Procedurat, si të adoptosh fëmijë nga Shqipëria

Flet kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit, Genci Terpo: Në 3 vite, në Amerikë regjistrohen 22 aplikime  

Të birësuarit të një ose më shumë fëmijëve për realitetin shqiptar është konsideruar vazhdimisht si “histori luksi”. Por, vitet e fundit koncepti për të adoptuar një fëmijë të braktisur ligjërisht nga prindërit biologjikë, ka ndryshuar gati-gati në përmasa të paparashikuara, nëse kujtojmë mendësinë dhe praktikat patriarkale të shoqërisë shqiptare, të trashëguar prej brezash. Këtë e faktojnë të dhënat dhe shifrat konkrete, që kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit, Genci Terpo, bën publike në një intervistë ekskluzive për revistën “Votra”, sipas të cilit numri i shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, që kërkojnë të birësojnë fëmijë sa vjen e rritet. Kreu i Komitetit Shqiptar të Birësimit na njeh me dokumentacionin dhe kriteret që duhet të përmbushin çiftet aplikante, qofshin ato shqiptare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të huaj ose emigrantë shqiptarë që jetojnë në kontinentin europian dhe përtej tij, deri në Amerikën e largët. “Aktualisht, janë 8 aplikime nga çifte që jetojnë në SHBA dhe vetëm 1 prej tyre është çift shqiptar, ku 4 prej çifteve në pritje janë në përfundim të procedurës së birësimit. Pra, aktualisht janë 4 çifte në pritje. Në tri vitet e fundit janë realizuar 18 birësime me SHBA-në dhe besoj në dy muajt në vijim do të finalizojmë edhe 4 birësimet në pritje”, shprehet avokati Terpo, për revistën “Votra”.

Si paraqitet situata e birësimeve në vendin tonë?

Birësimet në Republikën e Shqipërisë vazhdojnë të ruajnë ritme në normalitet me qëllimin kryesor që të gjendet një familje për çdo fëmijë të deklaruar të braktisur. Qëllimi i punës së institucionit të Komitetit Shqiptar të Birësimeve është mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës përmes procesit të birësimit kur dështon mundësia për të rivendosur fëmijën pranë familjes biologjike apo pranë familjes së madhe kujdestare.

A birësojnë shqiptarët?

Natyrisht që shqiptarët birësojnë fëmijë dhe numri i aplikimeve vazhdon të jetë gjithnjë e më i konsiderueshëm, megjithëse numri i fëmijëve të deklaruar të braktisur është gjithnjë edhe më i vogël.

Pse birësojnë?

Arsyet që aplikantët kërkojnë të birësojnë fëmijë janë të lidhura përgjithësisht me dëshirën e tyre për të përjetuar ngrohtësinë që sjell në familje ardhja e një fëmije. Pikërisht ndjenja që përjeton familja nga ardhja e fëmijës është e tillë që nuk zëvendësohet me asnjë formë tjetër dhe paralelisht marrëdhënia që krijohet nga ekzistenca e fëmijës brenda familjes passjell një situatë mjaft pozitive ndërveprimi mes çifteve ose aplikantëve që birësojnë. Në vetvete, personat që ndërmarrin iniciativën për të birësuar fëmijë janë të bindur që marrëdhënia e tyre pa pasur një fëmijë humb shumë ndjesi që përjetohen vetëm me anë të ushtrimit të ndjenjave pozitive të përkujdesjes, dashurisë dhe dëshirës së madhe për të kontribuar në mirërritjen dhe edukimin e fëmijës. Janë pikërisht prindërit ata që gjejnë pasqyrimin e vetvetes pikërisht pranë fëmijëve të tyre dhe dëshira për të edukuar fëmijët dhe për të ofruar çdo mundësi për ta është një ndër ndjenjat më sublime që e karakterizon qenien njerëzore.

A tregon kjo një mentalitet të ndryshuar në Shqipëri?

Sigurisht që mentaliteti ka ndryshuar shumë. Në qoftë se flasim për vite më parë, shqiptarët e konsideronin shumë problem faktin e birësimit të fëmijës, sidomos për shkak të reagimit të familjeve të tyre ose edhe të ndikuar nga komuniteti që i rrethonte. Edhe ata që birësonin fëmijë në mjaft raste shpërnguleshin nga vendbanimi i tyre për t’u rikthyer më vonë në mënyrë që komuniteti të mos kishte dijeni për birësimin e fëmijës. Madje, tendenca e prindërve birësues ishte e tillë që të merrnin çdolloj mase që fëmija të mos ishte kurrë në dijeni të birësimit, sepse mendonin që kjo e vërtetë mund të ndikonte negativisht në marrëdhënien që do të krijonte më pas fëmija i birësuar me familjen.

Çfarë ka ndikuar në gjykimin tuaj?

Shqiptarët patën mundësi të njiheshin me kulturën, zakonet dhe normat e vendeve të zhvilluara dhe natyrisht përqasja me praktikat e mira ndikoi mjaft dukshëm në mentalitetin që karakterizonte shoqërinë tonë. Mundësia për të lëvizur qoftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, por edhe më shumë jashtë saj bëri të mundur edhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënies brenda familjes, emancipim dhe ndjenjën për të punuar gjithnjë e më shumë me objektivin e krijimit të të mirave materiale dhe komoditeteve për gjithsecilin dhe më shumë akoma për familjen dhe fëmijët. Zgjerimi i mundësive solli edhe dëshirën dhe dashurinë për të ngritur dhe forcuar familjen edhe përmes procesit të birësimit për aplikantët që nuk kishin fëmijë.

Si ka ndryshuar raporti i birësimeve vit pas viti?

Raporti i birësimeve vit pas viti është i lidhur ngushtësisht me numrin e fëmijëve të deklaruar të braktisur dhe pa përkujdesje nga familja biologjike. Natyrisht, ky raport ndryshon në çdo kohë, sepse nuk ka asnjë herë një numër të njëjtë fëmijësh të deklaruar të braktisur për periudha të caktuara. Në vitin 2013 janë realizuar në mënyrë të suksesshme 47 birësime. Në vitin 2014 janë realizuar 68 birësime. Në vitin 2015 janë realizuar në mënyrë të suksesshme 54 birësime, ndërsa për 6 muajt e vitit 2016 kemi realizuar rreth 25 birësime. Pra, e thënë ndryshe të gjithë fëmijët e deklaruar të braktisur prej vitit 2013 e në vijim janë birësuar dhe sot që flasim jemi të kënaqur, sepse aktualisht nuk kemi fëmijë të deklaruar të braktisur pa familje. Pra, misioni që ka KSHB për të gjetur një familje për çdo fëmijë qoftë edhe me nevoja speciale është i realizuar me eficencë të plotë.

Thuhet se numrin më të madh të prindërve birësues e përbëjnë shtetasit e huaj? Çfarë duhet të kuptojmë nga ky tregues?

Aktualisht, numri i aplikimeve që vijnë nga shtetet e tjera është paksa më i madh se aplikimet nga shqiptarët brenda vendit për faktin se mundësitë për të birësuar fëmijë brenda vendit të tyre janë shumë të vogla ose të papërfillshme. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e vendeve që konsideroheshin si vende origjine për fëmijët po i mbyllin mundësitë për shtetasit e huaj që të birësojnë fëmijë. Kjo ka sjellë një situatë të tillë që shtetet e tjera pritëse kërkojnë të krijojnë marrëdhënie mundësisht me çdo shtet origjine për të bashkëpunuar në fushën e birësimit ndërvendas. Edhe në rastin konkret megjithëse Shqipëria është një vend që ka një numër të vogël birësimesh, sepse ka shumë pak fëmijë të deklaruar të braktisur në raport me vendet e tjera, sërish ka interesim nga shumë shtete për të zhvilluar bashkëpunim në këtë drejtim.

Sa birësime regjistrohen nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në Amerikë? Po nga vetë amerikanët?

Aktualisht, janë 8 aplikime nga çifte që jetojnë në SHBA dhe vetëm një prej tyre është çift shqiptar ku katër prej çifteve në pritje janë në përfundim të procedurës së birësimit. Pra, aktualisht janë 4 çifte në pritje. Në tri vitet e fundit janë realizuar 18 birësime me SHBA-në dhe besoj në dy muajt në vijim do të finalizojmë edhe 4 birësimet që folëm më sipër të cilat janë nën efektin e përfundimit të procedurave nga pala amerikane, ndërkohë që jemi në pritje edhe të pranimit nga ana e dy çifteve amerikane të dy propozimeve që u janë paraqitur pak kohë më parë. Pra ka pasur rreth 22 aplikime në këto 3 vite (2013-2015) përfshirë edhe 3 aplikime që kanë ardhur në vitin 2016, ku 4 prej çifteve në këto periudha kanë qenë shqiptare.

Cilat nacionalitete janë, kryesisht, më të interesuara në këtë drejtim?

Nacionalitetet më të interesuara janë italianët, amerikanët, kanadezët, francezët, maltezët, grekët, gjermanët, por ka edhe raste sporadike nga shtete të tjera.

Çfarë procedurash duhen ndjekur për të birësuar një fëmijë?

Komiteti Shqiptar i Birësimeve sipas nenit 13, pika 2 të ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” pranon kërkesat e paraqitura nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe rezidentë të huaj në Shqipëri që dëshirojnë të birësojnë një fëmijë në Shqipëri. Gjithashtu harton dhe administron listat e fëmijëve që mund të birësohen brenda dhe jashtë vendit. Pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga aplikantët shqiptarë për të birësuar një fëmijë të braktisur, e cila shoqërohet me dokumentacionin e nevojshëm sipas nenit 18 të ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” Sekretariati Ekzekutiv realizon intervista dhe bën një studim të aftësisë së tij birësuese, sipas pikës 7 të nenit 13 të Ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve”. Sipas pikës 5 dhe 6 të nenit 13 të Ligjit nr. 9695 datë 19.03.2007 ndryshuar me Ligjin nr.10 358, datë 16.12.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” Sekretariati Ekzekutiv ka për detyrë të shqyrtojë, verifikojë, të vlerësojë dokumentacionin e paraqitur nga aplikanti birësues, si dhe të përgatisë një studim mbi aftësinë e tij birësuese. Dosja e aplikantit, si dhe studimi i bërë për të, sipas nenit të 19 të ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” ndryshuar me Ligjin Nr.10 358, datë 16.12.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” i paraqitet Këshillit Drejtues për shqyrtim, në mbledhjen e tij të radhës. Më pas është Këshilli Drejtues, ai që vendos ose jo për “përshtatshmërinë” e aplikantit birësues. Vetëm kandidatët ose çiftet për të cilët është vendosur nga ana e këshillit drejtues “dhënia e përshtatshmërisë” mund të birësojnë fëmijë dhe këta të fundit që nga ky moment vendosen në listat e pritjes ku edhe qëndrojnë të tillë derisa nga ana e institucionit u propozohet për birësim një fëmijë i cili është në listat e KSHB me cilësinë e fëmijës së braktisur. Duke u nisur nga aftësia birësuese e aplikantit birësues, si dhe nga dosja që përshkruan gjendjen e fëmijës së braktisur, Këshilli Drejtues i Komitetit Shqiptar të Birësimeve përcakton një familje birësuese për fëmijën dhe jep pëlqimin për birësim me shkrim, në mënyrë kolegjiale, sipas pikës 2 të nenit 9 të Ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve “duke qenë i bindur që kjo vendosje është në interesat më të larta të fëmijës. Sipas pikës 4 të nenit 9 të Ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” ndryshuar me Ligjin Nr.10 358, datë 16.12.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” Komiteti Shqiptar i Birësimeve cakton kohëzgjatjen, mënyrën dhe vendin ku do të realizohet periudha e provës për përshtatshmërinë e birësuesve dhe të birësuarit. Sipas pikës 2 të nenit 25 të ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve”, ndryshuar me Ligjin Nr.10 358, datë 16.12.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” në përfundim të periudhës së provës, Sekretariati Ekzekutiv përgatit raportin për përshtatshmërinë e aplikantit birësues me fëmijën. Pas kësaj, Komiteti Shqiptar i Birësimeve sipas nenit 26 të Ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” i dërgon, sipas nenit 244 të Kodit të Familjes, gjykatës në vendbanimin e aplikantit shqiptar birësues, dosjen për shqyrtim e cila përmban:

  1. a) dokumentacionin e përgatitur për aplikantin birësues;
  2. b) dokumentacionin e përgatitur për fëmijën që do të birësohet;
  3. c) vendimin për përshtatshmërinë e aplikantëve;
  4. ç) pëlqimin e këshillit drejtues për birësimin e fëmijës nga  aplikantët;
  5. d) raportin e përshtatshmërisë së aplikantit me fëmijën

A vlen e njëjta praktikë edhe për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve shqiptarë? Po për të huajt?

Praktika për shtetasit e huaj apo për shtetasit shqiptarë që jetojnë në SHBA është ndryshe dhe lidhet tërësisht me respektimin e legjislacionit ndërkombëtar që mbulon çështjen e birësimit. Neni 14 i Ligjit nr. 9695 datë 19. 03. 2007, ndryshuar me Ligjin nr. 10 358, datë 16.12.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” përcakton që shtetasit e huaj mund t’i drejtohen Komitetit vetëm nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetësuese të huaja. Konkretisht, shteti shqiptar ka ratifikuar “Konventën e Hagës”  me Ligjin nr. 8624, datë 15.6.2000, e cila është konventa “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit”. Ligji i sipërcituar nr. 8624, datë 15.6.2000, Konventa e Hagës, “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit” parashikon në Neni 1/a se duhet: Të merren masat mbrojtëse për të siguruar që birësimet jashtë vendit të bëhen në interesin më të lartë të fëmijës dhe duke respektuar të drejtat e tij themelore, të përcaktuara në të drejtën ndërkombëtare; në Nenin 2 të tij se: Konventa zbatohet kur një fëmijë, i cili zakonisht banon në një shtet kontraktues (“Shteti i origjinës”), është shpërngulur, shpërngulet ose do të shpërngulet në një shtet tjetër kontraktues (“Shteti pritës”), ose pas birësimit të tij në shtetin e origjinës, nga bashkëshortë ose nga një person që banon zakonisht në shtetin pritës, ose për qëllime të një birësimi të tillë në shtetin pritës ose në shtetin e origjinës.

Në nenin 3 të tij specifikohet se:

  1. “Ndërmjetësim” është veprimtaria e agjencive të licencuara për vendosjen e kontakteve ndërmjet aplikantëve birësues dhe organeve kompetente të birësimit.
  2. “Agjenci ndërmjetësuese” janë organizatat jofitimprurëse, vendase dhe të huaja të licencuara ose të miratuara nga organet kompetente të birësimit.

Pra, sipas kësaj dispozite është përcaktuar që procedura e birësimit ndërvendas në kuadrin e këshillimit, evidentimit të dokumentacionit, por edhe të quajtjes si të përshtatshëm të aplikantëve që kërkojnë të birësojnë fëmijë në Shqipëri duhet të jetë në përputhje me Konventën e Hagës dhe paralelisht duhet të realizohet nga autoriteti përkatës në vendin ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm që në rastin konkret për çiftet e huaja apo për çiftet shqiptare që jetojnë në SHBA janë pikërisht autoritetet amerikane. Pra, është kriter që përcaktohet nga legjislacioni ndërkombëtar dhe e vetmja mundësi që mund të njihet nga shteti amerikan. Fryma që përmban konventa e sipërcituar është e tillë që në konceptin e birësimit të një fëmije nga një shtet origjine (siç është Shqipëria) në një shtet pritës (siç është Kanadaja apo çdo shtet tjetër) kërkohet ekskluzivisht të zbatohet me përpikëri së pari Konventa e Hagës, së dyti legjislacioni që mbulon çështjet e birësimit në kuadrin e së drejtës private ndërkombëtare dhe së fundmi legjislacioni i vendit të origjinës, por gjithnjë me kushtin që në asnjë rast legjislacioni i shtetit të origjinës të bjerë në kundërshtim me normat ndërkombëtare, sepse në të kundërt procedura e birësimit ndërvendase nuk njihet nga shteti pritës. Gjithashtu, neni 16 pika 3 e ligjit nr.(9695) datë 19.03.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” parashikon se: Shtetasi shqiptar, që ka dhe një shtetësi tjetër të huaj dhe banon në mënyrë të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë, në rast birësimi të një fëmije shqiptar, duhet të përmbushë kërkesat përkatëse ligjore të birësimit të vendbanimit të përhershëm.

Aplikantët e huaj apo shqiptarë që jetojnë në SHBA mund të realizojnë një procedurë birësimi ndërvendase vetëm përmes specifikimeve që përmban Konventa e Hagës, sepse në të kundërt shteti amerikan nuk do ta njihte procedurën e tyre të birësimit nëse ata do të trajtoheshin njësoj si aplikantët shqiptarë që banojnë në Republikën e Shqipërisë. Mosnjohja e procedurës së birësimit nga shteti amerikan do të thoshte dështim të birësimit dhe mosrespektim të të drejtave të fëmijës. Nga ana tjetër, vetë detyra që ka autoriteti qendror shqiptar, por edhe e çdo autoriteti qendror në çdo vend të botës kërkon kategorikisht mbrojtjen e interesit të fëmijës përmes birësimit të suksesshëm. Ligji Nr.10428, datë 2.6.2011 “Për të drejtën private dhe ndërkombëtare” parashikon në nenin 30 të tij se:

fëmijës nga një shtet në një shtet tjetër të trajtohet njësoj si për rastet e aplikimeve të birësimit vendas. Neni 16 pika 3 e ligjit Nr.9 Kushtet për birësim dhe përfundimi i tij rregullohen nga ligji i shtetit, shtetësinë e të cilit kanë birësuesit në kohën e birësimit.

Nëse birësuesit kanë shtetësi të ndryshme, birësimi rregullohet nga ligji i shtetit, në të cilin birësuesit kanë vendqëndrimin e përbashkët.

Në kuptim të ligjit, aplikantët janë të detyruar të vijojnë me procedurën e birësimit vetëm sipas përcaktimit që ka legjislacioni i vendit ku ata kanë vendbanimin e përhershëm që në rastin konkret është SHBA-ja, e cila të vetmen formë birësimi ndërvendase njeh atë të përcaktuar sipas Konventës së Hagës. Po kështu, Neni 31 i Ligjit “Për të drejtën private dhe ndërkombëtare”  parashikon se:

Efektet e birësimit rregullohen nga ligji i shtetit, shtetësinë e të cilit kanë birësuesit në kohën e birësimit.

Nëse birësuesit kanë shtetësi të ndryshme, efektet e birësimit rregullohen nga ligji i shtetit, në të cilin birësuesit kanë vendqëndrimin e zakonshëm të përbashkët.

Edhe në kuptim të nenit 31 i Ligjit “Për të drejtën private dhe ndërkombëtare” aplikantët janë të detyruar të vijojnë me procedurën e birësimit vetëm sipas përcaktimit që ka legjislacioni i vendit ku ata kanë vendbanimin e përhershëm që në rastin konkret është SHBA-ja, sepse në të kundërt birësimi nuk do të kishte asnjë efekt në shtetin pritës nëse ata do trajtoheshin si aplikantët shqiptarë brenda vendit. Ideja është që përveç aplikimit që çifti apo aplikanti birësues bën pranë agjencisë ndërmjetësuese është i detyruar t’u nënshtrohet edhe rregullimeve ligjore në shtetin amerikan për sa i përket Zyrës së Emigracionit në këtë vend dhe rregullimit ligjor që specifikon kjo zyrë është e tillë që nuk ua njeh birësimin nëse ata do e bënin këtë të fundit, duke u trajtuar si shtetas shqiptarë. Neni 14 i Ligjit nr. 8624, datë 15.6.2000, pra Konventës së Hagës “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit” parashikon shprehimisht se: Personat që zakonisht banojnë në një Shtet Kontraktues dhe që dëshirojnë të birësojnë një fëmijë, zakonisht banues në një shtet tjetër kontraktues, i drejtohen Autoritetit Qendror të Shtetit ku banojnë zakonisht. Prandaj në këtë rast, aplikimi i tyre trajtohet dhe është vetëm birësim ndërvendas që sërish siç e kemi shpjeguar më sipër u nënshtrohet rregullave ndërkombëtare. Legjislacioni shqiptar e kërkon shprehimisht zbatimin e akteve ndërkombëtare, por është edhe i tillë që nuk lejon që një procedurë birësimi që kërkon kalimin e 695 datë 19.03.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit” specifikon se: Shtetasi shqiptar, që ka dhe një shtetësi tjetër të huaj dhe banon në mënyrë të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë, në rast birësimi të një fëmije shqiptar, duhet të përmbushë kërkesat përkatëse ligjore të birësimit të vendbanimit të përhershëm. Neni 27 Ligjit Nr. 9695 datë 19.03.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit” parashikon se: Për birësimet ndërvendase, që do të shpallen në Republikën e Shqipërisë, Këshilli Drejtues i Komitetit verifikon:

  1. a) vlefshmërinë e dokumentacionit të aplikantëve birësues;
  2. b) miratimin nga organi kompetent i huaj i përshtatshmërisë së aplikantëve birësues;
  3. c) dokumentacionin e plotë dhe të saktë të aplikantëve;
  4. ç) përputhjen e parimeve të legjislacionit shqiptar me atë të shtetit të birësuesit;
  5. d) bashkëpunimin me autoritetet e vendit pritës që birësimi të mos dështojë dhe fëmija të autorizohet të hyjë për të banuar përgjithmonë në shtetin pritës.

Në referencë të të gjithë legjislacionit shqiptar përfshirë edhe aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti ynë, ligjvënësi i jep përparësi fillimisht çështjes së birësimit vendas nga ana e çifteve shqiptare që banojnë në Republikën e Shqipërisë dhe vetëm kur birësimi vendas i fëmijëve dështon, atëherë lejohet birësimi ndërvendas.

Është e vërtetë që ka prindër që birësojnë edhe fëmijë me probleme shëndetësore?

Është shumë e vërtetë, madje kjo është edhe një ndër pikat kryesore të suksesit në punën e Komitetit Shqiptar të Birësimeve. Gjatë tre viteve të fundit pa lënë mënjanë edhe këtë vit ka pasur disa birësime të suksesshme për disa fëmijë me sindromën Dawn, të dy fëmijëve me virusin e Hiv-AIDS të disa fëmijëve me prapambetje të thellë institucionale, të fëmijëve me probleme fizike ose me probleme të tjera të rënda shëndetësore, të cilët falë punës së KSHB-së janë arritur të birësohen dhe ecuria e tyre tashmë është në një stad mjaft të mirë duke qenë se familjet birësuese japin maksimumin njësoj sikur të ishin familjet biologjike. Madje dua të përgëzoj punën e bërë nga agjencia ndërmjetësuese amerikane “Bethany Christian Service” dhe “Nightlight Christian Adoptions” në këtë drejtim, të cilët janë faktorët kryesorë në gjetjen e familjeve amerikane për të birësuar fëmijët me nevoja speciale.

Si është e mundur që prindërit biologjikë, në një pjesë të rasteve, i braktisin për këto arsye, ndërsa shtetasit e huaj kërkojnë të bëhen prindërit e tyre?

Kjo ndodh, sepse mundësitë e çifteve shqiptare për të garantuar mirërritje dhe edukim të fëmijëve me nevoja speciale është më e vogël krahasimisht me mundësitë që disponojnë shtetasit e huaj në vendet e tyre.

Sa i kushton birësimi një familjeje shqiptare? Pse për çiftet europiane apo përtej këtij kontinenti kjo tarifë është më e shtrenjtë?

Birësimi për një familje shqiptare kur flasim për birësimin brenda vendit ka një kosto shumë simbolike dhe në përfundim të procesit birësuesit derdhin 20 mijë lekë pranë llogarisë së KSHB në buxhetin e shtetit. Shtetasit jashtë kontinentit europian në përfundim të procesit të birësimit në Shqipëri derdhin 1000 dollarë pranë llogarisë së KSHB në buxhetin e shtetit. Shtetasit brenda kontinentit europian në përfundim të procesit të birësimit në Shqipëri derdhin 700 euro pranë llogarisë së KSHB në buxhetin e shtetit. Po të shikoni shifra që paguajnë shtetasit europianë dhe shtetasit jashtë kontinentit të Europës është pak a shumë e njëjtë për sa u përket detyrimeve që kanë në shtetin shqiptar. Megjithatë, lidhur me detyrimet që shtetasit e huaj kanë me shtetet e tyre për të filluar një procedurë birësimi, natyrisht që ka shumë diferencë, sepse procedura e tyre ka pagesa mjaft të larta në ato shtete.

Sa kohë duhet të presësh për ta bërë një fëmijë tëndin?

Kjo është një pyetje që asnjëherë nuk ka një përgjigje të prerë lidhur me afatet. Që të birësosh fëmijë është e rëndësishme që të ketë fëmijë të deklaruar të braktisur, të gatshëm për t’u birësuar.

Pra, koha lidhet detyrimisht me ekzistencën e rasteve për birësim. Para disa vitesh çiftet e huaja prisnin rreth 3 vjet si një afat minimal, ndërsa tashmë afati mesatar i pritjes zgjat rreth 2 vjet, por ka të bëjë shumë me faktin e pasjes së fëmijëve të deklaruar të braktisur dhe në asnjë rast nuk mund të bëjmë parashikime sesa fëmijë do të braktisen pas një dite, një muaji apo pas një viti. Natyrisht që një faktor tjetër që ndikon lidhet ngushtësisht edhe me kërkesat e çifteve, sepse sa më të hapur të jenë çiftet në kërkesat e tyre duke pranuar fëmijët pa vendosur kushte aq më e vogël është edhe koha e tyre e pritjes. Por, duhet të kuptohet që detyra e Komitetit Shqiptar të Birësimit është mbrojtja e interesit të fëmijëve përmes procesit të birësimit dhe jo mbrojtja e interesave të çifteve.

Çfarë pretendimesh paraqesin çiftet shqiptare, qoftë brenda apo edhe jashtë vendit, kur kërkojnë të birësojnë një fëmijë?

Ashtu siç e theksova edhe më sipër, qëllimi i birësimit dhe i vetë punës së KSHB-së është të gjejë familje për fëmijët e deklaruar të braktisur dhe jo fëmijë për familjet. Çështja e pretendimeve të çifteve asnjëherë nuk gjen vend në këtë koncept, por ama gjithsesi, kriteret që çiftet vendosin zakonisht janë kritere të cilat i përcakton vetë autoriteti përkatës që përcjell aplikimin për rastet e birësimeve ndërvendase. Shqiptarët zakonisht kanë kërkesa që lidhen me moshën dhe gjininë e fëmijëve dhe shpeshherë edhe me komunitetin që i përkasin, por këshillimi që bëhet nga institucioni ynë është që të eliminohen kërkesat specifike.

Ja kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët për birësim

  1. Kёrkesё për motivin e birësimit
  2. Aktin që provohet që aplikantët janë të përshtatshëm për të birësuar fëmijë, i cili realizohet nga autoriteti qendror apo organi kompetent në vendin ku fillon procedura.
  3. Të dhëna mbi gjendjen civile.
  4. Raport mjekësor dhe historia mjekësore familjare
  5. Analizat e HIV-AIDS dhe Hepatitit B.
  6. Vërtetim i gjendjes gjyqësore,
  7. Vërtetime të punësimit dhe të të ardhurave.                                     
  8. Vërtetim i gjendjes ekonomike dhe sociale.
  9. Raporti psiko–social i realizuar nga autoriteti i shtetit pritës që konfirmon situatën e aplikantëve.
  10. Raportimi i kushteve të banimit i shoqëruar me fotografitë përkatëse

Abuzimet, si është përmirësuar kuadri ligjor në vite?

“Filtrimi i këtij procesi në disa institucione vendase edhe të huaja nuk lejojnë mundësinë për bërjen e gabimeve”

Në vendet ku ka pasur situata konfliktesh apo dalje nga një sistem në një sistem tjetër gjithnjë është shfrytëzuar mundësia nga të huajt për të përfituar nga mungesa e legjislacionit në fushën e birësimit. Po marr si shembull vitin 2010, në Haiti pas tërmetit erdhën dëme të mëdha dhe shumë viktima në njerëz dhe për rrjedhojë dhe shumë fëmijë të ngelur pa familje. Situata pas tërmetit u karakterizua nga një numër i madh çiftesh të huaja që shkuan pikërisht në këtë shtet për të përfituar nga mundësia për të birësuar fëmijë duke krijuar praktika jopozitive në këtë drejtim. Pas viteve ‘90 edhe në Shqipëri pati një fluks kërkesash për birësimin e të miturve shqiptarë nga shtetas të huaj, të cilët u drejtoheshin drejtpërsëdrejti gjykatave shqiptare.  Filloi në masë pranimi nga gjykatat tona i birësimit ndërvendas deri në këtë kohë të ndaluara. Për këtë përdorej si bazë ligjore Ligji. 3920 dt 21.11.1964 “Për gëzimin e të drejtave civile nga të huajt dhe zbatimin e ligjit të huaj” dhe nenet e Kodit të Familjes të vitit 1982. Kjo solli si pasojë mjaft praktika jo shumë të mbështetura në ligj nga ana e gjykatave dhe avokatëve, të cilët vendosnin pranimin e këtyre birësimeve. Në këto kushte, me dekretin nr.146 datë 13.3.1992 “Mbi ndërprerjen dhe birësimin e të miturve shqiptarë nga shtetas të huaj” të Presidentit të Republikës u vendos ndërprerja e birësimeve të të miturve shqiptarë nga shtetas të huaj deri në një rregullim ligjor të këtij problemi. Pas vitit ‘90, Instituti i Birësimeve vazhdoi të rregullohej nga Kodi i Familjes i vitit 1982. Por, më pas në shkurt të vitit 1992, Shqipëria ratifikoi Konventën e OKB” Për të drejtat e fëmijës”, e cila hyri në fuqi në mars të vitit 1992. Në bazë të kësaj konvente u hartua Ligji nr. 7650 “Për birësimin e të miturve nga shtetas të huaj, si dhe për disa ndryshime në Kodin e Familjes”, i cili u miratua nga Kuvendi me 17.12.1992. Më pas pati edhe mjaft rregullime ligjore të tjera që sot kanë krijuar bazën më të mirë ligjore që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në kuadrin e legjislacionit të birësimeve dhe paralelisht filtrimin e këtij procesi në disa institucione vendase edhe të huaja që nuk lejojnë mundësinë e abuzimit dhe paralelisht të bërjes së gabimeve.

Shpresa Mezini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights