75-vjeçarja rrëfen mbi jetën e saj dhe lumturinë që i falin nipërit dhe mbesat
E rritur jetime, pa dashurinë e nënës dhe mes shumë vuajtjeve, por zemrën e ka të mbushur plot më dashuri. Sfidat e jetës nuk e kanë penguar që gjithë dashurinë e munguar t’ua dhurojë pa kushte nipërve dhe mbesave. Në zonën ku ajo banon njihet si “gruaja që i do fëmijët”. Nazmie Sula, gjyshja 75-vjeçare rrëfen për revistën “Votra” jetën e saj dhe gjënë më të bukur të jetës, nipin Aleks. Jeta e saj nuk ka qenë e lehtë. Nëna nga Korça, por që jeton prej vitesh në Tiranë është rritur jetime, pasi e ëma e ka lënë vetëm 7 vjeçe. Të rritesh në “dyert e botës” dhe pa dashurinë e prindërve nuk është aspak e lehtë.”Unë jetoj me djalin e vogël, Dritanin. Ai ka tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Mbesës së madhe i kam vënë emrin tim, Naze. Mbesa tjetër quhet Adelajda, ndërsa nipi Aleks”, tregon gjyshja.
“Unë nuk e kam njohur gjyshen, ka vdekur e re, ndërsa dashurinë e nënës nuk e gëzova dot. Jam rritur jetime, jam rritur nëpër dyert e botës, te daja, te tezja, te halla. Më ka lënë nëna të vogël, 7 vjeçe. Para se të vdiste i ka thënë tezes ‘më ki kujdes vajzën’, sepse vetëm mua më kishte, nuk pati fëmijë tjetër. Tezja më ka rritur, ajo ishte nënë për mua.”
“Të qash hallet e mia, nuk mjafton një dimër dhe një behar”, rrëfen 75-vjeçarja, por shpirti i saj sot është i mbushur plot dashuri, ka nipër e mbesa që i falin lumturi në çdo moment. Pa ta, jeta e saj do të ishte bosh dhe e pakuptimtë. Lidhjen më të fortë, gjyshja e ka me nipin 3-vjeçar, Aleksin, të cilin e çon dhe e merr çdo ditë nga kopshti. Edhe pse e pafuqishme fizikisht, nipit kurrë nuk ia prish qejfin. Që herët në mëngjes, e merr në kurriz dhe niset drejt kopshtit. Të gjithë habiten, si një 75-vjeçare e sëmurë bën një sakrificë kaq të madhe, por për gjyshen, nipi është forca që e mban gjallë në këtë jetë.
“Ai më do shumë. Nuk pranon të shkojë me asnjë tjetër në kopsht. Të mos më çojë mami dhe motrat në kopsht, por të më dërgosh ti nëna. ‘Ti do vish edhe të më marrësh’, më thotë. Çdo ditë e marr në kurriz dhe e çoj dhe po unë shkoj dhe e marr. Sa herë ka qarë nipi, kam qarë edhe unë më të. Prisja pas derës së kopshtit ose çerdhes dhe pastaj ikja duke qarë për në shtëpi. Edhe këta që kam këtu, unë i kam rritur. Dje m’u sëmur vajza e djalit. Si duket ishte mërzitur, pasi i kishte folur mësuesja dhe nuk pranonte të shkonte në shkollë. Gjente arsye të ndryshme për të mos ikur. Më dhemb barku, qante, ulërinte dhe fillova edhe unë të qaja. Nuk duroja dot, më therte shpirti për të. Shkova e vizitova, i mora ilaçet, por nuk i pagova lekët, sepse nuk kisha. Më pas ajo iku në shkollë. Më duan të gjithë. Për nipërit dhe mbesat unë jam shumë e dashur, jap shpirtin për ta. I kam mbajtur, i kam rritur i kam bërë burra. Jo vetëm fëmijët e djalit, por edhe të vajzës. Sa të kem shpirtin unë do t’i ndihmoj këta fëmijë. Nuk do doja gjë tjetër nga Zoti, vetëm të kisha dhe të rritesha me dashurinë e nënës ose të gjyshes “, na tregon e moshuara.
75-vjeçarja ka pastruar për 35 vite rrugët e Tiranës, në diell, në pluhur, në shi dhe në acar. Sipas të moshuarës, kjo ka ndikuar që ajo të sëmuret dhe për pasojë sot të ecë e kërrusur. Mes lotëve, ajo rrëfen se ka qenë e detyruar që të shesë edhe gjak për të ushqyer fëmijët.
“Shkoja këmbëzbathur në mes të të ftohtit, vetëm me një palë shapka. Çizmet na i jepnin, por i shisnim për t’u blerë bukë fëmijëve. Kam shitur gjakun për 17 vjet për të ushqyer fëmijët. Isha e vetme, fëmijët donin të hanin, nuk kisha çfarë të bëja. Burrin e kisha të sëmurë, 15 vjet i paralizuar”.
Vuajtjet dhe sakrificat nuk marrin fund këtu për nënën e shkretë. Ajo pohon se merr vetëm 15 mijë lekë të reja pension në muaj, i cili mezi i del për të marrë ilaçet e saj dhe jo më për të blerë edhe ushqime. Mirëpo, ajo çdo ditë e ruan një 50 lekësh për t’i blerë diçka nipit të saj . Sipas saj, gjendja e tyre ekonomike është kaq e vështirë, saqë herë pas here nipërit i qajnë për bukë.
“Marr 150 mijë lekë pension. Pensioni, më shumë më ikën ilaçe, ku dalin për të ngrënë. Djalin e kam pa punë. Më çfarë të jetosh, me çfarë të hash. Më shumë pa bukë sesa me bukë. Qajnë fëmijët e djalit për bukë. ‘Nënë më jep pak bukë’, por me çfarë t’ia jap nëna e shkretë? Ia lyej pak bukën me kripë dhe e ha Aleksi (nipi).” Kopshti është pa drekë dhe ne nuk kemi çfarë t’i japim me vete. Të paktën kur e kisha në çerdhe e flija mendjen që djali do hajë, por tani çfarë t’i bëj unë atij? Vjen në shtëpi në drekë dhe më kërkon bukë, ku ta gjej unë? Pa ngrënë e çoj shpesh në kopsht. Djali gëzon kur bëjmë pak gjellë. Është i vogël, sheh të tjerët që hanë dhe ai rri shikon.
Nuk është jetë kjo”, shprehet gjyshja 75-vjeçare.
Ilda Hoxha