Kënga jote është flamur

Nga New Yorku
RAMAZAN ÇEKA

Në New York 1 Dhjetori shpallet “Dita e Gëzim Nikës”

Koncert me rastin e 35-vjetorit të rrugës artistike të këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”.
I ftuar me rastin e 105-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në New York pata kënaqësinë dhe nderin që mora pjesë në disa evenimente që për mua do të mbesin të pashlyera në jetën time.
Unë pata fatin t’i përjetoj këto ditë festive mes komunitetit shqiptaro-amerikan, pasi udhëtova për në New York edhe me një detyrë të vështirë, me përgatitjen e libreteve, të cilët u realizuan me aq pasion e profesionalizëm dhe që më bënë krenar, ashtu siç ndjehet krenar një autor që ia ka arritur qëllimit.


Mora pjesë në spektaklin festiv, me rastin e 105-Vjetorit të Shpallje së Pavarësisë së Shqipërisë, të organizuar nga Shoqata Atdhetare “Dibra” dhe në një show “Kënga jote është flamur”, me rastin e 35-vjetorit të karrierës artistike të këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”.
Në këtë koncert festiv, këngëtari i shquar Gëzim Nika korri një sukses të jashtëzakonshëm i shoqëruar nga orkestra famoze e drejtuar nga kompozitori i shquar Shpëtim Saraçi “Mjeshtër i Madh”, ku notat që kishte orkestruar për këngët e Gëzimit u shoqëruan gjatë gjithë kohës me duartrokitje të fuqishme, duke i kënduar me gjithë publikun në sallë.
Nuk dua të zgjatem me angazhimin tim që pata në Amerikë, por në këtë shkrim do të ndalem tek mbrëmja madhështore që kishte organizuar “Mjeshtri i Madh”, këngëtari Gëzim Nika, djali tropojan që, ashtu siç është i pashëm dhe vital, solli në këtë natë me zërin e tij të këndshëm, me repertorin e tij, jehonën e bjeshkëve shqiptare, madhështinë e Shkëlzenit, gurgullimën e kristaltë të Valbonës dhe krenarinë ahqiptare, duke u bërë kështu një emblemë dhe një frymëzim për gjithë Komunitetin Shqiptar në Amerikë.
Ky koncert madhështor u zhvillua në “Royal Regency Hotel” në Yonkers New York.
Këto fjalë me të cilat fillova të shkruaj këtë artikull në gazetë janë pak për të përshkruar emocionet që ndjeva kur e përjetova këtë show, aq më shumë kur pashë të vihej në skenë me suskses libreti i përgatitur, e që ndoshta më vjen mirë ta them pa modesti dhe të ndjehem krenar, sepse atë e kam shkruar unë.
Nuk është e vështirë, por nuk është as e lehtë që brenda përmasave të një spektakli të përshkruhet karriera 35-vjeçare e një mjeshtri të tillë si Gëzim Nika. Ai ka me dhjetra e pse jo edhe me qindra këngë të interpretuara me sukses që në hapat e tij të parë, kur një djalë i vogël e simpatik, i bukur e kaçurrel përformonte me zërin e tij, në skenat modeste të vendlindjes së tij në Tropojë.
Janë të afërmit e tij, janë mësuesit, janë figura të njohura të këngës si “Mjeshtri i Madh” Kolë Susaj, por mbi të gjitha është vëllai i tij Gjon Nika, që bëhen promotorët, që ky djalë kaq i talentuar të shkelë me guxim shtigjet e këngës së bukur malësore, të përcillte jehonën e bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës, për të ardhur më vonë në formimin dhe kultivimin e tij si një këngëtar i madh.
Janë të paharruara dhe mbresëlënëse shpërthimet e këtij zëri të mrekullueshëm në festivale kombëtare, deri në ata më prestigjozët, siç ishte Festivali Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, ku jehona e këngës dhe pasurive të tjera tradicionale e folklorike vinin nga gjithë Shqipëria.
Ai këndon krah për krah me të madhen Fatime Sokoli, me të mrekullueshmen Fatmira Breçani “Mjeshtre e Madhe”, ai këndon në sofrat tropojane përkrah mjeshtrave virtuozë të sharkisë dhe çiftelisë, por ai këndon dhe vallzon edhe me të famshmin grup të valleve tropojane.
Gëzim Nika së bashku me grupet muzikore, të shquara në Tropojë dhe Shqipëri, sjell për herë të parë një risi të jashtëzakonshme. Me zërin e tij tingëllues përjetëson krijimtarinë e pavdekshme të rilindasit të madh Naim Frashëri, duke sjellë që në atë kohë mesazhin e dashurisë për Atdheun, e dashurisë së madhe për nënën e vendlindjen.
Po në këto vlera është edhe kënga “Liridona” që lind natyrshëm dhe me zemër si një jehonë e largët nga eposi shqiptar dhe si një mbështetje për përpjekjet titanike të gjysmës së kombit shqiptar përtej kufirit, nën sundimin dhe raprezaljet serbe.
Ishte e domosdoshme ta bëja këtë hyrje, në këtë shkrim, sepse, si i thonë fjalës “Fillimi i mbarë, gjysma e punës”. Por në të vërtetë për Gëzimin kjo nuk ishte gjysma e punës, por vetëm fillimi i mirë, pasi do të kalojnë deri në këtë koncert 35 vjet, që tregojnë se Gëzim Nika është rritur nga dita në ditë e nga viti në vit, duke krijuar identitetin e tij, stilin e tij dhe vlerat e tij. Në rrjedhën e këtyre viteve, repertori i tij vjen duke u pasuruar, sepse bashkëpunimet me mjeshtrat e mëdhenj të muzikës nuk kanë rreshtur asnjëherë. Këtu mund të përmendim “Mjeshtrin e Madh” Edmond Zhulali, Skënder Doshlani e të tjerë.
Për këto vlera 35-vjeçare u organizua edhe ky spektakël i jashtëzakonshëm dhe unë nuk do të ndalem në programin dhe detajet e tij, por në disa nga momentet kryesore që besoj se për të gjithë pjesëmarrësit dhe publikun do të mbesin të paharrueshme.
Nën tingujt e këngës së famshme, hit në pasurinë e folklorit shqiptar “N’Dardani bjen një tupan”, shoqëruar nga grupi i valltarëve “Rozafati”, Gëzim Nika, si një zot shtëpie, që ka të ftuar shokë, miq e dashamirë, ftoi në skenë vëllezërit e tij Gjon dhe Ndue Nika. Gjonit si vëlla i madh i atribuoi të gjitha meritat që një djalë i ri ka nevojë për ta përkrahur, duke treguar kështu se në traditën shqiptare vëllezërit janë gjithmonë pranë njëri-tjetrit, ndihmojnë njëri-tjetrin e duke u dhënë mesazhin se shqiptarët kudo që janë, të jenë të bashkuar njëri me tjetrin, si këta vëllezër të mrekullueshëm.
Këtë mesazh ata më së miri e shpalosën para publikut me një repertor këngësh që e interpretuan së bashku, të ndjekur me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit që kishin ardhur në këtë sofër shqiptare.
Programi më pas vazhdoi sipas përgatitjes që ishte bërë nga drejtuesit e tij, ku duhet të përmendim udhëheqësin artistik “Mjeshtrin e Madh” Shpëtim Saraçi.
U ngjitën në skenë të mirëpritur me respekt e duartrokitje artistët tanë të mrekullueshëm, një pjesë prej të cilëve kanë kapërcyer Oqeanin për të ardhur këtu, si: Gjon Nika dhe Ndue Nika, Gjon Melushi, Mjeshtri i fizarmonikës Raif Hyseni, këngëtarët e mirë njohur Merita Halili, Vera Oruçi, Sunaj Saraçi, Kino Garo, Vedat Ademi, Albërie Hadërgjonaj, Mira Konçi, Jesicca Raja, Agim Gerbeshi, Bukurie Funici, Nikoleta Vokrri, Artur Matia, Layla Lukaj dhe “Mjeshtri i Madh” Gëzim Nika, të shoqëruar nga orkestra e mrekullueshme “Kastrati” me drejtues maestro Dritan Papa.
Mes tyre edhe miq, shokë të tij shumë të ngushtë, ardhur enkas nga përtej oqeanit, si Agron Xhauri nga Londra, i cili kishte ardhur enkas për të nderuar Gëzim Nikën, apo edhe dy miqt e tjerë Ndrek Tonaj e Kujtim Funici.
Këtu duhet të evidentoj një surprizë që miqt e Gëzimit kishin përgatitur për të. Këngëtarja e madhe nga Kosova Albërije Hadërgjonaj, e cila me zërin e saj të mrekullueshëm, bashkë me kompozitorin e shquar Shpëtim Saraçi “Mjeshtër i Madh” dhe me tekstin tim interpretoi këngën me titull “Kënga jote është flamur” që atë natë ishte një ndër dhuratat më të bukura për Gëzimin.
Me aftësitë e saj të mrekullueshme, që në fillim të spektaklit, moderatorja Kozeta Turishta, vajza e bukur shkodrane, u bë ura e lidhjes mes skenës dhe të të gjithë spektatorëve aq dashamirës për atë mrekulli që ishte përgatitur me rastin e kësaj ngjarjeje që do të mbesë gjatë në kujtimet e tyre.
Këngëtari Gëzim Nika nuk është i vetëm me sukseset e tij. Ashtu siç përmendëm më parë vëllain e tij të madh, duhet të përmendim me shumë nderim e respekt edhe bashkëshorten e tij Angjelina Nika “Mjeshtre e Madhe”, një artiste e talentuar që edhe këtu në komunitetin shqiptar në Amerikë jep një kontribut të madh, jo vetëm si një mësuese e devotshme për fëmijët shqiptarë, por edhe si një koreografe që me përkushtim ka krijuar edhe grupin e valleve “Rozafati”, duke nxjerrë breza të tërë valltarësh të talentuar.
Një kënaqësi e veçantë ishte interpretimi me shumë talent i vajzes së filantropistit Richard Lukes, artistja e re e shkollës së muzikës amerikane Layla Lukaj. Në këtë koncert urimin më të bukur e kishte rezervuar si suprizë edhe ajo që qëndron pas Gëzim Nikës, dashurisë, familjes dhe aktivitetit të tij 35-vjeçar, bashkëshortja Angjelina Nika, e cila erdhi në këtë mbrëmje me Grupin i Valleve “Rozafati”, nga Qendra Kulturore “Nëna Tereze” e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ku djemt dhe vajzat e talentuara të këtij grupi, sollën një valle të bukur nga Tropoja. Interpretimi i këtij grupi elektrizoi sallën dhe meritoi admirimin e madh për këtë artiste dhe për fëmijët e mrekullueshëm valltarë. Minutat dhe orët që kalonin kishin fiksuar çdo masë kohe, pasi kënaqësia që ndjehej tek të pranishmit nuk kishte lidhje me to. Ngjiteshin në skenë dhe interpretonin njëri pas tjetrit këngëtarët e mrekullueshëm e bashkë me ta bashkohej zëri i gjithë shqiptarëve. Herë pas here i zoti i shtëpisë Gëzim Nika, jo si një këngëtar, por si pjesë e të pranishmëve, i ftonte ata të ngrinin një dolli për familjet e tyre, për mbarëvajtjen dhe sukseset në jetën e përditshme, për lumturinë e fëmijëve e mbi të gjitha, siç u shpreh ai “Ja ndjefshim zanin e mirë Shqipnis’ tonë”.
Pas një karriere të gjatë, me një repertor shumë të pasur dhe natyrisht edhe të njohur për të gjithë, “Mjeshtri i Madh” Gëzim Nika, nuk kishte si mos ta mbyllte atë mbrëmje pa disa këngë të zgjedhura dhe të interpretuara me shumë sukses, të menduar si një surprizë për të gjithë të pranishmit në një sofër të bukur shqiptare, që bashkoi gjithë komunitetin. Gëzim Nika “Mjeshtër Madh” është nderuar me këtë titull të lartë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, por ndër vite ai mban edhe shumë vlerësime e çmime të tjera. Për këtë mjeshtër të madh, për këtë këngëtar të mrekullueshëm nuk kanë munguar kurrë vlerësimet dhe mirënjohjet anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe këtu në Amerikë ku jeton dhe punon prej vitesh. Gëzim Nika mori mirënjohje nga institucione të ndryshme, nga bashkëatdhetarët, por mbi të gjitha ai mori dhe do të marrë gjithmonë jo vetëm mirënjohjen e të pranishmëve në këtë mbrëmje, por të të gjithë shqiptarëve.
“Misionar i Kombit”, ky ishte titulli i lartë që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar me President z.Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh” dhe Drejtor Artistik z.Minella Kureta “Mjeshtër i Madh” i akordoi këtij këngëtari të madh për kontributin e tij të shquar, jo vetëm si këngëtar, por edhe si një misionar që përçon mes kombeve të tjera vlerat tona kombëtare. Unë pata nderin që në këtë sallë kaq shqiptare dhe madhështore t’ja dorëzoja këtë titull, në emër të “Unionit” këtij mjeshtri të madh, këtij misionari të madh.
“Globi i qelqtë me hartën e botës” iu akordua Gëzim Nikës nga “Voice of America – VOA”, të cilën ia dorëzoi bashkëkombasi ynë i nderuar, njëkohësisht drejtor në këtë institucion Dr. Elez Biberaj, i cili mes shumë duartrokitjesh tha: “Është nder dhe pervilegj të jem së bashku me ju bashkëkombasit e mi, në këtë koncert jubilar, i cili më kthen edhe një herë 30 vjet më parë, në kohën kur ne “takoheshim edhe pa u takuar”, tha në dorëzimin e kupës, duke kujtuar një sigël të këngës së këngëtarit Gëzim Nika.
Kënga e tij në atë kohë “Shqipëri o nëna ime” e cila vinte si një mesazh ku pavarësisht vështirësive me të cilat ballafaqoheshin shqiptarët, aty ishte shpirti dhe shpresa e tyre të cilat nuk vdesin kurrë!”
Në këtë 35-vjetor nuk munguan vlerësime dhe tituj të tjerë edhe nga politikanët amerikanë, si z.Mark Gjonaj, apo David Tubiolo.
Gëzim Nikën, në këtë 35 vjetor, më një Proklamat nga Asambleja e New Yorkut, e nderoi edhe ish asambleisti Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të Bashkisë së qytetit të New Yorkut.
Legislator David Tubiolo, lexoi duke i dorëzuar Proklamatën e Shtetit të New Yorkut, me të cilën ky ligjistativ e shpalli 1 Dhjetorin si “Ditën e Gëzim Nikës”, në nderim të 35-vjetorit të karrjerës së tij artistike. Senatori i Shtetit të Nju-Jorkut, Marti Golden, e nderoi gjithashtu më një tjetër titull mirënjohje për punën e tij të palodhur dhe trashëgiminë e vlerave muzikore brez pas brezi.
Televizioni ACTV Michigan me president z.Ndue Ftoni dhe drejtor z.Eduart Aliko, e nderoi këngëtarin Gëzim Nika me një Çertifikatë “Mirënjohje”.
Në këtë festë të madhe qershia mbi tortë ishte familja Nika, bashkëshortja e Gëzimit Angjelina Nika, e cila mban gjithashtu titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe”. Gjithashtu fëmijët e Gëzimit gëzuan me krenari për babain e tyre, dy vajzat Eliverta, Daniela dhe djali Jason, të cilët janë të sukseshëm në rrugët që ata kanë ndjekur.
Në emër të familjes së këngëtarit, vajza e Gëzimit Daniela bëri një falenderim për të gjithë shqiptarët, diasporën dhe për të gjithë institucionet dhe personalitetet e shquara që vlerësuan Gëzimin, si një mjeshtër të madh, vlerat e të cilit, tha ajo, nuk do të mbesin asnjëherë të shkruara në letër, por do të jenë gjithmonë një realitet, sepse e tillë është puna e palodhur e këtij ambasadori të këngës shqiptare. Mbrëmbja e madhe e 35-vjetorit të karrierës artistike të këtij këngëtari të madh, u ndoq me një video screen, ku artistë, kompozitorë, këngëtarë dhe personalitete e veprimtar të dalluar të komunitetit, përcollën përshëndetje dhe urime për këtë jubile artistik të këngëtarit virtuoz Gëzim Nika. Stafi i realizimit të kësaj mbrëmje të mrekullueshme kishte pjestarë po kaq të mrekullueshëm, ku natyrisht u printe bashkëshortja e Gëzimit, Angjelina që në krah kishte këngëtaren e famshme Albërije Hadërgjonaj së bashku me atdhetarin dhe veprimtarin e njohur Anton Raja, që ishte, ashtu siç e kanë traditë shqiptarët, edhe kumbara i Gëzimit.
Interesimi i medias radiotelevizive dhe të shkruar ishte i jashtëzakonshëm, sepse edhe ata vetë ishin shqiptarë dhe natyrisht, do ta pasqyronin këtë eveniment kaq të rëndësishëm të artistëve tanë në Amerikë. Kështu unë në këtë shkrim falenderoj gazetarin Adem Balliu, drejtor i televizionit “Kultura Shqiptare”, që kishte një reputacion dhe shikueshmëri shumë të gjërë në të gjithë Amerikën, por edhe jashtë saj dhe ashtu siç unë mësova kur u njoha me këtë veprimtari, një meritë e madhe, natyrisht ishte puna e palodhur dhe profesionale e stafit me në krye z.Adem Belliu.
Televizioni prestigjioz “21” i Kosovës kishte dërguar stafin e vet për të regjistruar dhe publikuar në ekranin e tij këtë eveniment kaq të rëndësishëm dhe unë ndjeva kënaqësi kur në kamerat e instaluara në sallë pashë edhe logon “TV 21”
Falenderim të veçantë meritojnë edhe gazetarët z.Beqir Sina i gazetës “Bota Sot”, z.Dalip Greca i gazetës “Dielli”, si dhe znj. Afërdita Delaj e revistës “Votra”. Gjatë spektaklit në sallë ishin instaluar dhe shumë kamera televizive të mediave vendore, por edhe të ardhura nga trojet shqiptare, të cilat me shumë profesionalizëm pasqyruan këtë eveniment kaq madhështor dhe unë nuk kam se si të mos nënvizoj këtu predispuzicionin e një djali të mrekullueshëm, të rritur që në vogli me shpirtin e artistit, të një intelektuali pukjan që ka shumë vlera në organizime të tilla, sepse e ka në gen, pasi është djali i rapsodit të madh Frrok Haxhia.
Ky ishte Dritani, fotografi dhe publicisti i talentuar, prej vitesh banor në New York, por gjithmonë një shqiptar shumë i njohur dhe me vlera në këtë vend, por edhe në atdheun e tij.
Ky spektakël, kjo festë e mrekullueshme do të mbetet si një eveniment, i cili për mendimin tim, një ditë duhet të organizohet edhe në Shqipëri, jo vetëm për Gëzimin, por edhe për shumë artistë të mëdhenj, që askush të mos mendojë se harrohen, sepse ata janë ambasadorët tanë më të mirë, janë zëri ynë, janë përçuesit e vlerave tona kombëtare dhe jo më kot me aftësitë e tyre meritojnë titullin “Mjeshtër i Madh”.

Të këndoftë zemra “Mjeshtri i Madh” Gëzim Nika!

Dhjetor 2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights