mbështeten, inkurajohen, frymëzohen dhe drejtohen nga shembulli personal i të tjerave. Gratë sot janë më të mira se kurrë, më të bashkuara se kurrë më parë, duke ndihmuar kudo ku mund të prekin me duart e tyre të arta, mendjet e tyre të mprehta dhe dashurinë e mirësinë e tyre. Ashtu sikur “Motrat Qiriazi” gratë shqiptare i gjenden pranë njëra-tjetrës. Ato ndihmojnë nënat e mërzitura të dëshmorëve dhe u hapin krahët jetimëve.
Ato janë gra të rritura me historitë e pafund të heroinave të zonja, të mençura, të mira, të dashura shqiptare. Prandaj ato janë mbretëresha Teutë që drejtojnë nëpër botë, janë Shote Galica që punojnë e dhurojnë krah për krah bashkëshortëve. Ato janë Nëna Terezë që u dhuroi jetën Zotit dhe fëmijëve duke e kapërcyer ekzistencën njerëzore, duke u bërë legjendë dhe simbol.
Janë Elena Gjika që me penë e me kulturë e mbajnë Shqipërinë të lirë, janë Nora e Kelmendit që veshin rrobën ushtarake për lirinë tonë nëpër botë. Janë Marigoja që me duart e arta qëndisin çdo ditë një Shqipëri më të bukur. Janë motrat Qiriazi në banka e auditorët më famshëm të botës.
Janë Rozafa me dhimbjen e pastër dhe lotin e dëlirë duke vënë të tjerët para vetes.
Kanë bukurinë e princeshës Argjiro dhe të Anzotikës së Liburnës, por mbi të gjitha, ato janë nëna heroina, të forta, bujare, burrëresha, të vendosura, që e bëjnë botën më të mirë me praninë, pasionin dhe kontributin e tyre personal, cilido qoftë ai, sepse çdo grua, pavarësisht pozicionit që ka në familje a në shoqëri, pavarësisht qëllimit të jetës së saj, mund të ofrojë shumë nga substanca që përmban. Kjo nuk i bën të jenë më pak të suksesshme, sepse nëse një femër ndihet e plotësuar nga diplomat në mur, një tjetër ndihet e plotësuar nga fëmijët që çon në shkollë çdo mëngjes; nëse një femër ndihet e plotësuar nga udhëtimet, një tjetër ndihet e plotësuar nga partneri; nëse një grua ka qejf të jetë në qendër të vëmendjes, një tjetër ndihet e plotësuar në qetësinë e jetës së saj private; nëse dikush ndihet e suksesshme në punë, një tjetër ndihet e sukseshme në familje; nëse një grua ndihet e suksesshme në palestër, një tjetër e arrin kur duket bukur ose kur arrin të meditojë plotësisht…
Prandaj motrani, le ta duam njëra-tjetrën, ta respektojmë e ta pranojmë secilën prej nesh me gjithë madhështinë dhe të veçantën e saj!
Gëzuar Festën Ndërkombëtare të Gruas!
Gëzuar Festën e Nënës!
E juaja
Afërdita Delaj
Editor in Chief