Sot në një intervistë me zonjën Vlera Lekaj, mjeke. Me zonjën Lekaj jemi njohur përmes shkrimeve dhe intervistave për shëndetin e pacientit.
Prezantimi dhe qasja e një pacienti në sistemin shëndetësor shqiptar
“Votra”: Zonja Lekaj, përshëndetje!
Sot jemi me ju për një intervistë më të detajuar për mënyrat e organizimit të sistemit shëndetësor në mënyrë që t’iu vijmë në ndihmë shqiptarëve kur atyre iu duhet ta marrin shërbimin shëndetësor në Shqipëri. Si funksion shërbimi shëndetësor?
Vlera Lekaj: Prej vitesh tashmë sistemi shëndetësor shqiptar ofron një shërbim të kualifikuar, i cili mbështet dhe suporton pacientët sipas nevojave të tyre shëndetësore. Për shkak të popullsisë së madhe dhe rritjes së konsiderueshme të pacientëve me sëmundje kronike, sistemi shëndetësor po përballet aktualisht me një nga sfidat më të mëdha të menaxhimit të këtij fluksi pacientësh, sidomos në kryeqendrën e Shqipërisë, e cila ka dhe numrin më të madh të banorëve, Tiranën.
“Votra”: Kush qëndron në thelb të mbarëvajtjes së shërbimit shëndetësor për pacientët?
Vlera Lekaj: Sigurisht që puna e palodhur e mjekëve të familjes qëndron dhe në thelb të mbarëvajtjes së këtij procesi zinxhir, i cili si hallkë të parë ka pikërisht vizitën shëndetësore pranë mjekut të familjes.
“Votra”: Si mund të ndjekë procesin një shqiptar, që jeton prej vitesh jashtë Shqipërie, por që mund të sëmuret kur vjen në atdhe?
Vlera Lekaj: Interes të lartë përbën ky proces veçanërisht dhe për shqiptarët e diasporës, të cilët, pavarësisht se jetojnë jashtë shtetit, një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të jenë të regjistruar në qendrat shëndetësore përkatëse, sigurisht të orientuar sipas adresës së banesave të mëparshme në Shqipëri.
“Votra”: Si duhet të orientohet pacienti për të bërë vizitë te mjeku i familjes, apo patologu?
Vlera Lekaj: Siç e përmenda dhe më lart gjithçka nis nga adresa e shtëpisë. Pra, veprimi i parë, që një pacient duhet të bëjë, është të identifikojë qendrën shëndetësore, të cilës i përket sipas adresës së vendbanimit, ku secila rrugë është e lidhur me qendrën shëndetësore përkatëse. Vlen për t’u përmendur fakti që një qendre shëndetësore i përkasin disa rrugë, pra janë një grup i caktuar lagjesh me banorët e saj, shërbimin shëndetësor të të cilëve e mbulon një poliklinikë e caktuar.
Nëse nuk arrini të identifikoni qendrën tuaj shëndetësore, mund të orientoheni sipas familjarëve të tjerë, pra zakonisht familjet tentojnë të regjistrohen tek e njëjta poliklinikë dhe tek i njëjti mjek familje ose mundësia tjetër është që të merrni kartën tuaj të identitetit shqiptare ose pasaportën tuaj shqiptare dhe të drejtoheni në çfarëdo qendre shëndetësore, ku një nga mjekët mund të verifikojë në sistemin e tij kompjuterik sipas nr. të ID-së tuaj, qendrën shëndetësore ku jeni i regjistruar dhe mjekun tuaj të familjes.
Ekziston dhe një mundësi e tretë, e cila, në fakt, është dhe mënyra më e thjeshtë dhe më praktike për ato që janë të regjistruar tek platforma E-Albania, ku nëpërmjet nr. të ID së tyre shqiptare tek shërbimet që ofron kjo platformë, mund të gjejnë dhe mjekun e tyre të familjes.
Pas identifikimit të qendrës shëndetësore, mund të drejtoheni tek adresa e saj dhe tek recepsioni të pyesni për mjekun tuaj të familjes, emri i të cilit, gjithashtu, shfaqet nëse përdorni ID tuaj për ta gjetur.
“Votra”: Në çfarë oraresh është e hapur qendra shëndetësore?
Vlera Lekaj: Sigurisht që duhet të jeni në dijeni të faktit që mjekët e familjes punojnë me dy turne dhe për t’u vizituar nga mjeku juaj duhet të paraqiteni në turnin e tij sipas orarit përkatës.
Nëse situata juaj shëndetësore paraqitet urgjente, atëherë mund të telefononi urgjencën shqiptare nr. i të cilës është 127, ose të drejtoheni pranë një qendre shëndetësore të afërt për të marrë shërbim mjekësor nga një mjek i cili është në atë moment në turn dhe i cili mund t’iu drejtojë më tej në institucione të tjera shëndetësore sipas rastit.
E rëndësishme është të jeni të qetë dhe të shmangni konfuzionin. Çdo pacient ka të drejtë të marrë shërbim shëndetësor urgjence dhe sigurisht që sistemi shëndetësor paraqitet i organizuar dhe i përgatitur për të përballuar këto situata.
Nëse keni nevojë për një vizitë rutine, ose për një Check up shëndetësor atëherë siç u përmend më lart duhet të drejtoheni tek mjeku i juaj i familjes në turnin e tij.
Mjeku juaj ka në patronazh kartelën tuaj mjekësore, me të dhënat e juaja shëndetësore, pra historikun tuaj shëndetësor, dhe mund ta pyesni dhe ti shprehni shqetësimet tuaja shëndetësore duke qenë se është personi i cili njeh mirë profilin tuaj shëndetësor.
Çdo qendër shëndetësore ndër të tjera ofron shërbim laboratorik, me analizat përkatëse të gjakut, imazherik dhe disa specialitete përkatëse. Por ndër më të rëndësishmit është shërbimi i check up, i cili iu ofrohet të gjithë pacientëve mbi 35 vjeç, për të pasur një panoramë të përgjithshme të gjendjes së tyre shëndetësore.
“Votra”: Si veprohet në një rast të identifikimit të një problemi shëndetësor?
Vlera Lekaj: Në rast të identifikimit të një problemi shëndetësor, i cili kërkon një vizitë më të specializuar, është mjeku i familjes, i cili iu orienton më tej se ku duhet të drejtoheni, pranë një poliklinike specialitetesh dhe iu pajis, gjithashtu, me dokumentacionin përkatës. Nëse ju duhet të merrni një shërbim të mëtejshëm spitalor, përveç urgjencës, çdo rast tjetër iu drejton dhe iu rekomandon mjeku specialist, i cili iu pajis dhe me dokumentacionin përkatës, pra specialisti është hallka e dytë pas mjekut të familjes ndërsa spitali është hallka e tretë. Në këtë rast theksoj që e njëjta procedurë dhe të njëjtat hallka duhet të ndiqen dhe në rast se shfaqet nevoja e marrjes së një medikamenti me rimbursim pas identifikimit me një sëmundje kronike. Gjithashtu, është e rëndësishme të dihet që nëse nuk jeni të regjistruar në mjek familjeje, atëherë mund të merrni vetëm shërbim shëndetësor urgjence, për çdo veprim tjetër duhet të regjistroheni tek qendra shëndetësore përkatëse që ju takon sipas vendbanimit tuaj. Nëse nuk keni një vendbanim në Shqipëri dhe nuk keni kartë identiteti apo pasaportë shqiptare përsëri shërbimi i vetëm qe iu ofrohet është ai urgjencës.
Përveç kësaj pranë qendrave shëndetësore ofrohen dhe shërbime të tjera, të cilat kanë të bëjnë me vizitat mjekësore që duhet të kryhen për rinovimin e lejes së drejtimit, për të përcaktuar aftësinë për kujdestari familjarësh, pacientët kronikë, të cilët marrin dhe recetat e rimbursueshme e shumë të tjera të cilat mund ti diskutoni me mjekun tuaj të familjes.
Sistemi shëndetësor është i rëndësishëm të jetë efikas dhe i organizuar në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin e duhur, por një rëndësi të madhe merr dhe informimi për të dhënë orientimin e duhur, i cili kursen kohë dhe njëkohësisht iu qartëson radhën e veprimeve për të mos krijuar lodhje dhe konfuzion të panevojshëm.