Te oborri i gjyshes me veshje stergjyshesh

Jeta mes gjyshesh, një fenomen ndofta jo vetëm shqiptar që i ka rrënjët në organizimin e familjes, këtij institucioni legjitim të të gjitha kohërave, është një tjetër instrument e pse jo edhe vlerë që na identifikon si komb. Në dukje shfaqet si rritje e sigurt, por në thellësi mbart elemente që i duhen risjellë shoqërisë së sotme që po zvetënohet nga risi pa parime që nuk ia kanë thithur siç duhet tharmin jetës. Portretet e plakura, fisnike, të lodhura, domethënëse të gjysheve përveç viteve të gjata mbartin mjaft jetë të cilat na ushqejnë jo veç me receta gjellësh të shijshme, por edhe me copëza krenarie, sekretesh, thesare të fshehura fjalësh të pathëna. Kur gërmoj në sëndukun e gjyshes, si nëpër themele familjesh ku rrënjët qartazi dëshmojnë thellësinë dhe fortësinë e saj, aroma e luleve të thata që zhdukin molën brejtëse, më shfaq hiret e vajzërisë të ndrojtur ku rregullat ishin ligje që udhëhiqnin dhe edukonin parime. Edhe nusëria e brishtë është po aty nëpër foto të zverdhura nga koha bardhezi dhe përbetimet besnike që martesën e klasifikonin si sakrificë dhe përkushtim prej nga rrjedh familja, kjo rezultante që gjeneron jetën dhe dashurinë. Gjithçka aty është relikte, brilante, antike, e shenjtë. Aty heshtin vuajtjet që sistemet e padrejta shkaktuan, është naiv reflektimi i tyre për kohën që lanë pas, por është krejt i sinqertë dhe paqësor mendimi i tyre për familjen, dashuria për fëmijët, përkushtimi deri në vetëmohim për gjithçka familja krijon. Në sëndukun e saj shoh një galeri të tërë muzeore që vizaton, gdhend, dëshmon të shkuarën e saj vetëmohuese ku e vetme ruajti nderin dhe rriti fëmijët me një bashkëshort emigrant politiko-ekonomik që nuk mundi të kthehej kurrë pranë saj jo se nuk donte, por se nuk mundi. Sot, kur shumë nga dramat familjare burojnë pikërisht prej emigracionit, historia e saj dëshmon se nderi nuk është një betejë e humbur, por një fron i lartë që edhe më sublim e bën sakrifica. Më vjen ta përqafoj fort pas çdo mendimi që më thotë se si njeriun nuk e lartëson vetëm paraja, suksesi, karriera, fama, por gjithçka që jeta e tij/saj dëshmon. Kur i sheh në sy, kur ke kohë ti dëgjosh, flasësh, pyesësh dhe bashkëbisedosh me to me siguri që do të marrësh qindra fjalë e mendime që përmbajnë pluralizmin kohor. Ato janë objekti ku kohët puqen edhe pse traditat janë të ndryshme, edhe pse shijet ndryshojnë. Pikërisht aty, në jetët e tyre të rrudhura, të plakura, të mistershme, të lodhura, të paplota e plot mundime rrinë gjithmonë zgjuar vështrimi dhe shpresa kah e ardhmja nëpër përkundje djepi, ninulla fjalësh, sëndukë reliktesh ka gjithmonë një ëndërr urimi për fëmijën e fëmijës së fëmijës që para gjyshesh mbetet përherë fëmijë edhe kur thinjat ta mbulojnë. Pranë tyre provojmë mirënjohjen, njohim respektin dhe çmojmë sakrificën si trashëgimi jo e tundshme, por e patundshme, pasuri që nuk ka moshë, pasi është përherë e artë. Gjyshet tona…a nuk janë ato festivali barok ku jeta i thur himn e melodi jetës!
Marjana Bulku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights