Zgjohu Ulqin! Me zemër përpara të mbrojmë të ardhmen!

E përcjell me interes të veçantë fushatën zgjedhore në Ulqin, në vendlindjen time të shenjtë. Mundohem në çdo mënyrë ta vë veten në mesin e votuesit shqiptar duke e shikuar dhe analizuar prej këndvështrimeve  të ndryshme. Nuk është e lehtë sepse edhe unë ashtu si shumë nga gjenerata të kohës time, emigruam për shkaqe të ndryshme duke marrë  rrugët e botës për një jetë më të mirë dhe për t’u larguar nga një sistem totalitar që vetëm ngjallte jo barazi dhe pasiguri për popullin e veçanërisht për ne, shqiptarët që me shekuj jetojmë në këto treva stërgjyshore.

Për një periudhe të gjatë ky sistem vazhdoi me avazin e tij të vjetër duke ushqyer urinë e tyre që e kishin strategji të përsosur se si ti pastronin këto treva nga trashëgimtarët  e tyre shekullorë.

Më vonë, pas lëvizjeve kombëtare në Kosovë ndodhi edhe ajo që unë bashkë me shqiptaret e atyre trevave as që e paramendonim se sistemi e kishte bërë punën e tij duke u fikur shpresën për barazi dhe siguri të gjithë shqiptarëve autoktonë.

Në Kosovë vizionaret e kohës nuk e lejuan sistemin që t’ua shuajnë  shpresën dhe aspiratat e rilindësve tanë. Këta të rinj dhe te reja të asaj kohe ndezën zjarrin, shkëndijat e të cilit i zgjuan nga gjumi shqiptaret  në Plavë- Guci, Malësi dhe Ulqin me rrethina.

 

Ishte kjo një periudhë që premtonte shumë për shqiptarët. Ata që u kyçën në politikën a asaj kohe u konsoliduan si faktor i fortë politik, si një trup i vetëm dhe i unifikuar . Edhe armiku e shihte shumë qartë këtë qendrim stoik dhe të vendosur, të papritur dhe  tëparashikuar nga aparati shtetëror serb, se nuk ishte pjesë e strategjisë që ata po aplikonin kundrejt shqiptarëve.

Megjithëse kjo periudhë e shkurtër premtonte shumë, shqiptaret përfituan shumë pak. Politika Malazeze më në krye Krajl Gjukanin, shumë shpejt e kuptoi se vetëm duke u “premtuar” shqiptarëve do të arrinte qëllimet e tija, kështu me premtime dhe gjithnjë me ndihmën e shqiptarëve vazhdoj dhe mbijetoj sfida të mëdha deri te pavarësia nga Serbia.

Gjate dy dekadave të fundit Krajl Gjukani vazhdoi duke e përsosur edhe më tutje strategjitë e tij për shkatërrimin dhe grimcimin  e faktorit politik shqiptar, dhe kështu edhe një herë të shuaj shpresën e popullit për një jetë të barabartë me ndihmën tash të “partnereve satelit” të tij politike.

Amerika dhe Unioni Europian duke shikuar interesin regjional dhe atë global po investonin në këtë “Project shtet” dhe inkurajonin investime të huaja duke e fuqizuar edhe më shumë kralevinën malaziase dhe i mundësoi që të krijojë një pasuri të marramendëse për të dhe të afërmit e tijë duke investuar për interesat personale në lami të ndryshme të shoqërisë.

Këto investime të ndërkombëtarëve u ndanë me strategjinë e tyre të vjetër duke mos investuar në trevat me popullsi shqiptare, por përkundrazi, në shumë raste duke i shkatërruar edhe ato gjë që ekonomikisht i siguronin ekzistencën popullit nga këto treva.

Për shqiptarët si investim ekonomik, ai pra Krajl Gjukani implementoi strategji të veçantë për tregun tonë “parti politike shqiptare me bollëk” një strategji që sot ka sjellë në pozitë shumë të palakmueshme votën dhe votuesin shqiptar.

