Xhubleta në Malësinë e Madhe

Nëpërmjet formës, përmbajtjes e lashtësisë së veshjes malësore në Malësinë e Madhe, mësojmë se fuqia krijuese kombëtare, ndër shekuj u shpreh fuqishëm edhe nëpërmjet punës së dorës, siç është edhe produkti final i përpunimit të leshit, thurja me shtiza, në vajanicë e vegë të xhubletës së Malësisë, si motiv i brendshëm duke dëshmuar ruajtjen e pastërtisë autentike iliro-shqiptare edhe nëpërmjet veshjes:

”…Xhubleta e Malësisë sipas studiuesve të mirëfilltë të etnologjisë, e paraqet një ndër veshjet më të vjetra të Europës, si mbetje e një qytetërimi të lashtë mesdhetar e ruajtur me shekuj në mënyrë besnike dhe autentike në traditën e veshjes popullore shqiptare.”(Ekskluzive, nr.24 prill 2002. Etnologji, Flamur Doli: ”Veshja kombëtare shqiptare në studimet e Franc Nopces”, faqe 106”).

– Një veshje me zanafillë të lashtë është xhubleta që është mbajtur në Malësinë e Madhe…Kështu ka ardhur dhe dalmatika, një këmishë e gjatë që në të njëjtën formë e prerje është ruajtur edhe ndër shqiptarë. (Mark Tirta, Etnologjia e Shqiptarëve,Tiranë, GEER, 2003, faqe 102).

Në lidhje me xhubletën e Malësisë, Igbale Kalaja, në Seminarin e Dytë Ndërkombëtar i mbajtur në Shkodër më 22-23 qershor 1995, në temën ”Galeri kostumesh pasuri ndjenjash (Vështrim me syrin e piktorit mbi veshjen e Zadrimës, Bregut të Bunës, Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit)”, ndër të tjera shkruan: “Përgjithësisht, veshja është më e gëzueshme si ngjyrë, sesa ajo e dy malësive (ku mbizotëron e zeza). Siç duket, kjo i përshtatet karakterit më burrëror të malësorëve dhe të natyrës relieve dhe të ashpër të maleve të larta, duke i bërë ato më solemne në këtë veshje…. Sapo e shikon xhubletën e Malësisë së Madhe, ajo të tërheq me madhështinë solemne të saj. Me të drejtë, studiuesja Andromaqi Gjergji, në një shkrim të saj e quan xhubletën: ”…fund të krekosur e të valëzuar”. Sa hijerëndë, burrërore, stoike dhe e fortë si malet, të duket gruaja nën këtë veshje.” (Shkodra në shekuj, vëllimi II, Shkodër, 1999, faqe 405-406).

Malësori nuk është përpjekur ta fshehë bukurinë e femrës, përkundrazi ka dashur që nëpërmjet   saj të shprehë vlerat fizike, sigurisht brenda normave të kohës.

Në këto çaste duhet të kujtojmë se historia e kësaj veshjeje e ka zanafillën në veshjen ilire (shkruan në librin MALËSIA E MADHE NDËR SHEKUJ, të autorit Sokol P. Lulgjuraj).

Aleksandër Stipceviç në librin ILIRËT – Historia, Jeta, Kultura, Simbolet e Kultit shkruan: Gratë ilire vishnin një tip fustani që ishte i prerë në brez, kështu që pjesa e sipërme ishte e pëlqyer për trupin, ndërsa pjesa e poshtme ishte e rrudhur dhe kishte formën e kumbonës. Këtë formë rrobash e mbajnë hyjneshat lokale (Diana, nimfat) në monumentet nga epoka romake, si dhe gratë valltare, të paraqitura në urnat japode nga Ribiqi (V-IV para e. re.). Me rrobë të këtilla ishte veshur hyjnesha Diana, që është paraqitur në monedhat e mbretit ilir, Ballaeus (shek. II para e. re.). Mendohet se kjo formë e rrobave ilire është ruajtur deri sot te shqiptarët në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë (te pjesëtarët e fisit Kelmend).

XHUBLETA

Kjo veshje paraqet nje trashëgimi kulturore të mbijetuar në kulturën materiale prej Ilirëve te shqiptarët.

Është një veshje e punuar nga shajaku (zhguni) në katër liq, e zbukuruar me fije spiku të zi e me një formë kambane, e valëzuar, sidomos pjesa e prapme e saj. Me gjatësinë, deri nën gju, ashtu e valëzuar dhe me pjesët e tjera të veshjes deri te koka me rubën(shaminë) e mëndafshit (mnashit) me krahoca të vendosur lirshëm, trupi i malësores, merr formën e një maje bjeshke të valëzuar dhe ashtu me kromatiken e saj natyrale aq bukur ngjishet për truallin malësor, duke krijuar kështu një qëndrim sa madhor, aq edhe krenar.

Veshja e xhubletës ka këtë strukturë morfologjike:

  • Në kokë ”ruba leshi”. Blihet në tregun e Shkodrës dhe e quajnë ”rubë me thekë”. Sipër saj vihet ”ruba rretit”. Kjo punohet me pe rroxet (pe për qepje) me gjypnere (grepa), zakonisht me motive floreale – lule të ndryshme që rriten në truallin e Malësisë. Flokët në pjesën e përparme të kokës shkurtohen, gjersa prapa lëshohen lirshëm. Ruba lidhej në gjysmë të kokës.
  • Në trup vishet këmisha e punuar nga pëlhura, të cilën tanimë e blejnë në treg, në Shkodër ose Podgoricë. Ndërkaq, qepjen e bëjnë vetë malësorët. Për një këmishë nevojiten 2.m. pëlhurë. Këmisha përbëhet nga: trupi, makat, qafeta, pasgrushtat, shpina, parmzat (pjesa e përparme).
  • Gryka e këmishës  është punuar me dorë. Dekorimi i saj është bërë me pe e gjilpërë, duke e zbukuruar me rruaza. Ishte me dy ngjyra: e bardhë dhe e kuqe, me gjatësi deri në shoke. Fundi i saj nuk zbukurohej, pasi nuk dukej nga xhubleta.
  • Kraholi  punohet nga ”coha” ngjyrash të ndryshme si: ngjyre fice (e kaltër), e kuqe,  bojë hoxhë (e gjelbër). Kraholi ka mëngë të gjata dhe grykë pak sa të hapur. Në grykë ka ”qafetën e kraholit”, e cila është e punuar me rruaza të vogla, rruaza të gjata Tirane. Zbukurimet punohen me grep. Përbëhet prej ”makave,grykës, qafetave, pasgrushtave, parmzës dhe shpindes”. Ka një gjatësi gjer në bel. Copa për punimin e kraholit blihet në Shkodër ose Podgoricë. Edhe kraholinë qepin gratë malësore.
  • Mallota e galme është nje sako me material ”veleduni” (kadifeje). Përbëhet nga shpina, dy parmzat, makat, pasgrushtat, xhepat, qafeta dhe brezi i gjatë që lidhet në vend rripi e që ka një gjerësi rreth 2 gishtërinj dhe është i së njëjtës ngjyrë me malloten. Materiali i kësaj pjese, gjithashtu blihet në tregun e Shkodrës ose të Podgoricës. Punohet nga vetë gratë.
  • Grykca është e materialit ”veledun” (kadife) dhe ka edhe ”shtrojën”. Në pjesën e përparme, mu në mes grykca ka një pjesë të zbukuruar që quhet ”pafti i grykcës”, i punuar nga ”serma” (argjendi) e blerë në Shkodër. Pafti është pjesë dekorative, sfondi i të cilit mbushet me motive floreale,’’n’lula,n’grepa”,ndërkaq borduret e tij përmbyllen me motive ”n’veshe” dhe pjesa e fundme e paftit me ”qej”. Perimetri i kësaj pjese përafërsisht ka dimensione 40x40cm, me një grykë të hapur ovale që zbret gjer te gjysma e grykcës. Është pjesë e veshjes që punohet nga vetë gratë.
  • Postava (përparësja – pështjellaku i parë), e gjerë rreth 20 cm. dhe e gjatë 80 deri 100 cm. E ndarë në 5 pjesë nga materiali i ”cohës”, kurse pjesa e ”shtrojës” e punuar nga ”tirku”. ‘Tirku” punohet nga peri i leshit: në tymen, i përzier, i tjerrë në bosht e i thurur në‘’vek”, pastaj i shkalur në ”vajanicë” (shkaltore), në Tamarë në Shqipëri.
  • Pafti i pështjellakut është nga ”serma” (argjendi). Blihet në tregje zejtare: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, si dhe në Shkodër. Sfondi i paftit është i ndarë në tri pjesë të barabarta vertikale, që përfundojnë si lart, ashtu dhe poshtë me një motiv te quajtur ”qejte”, që është një formë e dhëmbëzuar – vijë zigzage, e cila në pjesën e ngjitur me sfondin e përmbyll formën e trekëndëshave. Në pjesën e poshtme, aty ku përfundon sfondi dhe pa filluar ”qejt”,është i punuar një motiv dekorativ në formë të një meandri, që zë pozitë horizontale dhe quhet ”leqe”. Secila pjesë e paftit është e zbukuruar me ”rruaza t’galme t’Shkodrës”, duke krijuar motive lulesh nga ambienti i vetë Malësisë, si ”kampule”, p.sh‘.
  • ‘Fundi” i pshtjellakut punohet nga coha. Edhe kjo pjesë është punuar nga vetë gratë.
  • Vishet në pjesën e përparme mbi xhubletë. Në brez ”viercat e peshtjellakut”, prej argjendi, janë varur nga brezi së bashku me disa zbukurime të tjera që i quajnë ”t’lshuemet e vargjeve”.
  • Xhubleta është punuar nga leshi i deleve, nga fijet e ”tymnit” dhe ”init”, të cilat lenuren,
  • tirren në bosht, thuren në formë pëlhurë në katër liq në avlemend, shkalen me shkaltore, priten dhe qepen. Të gjitha këto punë i bën gruaja malësore. Ky material quhet ”tirk”. ”Xhubleta” e punuar nga tirku zbukurohet me fije spiku të zi. ”Spiku” punohet prej ”leshit të zgjatur” (tymnit). Bashka në fillim lahet, pastaj shprishet me dorë, ndahet ‘’tymni, lenuret me gerhane e tirret” i hollë me ”bosht”,”n’furkë”. Pastaj ”dredhet” po ashtu ”n’bosht” dhe bëhet 16 fish, duke u dredhë të gjitha fijet së bashku, për t’u bërë gati për qepje me gjilpërë. Dredhja e spikut është bërë në veglën adekuate ku punohet. Ky quhet ”koshi i spikut” dhe ka ”8 kalema” ku është i mbështjellë peri. Xhubleta përbëhet nga ”ivat”, që nga ana e përfundme kanë ‘’tirk, spiku, rruazat, coha e terrtili”. Xhubleta përbëhet nga gjithsej 31 pjesë ”iva” dhe ”spiku”. Fundi i xhubletës punohet nga leshi i ngjyrës së bardhë, prej katër liqsh, që quhet me emrin ”t’pramte e xhubletës”.
  • Iva e xhubletës zbukurohet me rruaza të zeza të Tiranës, më të gjata e të vogla, në motive floreale,”n’lula”. ”Iva e xhubletës me terrtil e rruaza – e përzier”. Ka pasur edhe ”laxhuhere” -xixa.
  • Kliti i xhubletës është punuar prej tirkut e spikut. Ndërkaq, ”krahët” dhe ”krahcat e xhubletës” janë punuar nga leshi – tirku. ”Prehni i xhubletës”, po ashtu. Në fund ”greshmet”, të punuara nga peri i leshit me ngjyrë ”fice” (të kaltër). ”Shokëzat”, në vend rripi.
  • Çorapet punoheshin nga coha dhe tirku, por ka edhe spik. Meqë kanë nje trashësi të dukshme dhe paraqesin vështirësi në të mbathur, është bërë prerja për së gjati, që mbërthimi i tyre deri te shputa të bëhet me kamca. Çorapet zbukurohen me rruaza Tirane dhe terrtil (fije teli).
  • Këputa është punuar me pe leshi me shtiza dhe përbëhet prej dy pjesëve, thembrës dhe këputës.
  • Opakët (opingat) punoheshin nga lëkura e ‘gjedhit’ dhe thureshin me ”përcageza” (nga lëkura e dhisë, dridheshin si peri në bosht). Kishte edhe opinga nga ”saftjani”, por pjesën e fundme e kishin lëkurë lope, si dhe opinga ”gogisht”.
  • Vajzat vishnin xhubletë me ”spik t’zi e rena t’bardha”. Rubat më parë i mbanin ngjyrë kafe e më vonë të bardhë. Çorapet deri në kyç të këmbëve të zeza,e lart të bardha. Mbathnin ”opinga lope” të bëra me ”përqageza” (dredha lëkure) me ”vajç”.
  • Vajza e fejuar në Malësi, xhubletës ia qep nje ”tentene” të punuar me grep nga peri i zi me motive gjeometrike, si shenjë që simbolizon fejesën e saj.

Autor: Prof. dr. Ukë Xhemaj – Vështrim etnologjik i shqiptarëve në Mal të Zi. Monografi e Shqiptarëve në Mal të Zi, NË NJË CEP TË ILIRISË, botuar nga Art Club, Ulqin 2007.

Picture taken during “Miss Bjeshka” 2016 in Kelmend

Anton Pllumaj

Back to top button
Verified by MonsterInsights