Gjuha shqipe, muzikë hyjnore e zemrave te fëmijëve

Fundi i muajit shtator dhe fillimi i muajit tetor shënojnë hapjen e dyerve të shkollave shqipe nëpër botë.  Janë ato dyer që e percjellin dritën nga brenda zemrës ku kanë zënë vend rrënjët e ninullave të nënave me fjalët e ëmbla të gjuhës më të vjetër dhe më të dashur në botë, gjuhës shqipe. Janë ata tinguj mbushur mall e dashuri që e bëjnë atë gjuhë, gjënë më të shtrenjtë për fëmijët e lindur jashtë tokës ku prehen eshtrit e të parëve të tyre. Janë lotët e fshehur në gjysmë errësirë të nënave, të cilat nuk guxojnë të ngrenë dorën t’i fshijnë, që rëndojnë me peshë guri në zemrat e të vegjëlve.

Gjuha shqipe mban rrëfimet e gjysheve dhe gjyshërve që takohen të përmalluar me nipërit dhe mbesat  dhe me dashurinë e pakushtëzuar që i ofrojnë njëri-tjetrit të dy palët.  Është tingulli i lahutës dhe çiftelisë në mur, përkrenares së bronztë të Skenderbeut mbi tavolinë, buzëqeshjes së Nënë Terezes në fotografi. Por ka edhe peshën e flamurit kuq e zi që valëvitet kudo ku ka shqiptarë dhe ka zënë vend në apartamentet dhe zyrat e tyre.  Prandaj prindërit lënë ditën e pushimit që t’i çojnë fëmijët në shkollë e prandaj është një privilegj i jashtëzakonshëm të jesh mësues në këto klasa, ku fëmijët po mësojnë të flasin, lexojnë e të shkruajnë në gjuhën e nënës.

Ata po mësojnë të ndihen të sigurtë si shqiptarë, që ta flasin me besim, ta shkruajnë me dashuri dhe ta lexojnë me adhurim atë gjuhë hyjnore që kanë ruajtur shqiptarët ndër breza.

Ju ndodh të flisni me fëmijë shqiptarë që ngurrojnë t’u flasin në shqip edhe pse ju kuptojnë shumë mirë? Dhe pastaj  a ju ndodh të çuditeni, kur i dëgjoni të flasin me ata që duan më së shumti, gjyshërit e tyre? Kjo sepse ata e mendojnë aq madhështore atë gjuhë, saqë kanë frikë ta flasin, jo se e përçmojnë, siç diskutohet shpesh nëpër media. Ata që mendojnë ashtu, nuk kanë qenë asnjëherë në një klasë të shkollës shqipe nëpër botë. Nuk e kanë dëgjuar asnjëherë shqipen me drithërimë emocionesh që del paqësisht dhe me drojë nga goja e nxënësve. Ata nuk e kanë parë shikimin që kërkon miratim, përzier me një krenari të fshehtë që do të shpërthejë me krahët hapur e të sigurtë të shqiponjës, që i personifikon ata.

Prandaj trajtojini me dashuri dhe respekt fëmijët shqiptarë, sepse për ta, Shqipëria është dashuri, gjuha shqipe është fjala e saj dhe shkolla shqipe përgjegjësia më e madhe. Ndoshta duket se nganjëherë bëhet aq e vështirë dhe fëmijët nuk duan të çelen. Duhet punë e vazhdueshme, sepse me fëmijët asgjë nuk është e humbur kurrë. Gjithcka që u dhurohet atyre, ata e marrin me vete të gjithë jetën dhe e percjellin te brezat e ardhshëm! Prandaj është privilegj, bekim dhe përgjegjësi e madhe t’u mësosh këtyre fëmijëve gjuhën e dashurisë së tyre. Mësuesi e di se sekreti i të mësuarit është vetëm ndihma që ai i jep fëmijës të hapë thesarin që fshihet në brendi të tij, duke i ndriçuar rrugën, duke i ngrohur shpatullat dhe duke i dhënë besimin e duhur, prandaj mësuesit e mirë janë të ulur këmbëkryq me fëmijët që i duan dhe i respektojnë.

Në çdo rrahje të zemrës sime, sinjë nënë e një fëmije të tillë, si një ish mësuese e një shkolle shqipe në New York,”Alba Life”, ku një ditë shpresoj të rikthehem me nipër dhe mbesa, ju uroj: “Suksese dhe paçi bekimin e Zotit në çdo hap të rrugës suaj drejt ruajtjes së identitetit shqiptar dhe përcjelljes së gjuhës sonë hyjnore ndër breza!”

Me dashuri

Afërdita Delaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights