Shoqata “Ardhmëria”, strehëza e shqiptarëve në Londër

Gjatë një vizite të shkurtër në Tiranë, z. Lutfi Vata, kryetar i shoqatës “Ardhmëria” tregon për veprimtarinë e kësaj shoqate në Londër dhe nevojën që ka komuniteti shqiptar për ruajtjen e traditave të tyre.

Vata tregon për fillimet e veta drejt Londrës dhe lidhjet e menjëhershme me komunitetin.

Por çfarë ndodhi me këtë familje shqiptare pas emigrimit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar? A ishte kjo familje si shumë të tjera që të mendonin vetëm për të ardhmen e tyre të shkëputur nga komuniteti?

Sigurisht që jo!

Sepse ata guxuan në pasionin e tyre, të mbillnin një copëz Shqipëri në Mbretërinë e Bashkuar.

Sami Frashëri, truri i Rilindjes Kombëtare Shqiptare në letrat e tij shkruan që: “nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë, ndërsa nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.

Pikërisht këtë gjë bëri z. Lutfi Vata, i cili sot është frymëzim për shumë shqiptarë që janë larg vatanit. Në vitin 2005 krijoi shoqatën “Ardhmëria”, të ardhmen e brezave të rinj. Në këtë moment nisën përgjegjësitë e para për filizin e ri që po rritej mu në zemër të Anglisë.

Lajtmotivi i atyre ditëve ishin negociatat dhe takimet e shumta për të bërë të mundur hapjen e shkollës shqipe që vinte në ndihmë të komunitetit që jetonin atje ashtu sikurse edhe vetë Lutfiu. Sot në shtatë bashki të kryeqytetit anglez numërohen shtatë filizat e pasionit të hershëm, shtatë shkolla që flitet shqip, kultivohet traditë shqiptare për brezat e rinj, të cilët rriten me një tjetër dinamikë jete.

“Pavarësisht dëshirës së madhe për të hapur këto shkolla një ndër pikat kryesore ishte përzgjedhja e stafit, pasi mësuesit duhen të ishin të kualifikuar edhe në gjuhën angleze. Kjo për shkak se pjesës më të madhe të fëmijëve që nuk kuptonin shqip, mësuesi duhet t’ua shpjegonte në gjuhën angleze e më pas në shqip”, shprehet z. Vata.

Hapja e shkollave shqipe në Londër u prit mjaft mirë nga komuniteti, prindërit e vlerësuan këtë nismë të re pasi e ardhmja e fëmijëve të tyre nuk do të kishte vetëm kulturë e traditë të vendit në të cilin ishin rezident, por do të kishin edhe kulturën e vendlindjes së tyre.

“Kishte prindër që udhëtonin gati një orë me makina ose autobus, për t’i sjellë fëmijët e tyre në këto shkolla. Por ne në fillim e kishim të vështirë, pasi nuk dispononim një plan të posaçëm dhe mësimi bëhej vetëm në fundjavë. Por të mësosh gjuhën shqipe dhe kulturën e saj, duhen shumë vite”.

Si çdo sipërmarrje e re e cila kërkon energji dhe organizim për të ecur përpara edhe shoqata “Ardhmëria” nisi të zbatojë hapat e parë të punës. U bë e mundur ndarja e fëmijëve në nivele sipas grupmoshave, por edhe sipas aftësive që zotëronin në gjuhën shqipe. Aftësitë e tyre testoheshin nëpërmjet një provimi i cili tregonte nivelin linguistik të tyre, në shkrim, lexim dhe të folur.

Shoqata “Ardhmëria”, përveç mësimit të gjuhës shqipe të cilën e ka prioritet kyç në projektet e saj, organizon edhe një sërë projektesh të tjera për të rinjtë, gratë etj., në mënyrë që të promovojë vlerat e kombit shqiptar në shumë dimensione. Në çdo vit, në data të caktuara dhe të rëndësishme për shqiptarët si p.sh. festa e Flamurit, Pavarësia e Kosovës, festa e 7 – 8 Marsit,  festa e 1 Qershorit etj., janë disa nga prioritetet kryesore të kësaj shoqate.

Lutfi Vata shprehet se shqiptarët janë një popull i zgjuar, madje ai tregon se në Londër ka edhe komunitete të tjera, të cilat kanë vite që jetojnë atje, por nuk kanë arritur të njëjtin sukses si shqiptarët.

“Fëmijë të shkëlqyer, të rinj studentë që kanë kapur pikat kyçe në shtetin londinez e të tjerë si këto na bëjnë krenarë për atë çfarë jemi në gjendje të përvetësojmë në një kohë shumë të shkurtër. Mirëpo ka një problem të madh në të gjithë këtë situatë, pasi interesi për të mësuar këtë gjuhë të bekuar që na e lanë trashëgim të parët dhe këtë traditë të pazëvendësueshme, është në nivel minimal nga një përqindje e konsiderueshme e komunitetit shqiptar që jeton në Londër”.

Ky shqetësim që ngre z. Vata për mësimin e gjuhës shqipe te fëmijët vjen si rezultat i dy elementëve:

E para, shumë prindër fillimisht kur kanë ardhur në Londër, gjuhën angleze nuk e kanë pasur të përvetësuar dhe janë munduar t’a mësojnë nëpërmjet fëmijëve. E dyta, gjuha shqipe nuk mësohet për një vit, por duhet vite për ta kultivuar atë.

“Fëmijët e mi e mësuan gjuhën e prindërve të tyre nga këto shkolla, pasi djali ishte vetëm tre vjeç kur unë erdha në Londër, ndërsa vajza ka lindur atje dhe komunikimi i vazhdueshëm në gjuhën shqipe qoftë në shkollë, por edhe në shtëpi bën të mundur që ta pasurosh atë”.

Një pjesë vitale e shoqatës “Ardhmëria” janë edhe gratë, të cilat me punën e tyre të palodhur japin kontributin qoftë edhe vullnetar.

Vata shprehet se stafi i tij është shumë aktiv, i përzgjedhur dhe nëse nuk disponon njerëzit e duhur shoqata nuk do të ketë sukses.

Nëpërmjet seminareve të ndryshme që realizojmë me mësuesit në diasporë tregojmë punën tonë, eksperiencën, bashkëpunimin me komunitetet e tjera në mënyrë të tillë që të nxjerrim në pah vlerat e kombit tonë, gjithashtu të afrojmë shqiptarë të tjerë në familjen tonë të madhe”, shton z. Vata.

Emigracioni në vetvete mbart një sërë vështirësish, pasi kërkon të përballesh me kultura dhe zakone të ndryshme, të mbijetosh, t’ia nisësh nga e para në vend të huaj, të ruash identitetin tënd. Por shumica e emigrantëve marrin rrugët e kurbetit për një jetë dhe standard më të mirë. Duke pasur një diversitet të madh kulturash shpesh mbytesh në to, duke çuar në mënyrë të pandërgjegjshme në asimilimin e kulturës tënde.

Ky fenomen ndodh kryesisht te fëmijët dhe të rinjtë, pasi formimi i tyre ndërpersonal është në proces rritjeje.

Ndaj z. Vata në lidhje me këtë pikë mjaft delikate shprehet se është duke u marrë me disa projekte për të rinjtë nga mosha 16 deri në 25 vjeç. Këto projekte do të vijnë në formën e aktiviteteve dhe konkurseve për t’i bërë sa më tërheqëse për to në mënyrë që ata të përfitojnë dhe të mësojnë gjithçka për vendin e tyre.

“Kur dëgjon disa të rinj nëpër lokale teksa flasin anglisht me njëri-tjetrin është disi rrëqethëse”! tregon Lutfiu.

Duke bërë të mundur mësimin e gjuhës shqipe nga mosha 5 deri në 15 vjeç dhe duke i pajisur me certifikata këta fëmijë, pasi në një të ardhme ata mund të kthehen në Shqipëri, kryetari i shoqatës  “Ardhmëria” me bindje thotë se në këtë formë gjuha shqipe nuk do të shkojë drejt asimilimit.

“Për t’i pajisur të rinjtë me certifikata që gjuha e tyre të njihet është një çështje që duhet të diskutohet nga shteti për të realizuar një projekt të tillë. Të rinjtë duke mësuar gjuhën e tyre kanë mundësinë të jenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme që organizon komuniteti jo vetëm në Londër, por kudo ku ka shqiptarë”.

Fëmijët e emigrantëve tashmë kanë një libër të unifikuar që i mëson shkronjat e para. Kjo është Abetarja!

“Abetarja ishte gjëja më e bukur që u realizua, pasi na ka ndihmuar shumë në punën tonë. Unifikimi i saj tregon bashkimin e kombit tonë. Pjesë të literaturës janë edhe lënda e historisë, gjeografisë etj., në mënyrë që të jemi gjithëpërfshirës”.

Lutfi Vata, si kryetar i shoqatës “Ardhmëria”, një shoqatë e afirmuar tashmë në diasporë, jep mesazhin e tij për çdo shoqatë të re që të fokusohet te gjuha, kultura dhe tradita e vendit të tyre, sepse në këtë formë do të kemi mundësinë që të gjithë së bashku të japim kontributin tonë për traditat e vendit të shqiponjave.

Lutfi Vata, mësuesi që nuk rresht kurrë pa përmendur origjinën!

Më tej, z. Vata, gjatë kësaj interviste dhënë për revistën “Votra” tregon për marrëdhëniet që ai ka me familjen e tij, por edhe me komunitetin. Kryefjala e çdo bisede është gjuha shqipe dhe kultura e vendit të tij.

“Nëse unë nuk jam një shembull i mirë te fëmijët e mi, nuk ka sesi komuniteti shqiptar që jeton në Londër të më besojë mua për atë çfarë unë kërkoj të përçoj në zemrat e gjithsecilit. Me fëmijët e mi flas vetëm shqip, madje edhe kur komunikojmë me mesazhe në telefon shkruajmë shqip, sepse ne jemi shqiptarë dhe nuk duhet ta humbasim gjuhën tonë. Gjuha është e shenjtë, ndaj luftoj fort që identiteti ynë të mos humbasë atje në vend të huaj. Me fëmijët e mi kur jemi të lirë, unë u tregoj gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë. U tregoj atyre për historinë, turizmin, kulturën etj. Madje, djali dhe vajza ime i kanë mësuar disa tradita sip.sh. kur vjen dikush në shtëpi ata ngrihen në këmbë në shenjë respekti, ashtu siç e kërkon zakoni. Mua më pëlqen kjo gjë, ata edhe pse në një vend të huaj sillen si shqiptarë. Respekti ndaj mikut është një vlerë e shtuar, të cilën shqiptarët e kanë trashëguar ndër shekuj.

Të folurit shqip te të rinjtë ndikon pozitivisht, pasi ata krijojnë grupin e tyre atje, shkëmbejnë eksperiencat dhe zakonet e krahinave shqiptare duke realizuar një mori aktivitetesh.

Kjo është shumë emocionuese dhe më bën optimist, pasi në këtë mënyrë mbajmë traditën gjallë, duke respektuar pse jo dhe gërshetuar me komunitetet e tjera”.

Por për çfarë e merr malli më shumë Lutfi Vatën për vendin e tij?

“Pjesa më e bukur e jetës sime ka qenë në Shqipëri, pasi këtu u rrita, u diplomova, u njoha me Albanën, kam prindërit këtu, ndaj edhe pse fizikisht jam në Britani, shpirtërisht jam dhe do jem këtu në vendin e shqiponjave. Madje, unë e kam përmbushur porosinë që më la im atë kur u nisa drejt Londrës në vitin 1999. Asokohe, babai pasi më uroi që të më shkonte çdo gjë mbarë, më porositi“Traditën e vendit tënd mos e humb!” Ndaj sot me plot bindje mund të them që e kam përmbushur porosinë e tij dhe ai ndihet krenar për këtë gjë,rrëfen z.Lutfi.

Ai qëndron me shpresën se edhe fëmijët e tij, por edhe të tjerë shqipfolës ta trashëgojnë këtë vlerë të të parëve.

Më tej,z.Lutfi Vata, si një person i dashuruar pa masë me vendin e tij tregon se pushimet verore i kalon gjithmonë në Shqipëri për t’ia bërë edhe më të prekshme realitetin familjes së tij. Ai zgjedh Radhimën e Vlorës për të kaluar pushimet edhe pse më tepër i pëlqejnë zonat malore e kryesisht veriu i Shqipërisë si: Valbona, Thethi etj., por deti është vendi i parapëlqyer i Albanës, bashkëshortes së tij.

Albana është një tjetër personazh që jep një kontribut të vyer në ruajtjen e traditës. Ajo ka qenë bashkudhëtare në misionin e shoqatës “Ardhmëria”, një këshilltare e tij, një nënë e shkëlqyer në rritjen e fëmijëve me tradita shqiptare, një amvisë që gatuan vetëm gatime tradicionale shqiptare.

Vata na tregon edhe për raportet që ka me Albanën, ku përveçse bashkëshorte, për të është edhe mike, edhe kolege.

“Familja për mua është e shenjtë dhe unë përpiqem të jem një shembull i mirë në raport me gruan dhe fëmijët e mi”.

Lutfi Vata si kryetar i shoqatës “Ardhmëria”, si shqiptar, bashkëshort dhe prind u bën thirrje të gjithëve në çdo skaj të globit të bashkohen së bashku dhe të ruajnë në maksimum traditën e Shqipërisë.

Nëse shpesh themi: “Jam krenar që jam shqiptar”, të mos e përdorim këtë shprehje vetëm kur luan Kombëtarja futboll, por gjithashtu të bashkëpunojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe vlerave tona kombetare!

Intervistoi per “Votra Magazine”: Katerina Kostrista

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights