Republika e Shqipërisë, e cila ndodhet në Juglindje të Europës dhe është një shtet i vogël e ka ndryshuar rrënjësisht statusin e saj nga një shtet komunist me një ekonomi të centralizuar në një shtet demokratik me një treg të lirë. Ky shtet ballkanik ka një popullsi prej rreth 2.8 milionë banorësh dhe një PBBL (Prodhimi i Brendshëm Bruto) vjetor (për fuqinë e blerjes me kushte të barabarta), sipas Bankës Botërore, prej rreth 11,108 dollarësh. Sipas të dhënave të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (HDI), i cili bazohet në tre tregues të rëndësishëm për të përcaktuar se cilit grup i përket (vende të zhvilluara, vende në zhvillim dhe vende të pazhvilluara): parashikimin e jetëgjatësisë, vitet e shkollimit e të ardhurat kombëtare PBB –i jep Shqipërisë një rezultat prej 0.733 pikësh, duke e renditur atë në vendin e 85-të në shkallë botërore. Shqipëria ka një ekonomi industriale të dobët, me rreth 41.8% të forcës së punës në bujqësi ku vetëm 11.4% dhe 41.8% e tyre punojnë në industri dhe në sektorët e shërbimeve. Sipas të dhënave të vitit 2012, shtresa e popullsisë poshtë nivelit të varfërisë, është 14.3%. Papunësia (e cila nuk mund të përfshijë mbajtjen e familjes nga puna në bujqësi) është gjithashtu e lartë: 17.3%, një nga më të lartat në Europë, ku niveli mesatar është 8.9%, pra gati sa dyfishi. Me këtë paraqitje të shkurtër të vështirësive që ndesh ekonomia e vendit, është më se e lehtë të kuptohet se si Shqipëria është kthyer në një vatër të disave nga format më të mjerueshme të shfrytëzimit të fëmijëve për punë në Europë.Po cilët janë faktorët që çojnë në shfrytëzimin e fëmijëve dhe çfarë mund të bëhet për të?
Në vendet me zhvillim të dobët ekonomik, varfëria kronike bëhet burim i mënyrave të ndryshme të shfrytëzimit, dhe në Shqipëri, një shembull i këtij shfrytëzimi është puna e fëmijëve dhe fëmijët e rrugës. Përkufizimet e përfshirjes në punë të fëmijëve nuk përputhen me njëra-tjetrën, por sipas ligjeve të punës në Shqipëri, shfrytëzim i fëmijëve për punë quhet kur ata janë nën moshën 16-vjeçare. Ndërkohë, fëmijët nga moshat 14-16 vjeç mund të bëjnë punë të lehta gjatë pushimeve të shkollës, por me kusht që punësimi i tyre të mos jetë i dëmshëm për shëndetin dhe zhvillimin e tyre”. Megjithatë, ligjet e punësimit, nuk përkufizojnë jo vetëm se çfarë mund të quhet forma e pranueshme e punësimit, por as numrin e orëve të punës, faktorë këta shumë të rëndësishëm në garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së të miturve. Ky është një problem shumë i rëndësishëm me të cilin përballet Shqipëria për sa i përket shfrytëzimit të fëmijëve për punë. – Mungesa e përkufizimeve të qarta e të plota të ligjeve si edhe pamundësia e shtetit që të forcojë ligjet mbi punën e fëmijëve ose formulimi i atyre që mungojnë tërësisht. Është e parashikueshme, që forma më e hasur e shfrytëzimit të punës së fëmijëve është ajo e bujqësisë, sepse siç e përmendëm edhe më lart, bujqësia përbën rreth 42% të forcës së punës në vend. Ekziston 87.5% mundësia që fëmijët punëtorë të moshës nga 5-14 vjeç të jenë të punësuar në bujqësi. Përderisa prodhimi bujqësor i pavarur familjar përbën pjesën dërrmuese të 42%-it të forcës së punës, është e natyrshme që fëmijët të përfshihen në mënyra të ndryshme në punë për të maksimizuar prodhimin bujqësor familjar. Fshati jugor i Lazaratit, pjesë e qytetit të Gjirokastrës, i njohur për prodhimin e marijuanës, shërben si një shembull ekstrem i shfrytëzimit të fëmijëve në punë në sektorin bujqësor. Fëmijët janë të punësuar në kultivimin e paligjshëm të drogës në një territor aq të rrezikshëm, saqë Ambasada Amerikane në Shqipëri, nuk lejon anëtarët e saj të udhëtojnë drejt Lazaratit, sikurse edhe vizitorët “këshillohen vazhdimisht që mos të udhëtojnë në atë territor”.
Një tjetër faktor është edhe përbërja e familjes.
Në studimin “Shkollimi i fëmijëve dhe emigrimi i prindërve”: Një provë empirike e brezit të “fëmijëve të lënë pas” në Shqipëri, Giannelli e Mangiavacchi, diskutojnë fenomenin e dy dekadave të fundit në të cilat prindërit shqiptarë emigrojnë në vende të ndryshme të botës, (zakonisht për punë të përkohshme) duke i lënë fëmijët pas. Studimi i Giannelli e Mangiavacchi ka për qëllim të bëjë të kuptueshëm efektin e mungesës së prindërve në edukimin e fëmijëve të lënë pas. Autorët zbuluan që rreth 21.7% e fëmijëve shqiptarë të lënë pas janë nën moshën 18 vjeç dhe nga viti 1990 deri në vitin 2005 kanë pasur një mungesë mesatare të prindërve afërsisht prej 9.5 muajsh. Ky ndryshim i dinamikës në ambientin familjar do të thotë rritje e pjesëmarrjes së fëmijëve në punët e shtëpisë, dhe shpeshherë edhe punësim jashtë saj. Kjo sigurisht që pengon shkollimin e tyre. Giannelli e Mangiavacchi shkruajnë që për çdo muaj braktisjeje nga prindërit, mundësia e braktisjes së shkollës fillore është 0.8%, duke rritur me 1% vonesën në shkollim dhe zvogëlimit të regjistrimit në kohë me 1.7%. Për adoleshentët, çdo muaj shtesë rrit mundësinë e mospjesëmarrjes prej rreth 15% dhe zvogëlon mundësinë e ndjekjes së shkollës në rreth 16%. Të ardhurat nga emigracioni, parashikohet të zvogëlojnë rrezikun e braktisjes së shkollës, ngaqë mendohet të ndikojnë në mënyrë pozitive në rritjen e mirëqenies familjare dhe atë të frekuentimit shkollor. Braktisja e shkollës, ndikon tek ata fëmijë, që duhet të punojnë për mirëqenien e familjes kështu që investimi shkollor për vetë ata kalon në harresë.
Të braktisurit e shkollës i vendos fëmijët në një pozicion ku detyrimi i tyre kryesor është të sjellin të ardhura në familje, dhe kështu investimi i tyre arsimor del në vend të dytë. Të braktisurit e shkollës jo vetëm që krijon vështirësi për fëmijët të kthehen në forcë punëtore (nganjëherë duke bërë punë të rrezikshme), por sjell probleme për të ardhmen e tyre. Kur këta fëmijë të arrijnë moshën e pjekurisë, nuk do të kenë mundësi të hyjnë në tregun e punës së kualifikuar, e cila mund t’u siguronte atyre si edhe familjarëve të tyre rrethanat për t’i shpëtuar kurthit të varfërisë. Në të kundërt, fëmijët e rrugës, siç përkufizohet nga UNICEF në studimin e financuar me fonde shtetërore “Studim kombëtar mbi fëmijët e rrugës në Shqipëri, janë ata fëmijë të cilët:
1) flenë në ambiente publike pa familjen e tyre,
2)punojnë gjatë ditës në rrugë dhe kthehen në mbrëmje në familjen e tyre për të fjetur ose
3) ata jetojnë me familjet e tyre në rrugë.
