Në periudhën e luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), regjimi i Millosheviqit përdori metodat dhe format më të vrazhda që njehë historia për të shpërngulur popullsinë autoktone shqiptare nga kjo trevë e Shqipërisë Natyrale. Si rezultat kemi vrasjen e mbi 12 mijë civilëve, ku hynë gra, fëmijë e pleq, përveç mijë qytetarëve të tjerë të plagosur. Dëmet materiale janë të pallogaritshme. Por, radhës së këtyre torturave çnjerëzore iu bashkangjitet edhe fenomeni i dhunimit të grave, që fatkeqësisht në Kosovë ka qenë në një numër të madh. Kështu, nga hulumtimet e bëra del të jenë dhunuar afërsisht 20 mijë gra.
Fenomeni i dhunimit, nuk është i panjohur nga historia. Në shumë vende të botës, në periudha të luftës ka pasur dhunime të grave, që kanë prekur thellë ndërgjegjen e të gjithëve. Në Kosovë ky fenomen ka qenë dhe vazhdon të jetë ende më i dhimbshëm se në vendet e tjera, parasëgjithash se në vendet e civilizuara për shkak të disa faktorëve qenësorë që do të provojmë t’i parashtrojmë në këtë punim nga aspekti socio-historik.
- Së pari, tragjedia e dhunimit të grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) nuk ka përfunduar ende, ngase këto gra, të cilave iu ra barra më e rëndë për të paguar lirinë e Kosovës, ende edhe pas 16 viteve të përfundimit të luftës nuk e gëzojnë statusin e tyre, si kategori e prekur nga lufta, që edhe ato të marrin si kompensim të ardhura, së paku për të mbijetuar.
- Së dyti, gratë e kësaj kategorie, jo vetëm që nuk gëzojnë ende përkujdesje institucionale por, për më tepër, ato nuk mund të shprehen lirshëm, për tmerrin që e kanë përjetuar, si rezultat i shoqërisë së mbyllur dhe patriarkale, ku fatkeqësisht edhe fenomenin e dhunimit e fusin tek kategoria e moralit, që ska të bëjë me të. Kjo është e dhimbshme, por e vërtetë, ngase nga turpi dhe që të “mos korisin” familjen apo fisin e tyre, shumë gra i ndrydhin përjetimet e tyre duke u mbyllur në vetvete.
- Së treti, ngasa u tha më lartë del që kategoria e grave të dhunuara në Kosovë, është më e nëpërkëmbura, edhe pse fatkeqësisht përjetoi edhe dhunën fizike, edhe atë shpirtërore apo psikologjike Dhuna fizike ( akti i dhunimit ), tentohet të fshihet për arsyet e sipërthëna, ndërsa dhuna shpitërore apo ajo psikologjike e cila që nga akti e deri më sot i përcjell në çdo moment, nuk vlerësohet si dhembje, por thjeshtë injorohet, duke dashur kështu që të harrohet si fatkeqësi, që ka ndodh për arsyet e “moralit”.
- Së katërti, indiferenca e shoqërisë, si në aspektin institucional edhe në atë shoqëror, ndikon tej mase që gratë e dhunuara, jo vetëm të mos pajtohen me fatin e tyre të hidhur dhe të harrojnë një përjetim të dhimshëm, por të ngulisin edhe më thellë në mendjen dhe shpirtin e tyre këtë ndjenjë, pra ndenjën e trishtimit dhe përjashtimit. Ne si shoqëri, nëse e vazhdojmë këtë çasje ndaj tyre, vazhdojmë që këto viktime t’i “dhunojmë” në vazhdimësi, mëkat që nuk mund ta shlyejmë lehtë dhe shpejt. Pra, gratë e dhunuara në Kosovë, janë viktimizuar nga pushtuesi, dhe fatkeqësisht vazhdojnë të jenë viktima të mendësisë sonë patriarkale e mesjetare.
- Së pesti, si rezultat i gjendjes së mjerueshme të tyre, si në aspektin material, edhe në atë shpirtëror, gjykojmë që në mënyrë institucionale, duhet sa më parë t’iu njihet e drejta e kategorizimit të tyre si një grup shoqëror i dal nga lufta. Si hap i dytë, duhet të organizohen nga institucionet shtetërore dhe shoqëria civile, konferenca, tryeza, sesione, trajnime etj, në mënyrë të vetëdijësimit të shoqërisë për ta pranuar këtë kategori në gjirinë e saj. Duhet përshëndetur ndonjë nisiativë e psikologëve dhe psikoterapeutëve për të dhënë shërbime falas për gratë e dhunuara, duke ua ruajtur privatësinë e tyre, që do të ishte e mirëseardhur.
- Së gjashti, nëse merren këto masa, sa më shpejt që të jetë e mundur, atëherë ato do të ndikojnë ngadalë por në mënyrë të sigurtë, që këto gra, jo vetëm të shlyejnë përjetimet e tyre, por edhe të bëhen pjesë e shoqërisë aktive. Fundja, kur meshkujt e burgosur, për t’i çnjerëzuar i kanë dhunuar (numri i të cilëve nuk dihet, ngase fshihen si rezultat i mendësisë), megjithatë ata shihen me një sy të dhimshurisë dhe për më tepër përmendet akti si nj lloj sakrifice që kanë bërë për liri, pse duhet mohuar sakrifica e femrave. Pse ato duhet të përjashtohen nga shoqëria dhe të përceptohen si të pamoralshme dhe akti i tyre të quhet i tillë!
Fare në fund, mund të shtojmë që gratë e dhunuara të Kosovës gjatë luftës (1998-1999), janë nënat e bijëve dhe bijave tona, janë gratë e dikujt, motrat e dikujt, andaj duhen parë me dhembshuri dhe dashuri, në vend që të gjykohen e përçmohen. Si mund të ecë një shoqëri përpara, kur në gjirin e saj ka një kategori të shoqërisë që vuan pa fajin e vet, vuan për sakrificën që ka bërë në të kaluarën dhe paragjykimet e përjashtimet në të tashmen.
PhD: Skender Lutfiu
Autori është Hulumtues i pavarur shkencor për shek.XX në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë dhe kandidat për doktoratur në Universitetin e Prishtinës.