Trashëgimia historike dhe kulturore e Ulqinit

Preambula

Dallga e globalizimit është duke e ndryshuar me shpejtësi botën. Kultura që u mbijetuan kohërave historike po shuhen e po zëvendësohen nga të tjera, më mbizotëruese. Rritjet në turizimin ndërkombëtar, përhapja e hoteleve të luksit, restoranteve zinxhir dhe përdorimi i Internetit e medias shoqërore po e homogjenizojnë botën dhe bashkë me këtë po degradojnë larminë kulturore. Me fjalë të tjera, disa aspekte të trashëgimisë sonë lokale, historike, dhe kulturore po humbasin dhe po harrohen me një shpejtësi shumë më të madhe se ndonjëherë më parë. Fatmirësisht, ndërgjegjësimi dhe mbështetja për trashëgiminë historike dhe kulturore gjithashtu po rriten me shpejtësi. Qeveritë, ndërtuesit, dhe pronarët e buizneseve po e kuptojnë se pasuritë historike dhe kulturore kanë një vlerë të konsiderueshme ekonomike, ndaj edhe ia vlen t’i ruash dhe t’u rijapësh jetë. Në bregun Adritatik, një perlë e tillë historike dhe kulturore, që ia vlen ta mbrosh, është qyteti Dolcinio (“Ulqin” në shqip, “Ulcinj” në sllavisht, i cili do të përmendet më tej në tekst si, “Ulqin”), me fortesën e tij të qytetit të vjetër, e cila do të përmendet më tej në tekst si “Kalaja”.

Një historik i shkurtër

Që ta vendosni historinë e Ulqinit në perspektivën e duhur, duhet ta shihni si një pjesë integrale të rajonit, duke shkuar pas deri në kohët parahistorike. Për të kuptuar më mirë historinë e Ulqinit, lexoni, ju lutem, një prej librave të rekomanduar më poshtë për historinë e Ilirëve, të përqendruar sidomos në rajonet ilire përgjatë bregdetit.

Njohuria e botës për ilirët dhe historinë, kulturën dhe gjuhën e tyre vjen kryesisht nga dy burime, autorët grekë dhe romakë, si dhe nga zbulimet arkeologjike. Për fat të keq, ilirët vetë nuk lanë dëshmi historike me shkrim për të kaluarën apo për kulturën e tyre. Deri në shekullin e 19, ata që shkruanin për ilirët bazoheshin gati në mënyrë të padiskutueshme në vepra të kontribuara nga autorët klasikë. Nga fundi i shekullit, u sigurua një prurje e konsiderueshme të dhënash të reja filologjike, antropologjike, arkeologjike etj., duke pasuruar shumë thesarin e njohurive mbi ilirët duke mundësuar kështu komunitetin akademik që të krijojë një imazh më të plotë dhe më të qartë për ta. Civilizimi grek dhe ai romak u ndërtuan në themelet e kulturës ilire dhe prandaj që të dy kishin arsyet e tyre për të mos e portretizuar në mënyrë të favorshme në veprat e shkruara, e aq më pak në një dritë miqësore. Çfarëdo që ishte e mirë dhe e dobishme e përqafuan si të tyren dhe e bënë pjesë të kulturës greke apo romake. Ilirëve iu desh të luftonin shpesh me grekët, të cilët përdorën çdo mundësi për të zgjeruar ndikimin e tyre tregtar dhe politik, e që herë pas here shkelnin ujërat ilire përgjatë Adriatikut. Atyre gjithashtu iu desh t’u bënin qëndresë romakëve, kur këta u kthyen në një fuqi të madhe ushtarake, mirëpo në fund u detyruan t’i nënshtroheshin fatit. Megjithatë, emri “Ilir” nuk u zhduk. Në fakt, ilirët luajtën një rol thelbësor si pjesë integrale e Perandorisë Romake që dëshmohet nga rëndësia e provincës ilire, si dhe nga numri i perandorëve e personaliteteve të tjera ushtarake dhe fetare që prodhoi ajo.

Studimi i ilirëve arriti rezultatet më të larta pikërisht në shekullin e 19. Më i shquari mes historianëve të kohës ishte George Zippel, një gjerman, i cili në 1877, botoi historinë më gjithëpërfshirëse dhe më moderne të ilirëve, bazuar në burime të shkruara, të gjetura në Provincën Romake të Ilirikumit. Historiani tjetër i mirënjohur, George Hahn, shkroi, në 1884, përmbledhjen e veprës së tij “Albanesische Studen”, pasi kishte udhëtuar nëpër Shqipëri. Ai ishte një nga autorët e parë që nxori teorinë se shqiptarët e ditëve tona janë në fakt një popull autokton që rrjedhin drejtpërdrejt nga ilirët e lashtë. Sot, ka shumë libra të shkruar për ilirët, por unë ju rekomandoj “The Illyrians – History and Culture”, nga Alexander Stipcevic, botuar nga Noyes Press, New Jersey (1977) dhe “The Albanians – An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present”, nga Edwin E. Jacques (1908), botuar nga McFarland & Company, Inc. North Carolina and London (2009).

Ulqini është një nga qytetet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut, që themelua nga civilizimi pellazgo-ilir. Zbulimet arkeologjike flasin për mijëra vjet histori të vjetër, të ndërtuar mbi themelet e një civilizimi ilir, i cili është ende i pranishëm në bazën e Kalasë; këtu përfshihen muret pellazgo-ilire, apo të Ciklopit, për shkak të përmasave të gurëve të mëdhenj. Ai që njihet si Qyteti i Vjetër është themeluar në shekullin e pestë përpara erës sonë, me emrin Kolkinium (Colchinium), marrë nga themeluesit e tij, një fis ilirësh i quajtur Kolkin Colchini-um. Besohet se qyteti i vjetër ishte aty ku ndodhet sot Kruci, ndërmjet qyteteve të sotme të Ulqinit dhe Tivarit (Antivari, ose “Bar” në sllavisht) në veri, mirëpo, një tërmet katastrofik e shkatërroi tërësisht. Duke qenë se ilirët nuk kishin një alfabet të tyrin, vetëm kur tregtarët grekë ngritën pikat e tyre tregtare përgjatë Adriatikut dhe më pas, me pushtimin nga Perandoria Romake, fillon edhe shfaqja e Ulqinit në faqet e historisë së shkruar. Pavarësisht nga këto, përparimi më i madh u arrit gjatë kohës së shtetit të pavarur ilir. Pas një incidenti mes Mbretëreshës ilire, Teuta, dhe dy ambasadorëve romakë, romakët e pushtuan Ulqinin në 163 p.e.s. çka bëri që Kolkiniumi i lashtë të bëhej Olqinium (Olcinium) ndërsa banorët e tij të thirreshin Olinqiniates (Olinciniates). Më vonë, emri përjetoi variacione të tjera si Dolqinjo (Dolcigno), Dulqinjo (Dulcigno), Olkinium, Olcinium, and më së fundi Olchinii, që është shqiptimi latin i “Ulqini”. Ky variacion përfundimtar latin është i shkruar në pragun e kishë-xhamisë në Kala. Nën sundimin romak, Ulqinit iu dha statusi i një qyteti me privilegje të veçanta, oppida civium Romanorum, dhe më vonë u bë një qytet i pavarur, municipium.

Për shkak të vendodhjes me epërsi të madhe gjeografike, klimës së butë dhe tokës pjellore, Ulqini është synuar nga shumë pushtues. Si rrjedhim, muret e qytetit të tij janë shembur rregullisht në luftërat e shpeshta dhe janë rindërtuar gjatë intervaleve ndërmjet tyre. Pas ndarjes së Perandorisë Romake në perandori lindore dhe perëndimore, Ulqini u bë pjesë e provincës Praevalis apo Prevalia, pjesë e Perandorisë Romake Lindore, Justiniani, perandori bizantin me origjinë ilire, i cili njihet sepse ka luftuar në shumë beteja është gjithashtu për ndërtimin e shumë veprave publike në Konstantinopojë, duke përfshirë edhe tempullin e madh të Shën Sofisë. Ky perandor thuhet se ka rindërtuar dhe përforcuar gjithashtu Kalanë e Ulqinit. Në vitet që vijuan, do të vinin pushtues të tjerë, Nemania, Balsha, Venecianët dhe Turqit që e zgjeruan Kalanë me ndërtesa të tjera.

Fiset sllave u shfaqën në skenë vetëm në shekullin e gjashtë, kur kaluan Danubin dhe u ngulën në pjesët jugperëndimore të Ballkanit me leje të perandorit Heraklius. Të porsaardhurit u përzien me popullatën lokale dhe gradualisht formuan shtetet sllave, të cilat u sllavizuan tërësisht, me përjashtim të qyteteve bgredetare; ndërkohë, populli bullgar që kishte pushtuar herë pas here këto territore adaptoi gjithashtu gjuhën sllave. Cari bullgar Samuel, i cili pushtoi disa herë perandorinë lindore u përpoq të pushtonte Ulqinin po dështoi që t’ia dilte mbanë, kështu që u ngjit më lart në veri, duke shkatërruar bregdetin dalmat dhe qytetet Cattaro (Kotor) dhe Ragusa (Dubrovnik). Në këtë periudhë, sllavët fillojnë të imponohen në rajonin e Ballkanit, sidomos Serbia, e cila njihej si Rascia. Perandoria Bizantine ofroi modelin për institucionin dhe kulturën e Serbisë mesjetare. Familja Nemania (e cila mendohet të jetë një familje e sllavizuar ilire e nga Doclea (Dukla) Liqenit Scutari (Shkodrës së sotme) themeloi Dinastinë Nemania. Në 1169, Princi i Madh serb, Stefan Nemania ia doli të bashkojë shumicën e provincave serbe në veri nën sundimin e tij, duke hedhur themelet e çfarë do të shndërrohej në Perandorinë Serbe dhe në Kishën Nacionale Serbe, duke e shkëputur nga të dyja sferat e ndikimit perëndimor dhe bizantin. Ndërsa Kisha Ortodokse, nën ndikimin bizantin u shkëput nga Patriarkati i Romës, Katolikët e Prevalës, më saktësisht Shqipëria Veriore, duke përfshirë Ulqinin e Tivarin, i qëndruan gjerësisht besnike Romës. Në vitet që vijuan, Nemania pushtoi edhe Ulqinin (1183), i cili mbeti nën zotërimin e Perandorisë Serbe derisa qytetin e morën në dorë venecianët.