Pra, si përfundim, në Shqipëri nuk ka një përkufizim të veçantë për të përgjithësuar kuptimin e fjalës “fëmijë i rrugës”, edhe pse këto përkufizime të hershme të UNICEF-it ndihmojnë gjithsesi në diferencimin e formave të ndryshme të tyre. Ne dy vlerësime të bëra mbi numrin e fëmijëve të identifikuar në situatat e ndryshme në rrugë doli të ishte 2,014 dhe 2,527, ku shumica e tyre, rreth 74% ishin djem. Shqipëria është kthyer në një vendburim të trafikimit të fëmijëve me vendet kufitare siç janë Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi krahas vendeve të tjera të Bashkimit Europian, dhe kjo për shfrytëzimin e tyre për punë dhe seksual të tyre, duke përfshirë këtu edhe detyrimin me forcë për të lypur në rrugë. Të dhënat e vitit 2014 treguan që rreth 50% e viktimave të trafikimit në Shqipëri ishin të mitur. Studimi i UNICEF-it tregon gjithashtu se pjesa më e madhe e fëmijëve të rrugës, rreth 51.7%, janë të pakicave kombëtare rome, 20% egjiptiane dhe pjesa e mbetur rreth 28.4% janë me prejardhje shqiptare. Këto të dhëna pasqyrojnë mjaft qartë sesi pakicat kombëtare të margjinalizuara në Shqipëri, janë të prirura të jetojnë në varfëri kronike, kjo edhe nga paaftësia për të përfituar nga programet e zhvillimit dhe të mirëqenies sociale që aktualisht po zbatohet në Shqipëri. Një faktor tjetër i rëndësishëm i një numri të madh të fëmijëve egjiptianë dhe romë të paregjistruar në shkollë është edhe mungesa e dokumenteve të duhura, si për shembull certifikata e lindjes, e cila kërkohet nga shteti shqiptar. Nga këto situata mund të përmbledhim që gjendja e fëmijëve si të punësuar edhe atyre të rrugës, ka nevoje për programe ndihme të fuqishme. Fëmijët zakonisht gjenden në këto situata falë pamundësisë ekonomike të prindërve të tyre, por edhe të të afërmve që i mbikëqyrin për të investuar në të ardhmen e tyre. Është e rëndësishme të theksohet, që në këtë drejtim, qeveria shqiptare ka bërë hapa të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit kundrejt luftimit të këtyre fenomeneve nëpërmjet ndryshimit dhe riforcimit të ligjeve dhe duke ndaluar rreptësisht disa nga format më të padenja të punësimit të fëmijëve, sado që aftësitë e shtetit shqiptar për t’i vënë në zbatim këto ligje janë me të vërtetë të kufizuara. Në të gjithë vendin janë vetëm 15 oficerë policie të kualifikuar në fushën e të drejtave të fëmijëve. Në vitin 2014, Zyra e Punës (ZP) punësoi 98 inspektorë, ku 20 syresh u trajnuan për “Identifikimin dhe denoncimin e rasteve të punës së detyruar ndaj minorenëve dhe shfrytëzimit të tyre. Po këtë vit, gjatë një kontrolli të rreth 42 bizneseve të ushtruara nga Zyra e Punës (ZP), u gjetën 28 raste të punësimit të fëmijëve ose 67% e tyre. Sigurisht, ky është vetëm një shembull i vogël, por që nxjerr në pah shtrirjen e madhe të këtij problemi. Gjithashtu, duhet të krijohen edhe programe të reja sociale, me qëllim që të parandalojnë nevojën e punësimit të fëmijëve ose dhe dhënien e asistencës financiare atyre familjeve që nxisin fëmijët të frekuentojnë shkollën, por edhe ndihma nga më të ndryshmet. Edhe pse sistemi shkollor është publik, pra pa pagesë, përsëri shpenzimet për të dërguar fëmijët në shkollë janë të mëdha duke filluar që nga blerja e rrobave deri te blerja e librave, mjeteve shkollore, të cilat duhet domosdoshmërisht të sigurohen nga shteti, sidomos për ato familje të varfra që ngurrojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. Përparësi duhet të jetë gjithashtu edhe rritja e pjesëmarrjes së romëve në programet sociale dhe asistenca për familjet minoritare, sepse ato janë më së shumti pre e shfrytëzimit të paligjshëm të fëmijëve për punë.
Ndihma sociale në mbledhjen e dokumenteve që kërkohen e në disa raste edhe falja ose vetëcertifikimi me qëllim regjistrimin e fëmijëve në shkollat publike është gjithashtu një nga mjetet më të fuqishme për të luftuar shfrytëzimin e fëmijëve për punë në këto komunitete. Secila nga këto zgjidhje që përmenda ka nevojë për një investim të madh në edukimin e nëpunësve shtetërorë ekzistues, si dhe punësimit të shumë të tjerëve, sepse 15 oficerë të kualifikuar dhe 98 inspektorë, sigurisht që nuk janë të mjaftueshëm për të përballuar numrin e madh të rasteve. Por gjithsesi, përpara se të mobilizohen forca të reja për të luftuar shfrytëzimin e këtyre fëmijëve, duhet të krijohet një legjislacion i qartë se çfarë konsiderohet shfrytëzim i fëmijëve për punë. Përkufizimi jo i qartë i ligjit në ditët e sotme çoi edhe në lirimin e të gjithë inspektorëve që përmendëm më sipër.
Si përfundim, shfrytëzimi i fëmijëve për punë dhe kushtet e fëmijëve të rrugës kanë nevojë që të rishikohen në këndvështrime të ndryshme, duke vënë në pah të ndikimin e të gjithë faktorëve. Për ta shkulur nga rrënjët këtë problem sa më parë, e besoj dhe dëshiroj që do të bëhet kështu, duhet që të ketë ndërhyrje të vazhdueshme e me kosto të lartë të shtetit shqiptar. Ndërhyrje duhet të ketë jo vetëm në edukimin shkollor publik, por edhe kontrolle të vazhdueshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Asistenca familjare duhet të ketë përparësi gjithashtu, ngaqë në familje janë edhe rrënjët e këtij problemi. Kur në familje ka të ardhura ekomomike të sigurta, s’do të shohim më fëmijë që lënë shkollën për ta ndihmuar atë dhe pikërisht këtu duhet të jetë ndërhyrja, pjesëmarrja dhe zbatimi i programeve sociale.
Përfundimisht, mendoj që të identifikuarit dhe të ndihmuarit në lehtësimin e problemeve familjare do të jetë ndihma më e dobishme për fëmijët që punojnë, edhe pse do të jetë një formë ndërhyrjeje jodirekte.
Pavarësisht nga kostoja e ndërhyrjes në këtë problem të të drejtave të njeriut, drejtuesit e shtetit shqiptar edhe ata të Komunitetit Europian duhet të miratojnë fondet e duhura, sidomos nëse do t’i jepet e drejta Shqipërisë për të qenë pjesë e Komunitetit Europian, i cili ka deklaruar që vetëm në momentin kur Shqipëria do të marrë masa serioze kundër formave të ndryshme të krimit dhe të korrupsionit, do të merret seriozisht. Lufta ndaj shfrytëzimit të fëmijëve për punë dhe zbutja e situatës së fëmijëve të rrugës sigurisht që hyn në “sugjerimin” e Komunitetit Europian.
Bazuar në:
- Shqipëria 2015 Raporti mbi krimin e sigurinë “Sigurimi Diplomatik e Departamentit të Shteteve të Bashkuara”. Departamenti i Shteteve të Bashkuara, 2015. web.18 prill 2016.
- Shqipëria – Të dhënat mbi format e shfrytëzimit të fëmijëve për punë. “Zyra e punëve të jashtme”. Departamenti i Shteteve të Bashkuara, 2015. web.15 prill 2016.
- Giannelli, Gianna Claudia e Lucia Mangiavacchi. “Shkollimi i fëmijëve dhe emigrimi i prindërve: Prove empirike e brezit të lënë pas në Shqipëri “Shkrimi 24″ (2010).
- Treguesit e zhvillimit human dhe përbërësit e tij “Raport mbi zhvillimin human. Programet e zhvillimit human të Kombeve të Bashkuara, 2015. web.15 prill 2016.
- Macovei, Monica. “Revista e Parlamentit”. Shqipëria duhet të forcojë demokracinë përpara se të pranohet në Kombet e Bashkuara Europiane. Parlamenti, 31 Mars 2015. web 19 prill 2016.
- Muco, Marta. “Tranzicioni ekonomik në Shqipëri: Kufizimet politike dhe barrikadat mendore”. NATO, programi individual, qershor 1997. Web 14 prill 2016.
- Studimi kombëtar mbi gjendjen e fëmijëve të rrugës në Shqipëri. “Gazeta e Edukimit dhe kërkimeve sociale (2014): 1-40. UNICEF web.
- Libri “Fakte nga Bota”: Shqipëria. Shërbimi i Sigurimit. 25 Shkurt 2016. web 15 Prill 2016.
- “Shkalla e papunësisë në Kombet e Bashkuara Europiane 2016”. Statistika N.p., 2016. web 17 prill 2016.
Eugert Kapucaj