Revista “Votra Magazine” ju sjell intervistën interesante me fotografen Rozafa Shpuza, 25 vjet fotografe.
1.Çfarë ju frymëzoi për herë të parë që të merrnit një kamera dhe të bënit foto?
Babai im bënte foto shumë të mira dhe nga ai e kam marrë frymëzimin. Njëkohësisht, vlen të përmendet fakti se unë kam lindur në Shkodër, aty ku Marubi ka krijuar një traditë të përkryer fotografimi, prandaj e them me mburrje se dashurinë për fotografinë e kam ndër deje.
2.A mund të përshkruani përvojën tuaj si keni arritur nga një fotografe fillestare deri këtu ku keni arritur tani?
Kam gati 25 vjet që merrem me fotografi dhe vetëm pasioni, puna e pandërprerë , kureshtja, dëshira për të arritur diku, ekspozitat e shumta që kam hapur më kanë bërë kjo që jam sot.
3.Cilin zhanër apo stil fotografie pëlqeni ju, ku jeni specializuar/ dhe pse?
Më pëlqen fotografia e rrugës, sepse te aty marr emocionet e diçkaje reale që ndodh në çast, të cilën arrin ta fokusojë vetëm syri i një artisti.
4.Si i gjeni subjektet unike dhe interesante për të bërë fotografi?
Është një ndjesi e brendshme që më drejton nga subjekti unik.
5.A mund të na jepni ndonjë këshillë për të pikasur kompozime tërheqëse në fotot tuaja?
Kur syri, shpirti dhe gishti që shkrep aparatin fotografik gjejnë harmoninë e përkryer, atëherë fotografia ka vlerë.
6.Çfarë aparatesh përdorni dhe çfarë rekomandoni për fotografët fillestarë?
Unë përdor Canon dhe këtë ua sugjeroj edhe fillestarëve.
7.Si i qaseni ndriçimit në fotografinë tuaj, natyral dhe artificial?
Përdor vetën ndriçim natyral. Loja me dritën asht magjia e fotografisë.
8.A mund të na e përshkruani procesin tuaj të punës për përpunimin dhe redaktimin e fotove tuaja?
Merrem krejt pak me photoshopin, vetëm sa për të drejtuar horizontin, ndonjë prerje apo editim kontrasti. Më pëlqen origjinaliteti.
9.Cila është fotografia juaj e preferuar, që keni bërë, dhe cila është historia pas saj?
Në 25 vjet kam bërë kaq shumë fotografi, kështu që mendoj se është mëkat të ndaj njërën, por mund të them se kam marrë shumë çmime të konkurse ndërkombëtare të fotografisë dhe ndihem e lumtur për këtë.
10.Si vazhdoni të mbeteni e frymëzuar dhe e motivuar për të bërë foto edhe kur përballeni me bllokime krijuese?
Pasioni nuk ka formula fikse, thjesht ndjen diçka dhe e shkrepë aparatin. Mua vazhdon të më mbarë pezull pasioni për fotografinë, prandaj ndihem e përkëdhelur nga fati. Jo kushdo mundet ta dojë kaq shumë fotografinë.
11.A mund të na përshkruani qasjen tuaj ndaj kapjes së momenteve spontane në krahasim me ato të pozicionuara?
Unë rend gjithmonë drejt spontanitetit, se ato janë foto që më japin emocion. Mendoj se fotografi duhet të bëjë ato lloj fotosh ku ndihet më i realizuar dhe merr më shumë emocion, kësisoj unë kam shkrepur portrete të personazheve, të cilët as e dinë që po fotografohen dhe emocioni në këtë çast është unik.
12.Me çfarë sfidash jeni përballur si fotografe dhe si i keni kapërcyer ato?
Unë e kam hobi fotografinë dhe e ushtroj në kohë të lirë, kështu që nuk kam pasur ndonjë sfidë për t’u përmendur, sepse bëj foto për qejf e jo për të nxjerrë fitime.
13.Si i ndërtoni marrëdhëniet dhe raportin me subjektet e fotove tuaja?
Bëhem mike me ta, me qëllim që ato të çlirohen nga emocionet.
14.A mund të ndani ndonjë përvojë që keni kaluar kur ju është dashur për të fotografuar në kushte sfiduese ose të papritura?
Kam fotografuar në mal, në det, në shi, në borë, në erë…, pra kam shkuar atje ku ka pasur emocion më të madh. Në fund të fundit, fotografi i mirë rend drejt të pamundurës për ta fokusuar atë me aparatin e tij dhe ky është misioni i tij fisnik.
15.Cili është vendi ose mjedisi juaj i preferuar për të bërë foto dhe pse?
Në rrugë ku ka njerëz të thjeshtë që nuk pozojnë.
16.Si i qaseni përfshirjes së elementëve të tregimit në fotografinë tuaj?
E drejtoj aparatin nga personazhet që më thonë diçka me vështrimet apo mimikat e tyre. Ato rrëfejnë një histori në heshtje dhe unë atë çast dua të ndal me aparatin tim.
17.Cili është momenti më me humor që ju ka ndodhur ndonjëherë gjatë një seance fotografike?
Të rend për të fiksuar një personazh dhe në fund të kuptoj se nuk e kam hapur kapakun e aparatit.
18.Çfarë roli luan teoria e ngjyrave në fotografinë tuaj dhe si e përdorni atë për të përmirësuar imazhet tuaja?
Zakonisht bëj foto bardhezi dhe më pëlqen loja e të bardhës me të zezën dhe grinë.
19.Si i qaseni kompozimit dhe kornizimit për të krijuar imazhe me ndikim vizual?
Në përgjithësi më pëlqen spontaniteti. Nuk di të them se kam një plan në kokë kur shkrep një fotografi.
20.A mund të ndani me ne ndonjë përvojë bashkëpunimi me fotografë tjerë ose artistë?
Pjesëmarrja në ekspozita të përbashkëta apo konkurse ndërkombëtare fotografie më ka bërë të njihem dhe të bashkëpunoj me shumë artistë të fotografisë, sidomos nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Italia, por i ndjek artistët në rrjetet sociale dhe lumturohem kur shoh fotografi të bukura.
21.Si i qaseni fotografimit të njerëzve dhe cilat teknika përdorni për të kapur shprehje autentike?
Fotografia e rrugës më ka bërë që të jem e kujdesshme dhe e shpejtë në shkrepjen e fotografive të personazheve. Jo kushdo ndihet mirë kur i drejton një aparat fotografik. Kam gjithmonë ndjesinë që të marr pozitiven nga një personazh që fotografoj.
22.Mund të përshkruani përvojën tuaj me fotografinë peizazhore dhe cilat këshilla keni për të kapur peizazhe mbresëlënëse?
Nuk jam fotografe e peizazhit, por nuk mund të rri pa shkrepur aparatin kur shoh një mrekulli të natyrës para syve. Më shumë merrem me detajin se me të tërën dhe kjo më ka bërë që këndvështrimi im për peizazhin të jetë paksa ndryshe.
23.Çfarë roli luan eksperimentimi në fotografinë tuaj dhe si i shtyni kufijtë tuaj krijues?
Gjithmonë jam në kërkim të gjendjeve të ndryshme në fotografi, por akoma nuk kam një strategji të qartë për të bërë një eksperiment apo për të shpikur diçka që të tjerët s’e kanë bërë më parë.
24.Si i qaseni ndërtimit të një portofoli koheziv që tregon stilin dhe vizionin tuaj unik?
Kam krijuar një tip portofoli që titullohet DROMCA, me dëshirën për të prezantuar punën time, por nuk jam sistematike në përditësimin e tij. Artisti është rebel dhe unë miklohem nga ky konstatim, sa për t’i dhënë vetes një arsye se pse nuk merrem më shumë me dokumentimin e fotove të mia.
25.Cili është projekti juaj i preferuar fotografik me të cilin keni punuar dhe çfarë e bëri të veçantë?
Hapja e galerisë ODA në shtëpinë e vjetër të prindërve në Shkodër për mua është projekti më i preferuar, sepse aty kam mundësinë të pres artistë nga e gjithë bota që vijnë për të hapur ekspozitat e tyre. ODA më ka bërë të njihem dhe të marr emocione pa fund nga artistë të fotografisë, njëkohësisht të shoh se ku qëndron fotografia ime në lidhje me ta.
26.Cila është këshilla juaj e preferuar fotografike ose truku që keni mësuar gjatë viteve?
Të krijoni një stil tuajin personal në fotografim.
27.Si i qaseni fotografimit të ushqimit ose krijimeve kulinare?
Nuk bëj foto të tilla. Nuk më tërheqin.
28.Mund të ndani ndonjë përvojë të përdorimit të fotografisë për të eksploruar temat e identitetit, kulturës ose përkatësisë?
Ekspozita ime e parë ka qenë me dyer të vjetra të Shkodrës. Një ekspozitë unike që nxiti interesin e shumë artdashësve. Më pëlqen të fotografoj të vjetrën, atë që po zhduket, të fotografoj vlerat, veshjet popullore, rrugët, çatitë, dritaret, zejet, gjithçka unike të këtij qyteti të lashtë.
29. A mund të na jepni ndonjë këshillë për fotografët e rinj?
Ta duan fotografinë dhe ta ushtrojnë atë pareshtur.