Duke u arsyetuar në gjendjen e keqe ekonomike liderat politikë shqiptare pa një vizion largpamës ranë në grackat e kësaj strategjie dhe e humben plotësisht fuqinë e tyre politike duke bërë garë në mes veti se kush më shpejte do të ja ofroj votën shqiptare partisë në pushtet.

Kjo strategji nga pushteti malazias dhe mungesa e një vizioni kombëtar nga partitë shqiptare për një të ardhme më të mirë për votuesin shqiptare por duke u përqendruar vetëm se si te qëndrojnë ne pushtet dhe afër Krajl Gjukanit, e ka shtyre një pjesë të mirë të shqiptarëve që votën e tyre për përfitime shume të vogla ashtu si liderët shqiptare ta çojnë drejtpërdrejt te partia ne pushtet.

E unë si shqiptar I kësaj treve më të drejt votimi duke shikuar rrjedhat e cekura me lart nuk kam se si të votoj dhe kah të orientohem në këtë amulli të kurdisur.

Duke qenë I sigurt se për partin në pushtet nuk jamë banor i barabartë, atë e dëshmojnë me shekuj megjithëse edhe përkundër faktit se në partin e tyre i kane disa “shqiptare” që sytë ua ka verbuar pasuria dhe uria për pushtet i bënë të mohojnë  edhe gjakun e tyre.

Është edhe me e rrezikshme kur ata apelojnë për përkrahje politike për partinë në pushtet. Me këtë përkrahje ne vazhdojmë t’ju mundësojmë atyre që ne të zhbëhemi si shqiptar. Ne si komb kemi një histori të vrazhdë  ne këtë aspekt, andaj unë, kurrë nuk do të bëhem pjesë që të ndihmojë në asnjë mënyrë asimilimin e vëllezërve të mi por përkundrazi, apeloj të ata që ti hapin sytë  dhe të gjejnë rrugën që  kanë  humbur.

Si të votoj për parti shqiptare deri sa ato bëjnë fushatë kaq të përçarë pa asnjë strategji largpamëse për të mirën e popullit.  Si te dhuroj votën unë,  kur kam dyshime se vetëm do ta çojnë votën  aty ku edhe me parë pa kurrfarë kushte të mirëfillta po vazhdojnë t’ua sigurojnë ekzistencën atyre qe votën time do ta keqpërdorin ne vazhdimësi.

Megjithëse bëjnë fushata si kinse parti nacionaliste, në fakt vazhdojnë të përkrahin një qeveri që vazhdon të asimilojë dhe të shpërngulë shqiptaret nga trevat e tyre me çdo kusht.

Unë si bir i këtyre trevave dhe bashkëvendas i juaji ne mërgim nuk mendoj se kërkoj shumë nga ju që populli ju dhuron besimin të na përfaqësoni.

Nuk kërkojmë të na shëroni plagën shekullore dhe të na bashkoni me shtetin amë, e di që nuk keni mundësi edhe po deshët. ( ketë e presim nga shteti amë}

Nuk presim nga ju as të hapni pika kufitare që do të zhvillojë ekonominë dhe të përmirësoni gjendjen e shumicës që jetojnë  rreth këtyre pikave, e di që nuk keni mundësi edhe po deshët.

Nuk kërkojmë nga ju as që të filloni procesin që Ulqini t’i kthehet Shqipërisë sipas marrëveshjes 100 vjeçare, e di që nuk keni mundësi edhe po deshët.

Përdoreni këtë besim jo vetëm për përfitime personale dhe partiake.

Kërkojmë të respektoni votën dhe besimin e dhënë! Të na përfaqësoni me dinjitet duke mos lejuar me çdo kusht që të nënçmohen të drejtat elementare të një populli autokton duke i mbrojtur ato me kushtetutë dhe ligje ndërkombëtare.

Sikur ju të dilnit në fushatë me moton: “Zgjohu Ulqin! Me Zemër Përpara Të Mbrojmë të Ardhmen!”, sa lehtë do t’ua kisha dhanë votën.

 

Ismet Kurti

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*