Kjo shkizmë dhe mosmarrëveshje teologjike ndërmjet patriarkut dhe Papës nuk patën edhe aq ndikim në popull sa Kisha Ortodokse Serbe. Ia vlen të vihet në dukje se koncepti i kombësisë nuk ekzistonte në atë kohë dhe njerëzit zakonisht bashkoheshin rreth një kishe, mbreti apo princi. Në krahasim me Kishën Katolike Romake, Kisha Ortodokse Serbe ishte kolonizuese dhe në përgjithësi shumë më strikte. Në 875, peshkopi metropolit i Praevalis u transferua nga Shkodra në Doklea, e cila tashmë kishte një popullsi të përzierë dhe kishte marrë emrin Zeta. Doklea (apo Zeta) ishte ende nën juridiksionin e dinastisë serbe, por sundohej nga kryepleq të zonës; një prej tyre ishte Gjon Vladimiri apo Jovan Vladimir (në sllavisht) i fisit Nemania.

Gjon Vladimir (990–1016) ishte princi i Dokleas dhe principata e tij përfshinte territorin e Krajës (vendi i tij më i preferuar dhe ndoshta edhe vendlindja) përgjatë bregut jugor të Liqenit të Shkodrës, Vladimirin e sotëm apo Katerkollën (katër Kolat, që përfaqësojnë katër Shenkolla apo kisha të Shën Nikolas në atë krahinë), Shasin dhe Ulqinin. Historia e tij është magjepsëse —i shpallur si nga shqiptarët ashtu edhe nga serbët si shenjti i tyre; historia e tij është pjesërisht e vërtetë e pjesërisht legjendë, ashtu si është bërë edhe pre e falsifikimit duke e bërë edhe më tërheqës dhe intrigues.

Gjon Vladimiri erdhi në pushtet si princi i Dokleas, të cilën e sundoi nga viti 1016 prej kryeqytetit të tij Scutari (Shkodra). Ai u shfaq gjatë luftës së stërzgjatur mes Bizantit dhe Carit Samuel të Perandorisë Bullgare, i cili e burgosi. Fati i tij në robëri është subjekt i një prej tregimeve më romantike të letërsisë së hershme bizantine—historia e Vladimirit dhe Kosarës—një gojëdhënë e treguar në Kronikën e Priftit të Dokleas. Sipas historisë, vajza e Samuelit ra në dashuri me të burgosurin e pashëm dhe iu përgjërua të atit për dorën e tij. Ai pranoi duke ia kthyer Doklean dhëndrit të tij, madje duke i dhuruar edhe një territor fqinj shtesë. Vladimiri sundoi në paqe, duke shmangur përfshirjen në konfliktin madhor që kulmoi me mposhtjen e Samuelit nga bizantinët në 1014. Pas vdekjes së Samuelit, perandoria e tij u trashëgua nga Ivan Vladislav, djali i , Aaronit, vëllait të Samuelit (997–1014) që ishte edhe sundimtari i fundit i Perandorisë së parë Bullgare. Ivani me sa duket nuk ia harroi kunatit animin e tij të heshtur nga Perandori i Bizantit dhe pas një komploti ia preu kokën Vladimirit, në 1016, përpara një kishe në Prespë (të Maqedonisë së sotme) dhe e varrosi aty. Tre vjet më vonë, eshtrat e tij u transferuan në Kishën e Virgjëreshës së Krajës, ku u shpall martir dhe shenjt pa ndonjë akt në formë të shkruar. Rreth vitit 1215, eshtrat e tij u transferuan përsëri, kësaj here në Durrës nga Teodori (Theodor) Engjëll Komneni nga Epiri. Aty, besimtarët, si nga kishat e Lindjes ashtu edhe nga ato të Perëndimit, shkonin për ta adhuruar. Në 1381, eshtrat e tij përfunduan në Kishën e Shën Gjonit Vladimir, pranë Elbasanit, në Shqipëri, e cila ishte ndërtuar për nder të një princi shqiptar me emrin Karl Topia. Kisha u dëmtua rëndë në 1944 nga gjermanët, kështu që gjithçka që ka mbijetuar dhe reliket e saj, mbahen që prej vitit 1995 në katedralen ortodokse në Tiranë, Shqipëri. Kisha Ortodokse Serbe e njeh si shenjtin e parë serb, që ngre pyetjen se pse një nder i tillë nuk i njihet Stefan Nemanias, i cili u kanonizua vetëm në vitin 1200. Faktet historike dokumentojnë qartazi se ai ishte një shqiptar që i ishte bashkuar Kishës Ortodokse Serbe. Gjithsesi, duket se Gjon Vladimiri ishte një princ i mirë, një patriark i mirë, dhe një njeri i mirë i cili ende adhurohet në Shqipëri dhe në Malin e Zi, si dhe mbetet shenjti mbrojtës i Tivarit (Barit). Shqiptarët në Shqipëri dhe në Malin e Zi (Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini) festojnë 22 Majin si ditën e Shenjtit të tyre të dashur.

Në 1242, një hordhi mongolësh, duke rendur me kuajt e tyre të shpejtë nga Azia qendrore arritën në muret e Kalasë. Pas një rrethimi të pasuksesshëm, mongolët vendosën të braktisnin planin e tyre për të pushtuar Ulqinin dhe u hakmorrën duke shkatërruar tërësisht qytetin episkopal fqinj të Svaçit (Shas) duke vrarë pothuajse të gjithë banorët e tij.

Rënia e Carit serb Stefan Dushani simbolizoi shpërbërjen e Perandorisë Serbe dhe precipitoi ngritjen e principatave të tjera, sidomos asaj të Dokleas. Balsha I u bë princi i Dokleas, i cili me ndihmën e vëllezërve të tij dhe të krerëve feudalë shqiptarë eliminoi sundimin e Bizantit dhe të serbëve ortodoksë në Shqipërinë veriore dhe qendrore. Brenda pak kohe, familja Balsha vuri nën sundimin e saj Dalmacinë, shumicën e Maqedonisë bashkë me Selanikun, si dhe pjesën më të madhe të Shqëipërisë së sotme, ndërsa për kryeqytet kishte Shkodrën. 

Familja Balsha riktheu katolicizmin dhe më pas të gjitha monedhat e tyre kishin mbishkrime latine. Ulqini kishte dioqezat e tij nën arkdioqezën e Tivarit, po ashtu si kishin Kotori, Shasi, Shkodra, dhe Drishti (këto dy të fundit në Shqipërinë e sotme). Të gjitha ishin pjesë e Kishës Katolike të Romës. Pas vdekjes së Balshës I në 1362, tre djemtë e tij sunduan së bashku, por zgjerimi i fuqisë bëri që të bien ndesh me Venedikun. Gjatë mbretërimit të Familjes Balsha, sidomos nën Gjergj Balsha Strazimirin (1385–1405), i cili është varrosur në Kala, Ulqini ka pasur si rëndësi politike, po ashtu edhe tregëtare e kulturore. Nuk ishte asnjëherë një kryeqytet i përhershëm i sundimtarëve dhe bashkë-sundimtarëve të Zetës dhe të qyteteve bregdetare, por shumica e sundimtarëve kishin banesat e tyre në atë qytet.

Pas rënies së Zetës në 1405, Ulqini ra në duart e venedikasve, të cilët e sunduan qytetin për 150 vite, me përjashtim të një periudhe të shkurtër kohe gjatë 1413–1421 kur u çlirua dhe qendroi nën qeverisjen e Balshës III. Në 1423, venedikasit e vendosën Ulqinin nën “protektoratin” e tyre. Megjithë, sigurinë e ofruar Ulqinit për t’u shërbyer interesave të tyre, qyteti mbeti relativisht i varfër. Ndoshta ishte për shkak të mbrotjes venedikase që Ulqini qe një nga qytetet e fundit që ra në duar të Perandorisë Otomane (1571). Por pasi ra, ai qendroi pjesë e kësaj perandorie derisa ajo ia dorëzoi Malit të Zi në 1887, duke iu bindur Traktatit të Berlinit. Pushtuesit otomanë menjëherë filluan të zhvillojnë qytetin për t’ia përshtatur synimeve të tyre strategjike. Nën sundimin e tyre, Ulqin fitoi një imazh oriental me ndërtimin e xhamive, banjove turke, çezmave të ujit të pijshëm, kullave të vrojtimit, dhe shumë strukturave të tjera. Qyteti filloi të zhvillojë përsëri traditat e tij të vjetra dhe të pasura tregëtare e detare.

Ulqini arriti një kulm të ri gjatë shekujve XVII–XIX kur, sipas gjeografit botanistit dhe këshilltarit politik italian, Antonio Baldacci, shkëlqente në biznesin e tregëtisë detare, me një flotë që numëronte 500 mjete lundrimi. Varkat e saj më të vogla dhe më të shpejta bridhnin ndërmjet porteve dhe qendrave të tregëtisë në brigjet adriatike dhe mesdhetare. Për shkak se Ulqini ishte si një republikë e vogël, zhvillimi i tregëtisë detare rizgjoi një tjetër zakon të vjetër: E ktheu Ulqinin në një strofkë piratësh deri kur Mehmet Bushati u bë Vezir i Madh i Shkodrës dhe i dha fund madhërisht. Ka një legjendë shumë interesante; ndonëse një numër dokumentesh konfirmojnë vërtetësinë e historisë, ajo vazhdon të shihet thjesht si legjendë. Sipas saj, piratë nga Ulqini rrëmbyen shkrimtarin e famshëm spanjoll Miguel de Cervantes, i cili po udhëtonte drejt Spanjës, pas një lufte në Levant. E sollën në Kala dhe e mbajtën aty si rob për pesë vjet, ose më pak nëse i heq kohën që mund të ketë kaluar në Stamboll apo në Algjer. Besohet se kur ishte në Ulqin, ai ra në dashuri me një vajzë të re nga Kalaja, e cila u rishfaq pastaj si heroina e romanit të tij Don Kishoti: Dulqinja (Dolcigno—Dulcinea).

Aneksimi i Ulqinit në Principatën e Malit të Zi ishte një goditje e rëndë për qytetarët e tij. Më shumë se 500 familje braktisën qytetin dhe bizneset u shkatërruan. Shkretimi preku edhe bizneset e detarisë dhe ndërtimit të anijeve, të cilat dalëngadalë u shuan e u harruan. Ndonëse, Princi Nikola i Malit të Zi u përpoq të asimilonte popullatën duke sjellë njerëz nga rajone të tjera, kjo përpjekje kryesisht dështoi, sepse Ulqini dhe zonat përreth ishin dhe ende mbeten të mbiztotëruara nga popullata autoktone që flet gjuhën shqipe. Mali i Zi pushoi së ekzistuari si një vend i pavarur në 1918, kur humbi pavarësinë dhe u bë një nga provincat e Mbretërisë së re të Jugosllavisë. Ulqini mbeti pjesë e provincës. Pas Luftës së Dytë Botërore, në 1945, Mali i Zi u bë një nga gjashtë republikat e në kuadrin e Federatës Jugosllave nën regjimin komunist të Titos. Kufijtë mbetën thelbësisht të pandryshuara deri në shpërbërjen e Federatës Jugosllave që filloi në 1991. Mali i Zi ishte republika e fundit që u shkëput, kur në 2006, qytetarët e tij votuan për pavarësi dhe me këtë, një vend i ri, Republika e Malit të Zi, u shfaq dhe u bë anëtar i Kombeve të Bashkuara brenda të njëjtit vit.

Trashëgimia historike dhe kulturore e Ulqinit

Qyteti i Vjetër i Kalasë përfaqëson pjesën thelbësore të trashëgimisë historike dhe kulturore të Ulqinit. Një udhëtim i shkurtër mund të fillojë në hyrjen veriore nga porta e Revelinit; në sheshin e sipërm është kisha-xhami dhe tani muzeum ku mbahen artifaktet më interesante. Kjo kishë është quajtur fillimisht Kisha e Shën Mrisë dhe besohet se është ndërtuar në 1510. Kisha u konvertua në xhami në 1693 kur iu shtua një minare, e ndërtuar me gurë të gdhendur. Ndërtesa shërbeu si xhami deri në 1878. Tani shërben si muzeum që ekspozon zbulime të ndryshme arkeologjike. Objekte që tërheqin menjëherë vëmendjen janë një piedestal me mbishkrim në greqisht i perëndeshës Artemis, një portret i lashtë me imazhin e perëndeshës Athina me helmetë, si dhe një numër sopatash të Epokës së Bronxit, të tipit Skutari-Dalmatian të zbuluara në Vladimir dhe në rajonet më të hershme të Liqenit Zogaj. Në koleksionin e ekspozuar ndodhen edhe fragmente grui, kapitale jonike, fragmente të një kishe të shekullit të nëntë dhe artikuj nga Perandoria Otomane.

Menjëherë mbrapa muzeumit është Kulla e Balshajve, tashmë e përdorur si galeri. Ky monument mesjetar pasqyron historinë e familjes Balsha, e cila sundoi Zetën (Doklean), bashkë me Ulqinin dhe qytete të tjera bregdetare. Pas pushtimit të Zetës nga otomanët, ata rinovuan kullën, duke i shtuar karakteristika të tyre, që kanë mbijetuar deri më sot. Kulla tregon edhe historinë jo shumë të njohur të një njeriu interesant, mistikut dhe mesias të vetëshpallur hebre, Shabatai Zevi.

Shabatai Zevi (1626–1676) u lind në Smyrna (Izmiri i sotëm), në Turqi. Në moshë të re, iu përvesh studimit të Kabalës, përmbledhjes me ndikim të madh te hebrenjtë të shkrimeve mistike. Periudhat e tij të zgjatura të ekstazisë dhe personaliteti i tij i fortë tërhoqi shumë dishepuj; kështu që, në moshën 22-vjeçare, ai e shpalli veten Mesia. Kjo u quajt si një dhunim i ligjeve fetare hebraike. Për më tepër, masat e tij kërcënuan autoritetin rabinik dhe për këtë arsye u dëbua nga Smyrna nga Rabinati i shqetësuar. Që aty, ai shkoi në Selanik (që ishte një qendër e vjetër kabaliste) e më pas u end nëpër Greqi, Trakë, Palestinë, dhe Egjipt. Autoritetet otomane e toleruan deri sa mësimet e tij u bënë të rrezikshme—edhe për vetë perandorinë—kështu që një ditë në 1666 ndërsa po përpiqej të kthehej në Kostandinopojë, u kap dhe u burgos. Shabatai u konvertua në Islam mesa duket për t’i shpëtuar ekzekutimit, mirëpo ndjekësit e tij e intepretuan ndryshe këtë veprim. E vërteta është që kjo i pëlqeu sulltanit, i cili i dha emrin Mehmed Effendi, dhe e emëroi si portierin e tij personal dhe i dha një rrogë shumë bujare. Mirëpo shumica e dishepujve të tij besimtarë u zhgënjyen shumë nga kjo apostazi. Me kohë, Shabatai e humbi simpatinë e sulltanit që vendosi ta dëbonte në qytetin më të skajshëm të perandorisë—Ulqin, ku jetoi deri në fund të jetës. Megjithëse u konvertua në Islam, duket se në shpirt mbeti gjithnjë hebre, siç dëshmohet edhe nga altari i gdhendur në gur, me Yllin e Davidit mbi të. Vdiq në 1676 dhe varin e ka në Ulqin.

Përpara kullës shtrihet një shesh i vogël me një numër kthinash, me harqe në hyrje, që njihet si sheshi i skllevërve. Ka shumë të ngjarë që sheshi ka shërbyer si treg ku, në ndonjë rast, skllevër të kapur nga piratët do të jenë nxjerrë në shitje. Ndonëse është e mundshme që Ulqini të jetë përzjerë vërtet në tregëti skllevërish, nuk ka fakte historike që ta provojnë një gjë të tillë, madje as që skllevërit të jenë përdorur ndonjëherë në qytet. Në fakt, rreth dhjetë familje zezakësh, paraardhësit e të cilëve nuk dihet pse u vendosën aty nga Afrika, kanë jetuar gjatë gjithë kohës në Ulqin si qytetarë të lirë dhe shumë të respektuar.

Që aty, dy rrugica me kalldrëm, me kah nga veriu dhe jugu, të çojnë te platforma e fortesës. Pikërisht përpara hyrjes jugore është themeli i Kishës së Shën Mrisë, nga shekulli i 12, që më vonë është riemërtuar Kisha e Shën Markut. Dokumente historike flasin edhe për Kishën e Shën Dedës (St. Dominick). Thuhet se të dyja këto kisha ishin ilustruar nga afreskë të bukur të mjeshtrit të famshëm bizantin të pikturës, Shën Lukë Evangjelisti. Jo larg nga kjo kishë, ndodhet çisterna e madhe e qytetit e ndërtuar nga venedikasit. Kulla e Balshajve është pak metra më tej, ndërsa pak më në veri ndodhet Pallati Venediku. Gjatë pushtimit venecian të Ulqinit, pallati ka shërbyer si rezidencë e guvernatorit venedikas. Sot, ai shërben si hotel boutique. Vetëm disa qindra hapa pas Kullës së Balshajve është depoja turke e barutit nga shekulli i 18.

Shumë pjesë të Kalasë ofrojnë pamje spektakolare të qytetit përreth mureve dhe detit, në dukje të pafund, që ka qenë gjithmonë jetik për Ulqinin. Duke ndjekur këtë udhëtim, mbërrihet në portën e jugut dhe poshtë shkallëve të thepisura e gjarpëruese, që kalojnë një skelë të vogël detare dhe fillimin e një pjese të qytetit, të thirrur Rana (rëra), për shkak të afërsisë me Plazhin e Vogël (Sllavisht: Mala Plazha). Përreth harkut në të majtë, ku dikur ndodhej kantieri i ndërtimit të anijeve, gjendet Tyrbeja e Fanit. Ky mazoleum është ndërtuar për dy vëllezër, që lanë jetën duke mbrojtur qytetin kundër venedikasve. Sipas legjendës atyre ua prenë kokat në luftim e sipër në bordin e një anijeje e megjithatë ia dolën të vijnë në breg të detit me kokat në duar, ku u rëzuan dhe vdiqën. Dhe pikërisht aty edhe u varrosën. Ka edhe disa Tyrbe apo mazoleume në Ulqin nga shekulli i 18, si ato të Murat Dedejt, e Pultit, dhe Resulbegut.

Nën pushtimin otoman, Ulqin përjetoi një shndërrim si nga pamja ashtu edhe nga mënyra e jetës. Gjatë kësaj periudhe, u ndërtuan shumë xhami dhe struktura të tjera. Përveç xhamisë së lartpëmrnedur në Kala, ka pasur edhe xhami e ndërtesa të tjera që kanë një rëndësi të thellë historike dhe kultuore, disa prej të cilave, po jo të gjitha renditen në vijim:

  • Xhamia e Ranës të njohur edhe si Xhamia e Detarëve është një nga xhamitë më të vjetra, e ndërtuar rreth 1798 nga Ibrahim Pasha i Shkodrës për nder të detarëve të Ulqinit, në të njëjtin vend ku ndodhej kulla e vrojtimit detar. Në 1931, u shkatërrua nga qeveria e Malit të Zi por u rindërtua në 2012.
  • Xhamia e Pashës u ngrit në 1719 me një hamam (banjo turke).  Është e vetmja ndërtesë e këtij lloji në territorin e Malit të Zi. Hamami u shndërrua më vonë në banjo publike. Ndodhet poshtë Qytetit të Vjetër.
  • Xhamia e Mezjahit u ndërtua në qendër të qytetit më 1828. Ngjitur me xhaminë ka qenë dikur edhe një medrese (shkollë e mesme fetare).
  • Xhamia e Bregut u ndërtua në 1783, në anën tjetër të rrugës nga tregu i ri, pikërisht në qendër të qytetit.
  • Ka edhe një kullë sahati, e ndërtuar në mes të shekullit të 18, me fonde të dhuruara nga qytetarët. Edhe sot vazhdon të funksionojë, sigurisht pas shumë riparimesh të nevojshme.

Ekziston një histori shumë mbresëlënëse lidhur me Ali Pashën të cilit i është kushtuar xhamia e Ulqinit. Ka qenë një detar i madh otoman i njohur si Kılıç Ali Pasha, i njohur ndryshe edhe si Okiali, në Europë apo më herët si Uluç Ali Reis. Ai ishte një nga figurat më të shkëlqyera, jo vetëm të historisë së detarisë otomane, por edhe të asaj botërore. Sipas legjendës, ai ishte një turk, i cili në moshë të vogël ishte rrëmbyer nga Kalorësit e Shën Xhonit dhe ishte çuar në Itali. Aty u rrit si shërbërtor i një fisniku italian që jetonte në qytezën Le Castellan në Kalabri (të populluar kryesisht nga arbëreshë që i kishin ikur pushtimin otoman të Arbërisë, Shqipërisë së sotme). Djali turk, të cilit i kishin ngjitur emrin Xhulio Galeni, u dërgua për shkollim në Napoli dhe më pas u kap nga një komandant i flotës otomane, Ali Ahmed Reis (algjerian ose shqiptar), i cili e mori djaloshin me vete, pasi mësoi historinë e tij.

Që nga ky moment, ai u njoh si Uluç Ali (vini re se Uruc, që mund të jetë një shformim i Uluc, është një mbiemër i një familjeje të mirënjohur në Ulqin; për më tepër, legjenda që tregon për detarët më të famshëm të Ulqinit përmend edhe diku me emrin Uluzh Alia). Disa thonë se ai nuk ishte turk por kishte origjinë italiane; unë do të thoja se është gjithashtu shumë e mundshme që origjin e tij të jetë shqiptare. Pavarësisht nga origjina e tij, Uluç Ali u rrit në komunitetin otoman dhe u bë një nga detarët më të famshëm të botës. Kulmi i karrierës së tij ishte Beteja e Lepantos më 1571, në të cilën flota e aleatëve të Papatit shpartalloi flotën otomane; megjithatë Uluc Ali ia doli mbanë të shpëtonte të gjitha anijet që kishte nën komandën e tij gjatë kësaj beteje, pa humbur asnjë nga njerëzit e tij. Pas kësaj ngjarjeje ai mori titullin e nderit Kılıç (“Sëord”) dhe u emërua Kaptan-ı Derya (Kryeadmiral). Pas kësaj ai thirrej Kılıç Ali Pasha. Në Betejën e Lepantos, u mbështet nga shumë lundrues, mes tyre edhe Mehmet Siroco, një emër që tingëllon si shqiptar (Siroco—Shiroka, një qytezë afër Liqenit të Shkodrës, jo larg prej Uqinit). Historianët europianë e njohin si Okiali (Occhiali), i cili tingëllon më shumë si Olkini dhe banorët e tij Olkiani, ndërsa Miguel de Servantes e quante Ukali në kapitullin XXXIX librit të tij “Don Kishoti i Mançës”. Historia e Miguel de Servantesit është e jashtëzakonshme. Dihet se ka qenë ushtar në flotën e Kryqëzatave. Në 1575, kur po kthehej nga Beteja e Lepantos, flota otomane e rrethoi anijen me të cilën po udhëtonte dhe Kılıç Ali Pasha kapi rob Servantesin — ai madje humbi një nga gjatë kësaj beteje. Sipas librave historikë ai u ble nga një algjerian si skllav dhe e vunë të punonte për ndërtimin e një xhamie, në Stamboll. Pas disa vjetësh e lanë të lirë dhe u kthye në Sapnjë. Mirëpo, në Ulqin, historia e Servantesit është ndryshe. Atë e sollën në Ulqin (dhe ndoshta punoi për xhamitë e mëparshme që u ngritën aty ku ndodhet sot Xhamia e Ali Pashës). Qitapet e historisë dhe dokumente thonë se ai u kap nga piratë algjerianë dhe u dërgua në Algjer ku qendroi për pesë vjet. Pse nuk përmendet që Servantesi ka qenë në Ulqin? Kjo është po aq misterioze sa edhe vetë legjenda e qendrimit të tij aty.

Gjatë pushtimit otoman, përveç xhamive, u ndërtuan edhe kisha. Shumica e tyre përfshihen si më poshtë:

  • Kisha e Shënkolllit në rrëzë të Malit të Bardhë, e ndërtuar në 1869, mbi rrënojat e një kishe të vjetër, që mund të ketë qenë aty që nga koha e dinastisë së familjes Balsha.
  • Kisha Katedrale e Shënkollit ndodhet poshtë Meterizit, nga ana tjetër e rrugës, përballë hyrjes veriore të Kalasë. Një xhami e vjetër e ndërtuar në 1670 u shemb (bashkë me varrezat dhe mazoleumet, një prej të cilëve, sipas gojëdhanave, ishte mazoleumi i Shabatai Zevit) për të ndërtuar këtë kishë në 1890, në kujtim të ushtarëve malazezë që ranë në betejat e 1878-s. Ndërtuesit pretendonin se ka pasur një manastir të vjetër të Shën Arkangjelit të ndërtuar gjatë mbretërimit të Justinianit, por që u prish për të ndërtuar xhaminë. Kisha që gjeni sot aty është zgjeruar dhe rinovuar thellësisht në 1933 dhe është e vetmja Kishë Ortodokse në Ulqin.

Jo larg nga Ulqini ndodhen gërmadhat e qytetit mesjetar Sciassi apo Svacia (Shas). Ai ndodhet në një pllajë, mbi Liqenin e Shasit dhe konsiderohet si një nga qytetet e vdekura më interesante në Bregdetin Adriatik. Shasi përmendet në shekullin e njëmbëdhjetë si qytet episkopal (Svacia Civitas). Rreth vitit 1183, u pushtua nga Stefan Nemania, i cili ia bashkangjiti Rashkës bashkë me qytete të tjera të Zetës. Mongolët e rrafshuan përtokë në 1242 gjatë përpjekjes së tyre për të pushtuar Ulqinin. Qyteza u rindërtua përsëri, por nuk e rifitoi më kurrë fuqinë e dikurshme dhe në fund u shkretua pas pushtimit prej otomanëve në 1571.

Sipas një legjende, gjatë shekujve XIV–XV, Shas kishte shumë po aq kisha sa ka viti ditë. Sot, mund të shihen gërmadhat e themeleve të disa kishave, sidomos dy të mëdha, Katedralja e vjetër romaneske e Shnjonit apo Shën Gjonit që ndodhet në pikën më të lartë të qytetit si dhe ajo më e re e Shën Mrisë, një kishë françeskane, e stilit gotik. Kjo e dyta ndodhet në një pllajë, në pjesën e ulët të qytetit. Kishat e Shasit ishin të zbukuruara me ornamente arkitektonike dhe disa prej tyre kishin afreskë; edhe sot mund të gjesh gjurmë të ngjyrave në muret e tyre. Pak kërkim arkeologjik është kryer, madje në mënyrë amatoreske apo për synime të tjera, kështu që qyteti i vdekur i Shasit ka mbetur në pritje të ndonjë kujdestari të përgjegjshëm dhe arkeologë që mund të ringjallin historinë e tij të vërtetë dhe mbresëlënëse.

Ulqini ka shumë pasuri të tjera historike, kulturore dhe natyrore që ia vlen të përmenden, përfshi edhe lum mjaft interesant të quajtur Ada, i cili sipas legjendës u formua nga sedimentet e Lumit Buna, të grumbulluara në vendin ku u mbyt një anije. Sot, është një parajsë turistike, që ofron veprimtari sportive të ndryshme verore. Nga Ada në Gjerane, Plazhi i Madh (Veljika Plaza, në sllavisht) zgjatet për më shumë se 15 kilometra rëre puro, më i madhi në Europë. Në supin verior të plazhit ndodhet Laguna, një hapësirë e madhe moçalore që përfshin njësitë e prodhimit të kripës dhe më e rëndësishmja një habitat për zogjtë e shumë specieve si dhe një vend pushimi për zogjtë shtegëtarë europianë. Më ndihmën e Bashkimit Europian, po bëhen përpjekje për ta deklaruar këtë zonë një rezervat natyror për të mos lejuar qeverinë që ta shkatërrojë për ndërtime banimi dhe tregëtimi.

Referenca

  1. Edwin E. Jacques, “The Albanians – An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present”
  2. Ruzhdi Ushaku, “Ulqini – ne permasa kerkimi dhe frymzimi”
  3. Branimir Anzulovic, “Heavenly Serbia – From Myth to Genocide
  4. Dennis P. Hupchick, “From Constantinople to Communism”
  5. J. Swire, “The Eastern Europe Collection”
  6. Milan Shufflay, “Serbs & Albanians – Their Symbiosis in the Middle Ages”
  7. Francis Seymour Stevenson, “A History of Montenegro”
  8. Alexander Stipcevic, “The Illyrians”
  9. Florin Curta, “Southeastern Europe in the Middle Ages 500–1250”
  10. Mustafa Canka, “Ulqini ne Perandorine Osmane”
  11. Ulcinj Tourist Organization, “Ulcinj – Dnevnik Kapetana Hektora”
  12. John V.A. Fine, Jr. ,“The Early Medieval Balkans”

Nga Cafo Boga

Fotografitë: Shkelzen Rexha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights